Shqiptarët në këtë vit zgjedhjesh evropiane dhe nacionale, po shihen dhe dëgjohen më shumë se kurdo herë tjetër. Me disa prej tyre që mund të bëhen të parët që hyjnë në Parlamentin Evropian dhe me plot kandidatë të tjerë, që garojnë për Parlamentet kombëtare dhe lokale në vende të ndryshme të Evropës, ku ata jetojnë e punojnë.
Adnan Dibrani, Deputet Socialist në Parlamentin suedez me dy mandate të plota, i lindur në Mitrovicë, por që jeton në Suedi që nga mosha 7-vjeçare, apo Amet Gjana, deputet aktual i rajonit të Brukselit, deputeti i parë shqiptar i tij, janë dy nga emrat që garojnë në zgjedhjet evropiane të muajit të ardhshëm për një vend në Parlamentin Evropian. Ndërkohë që në Belgjikë, janë edhe katër kandidatë të tjerë shqiptarë, pjesë e Partisë Socialiste belge, që garojnë për Parlamentin rajonal dhe atë kombëtar belg, Luiza Duraki, Habibe Duraki, Avni Gjanaj dhe Qendresa Gerlica.
Veç tyre, emra shqiptarë do të ketë për të parën herë në historinë e vendit fqinj, Greqisë, edhe në listat e PASOKUT, me Eda Gemin, kandidate për në Parlamentin Evropian, apo Fatos Malajn, që kandidon për Parlamentin grek apo Arjana Barjaban, në garë për këshillin bashkiak të Athinës.
Të gjithë ata thonë, se hyjnë në garë me një ofertë të re për komunitetin shqiptar, për të patur përfaqësues në të gjitha nivelet, në mënyrë që komunitetet shqiptare të bëjnë përpara e me besimin se Politika është Rruga e Krenarisë për të gjithë Shqiptarët.