PIRRO LOLI: METAFORA E BARDHË, POEZI

METAFORA E BARDHË

Krishti kështu ka qenë por ne s’e kemi parë.
Një re e bardhë e mbulonte si qefin
Me flutura bore në buzë. Pezull në qiell
dhe i vdekur dhe i gjallë.
Ia kam puthur ikonën përmbi miliona puthje
Por përgjigje nuk kam marrë.
I fryva me frymën time të ngrohtë
por fluturat e borës nuk i shkrinë në buzë.
Porta e Parajsa nuk u hap.
I hodha gjakun tim të kulluar në damarë
Por gjaku folla folla
i shpërtheu nga gozhdët si shatërvan…
Ai këtu ka qenë
te pika e vesës dhe dhimbja e njeriut
por ne s’e kemi parë
Pezull
në qiell mbuluar me një re të bardhë si qefin
me flutura bryme në buzë.
Zoti im sykaltër Zoti im këmbëzbathur
Unë të njoh dhe në flakë dhe në hirin shuar.
Dhe të vdekur dhe të gjallë.
Ëndërr që nuk këputet në ëndërr.
Gjithçkaja dhe asgjëja nuk kanë emër tjetër
Metaforë e bardhë
Puthje frymë dhe gjak

 

 

 

BURONJAT E BORËS…
Lumi im rrjedh nga buronjat e borës
Mbushur me trofta të ftohta
I pastër i vrullshëm
Rrëshqet nëpër gurë veshur me myshqe.
Shkurret dhe psherëtimat e pemëve të bregut lodrojnë
në mua dhe mbyten. Nuk e kthej kokën pas. Nuk mund
të kthehem te prejardhja ime. Më kot mundohen troftat
për te babai burimor.
Në mua, si në supet e babait, pakuptuar,
vetvetiu flogu i borës zbret nga yjet e më shkrin në
damarë.
Me peshën e njeri tjetrit mbi shpinë unë dhe babai
Të heshtur Pa kthim
Rrëshqasim në barin e rralluar.

 

SHTËPIA E SHTËPISË

Atje
është shuar zjarri e ftohur hiri
Janë çarë muret, kërkëllijnë bravat
E gati në të rënë dhomat e katet.
…..Ka hone e kurthe në netët e mia,
uzurpime nga lukuni merimangash
“Shtëpi e shtëpisë ose shtëpia e babait”
Tre brinjë të thyera
e pika e shiut kërcet në prag.
Në grahma agonie çatia rënkon
E muret kanë dhënë bark.
Hija e ëndrrës është ëndrra tjetër
E preva kërcellin e krahut
në themelet e reja e hodha si kurban.
…themelet u mbushën me ujë të turbullt
E përsëri mbiu krahu i majtë.

 

AI DËGJONTE SHIUN E BUTË…

Kur të katër ne djemtë mbërritëm nga kurbeti
babanë e gjetëm shtrirë. I qetë
dëgjonte shiun e butë në kopsht
Dhe mërmërimën e gjetheve jashtë.
Me vetulla të trasha si të miat u fliste të gjithëve
“ky vit do të jetë i begatë”
Një mëllenjë e plagosur qante fshehur në bar
Si motra e vogël nga dhoma tjetër
Hardhia zgjatur në degën e manit
Kafshonte kërcellin me aj.
Iku  më këmbë
pa para pa borxhe pa asnjë të fshehtë.
Pemët dhe barin dhe viçin
I donte më tepër se djemtë.
Në krye të pelikrinazhit
Pemët krahëvarura u vunë në rresht.
Pas tyre pikëlluar çapiteshim
ne, djemtë

 

AH, KËTO KËPUCË !

Këpucët e babait këpucë bujku
Të gjera si lundër e vjetër
Të shkelura në thembër
Mosmëkeq.
Nëna matet t’i hedhë po s’i hedh
I ngre në duar
Si plisa të rëndë dheu
E nga sytë e mi i fsheh
Besnikërisht ruajnë
formën e këmbës së trashë
Dhe gishtat me goxhanikë si dega e rrapit
…
Ah, këto këpucë
Me shuaj të ngrënë
Me baltën e kopshtit të tharë

 

DRITA MBI DUAR E MIA…

Ngujuar në mermer
Dremit brenda ëndrrës sime babai
I ftohtë I bardhë
Me sy e buzët prej bryme
Përsipër mbi varrin e rëndë i rritet bari.
Dhe dielli ka ngrirë.
“Çliromë nga ky nder – më tha sonte në gjumë –
Janë shumë të rëndë këta blloqe mermeri
Nuk e dua as emrin, as fotografinë
E mbërthyer në beton.
Nëse nuk mbjell dot një pemë pranë meje
Lermë të më mbulojë bari i gjelbërt
Ta shoh me sy shiun dhe ylberin
Lulja e gjëmbaçit
si drita
Të çeli mbi duart e mia…

 

 

 

ANKTH

E pashë përsëri sonte babanë
Qëndronte në stolin e tij në guzhinë
Pëllëmbët prej dheu i rëndonin në gjunjë
Jashtë binte shi me baltë
E xhamet e natës kuqëronin frikshëm.
I kaltër ish si bora
Në ballë kish një të çarë rrufeje
Përtypte duhan të grirë
E qante,
Qante nën zë
Për ca zënka të kota me gruan sa ishte gjallë.

 

ËNGJËLLI IM

Me fener në dorë
Deri te Lisat e Gurrës më përecillte nëna
Rrugës ma mbante dorën në dorë
Që të më ruante nga era e ngrica.
Zgjoheshin zogjtë në pemë,
avullonin gurgullimat e dëborta të gurrës…
Kur ndaheshim, hidhte dy tre hapa
kthente kokën nga unë, bënte kryqin
për diçka i lutej Zotit…
dhe kapërcente një lot të hidhur në gushë
…
Dhe kur iku përfare ktheu kokën nga ne
që i rrinim pranë.
Fytyra ime ishte e fundit qe u strehua përgjithmonë
në sytë e saj. Qepallat i ranë si kanata të rënda
Dhe drita e zbetë hënës i ngriu në ballë.

 

 

 

HËNA E MESNATËS

Atë çast kur e putha për herë të fundit
Nuk pashë asnjë yll drite në ballin e nënës
Veç lëkurën e hollë e të ftohtë
Si hëna e mesnatës
Ndoshta,
Yllin që ndizet, symbyllur e sheh ai që ikën…
Mua më mbeti përherë në sy
Veç ajo hëna e plotë të mesnatës
Që zbehej e zbehej Që shuhej e shuhej
Kur ballit iu rreshtuan pika djerse si perla
Dhe gjumin e mbyllur
E mbuloi bryma…

DRITA E JETËS SIME…

Që atë ditë m’u çanë muret e shtëpisë
Ranë pamjet, pikturat
dhe portreti i saj u përmbys.
E ngrita shpejt e shpejt fotografinë e afrova në gjoks
E putha në ballë – ta ruaja nga rrëmeti
E vendosa në murin përballë.
Sy më sy.
Por – e pamundur- Nuk e përballoja dot shikimin e saj
E mora në duar, e putha në ballë
E mbështolla me kujdes dhe
Diku e vendosa symbyllur të çlodhej.
E qetë.
Atje, në ish vendin e saj Orë e cast lodron një dritë.
Ëngjëlli im i bardhë pa u dukur më ndjek nga muri përballë.
Por, nuk e di Me ç’ngjyrë e në ç’përmasa
t’ia bëj asaj drite një kornizë
të artë.

ESHTRASHKOQUR HARRUAR

 

Në kopshtin tim mijëvjeçar si pyll i dendur
është rritur respekti për fisin ushqyer brezash
me gjethe të rëna.
Rrënjë
të moçme bishtore mbuluar me qime thithëse.
Që nga qendra e tokës.
Emra të njohur shkruar në dëborë.
Varre vertikalë. Në tokë e në qiell.
…
Pakuptuar humbur honesh
largohen e ndahen
firojnë emra dhe shekuj të errët
pa gojë.
Eshtrashkoqur si shtufi. Harruar.
Me mirëkuptim ndahemi me kate të trashë e të errët.
Ver-te-bra të këputura.
Mbuluar nga heshtja e trashë.

 

 

RRËNJËT

Ajo dëgjoi që u grindën për të
Dhe një çast u drithërua.
Si shenjëz fantazme u ngrit nga varri
E duke buzëqeshur tha:
“Unë i di ku i kam rrënjët
Dhe gjuhën
Dhe varret.
Te Kostandini i madh ilir
që ligjëroi Krishtërimin,
Te Shën Jeronimi
që i dha Biblës gjuhë perëndie,
Te Niketë Dardani,
Himni i parë i Krishtit, “Te Deum…”
Te Danakti, emërshenjti i Vlorës
që për besën e Krishtit i prenë kokën,
Te Shën Asti i Durrësit dhe i Ulpianës, martir;
Te Papa i Parë i shekullit të parë,
Ebuterit nga Preveza,
Te Papa Klement Albani…
Tek të gjithë mbretërit ilirë.
Unë i di ku i kam rrënjët
Dhe gjuhën
Dhe varret
Nëse pranoni që atdheu juaj është Plaga
Atje kam lindur unë,
Atje është atdheu im.
Asnjë pasaportë s’mbaj me vete
Veç një kokërr loti në buzë,
Unë i di ku i kam rrënjët
Dhe gjuhën
Dhe varret.”

 

MOSMIRËNJOHJE

 

e kish humbur ylberin në atdheun e saj
shirat binin pjerrtas
të hidhura e
ëndrrat i zgjoheshin duke qarë
lulkuqe plagësh i përcëllonin trupin
dhe në Shkup
dhe në Prishtinë
dhe në Tiranë
për Shqipërinë ndezi dyzet diej
por ajo
e kish mbushur qiellin me hithra
e për shënjtorët e vet s’kish
as dritë
as vatër
as varr.