Rudolf Marku : EDHE NJËHERË PËR JURITË LETRARE

1.
Gjatë vitit që sapo kaloi, bota jonë letrare u ballafaqua përsëri me këmbënguljen arrogante të vendimeve të dy Jurive Kombëtare për botimet letrare- atë të Jurisë për veprat më të mira të Panairit Vjetor të Librit, dhe të Jurisë për Çmimet Letrare për veprat e botuara gjayë vitit 2023.

Le ta fillojmë me një fakt që tingëllon si një anekdotë, por që është e vertetë, sepse të vertetat tek ne janë, për fat të keq, gjithnjë anekdotike.

Një personalitet shtetëror, por që është njëkohësisht romancjer dhe poet i talentuar, shkruan kështu në murin e Fb të tij ( për etikë, nuk po ia përmend emërin, por lexuesi kurrështar mund të njihet me identitetet përkatëse përmes murit të Fb tim):

DIALOG BIO …

E solli fati të pyes një antar jurie të këtij viti:

– E lexove këtë vepër, po këtë tjetrën, po këtë, po …?

– Jo, nuk i lexova, – ma ktheu me sytë e skuqur prej shqarthi.

-Po kryetari i jurisë deklaroi se juria bëri punë titanike, lexoi, analizoi e ballafaqoi estetikisht qindra vepra, më duket 850 me ISBN.

-Pallavra. Turpërim pleqërie …!

– Po ti firmose … si firmose ti?

-Firmosa vetëm për 5 veprat finaliste . Dhe që këto i solli një antare e jurisë.

-Po nga ato lexove ndonjërën?

– Jo, – ma ktheu i bezdisur nga pyetjet. Unë merrem me shkencë, jo me letërsi.

Ky është dialogu i shkruar me një stil telegrafik, reportues, pa komente dhe qëndrime emocionale. Shkruar me një stil kafkianesk, leximi i të cilit duhej të na sillte rrënqethje. Por jo lexuesit tonë, i cili në fund të fundit ka qënë i përgaditur për këtë standart dialogu.Dhe këtu qëndron dhe tragjedia e vertetë. Që Juritë tona në fakt do të sillnin një të papritur vetëm nëse do të kishin funksionuar normalisht!

Sharlatanizmi i Jurive për krijimtarinë letrare vazhdon më me kembengulje se kurr, tashmë ne nivelet e Ministrisë së Kultures!

Personi që ia bënë këtë rrefim shkruesit- ështé njëri ndër anëtarët e Jurisë me të fundit të Ministrisë së Kultures, që percaktoi veprat fituese të letersisë per vitin 2023- një militant haxhi-qemalist i LSI, një mesues i gjuhesisê ( gjuetisë- do qe më e saktë) në Fakultetin Filologjik, një njeri i purifikuar dhe i virgjer nga mosleximi i librave, një dinak skrapali që shtiret kompetent, në kuptimin vlonjat te fjalês, pra një tip teper i përshtatshêm per tê qenë anetar Jurie i veprave letrare dhe artistike!

Asnjëherë tjeter nuk ka ndodhur tek ne që mediokriteti dhe injoranca shtirake të kene qene ne pozita më triumfuese dhe agresive, se sa ne ditet e sotme!

2.

Shumica e veprave që marrin Çmime nga Juritë e Ministrisë së Kulturës janë dhe veprat më mediokre të botuar tek ne. Jo se nuk ekzistojnë veprat mediokre në botë, por në botë mediokriteti botohet veç me kontributet finacjare të vetë autorëve, kurse tek ne janë botuar me sponsorizimet e Ministrisë së Kultures! Nuk është fjala te dëmi financiar, se sa në momentin kur botime të tiila vlerësohen nga Institucioni më i lartë i Shtetit për Kulturën , këto krijime të japin përshtypjen se kanë marrë një farë statusi shtetëror, sepse janë përzgjedhur zyrtarisht si librat më të mirë. Të vjen keq kur sheh ndonjëherë, se dhe vetë Qendra e Kulturës së Librit dhe Leximit- me gjithë kontributin e vet te pamohueshem qe nga krijimi i saj- nën njetin e mirë të inkurajimit të disa shkrimtarëve, ka kohë që u jep një vend disproporcionalisht më të gjërë poetëve dhe shkrimtarëve fillestarë amatoresk të soc-medias nga vetë krijimtaria e autorëve të konsoliduar. Është e njëjta mendësi dhe taktikë e taborreve të kritikës keqdashëse dhe sterilizuese snobe: lavdëro mediokritetin dhe nuk ke nevojë të sulmosh vlerat!

Ajo që i mungon Jurive tona është mungesa e shijeve estetike të përzgjedhjeve të vlerave të verteta. Por dhe një keqkuptim i vetë Letersisë nga ana e tyre. Për të mos thënë atë banalitetin ala shqiptar, mosleximin e librave për të cilët gjykojnë.

Vlerësimi me Çmime i veprave mediokre sjell automatikisht përçmimin e veprave të mira, të cilat nuk i mungojnë as botimeve të letersisë Shqipe. Është për të ardhur keq kur ndjen një agresivitet të heshtur ndaj librave të mirë të letersisë tonë, të cilat sapo botohen, rrethohen me një izolim hermetik. Aq sa të mos shqyrtohen hiç në librat e botuar të Vitit, duke supozuar se nuk janë botuar! Dhe po qe se kërkon llogari perse aksh liber nuk eshte marrë né shqyrtim a konsideratë, organizatorët e Jurive të japin ca pergjigje burokratike, kinse Botuesi nuk e ka paraqitur librin e munguar në konkurs ( ndonese nuk behet fjalë per asnje konkurs!) ose vepra nuk eshte paraqitur në kohé! Mediokrit e shtetit shqiptar, nën mburojen patriotike, thërrasin në ndihmë mediocrit e shtetit Kosovar, sipas parimit nder kombetar Birds of a feather flock together!

Ajo që është e pabesueshme-në standartin e botimeve në vendet e tjera të botës së qytetëruar,- është se armiqësia ndaj librave të mirë të botuar, fillon nga Minsitria e Kulturës. Vetëm në një vend si Shqipëria mund të dëgjosh Ministrin/ Ministreshen e Kulturës, tek thotë më një ndjesi shfajësimi ‘’ …mos prisni që të jap gjykim për librat, sepse libri nuk është fusha ime’ ‘ Nëse Ministrja e ka fjalën për faktin se profesioni i saj është arkitekte, a mund t’ia kujtojmë asaj se Çehovi, William Carlos Williams, Bulgakovi kanë qënë mjek, dhe se Dostojevskin,Tolstojn, Shekspirin, Naim Frashërin, Asdrenin, De Raden, Kadarenë nuk i lexojne vetëm mësueusit e letersisë?

Dhe janë po anëtarët e Jurive po këta ‘’kritikë’ që ekzaltohen nga leximi i një poezie mesatare a nën mesatare të përkthyer keq, mjafton që autori i saj të mos jetë shqiptar.Po t’u besosh vlerësimeve të tyre për veprat më të mira të letersisë Shqipe, vlerësime pretencioze akademikisht, letersia Shqipe do të dilte një peisazh i varfër botanik veç me dy a tre pemë dhe ca shkurre përreth. Letersia Shqipe, prej këtyre lloj Jurive, jo vetëm zvoglohet, por sakatohet dhe fallsifikohet në mënyrë të turpshme. Aq sa, asnje dashakeq i vlerave të letersisë Shqipe nuk do t’u bëntë një shërbim më të mirë dhe më efektshëm cinikëve dhe të liqve që duan denigrimin e kulturës tonë, sa ç’u bëjnë vetë të përzgjedhurit e Jurive, ngritur nga Ministria e Kultures të shtetit shqiptar, dhe nga Sejmenët e saj.