Xhaxhai im Kamber Murati, teknik duhani në NISH Cigare, (STAMLES), Durrës, dhe muzikant i vjetër bashkë me babain tim në bandën muzikore të qytetit, ndodhej në mbrëmjen e Vitit të Ri, të organizuar nga ndërmarrja. Pasi kishte dëgjuar nja 20 vetë nga autoritetet, që me dolli thërrisnin njeri pas tjetrit “Rrofë partia, rroftë udhëheqësi”, rroftë ky e rroftë ai drejtues, xhaxhai kishte marrë gotën dhe ishte ngritur në mes të sallës duke thirrur me gotën lart “Rroftë Viti i Ri!”. Salla kishte ngrirë një minutë nga kjo thirrje e padëgjuar, por dy shokë të tij të zgjuar për të dalë nga situata kishin nisur duartrokitjet dhe i kishte ndjekur instiktivisht gjithë salla.
Të nesërmen xhaxhain e kishin thirrur në byronë e partisë për t’i kërkuar llogari përse ai nuk kishte ngritur dolli për partinë dhe për udhëheqësin, por kishte ngritur për Vitin e Ri. Xhaxhai ishte mbrojtur me argumentin se tradita kërkon që në festa të ngremë dolli për sebepçiun e festës dhe me këtë rast sebepçiu ishte Viti i Ri. Meqë xhaxhai ishte me biografi të mirë, sepse kishte qenë anëtar i njësitit guerril të qytetit në Luftën e Dytë Botërore, çeshtja u mbyll me kaq.
Historia u tregua e drejtë me xhaxhain tim, sepse vetëm Viti i Ri rroi nga të gjitha “rroftet” e tjera të gabuara të kohës së gabuar. Unë si student i letërsisë me këtë temë shkruajta tregimin e parë dhe të fundit në jetën time, tregim i cili humbi redaksive…
Sa mirë kur njerëzit në çdo kohë të errët, me ndërgjegje ose instiktivisht, e ndjejnë se çfarë është e përkohëshme dhe çfarë është e përjetëshme!