Tiranë, vijon takimi i udhëheqësve të vendeve të Procesit të Berlinit

Në Tiranë, sot nisi takimi i vjetor i Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen e udhëheqësve të vendeve të Ballkanit perëndimor, përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Europian dhe të disa prej vendeve anëtare që janë përfshirë në këtë proces. Në fokus të takimit të sotëm ishte zgjerimi dhe mbështetja që Brukseli synon të ofrojë, përmes Planit të ri për Ballkanin, të paraqitur nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Tensionet e fundit në Veri të Kosovës, zunë vend në fjalimet hapëse, duke vënë theksin te nevoja e vijimit të dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes palëve
Kryeministri Edi Rama kishte zgjedhur ekspozimin e një pikture të italianit Gian Domenico Cerrini, e titulluar Rrëmbimi Europës dhe një kërcim me koreografi të artistit të njohur shqiptar Angjelin Preljocaj e cila ilustronte përmbajtjen e saj, për të mikpritur pjesëmarrësit e takimit të Procesit të Berlinit, nisma e lindur në vitin 2014 nga ish kancelarja gjermane Angela Merkel, për të përshpejtuar afrimin e vendeve të Ballkanit drejt Bashkimit Europian. Një rrugëtim që ka rezultuar tejet i gjatë, dhe pa një finish të qartë për shtetet e rajonit, por që tani është rikthyer ndjeshëm në vëmendjen e Brukselit.
Pas planit të investimeve për rajonin, Komisioni Europian prezantoi sot dhe atë që presidentja e tij Ursula von der Leyen, e ka quajtur si plani i rritjes për Ballkanin. Një program i cili synon t’u ofrojë kandidatëve për anëtarësim disa avantazhe ekonomike, përpara se ata të bëhen anëtarë me të drejta të plota, si qasja në tregun e përbashkët. “Plani i rritjes është një stimul shumë i madh, një stimul për të hapur dyert në aspektin ekonomik por dhe për të kërkuar dhe hapjen e mëtejshme të kufijve brenda për brenda Ballkanit Perëndimor, që ato të kryejnë reformat e duhura, dhe me këto arritje vijnë dhe financimet për investime”, shpjegoi zonja Von der Leyen

Për presidentin e Këshillit Europian Charles Michel, është koha që BE-ja të mbajë premtimin për zgjerimin e saj, dhe për këtë, tha ai “duhet të bëjmë shumë që të jemi gati të dyja palët. Partnerë dhe miq tanë në rajon, e dini që duhet të realizoni angazhimet tuaja duke nisur me reformat e nevojshme, e në BE, ne duhet të përgatitemi për të mikpritur anëtarët e rinj. Duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030 për t’u zgjeruar”.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama vuri theksin te diferencat e thella, sidomos ekonomike, mes vendeve anëtare dhe atyre të rajonit, duke hedhur idenë të një rishikimi ndoshta, të rrugëtimit nga momenti i bisedimeve deri te anëtarësimi. “A do të ishte më e drejtë që të trajtohej inercia e kësaj ndasie duke futur statusin e vëzhguesit të vendeve që janë në tranzit nga çelja e negociatave deri tek anëtarësimi i plotë. Ky status i ndërmjetëm do të jepte disa privilegje, natyrisht pa të drejtë vote. Mund t’u jepte përfitime domethënëse të gjitha palëve duke rritur edhe unitetin politik mes Europës demokratike. Gjithashtu edhe rritjen e qeverisjes demokratike më Ballkanin Perëndimor. Nëqoftëse mund ta heqim këtë ide, të një marrëdhënieje të largët, e të funksionojmë si partnerë do të mund të kuptonim sfidat e përbashkëta, do të mund të ndanim më mirë barrat e kohëve, pa dyshim sfiduese, që shtrihen para nesh”, u shpreh zoti Rama.
Përfaqësuesit e lartë europianë, përmendën dhe në takimin e sotëm agresionin rus në Ukrainë, si dhe sulmin e armatosur të Hamasit ndaj Izraelit, për të vënë në pah, siç tha kancelari gjerman Olaf Scholz, nevojën e bashkëpunimit edhe në rajonin e Ballkanit. “Krizat e shumëfishta këtu në rajon, kanë theksuar nevojën urgjente për të punuar më fort së bashku e tejkaluar antagonizmat. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliket që kanë vijuar për shumë më gjatë e që vetëm ju mbajnë në vendnumëro
Përshkallëzimet e fundit në veri të Kosovës, kanë vërtetuar se sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur me anë të dialogut të normalizimit të udhëhequr nga BE”, theksoi ai.
Ndonëse tensionet në Veriun e Kosovës nuk ishin pjesë e agjendës së takimit të sotëm, në drekën e punës temë e diskutimit ishte ajo e Marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe çështjeve dypalëshe, sepse siç theksoi presidenti i Këshillit europian “nuk mund të lejohet që konfliktet dypalëshe të na mbajnë peng. Nuk ka asnjë bashkëpunim pa pajtim. Nuk ka asnjë të ardhme të qëndrueshme pa pajtim, dhe pajtimi kërkon kurajo politike dhe fokus të sinqertë tek e ardhmja”, u shpreh zoti Michel.

Zeri I Amerikes