Shqiptarët dhe Nik Gjeloshaj fitojnë zgjedhjet në Komunën e Tuzit

“Forumi Shqiptar” fitues i zgjedhjeve në komunën e Tuzit në Mal të Zi

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Tuz të Malësisë tregojnë për një fitore të plotë të koalicionit“ Forumi Shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj me Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve, Unionin Kombëtar Shqiptar dhe Lidhjen Demokratike në Mal të Zi.

Me mbi 51 për qind të votave të fituara, ky koalicion i forcave politike shqiptare siguroi 18 mandate në Kuvendin e Komunës së Tuzit, i cili numëron 32 vende.

Dymbëdhjetë mandate i fitoi koalicioni “Rruga e Drejtë” i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Partia Boshnjake, Social Demokratët dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Nga një mandat morën dy parti të vogla të spektrit politik malazez.

Numri i mandateve të fituara i siguron “Forumit Shqiptar” mundësinë që vet të themelojë qeverinë vendore

Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë mbi 66 për qind e të elektoratit, i cili numëron mbi 12.000 votues.

Statusi i komunës së pavarur, Tuzit iu rikthye në shtator të vitit 2018 duke e shkëputur atë nga kryeqyteti i Podgoricës. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat urbane të kryeqytetit.

Për gati dy dekada, kërkesa kryesore e forcave politike shqiptare, por edhe e diasporës, ishte pavarësia e plotë e komunës së Tuzit.

Në zgjedhjet e para të vitit 2019, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, e cila deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë urbane.

Shqiptarët në Malin e Zi nisin festën, Nik Gjeloshaj fiton zgjedhjet në Komunën e Tuzit

Në Tuz kanë nisur festimet pasi kryetari aktual i komunës ka arritur fitoren në zgjedhjet lokale. Raportohet se Nik Gjeloshaj dhe koalicioni “Forumi Shqiptar” morën 18 mandate që u siguruan fitoren.

Duke folur për mediat, Gjeloshaj falenderoi votuesit që i dhanë sërish besimin dhe shqiptarët e diasporës.

“Faleminderit të gjithë votuesve që kanë shprehur vullnetin e tyre dhe kanë treguar se Malësia do bashkim, do zhvillim. Kemi qeverisur mirë, kjo është nota më mirë që na e kanë dhënë qytetarët e Malësisë. Falenderoj diasporën, gjithë shqiptarët kudo që janë. Edhe kësaj here i kemi bashkuar shqiptarët kudo që janë.”

Përballë Gjeloshajt ishin edhe tre 3 koalicione të tjera dhe 3 lista të pavarura. Nga fotot e publikuara shihet se shqiptarët po festojnë nën ngjyrat kuqe e zi.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here