SHKUMBINI. Poemë nga Skender Bucpapaj

Shkumbini ec përmes tropikut të tij me borë
Shkumë banë, shkumë bën ekuatori im
Ekuatori ynë i papajtuari me brigjet i papajtuari me urat
I papajtuari me florat dhe faunat e mëpastajme
I papajtuari me format përgjegjëse të urave
Domethënë me ylberet, domethënë me fluturimet e zogjve
Domethënë me fluturimin e reve, me lëvizjet e reshjeve
I papajtuar me qiellin dukuri e vonët
Të gjitha dukuri të vonë ta krahasuar me lumin
Shkumbin shkumbëtarin e madh harrakatin
Idhnakun e madh të parin e lumenjve
Që e krijova mbi tokë kur as lumë as det as oqean
Tjetër s’kishe dalë prej duarve të mia
Këtu ia preva kërthizën Hënës bijë nga Toka
Dhe e lëshova në hapësirë që nënës t’i vërtitet rrotull
Duke i kërkuar sisë
Dhe në gjurmët e etjes që la në Tokë ndarja me Hënën
Unë krijova Shkumbinin
Tejpërtej i binte ai golles vazhdonte matanë Adriatikut të sotëm
Me emrin Po, vazhdonte matanë Mesdheut të sotëm
Me emrin Guadalkiviri, matanë Atlantikut
Të sotëm në Misisipi e Misuri
Shkumbini nuk buron thjesht në Valmar
Unë e kam vënë veshin pranë tokës
Dhe ia kam dëgjuar rrahjet e zemrës
Deri përtej Himalajave.
Shkumbini nuk derdhet thjesht në Adriatik
Delta e tij del në Golfstrim, në Labrador,
Në Grinuiç.
Shkumbini nuk ka njohur kurrë djep as kaptyell djepi
Drejt e në këmbë ka rënë dhe shtratin e ka njohur vetëm si simbol
Ekuatori ynë paraleli zero kurrë i pajtuar
Me bregun djathtas paralelin një sipër
Me bregun majtas paralenin një poshtë
Kurrë i pajtuar me paralelin lart, kurrë i pajtuar me bregun poshtë
Gjithnjë e më shumë të larguar prej tij, ekuatorit tonë
Gjithnjë e më shurdhues në veshët e Shkumbinit
Bregu lart si ujk, bregu poshtë si çakall
Bregu lart sokëllin, bregu lart vërret
Bregu lart ulërin, bregu poshtë cijat
Shkumbini shkumë banë, Shkumbini shkumë bën
Shkumbini kurrë s’i pajton bregun e djathtë me bregun e majtë
Bregun e sipërm me bregun e poshtëm
Shkumbini kurrë nuk i qetëson dot ujërat e tij
Si shpendë prehistorikë me krahët që iu përplasen mbi sipërfaqe
Me kokat ngulur thellësive në kërkim
Të kokave të njëra-tjetrës
Me kokat që hanë njëra-tjetrën
Në thellësitë e vorbullave poshtë
Ndërsa krahët iu përpëliten papushim iu përpëliten
Mbi sipërfaqen e ujërave lart
Pa krijuar dot kurrë një pasqyrë për brigjet
Për brigjet kurrë të para në ujërat e lumit të tyre
Pa krijuar dot pasqyrë për qiellin
Realitet i mëvonshëm kurrë i pranuar nga Shkumbini
Pa krijuar dot pasqyrë për florën dhe faunën
Të cilat Shkumbini i rrit pa dashjen e tij, duke ua shuar etjen
Kurrë i mësuar me statusin e ngjyrës së kaltër të qiellit
Kurrë i mësuar me statusin e ngjyrës së blertë të tokës
Ekuatori im, ekuatori ynë
Gjeniu im naiv
Me të kaltër pikturon tokën, me të gjelbër pikturon qiellin
Gjenialitet i lindur i Shkumbinit
Lumit të parë që mbi botë e krijova
Ashtu i improvizuar, dredha-dredha, leqe-leqe
Ashtu, si i thonë fjalës,
Kaq dita kaq bëra
Ashtu sa doli nga dora ime Shkumbini
Shkumë bani, pastaj shkumë bëri Shkumbini.
Shkumë ban, shkumë bën Shkumbini
Të hënosurin një ditë nuk e gjen në shtratin e tij
Një ditë nuk e err në shtratin e tij
Shtrat në shtrat lumenjve të planetit
Shtrat më shtrat deteve e oqeaneve
Me shtrat e pa shtrat shkrryhet yllësive të Universit
Nuk do që t’ia dijë ku e kaplon jermi
Me rekuizitën e gjumit ai bën jetën e ditës
Me rekuizitën e ditës ai bën jetën e gjumit
Shkumë banë shkumë bën Shkumbini
I hënosuri nuk lë lum pa ftuar, nuk lë det e oqean pa ftuar
Nuk lë rrymë a sferë qiellore pa ftuar
Në shtratin e vet të ngushtë midis maleve të murrme
Midis grykave rrëpirave që ai vetë ka latuar
Shkel e shko mrekullisht e magjishëm
Gjeniu im naiv gjeniu im somnambul
I shkrryen në shtretërit e tyre, i shkrryen në shtratin e vet
Lumenjtë e botës, detet dhe oqeanet e planetit
Ish lumenjtë ish detet dhe ish oqeanet
E yllësive të Universit tej e përtej ku janë
Pa përfillur urat pa përfillura brigjet
Pa përfillur shtrojat dhe mbulojat
Shkrryhet i hënosuri im derisa jermi e lëshon
Ashtu siç e kam krijuar unë atë lumin e parë të botës
I shkrryen e i përshkrryen të gjithë të mësërishimit e tij
Lumenjtë detet oqeanet e planetit
Me njollat blu, jeshil, verdh të bashkë fjetjes me ta
Ai lëshohet përsëri në mes brigjeve të tij
Gjithnjë e më të shalakatura
Si dy nofulla të dala të
Një goje të çaraveshur që vetëm largohen prej njëra tjetrës
Ashtu shkumë banë, shkumë bën, shkumë ban, shkumë bën Shkumbini.
I hazdisuri nuk pranon të shalohet kurrë
Nuk pranon në kurriz ura, ato i ngjajnë si samarët
Prandaj çukërmim, shkrofëtin, gjuan me të parmet, të mbrapmet
Gjersa i shndërron në lodra urat e tentuar sipër rrjedhës së tij
I hazdisuri nuk pranon lundra, trape, varka kur rend mes maleve
Nuk pranon vaporë sipër rrjedhës së tij kur rend deteve oqeaneve
I hedh tutje, i fundos pa mëshirë
Nuk pranon varka letra, nuk pranon varka lodra
Nuk pranon asnjë lloj fantazie fëminore që e shndërron sadopak në lodër rrjedhën e tij
Shkumbini rend pa pushim nëpër tropikun e tij me borë
Baraslargës me polet tona nord dhe sud
Shkumë banë, shkumë bën, shkumë ban, shkumë bën Shkumbini
Gjeniu im naiv, somnabuli im i hazdisur
Malësor mbetet në mes të maleve
Ku një herë të largët e përftova
Nga duart e mia të parin e lumenjve të botës
Malësor mbetet në fusha, malësor në deltën e tij
Malësor në dete dhe oqeane, malësor në qytete, në kancelaritë botërore
Malësori im Shkumbini, gjeniu im naiv
I hënosuri im Shkumbini, i hazdisuri Shkumbini
Besnik i zanafillës së tij, besnik i fillesës së tij i pamposhturi
Shkumë bën, shkumë banë, shkumë bën, shkumë banë Shkumbini
Pa dashur t’ia dijë ai rend mes bregut të djathtë dhe bregut të majtë
Mes ulërimës ujkore dhe vërrimës së çakalltë
Ekuatori im, paraleli zero,
I hënosuri im, i hazdisuri,
Malësori im zanafillor rend Shkumbini.
Bregu Ua ulërin, bregu Ua vërret
Bregu bregut i ikën, Shkumbini rend përmes tyre
Pa i çuar kurrë sytë te asnjëri prej brigjeve
Pa dashur t’ia dijë që s’ka qiell as nën qiell që t’i fusë brenda kllapave ( )
Pa dashur t’ia dijë që s’ka ylber në qiell që mund t’i përfshijë brenda gjysmëharkut
Pa dashur t’ia dijë për asgjë
Shkumbini, sa herë që i kërcet në kokë iu vërsulet brigjeve të veta
I vërsulet bregut të djathtë, i vërsulet bregut të majtë
I vërsulet bregut të lartë, i vërsulet bregut të ulët
I vërsulet bregut ujk, i vërsulet bregut çakall
I vërsulet bregut shqiponjë, i vërsulet bregut laraskë
Iu vërsulet dhëmbëve të tyre, iu vërsulet sqepave të tyre
Dhe veten e ndjen rehat për ditë të tjera, javë, muaj, rrallëherë vite
Kur Shkumbini është i ndërkryer, ta dini, është i ndërkryer me brigjet e veta,
Kur Shkumbini është i ndërkryer, ta dini, është i ndërkryer me shtratin e vet
Kur Shkumbini është i ndërkryer, ta dini, është i ndërkryer me urat.
Shkumbini shkumë bën, shkumë banë, shkumë bën, shkumë banë Shkumbini
Shkumbini rend i harlisur,
Rend nëpër tropikun e tij me borë
Ndërkryerazi, shkërryerazi rend ai
Duke shtyrë, zmbrapsur, zbythur brigjet e veta
Duke ua tulatur kreshpërimet, duke ua shuar zjarmimet
Hutani i madh, harrestari proverbial, trullani i çartur
I rikthehet prapë shtratit të vet
Ku ai ka munguar ato çaste kur askush nuk ka mundur të hetojë mungesën e tij
I rikthehet udhnajës së vet të përjetshme
Udhnajës së tij të krijuar para të gjitha jetëve
Të krijuar nga këto duart e mia
Atëherë gjithaq të pasigurta
Shkumbini shkumë bën, shkumë ban, shkumë ban, shkumë bën Shkumbini
Ekuatori ynë, ekuatori im, gjeniali naiv,
I hënosuri, i ndërkryeri, hutani, trullani,
Malësori i pandreqshëm, i hazdisuri, harrestari i madh
I rikthyeri prapë e prapë
Shkumbini rend në tropikun e tij me borë
Shkumë bën, shkumë banë, shkumë banë, shkumë bën Shkumbini
Lumi im i parahershëm
Lumi i përjetshëm Shkumbini

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here