1.Të dua !
Nuk i dua gjuhëtarët
as të kombit tim
e as të krejt botës
Pas fjalës
Të dua
vunë pikë çuditëse
si një dry
që mjeshtrit e dyerve
i vunë portës
Jo, Të dua
nuk duron presje,
as pikë e as pikë çuditëse
Të dua ….
do të thotë
Të dua të djeshmen pa frikë,
të dua lindjen
të dua paralindjen në origjinë
të dua të tanishmen me gjithçka
të dua të mirat e prapesitë
Të dua …
do të thotë të
të dua të ardhmen,
të dua vdekjen, pas vdekjen
deri në infinit
Të dua ….
nuk duron presje,
nuk duron pikë.
Ajo pikë e gjuhëtarëve
e bëri lëmsh botën
me dashurinë me pikë
që solli dyshim, dasi, dyfytyrësi,dëbim,
dhunë, dhunim, dënim, dëmshpërblim,
Të dua
Të dua pa presje, pa pikë.
2. VITE DRITE LARG…
( për të pagjeturit viktima të luftës së Kosovës )
Në vend që t’ju aftohemi
yjeve të shkimur në Kosovë,
me vite drite largohemi
pa i gjetë
Çdo vit,
me një vit drite
më larg harrimi ynë
24 vite jemi larguar,
24 vite drite larg
një jetë pa jetë
Vitin tjetër 25…?!
3. AMANETI
Një gurë i rëndë te varri
na rri,
Një gropë e zezë ,
varr të zi
e kemi në gji,
Një pikë lot
sa globi
e kemi në sy
pa dorën e zotit
në të gjallë e përtej
as vorr nuk do të kemi për të hy
pa e bërë Shqipërinë
Shqipëri.
4. NUK KAM KOHË TË GJYKOJ TË TJERËT
Pse të shaj detin kur çartet
deti më zgjeron mushkërit
e shpirtin ma ben të gjerë
Pse të shaj diellin kur djeg
dielli me gjthshka kam më ndez,
sytë mi mbush dritë
në sy nuk kam terr
Pse ti shaj malet kur ka rrebesh
ato më mësuan të jem krenar
e kryet të mbaj lart e drejt
Pse të shaj henën
kur gjumi nuk më merr
hëna më fal të bukurat ëndrra
e me mban me shpresë
Pse të shaj mëngjesin kur
kryet ndonjëherë më dhembë
mëngjesi më fal ditën
në hapësirë ndihem si planet
Pse të shaj kohën
që nuk më jep kohë të gjykoj të tjerët,
dashuria në zemrën time
vend bosh nuk ka lenë
5. ALI BUKURISË I LË AMANET
Ma jep engjëllin tënd
të ruaj varrin tim
që të kryej
amanetin
që në të gjallë
nuk e bëra adet
E të ngrihen edhe unë nga varri
Të kryej amanetin e nanës
që ta bejmë Shqipërinë ,
gjallë ose dekë.
6.GURI I FLIJIMIT
( hiqet me buldozer në Gjakovë guri përkujtimor për nënën që u flijue për djemtë e saj të vrarë nga serbët në luftën e Kosovës )
Buldozeri është gjë e ftohtë,
si tanksi është armë,
pa shpirt,
pa jetë
nxjerr me rrenjë lisa,
por lisat dalin prapë,
nuk dinë me dekë
Nenë Pashka,
si nusja e murosur në Rozafë,
ka lenë gjirin e saj jashtë,
aty hurpet e ardhmja
qumështi i saj është amanet.
7. PISHA
Drunori më fisnik
pemët e pishave nuk ndryshojnë
Pishtaret morën emrin,
me drurin e saj
bënë dritë
Me pishën
koridoret nuk mbetën errtë
flakë e pishtarit
mendim të kthjelltë mbiu
8. NË KEMBËT E DASHURISË
Në se vaporët gjigandë
në dete e oqeane
mbështeten në ujë
Trenat, traktorët, makinat, njerëzit
e çdo gjë e gjallë mbështetet në tokë
Anijet kozmike, zogjtë e shpendët e qiellit,
Vetë toka, gjithë yjet e krejt planetit e krejt gjithësia e hapësirës
mbështillen e mbështeten në ajrin e pa matë
Dhe ajri i pamatë
mbështetet diku…
A mos është si jeta..
në kembët e dashurisë.
9. GROPAT
Një gropë në rrugë
nuk është gropë
Një gropë në gomën e makinës
nuk është gropë
Një gropë në kuletën e xhepit
edhe kjo nuk është gropë
Një gropë në shpirtin e njeriut
vetëm ajo është gropë
10.KROJET
Bujaria e tokës
nga shpirti i saj
krojet rrezë shpatit,
anës për çdo rrugë,
e në shteg të oborrit
pa asnjë çmim
na i ka falë
U shpikën bucela,
tubo e rezervuarë,
në shishe i mbyllen,
krojet u harruan
currilet e tyre
u thanë
Kënga e bylbylit
nga syte e kronit
nuk u pa.
11.LARGËSIA
Matet me pellëmbë,
me hapa,
me milje, kilometra,me…
me të qintat, të mijtat,…
e me shpejtësi drite
Të gjithë keto
nuk tregojnë asgjë
E nuk matin asnjë largësi
Largësia
ka vetëm
një njësi matje
të vërtetë,
është ajo
e vendlindjes time
12.KUR BJEN FYELLI E ÇIFTELIA
Shqiponja hap krahët
ndal vrullin e palos kthetrat
në ajër ndalet e dëgjon
Gurra
tek vasha gjinjtë e butë freskon
me ritën çiftelie
currilet e saj lëshon
Bylbyli me lafshën blu,
në majë të pishës
ndal cicërimen
e fyellin e bariut dëgjon
Deshët me brinjë dredhë
futen në mrizë,
mbështetin kryet tek njëri tjetri
pa tundë kumonë
Shpatet tek njëri tjetri
nga maja në majë
piskatin
lëshojnë jehonë
Kur bjen fyelli e çiftelia,
bjeshka malet i bashkon
13.MATJA E MOSHËS
Sa vjeç je …?
Kur ka hy hyrrjeti
baba ka qenë katër vjeç
Kur është djegë malësia
nana ka qenë në djep,
Kur na ka ra nemcja
mixha sa ka nisë me ecë
Kur ka ikë Italia…më thonë se kam le
Në vjetin e rracionit,…motra e madhe ka nisë me folë
Kur është mbyllë kufini…baba ka shkue ushtar në Vlorë,
Kur u ndamë me Titon, mixha ka shkue në shkollë,
Kur jem prishë me Stalinin, ka vdekë gjyshja jonë,
Kur ka hy kooperativa…
vëllaj është ba me djalë,
Me Kinen e Mao Ce Dunit,
kur ka dekë gjyshi u ndamë,
Kur ka ra tërmet në Shkodër, na ka lindë motra e vogël
O, moj e mirë kabllush kuqe,
kallxom ditën kur t’shkosh nuse
As ditën kur kem le
nuk na lanë me e mësue
14.…E DJEG DETIN DASHURIA
Prushin e diellit,
detin,
e shkimë era me duar të buta,
flladi i bregut,
tek buzët e tokës puthen me detin
baticat e zbaticat mbërrijnë
e stërpikin dashuritë
Dashuritë aty
nisin,
detit nuk i druhen,
nuk ja fshehin lakuriqesitë
puthjet ja marrin
dallgët ja kthejnë pas,
bashkë dhe stuhitë.
15. ËNDRRA E KOMBIT NUK VDES
U vra kombi ynë
rob i diellit
ndër zili e urrejtje fqinjësh
si buall u shtri gjerë e gjatë
Midis ujqesh dhembë zgerdallë
prej vrerit të gjakut,
u mposht krenar plagë marrë
ndarë në dysh,
prej dy kongreseve,
Berlin e Londër
në 1912,
vetëmitar
dhe i vogël
Dhunimin e tmerrshëm
edhe pas 120 vjetësh,
nuk e ka parë,
me flamur,
me dy flamuj e kujton,
dhunimin e turpshëm
e prapë,
i vetëm,
e prapë i ndarë
Në endërr,
kombi ynë fyerjen nuk e ka pranuar,
shpirti i tij i dërmuar,
diellin e ka në damar
Dhe ëndrra nuk vdes,
edhe pse si hero
kombi im
ka ra
16.JAM ZEUS…
Mburrem,
me gjithë fuqinë e pohoj
Jam Zeus
Gjyshi im,
Gjergj Kastriot
ka bërë kala ne Krujë,
aty quhej Kron,
babaj i Zeusit
aty mbretëroj
Edhe gjyshi
I Zeusit ardhur nga qielli,
Tiranën adhuroj,
quhej Uran
emrin e tij
Tirana e gëzon
Zeusi
sunduesi i qiellit e tokës
nga mali i rrufeve,
në Dodonë,
tempullin e tij e kishte
baba Tomorr
Qiellin e gjyshave të mi,
prej 1600 vitesh para krishtit
zotëroj,
tokat mi kanë marrë
Zeusi nuk harron
Sunduesi i tokës, i qiellit
dhe i gjithë zotave
në ëndrren time,
e në zemrën time,
ka tempull
qe diellon
17.MA KTHE LOTIN E NËNAVE
O det,
Kthej valët përpjetë ,
të shkojnë në Bunë,
Buna të shkoj në Drin,
Drini të vadisë dy anadrinët
e të lag sytë e nënave
të shterur nga ikdhimbja
e të sjell lotë gëzimi
18.PEMA E JOYCE KILMER
( …Pema që i mbijetoj tragjedisë së 11 shtatorit në Manhattan dhe frymëzoj poetin Joyce Kilmer, që bëri poezinë e famshme “Pemët”)
Pema e Joyce Kilmer,
përballë përmendorës së 11 shtatorit,
me tri degë të vjetra,
që mbijetoj
e degët e reja
rritë pas tragjedisë,
kuvendon sot me mua,
është cicerone e historisë.
Dy kullat që ranë,
më thotë
ndanë dy kohë si me thikë,
qielli atë ditë tradhtoj,
me ditë me diell,
lëshoj terror, rrebesh e suferinë
mbi Lirinë.
19.…ne Prizren
N’tel të epërm
e kam vargun,
shekullor e të rëndë
e kam hapin
Si një luftëtar
drejtoj trupin e lart
mbaj ballin,
sapo në Prizren
shkel pragun.
20…..NË VALBONË
Shalova vargun,
frerët në duar i mbaj kot
Xixa nxjerrin kërshat
ta ndal nuk munda sot
*Cikli i botuar është marrë nga vëllimi poetik “Dy Anadrinët”, i poetit Sami Mulaj