40 vite “Jehona e Shqipes”: Një histori zëri, kujtese dhe identiteti.
Radioja, si trasmetim dhe simbol i qëndrueshmërisë së diasporës shqiptare në Belgjikë.
“Jehona e Shqipes”, nga mikrofon në institucion të diasporës shqiptare
Në historinë e diasporës shqiptare në Belgjikë, pak iniciativa kanë lënë një gjurmë kaq të thellë sa radioja “Jehona e Shqipes”. Për më shumë se katër dekada, ajo ka qenë jo vetëm një mjet informimi, por një hapësirë e lirë komunikimi, një urë lidhëse me atdheun dhe një simbol i qëndresës kulturore.
Fillimet në një kohë të errët
Në shkurt të vitit 1986, Sakip Skepi, së bashku me një grup veprimtarësh shqiptarë antikomunistë në Bruksel, hodhi themelet e radios “Jehona e Shqipes”. Shqipëria ndodhej ende nën regjimin komunist të Enver Hoxha, ndërsa shqiptarët në emigracion jetonin të ndarë nga familjet dhe vendi i tyre.
Në një studio të vogël në Schaerbeek, disa shqiptarë shtypën butonin e transmetimit. Në Shqipëri sundonte izolimi, ndërsa Kosova jetonte nën tension dhe pasiguri. Për emigrantët shqiptarë në Belgjikë, fjala në gjuhën amtare ishte më shumë se komunikim, ishte frymëmarrje. Ishte dëshmi se identiteti shqiptar nuk kishte humbur, por ngrinte ura ndërlidhëse mes tyre.
Për emigrantët politikë shqiptarë, ky emision ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Për herë të parë, një radio në gjuhën amtare transmetonte nga një vend i lirë. Ajo u bë menjëherë një burim emocionesh dhe shprese, një lidhje e padukshme mes Brukselit dhe Shqipërisë së izoluar pas perdes së hekurt.
Çdo të diel, “Jehona e Shqipes” rikthente një frymëmarrje të re për komunitetin, duke ushqyer një ëndërr që dukej e largët: kthimin në një Shqipëri të lirë.
Në valët e 105.4 FM u dëgjua për herë të parë zëri shqip, i qartë, i ngrohtë, i vendosur. Kështu lindi “Jehona e Shqipes”: një emision që do të shndërrohej në një nga zërat më jetëgjatë dhe më të qëndrueshëm të diasporës shqiptare në Evropën Perëndimore.
Sakip Skepi, zëri i diasporës shqiptare në Belgjikë
Sakip Skepi është themeluesi i radios “Jehona e Shqipes” në Bruksel, një nga nismat më të qëndrueshme mediatike të diasporës shqiptare në Evropë.
Me origjinë nga Dibra, ai u largua nga Shqipëria në vitin 1958, gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës, dhe u vendos më pas në Belgjikë. Përvoja e emigracionit politik do të shndërrohej në shtysë për krijimin e një platforme në shërbim të komunitetit shqiptar jashtë atdheut.
Vetëdija kombëtare dhe përgjegjësia intelektuale bëri që pasionin për radiotrasmetim ta shndërrojë në zë të fuqishëm mediatik – fonik, që për dekada ka shërbyer si burim informacioni, hapësirë debati dhe mjet për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Sot, Sakip Skepi konsiderohet një nga figurat më përfaqësuese të angazhimit mediatik dhe kulturor të shqiptarëve në Belgjikë, duke e konceptuar radion jo thjesht si medium, por si një mision në shërbim të komunitetit.
Një mikrofon, një flamur, një premtim.
Fillimet ishin të thjeshta. Pajisjet modeste, por energjia e pafund. Nuk kishte buxhete, nuk kishte struktura profesionale — kishte vetëm përkushtim dhe një besim të fortë te misioni.
Çdo fjalë në shqip ishte një akt dashurie. Çdo këngë nga trojet shpaloste vlerat muzikore dhe kulturore shqiptare që lidhnin Brukselin me Prishtinën, Tiranën, Shkupin e Ulqinin.
“Jehona e Shqipes” nuk ishte thjesht një radio. Ishte një shtëpi e padukshme për ata që jetonin larg shtëpisë.
Kur radioja u bë atdhe
Vitet ’90 sollën ndryshime të mëdha dhe sfida të thella. Shqipëria kalonte transformime, ndërsa Kosova përjetonte dhimbjen e luftës. Në mërgim, shqiptarët kërkonin më shumë se informacion: kërkonin shpresë, qartësi dhe një zë që i bashkonte.
Në ato vite, shumë familje prisnin me ankth orën e transmetimit. Zëri nga 105.4 FM nuk ishte vetëm burim lajmesh, ishte siguri. Ishte një prani e afërt që përcillte një mesazh të thjeshtë, por thelbësor: nuk jeni vetëm.
Në studio trajtoheshin tema të rëndësishme, përmendeshin ngjarje historike, organizoheshin nisma solidariteti. Aty u ndanë shqetësime dhe u ndezën shpresa. Radioja u bë zemra që rrihte në ritmin e një kombi.
Një copë atdheu në ajër
Edhe pse fillimet ishin modeste, misioni ishte i madh. Nuk kishte financime dhe as studio moderne. Kishte vetëm përkushtim dhe një bindje të palëkundur: gjuha duhet të dëgjohet dhe trasmetohet kudo për mbarëshqiptarët.
Radioja nuk ishte thjesht një medium informimi. Ishte një copë Shqipërie, një lidhje me të drejtën e informimit, me lajmet, me kulturën dhe me këngën.
Ishte mënyra për të mos u ndjerë të shkëputur. Për të mos harruar. Për të mbetur dhe trasmetuar trashëgiminë tonë etnike.
Vitet e stuhishme dhe zëri i shpresës
Kur Shqipëria hyri në tranzicion dhe Kosova përjetoi periudha dramatike, “Jehona e Shqipes” mori një rol edhe më të rëndësishëm.
Në studio u diskutuan zhvillime historike, u organizuan iniciativa solidariteti dhe u ndërtua një frymë bashkimi. Për shumë familje në mërgim, ora e transmetimit ishte momenti më i pritur i javës.
Valët e radios u bënë urë mes Brukselit dhe atdheut.
40 vite më pas: historia që vazhdon akoma dhe sot
Në përvjetorin e 40-të, në studiot e Radio Panik, emocionet nuk fshiheshin. Zërat e themeluesve, dëshmitë e brezave dhe rikthimi i regjistrimeve të arkivuara rikthyen jo vetëm kujtime, por edhe sakrificat, guximin dhe idealizmin e viteve të para.
Aty ku dikur kishte vetëm një mikrofon dhe një vullnet të pathyeshëm, sot qëndron një institucion kulturor i diasporës shqiptare në Belgjikë. Një projekt i lindur nga nevoja për të ekzistuar, për të folur dhe për të mos u harruar.
Dyzet vjet. Katër dekada gjatë të cilave, çdo të diel në orën 15:00, një zë i njohur ngrihet në valët belge për të thënë, në shqip: ne ekzistojmë.
Për të thënë se nuk jemi harruar. Se nuk jemi shkëputur. Se rrënjët tona nuk janë zhdukur.
Ky zë ka qëndruar përballë heshtjes, përballë harresës, përballë përpjekjeve të drejtpërdrejta apo të heshtura, për të zbehur identitetin dhe për të relativizuar historinë tonë.
Por ai nuk është ndalur.
Sepse “Jehona e Shqipes” nuk është vetëm një radio. Është një akt qëndrese. Është një deklaratë ekzistence. Është një kujtesë që refuzon të shuhet.
Radioja nuk ka shërbyer vetëm për ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në diasporë. Ajo ka ofruar, mbi të gjitha, një platformë të çmuar ku shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre, kanë mundur të shprehen lirshëm, të informohen dhe të debatojnë mbi çështje me rëndësi për komunitetin.
Një rol të veçantë “Jehona e Shqipes” luajti gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998–1999. Në atë periudhë të vështirë, ajo u shndërrua në një tribunë bashkuese për diasporën shqiptare në Belgjikë dhe më gjerë. Çdo të diel, familjet shqiptare mblidheshin rreth radios për të ndjekur zhvillimet, për të dëgjuar zërat e bashkëkombësve dhe për të forcuar ndjenjën e solidaritetit. Përmes transmetimeve të saj, radioja kontribuoi në bashkimin e një komuniteti që, pavarësisht dallimeve, u rreshtua rreth një kauze të përbashkët dhe mbeti i lidhur me fatin e Kosovës.
Pas më shumë se katër dekadash aktiviteti, jetëgjatësia e “Jehona e Shqipes” mbetet një dëshmi e rëndësisë dhe ndikimit të saj. Ajo ka përballuar me sukses sfidat që kanë shoqëruar transformimin e mediave: ardhjen e televizioneve satelitore shqiptare, zhvillimin e internetit dhe rritjen e rrjeteve sociale. Ndërsa shumë media të tjera kanë pushuar së ekzistuari, kjo radio ka vazhduar misionin e saj pa ndërprerje.
“Jehona e Shqipes” nuk ka qenë kurrë vetëm një iniciativë mediatike. Ajo ka qenë dhe mbetet një mision në shërbim të komunitetit, i udhëhequr nga vendosmëria e Sakip Skepit dhe nga përkushtimi i të gjithë kontribuuesve ndër vite. Pavarësia, qëndrimi jopartiak dhe përkushtimi ndaj vlerave kombëtare dhe njerëzore janë elementet që e kanë mbajtur gjallë këtë zë të rëndësishëm të diasporës shqiptare në Belgjikë.
Një platformë bashkuese
Radioja nuk shërbeu vetëm për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ajo krijoi një platformë të re dhe u integrua si pjesë e misonit për emacipimin e shoqërisë shqiptare dhe mbrojtjen e themeleve të demokracisë. Personalitet e ftuara shprehin vizionin e tyre, afrojnë alternativa për zgjidhjen e shumë çështjeve dhe problematikave që shqetësojnë komunitetin në tërsi por dhe aspiratata për një integrim më të madh në familjen Evropiane.
“Jehona e Shqipes” vazhdon të bashkojë komunitetetin, pavarësisht bindjeve dhe ndasive, por gjithmonë në unison për kauzat e drejta dhe prosperitetin kombëtar.
40-vjetori: Një moment reflektimi dhe emocioni
40 vite më vonë, zërat që nuk heshtën
Në studiot e Radio Panik 105.4 FM, koha dukej sikur ishte ndalur për një çast. Katër dekada pas transmetimit të parë, një emision i veçantë riktheu jo vetëm historinë e “Jehona e Shqipes”, por edhe emocionet që e kanë shoqëruar atë që nga dita e parë.
Zërat e dikurshëm dhe ata të sotmit u ndërthurën në një rrëfim të përbashkët. Kimete Mitrovica Basha solli kujtime nga fillimet — kohë të vështira, por të mbushura me idealizëm dhe përkushtim. Ajo foli për një brez që nuk kishte shumë mjete, por kishte një qëllim të qartë: të mos lejonte që fjala shqip të humbiste në mërgim.
Në të njëjtën frymë, Ali Islamaj dhe Sakip Skepi rikujtuan rrugëtimin e gjatë të radios — nga një nismë e vogël vullnetare në një zë të qëndrueshëm të komunitetit shqiptar në Belgjikë.
Mes kujtimeve dhe reflektimeve, dëshmia e Kolë Gjeloshaj solli një dimension tjetër: atë të ndikimit. Dikur studentë që dëgjonte radion me kureshtje, sot ai e sheh “Jehonën” si një shkollë të vërtetë formimi kulturor dhe një urë që ka lidhur breza të tërë shqiptarësh në diasporë.
Historiani Ragip Zekolli e zgjeroi këtë reflektim, duke e vendosur rolin e radios në një kontekst më të gjerë historik — si një mbrojtëse e kujtesës dhe një zë që nuk lejoi harresën.
Por momenti më i fortë erdhi në heshtje. Një zë i regjistruar, ai i të ndjerit Idriz Basha nga Novoseja, u rikthye në valë pas shumë vitesh. Ishte një rikthim që preku zemrat, një dëshmi se disa zëra nuk largohen kurrë — ata mbeten, jetojnë dhe vazhdojnë të flasin përmes kujtesës.
Në atë studio, për një moment, e shkuara dhe e tashmja u bënë një. Dhe “Jehona e Shqipes” dëshmoi edhe një herë se nuk është thjesht një radio — është një histori që vazhdon të shkruhet me zë.
Një trashëgimi që vazhdon
Breza të rinj kanë hyrë në studio. Teknologjia ka ndryshuar. Bota është bërë më e shpejtë, më digjitale. Por thelbi ka mbetur i njëjtë: fjala shqip.
“Jehona e Shqipes” është sot më shumë se një program. Është kujtesë, është identitet, është dëshmi se rrënjët nuk priten nga distanca.
Në një botë ku gjithçka lëviz shpejt, ajo vazhdon të qëndrojë si një pikë e qëndrueshme — si një dritë e vogël që nuk u shua kurrë.
Një mision që i reziston kohës
Dyzet vjet më vonë, jetëgjatësia e “Jehona e Shqipes” imponon respekt. Ajo ka përballuar sfida të shumta: ardhjen e televizioneve satelitore shqiptare, zhvillimin e internetit dhe revolucionin e rrjeteve sociale. Ndërsa shumë media të tjera janë zhdukur, kjo radio mbetet njësoj, si zë autentik dhe në koherencë të plotë me të gjitha zhvillimet e sotme..
Një zë që i shërben të sotmes dhe të nesërmes
Në epokën digjitale, me transmetime online dhe praninë në rrjete sociale, “Jehona e Shqipes” ka ditur të përshtatet me kohën.
Thelbi i saj mbetet i pandryshuar: fjala shqip si shtyllë e identitetit.
Sepse një komunitet që ruan gjuhën e tij, ruan edhe shpirtin.
Para 40 vitesh ishte një mikrofon i vetëm. Sot është shumë më tepër. “Jehona e Shqipes” nuk është thjesht një program radiofonik por një dritare e hapur që pëcjell kohën.
Në Bruksel, zëri shqip vazhdon të dëgjohet: i fortë, i qartë, i gjallë. Jo si një jehonë e largët, por si dëshmi e gjallë e identitetit: transmetohet, përcillet dhe ringjallet brez pas brezi.
Dhe ndoshta kjo është mrekullia më e madhe, duke u kthyer në themel të një komuniteti që ndërton të ardhmen pa harruar kujtesën.
Mirënjohje
Në emër të diasporës shqiptare, përulemi me respekt përpara një zëri që nuk u shua kurrë.
“Jehona e Shqipes” nuk ka qenë thjesht një valë radioje. Ka qenë një frymëmarrje kolektive, një dritë në largësi, një fije që na ka mbajtur të lidhur me njëri-tjetrin dhe me atdheun.
Mirënjohja jonë e thellë shkon për Sakip Skepi, për guximin dhe këmbënguljen për të vazhduar me besim përpara, se fjala shqip meriton të dëgjohet, kudo që ndodhet.
Falënderim për të gjithë ata që në heshtje dhe pa bujë kanë kontribuar me idealizëm dhe i kanë dhënë kësaj radioje zë, kohë dhe shpirt. Ata kanë ndërtuar jo vetëm një program, por një kujtesë të gjallë.
Sepse kjo radio është më shumë se histori.
Është dëshmi.
Është identitet..
““Zëri shqip në Bruksel nuk është jehonë e së kaluarës, por frymëmarrje e së tashmes dhe trasmetuese e së nesërmes
Nga Soni Memoci
Bruksel, 30 Prill 2026


















