KUR NJOHA DANTEN. Poezi nga KLARA KODRA

Libri yt ishte bërë fletë-fletë,
Si fletët që shpërndan kryeverdha vjeshtë,
Kur era fryn, fletët pa më jetë.

Unë isha gjashtëmbëdhjetë, një vajzë e thjeshtë,
Po pashë se fletët e tua kishin ende prush
Dhe prushi prind i flakës përherë është.

Dhe me flakë në çast gjoksi m’u mbush
Gjoksi që ende s’ma kish ndezur kush.
Flaka shpërthente nga vargjet plot zjarr.

Errësirë dhe dritë, jetë dhe varr
Kishe përzjerë Ti me stapin Art,
Po Beatriçja të thërriste lart.

Ferri s’qe veç errësirë e llahtaruar,
Po ja, dy drita rrezatuan terrin:
Paolo e Françeska, për jetë përqafuar.

Unë mendova diçka si blasfemi:
Më mirë me dashnorin ndaja Ferrin
Sa Qiellin me dikë pa dashuri.

MALL

Toka bëhet më e re çdo vit.
ah, të ngjante kështu edhe me ne!
Për rininë e përjetshme që ndrit
Kam kënduar kur edhe vetë isha e re.

Toka s’pyet për uri e për Covid.
Trëndafilat shkëlqejnë si dikur.
Trëndafili në faqe ende s’m’u fishk.
Zemra ende është flakë, s’është gur.

Syri i diellit është ende i artë.
Gjelbërimi bleron përsëri.
Sytë e mi tani shohin qartë,
Po shumë shokë më mungojnë tani.

Mbi të gjitha më djeg për ju malli.
Ju thërres juve, mama, baba!
Kurrë s’mbyllet kjo plagë për së gjalli
Kurrë nuk zuri kore, s’u tha.

E di, ata që të mbajnë në hapat e para
S’janë ata që të mbajnë në të fundit
Dhe fytyrat që njohe së pari
N’errësirën e kohës do të humbin.

N’errësirën e kohës së shkuar
Ndrisni ju gjithnjë si dy yje
Prej atyre yjeve gjithnjë kam buruar
Dhe jam lidhur me të pazgjidhshmen nyje.

NOEMIT

Vogëlushe, po shoh shëmbëlltyrën
Time të vogël në sytë e tu të pastër
Si liqene të kaltër, si pasqyrë.
Iku larg rinia zjarrkaltër.

Sa ëndërroja dikur në rini
Për një foshnje me sytë si qielli
Që të derdhnin të kaltrën magji
Dhe me flokë të arta si dielli.

Ti nuk je foshnja ime, biondinë
Që, e gëzueshme, i çel sytë e kaltër.
Babin tënd dikur pashë si fëmijë
Dhe nga unë i ka ca pika gjaku.

Fluturoi larg rinia zjarrkaltër
Po e shoh prapë të kthehet ashtu
Në pasqyrën e syve të pastër,
Në ndriçimin e flokëve të tu.

Sytë si qielli pasqyrojnë të ardhmen
Sytë që më kërkojnë një përrallë,
Vogëlushe si ketër e gjallë.
Brun dhe ëndërrues e ke ti binjakun.

Që të dy të jetës jeni në prakun
Sytë e kaltër e të zes janë plot
me të ardhmen
Që s’i dihen konturet, as caku.

PËR NËNËN

Nëna ime, e shtrenjtë si dritë syri
Që përherë mbete e bukur, e re
T’ishte e mundur si rrezja e një ylli
T’ecja praptas, të t’ktheja te ne.

VARGJE PËR SAMANTËN

Flokët e tu të gjatë një ditë do të bëhen
shkallë mëndafshi
Mbi të cilat do të ngjitet Princi i Kaltër
(S’do të jetë princ, do të jetë thjesht/ Dashuri).

Sytë e tu të qetë do të bëhen një ditë
llamba që digjen.
Do të digjen nga një ndjenjë që do të të
ndriçojë të ardhmen.

*
* *
Jam tezja jote, për ty gjyshe dhe nënë
Ti ke gjakun tim.
Ti je vajza që s’kam patur
Ashtu si nëna jote më qe mbesë e bijë.

Të kam mbajtur në duar të vogël
Tani përherë më zvogëlojnë vitet
Unë rëndohem, kurse ti je e shkathët
si ketër,
e lehtë si zog.

Ti ke flatrat e këmbëve
Unë kam ende
Flatrat e këngës.

*
* *

Emrin tënd kanë një artiste, një astronaute
Ti ke përpara të ardhmen me plot hapësira
Në tokë mbase, mbase në oqean dhe në kozmos
Udhë të panumërta hapen për ty si rreze dielli
Ti zgjidh prej tyre TËNDEN.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here