U promovua Libri i DR. Jorgji KOTE “NEGOCIATAT – SFIDA E FUNDIT E INTEGRIMIT“, botim i Shtepise Botuese Nacional

Më 5 Prill 2024, në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë në Tiranë u zhvillua ceremonia e promovimit të librit “Negociatat – sfida e fundit e integrimit“ e diplomatit veteran dhe publicistit, Dr. Jorgji Kote, botim i Shtepise Botuese Nacional Tirane.

Ishin te pranishëm një numër i madh pjesëmarrësish, ndërmjet të cilëve Deputetet Jorida Tabaku dhe Etilda Gjonaj, përkatësisht Kryetare dhe Nënkryetare e Komitetit Parlamentar të Integrimit, ish ministrat e Jashtëm, Prof. D. Paskal Milo dhe Besnik Mustafaj, ish Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, Ambasadori i Karrieres, Dashnor Dervishi, Rektori i UMSH-së Prof. Dr. Adrian Civici, zv.Rektori Arben Cici, ish Ambasador, Prof.Dr.As.Mirela Bogdani, ish ambasadorët Maxhun Peka, Islam Lauka, Ylljet Aliçkaj, Visho Ajazi, Kujtim Morina, Drejtorja e BE-së në MEPJ, Admira Jorgji, Drejtorja e Përgjithshme e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Elda Zenelaj, Drejtorja e Përafrimit të Legjislacionit me BE-në në Kuvend, Holta Nika, ekspertë të integrimit, miq dhe dashamirës.

Takimin e çeli Presidenti i UMSH-së, Akademik Anastas Angjeli, i cili theksoi rëndësinë e madhe që UMSH-ja tregon për tema dhe veprimtari të kësaj natyre, sidomos për integrimin europian dhe vlerat e spikatura të Dr. Jorgji Kote në këto fusha.
Ai ia dha fjalën deputetes Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit, e cila u ndal në disa prej aspekteve kryesore të këtij botimi serioz me një katalog të gjerë tematik. Ajo foli mbi sfidat me të cilat ndeshen politika dhe vendi ynë në procesin e zhvillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.
Më tej, Zonja Tabaku përmendi paraqitjen dhe përqasjen pozitive të autorit, ekspertizën e tij 30 vjeçare në këtë fushë, sidomos në Bruksel e gjetkë dhe veçori të tjera të librit.

Duke marrë fjalën, deputetja Etilda Gjonaj, nënvizoi meritat e autorit në shtjellimin e një teme madhore, për të cilën megjithë punën e deritanishme, ka mangësi dhe mungesa në literaturën përkatëse. Ndaj botime të tilla janë me vlera dhe të mirëpritura.

Nisur nga problematikat komplekse përkatëse, ajo nënvizoi se janë të mirëpritura si përqasjet pozitive ashtu dhe qëndrimet kritike, me qëllim që në rrugëtimin tonë europian të shmangen të metat dhe mangësitë e mëparshme.

Prof.Dr. Paskal Milo, ish ministër i Jashtëm evidentoi cilësitë e spikatura të autorit në fushën e analizave të thella të dinamikave të procesit të integrimit tonë në BE. Të tilla analiza vijoi Prof. Milo janë ndihmë e madhe në procesin e vendimarrjes politike.

Nz vijim, ish mnistrja e Integrimit gjatë periudhës 2013 – 2017, zonja Klajda Gjosha u ndal më hollësisht në përmbajtjen e librit, analizat me vlera teorike dhe praktikave në 10 vitet e fundit lidhur me demarshet e vendit tonë në procesin e negociatave të anëtarësimit, në marrëdhëniet me institucionet e ndryshme europiane dhe vendet anëtare, thellimin e reformave kryesore, etj. Ajo përmendi dhe disa shqetësime të drejta të autorit të mbështetura në fakte dhe dukuri të ndryshme. Zonja Gjosha vazhdoi duke thënë se libri i ngjan një kronike besnike të ngjarjeve, forumeve, takimeve dhe samiteve të zhvilluara në 10 vitet e fundit për çështjen e negociatave me BE-në në Tiranë, Bruksel dhe gjetkë.
Ajo nënvizoi faktin se në 7 kapituj dhe 41 shkrime libri bën skanimin e proceseve, nismave, përpjekjeve, arritjeve, vonesave dhe mungesave të ndryshme në Tiranë, Bruksel dhe në metropolet e tjera të BE-së.

Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Humane, i cili ka shkruar dhe parathënien e librit u ndal më me hollësi në tematikat interesante dhe aktuale të librit, problemet dhe shqetësimet e ndryshme, duke përfshirë dhe qëndrime bllokuese dhe veto nga ndonjë vend anëtar i BE-së.
Ai foli mbi përmbajtjen, mesazhet dhe vlerat e këtij botimi për studentë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacinë tonë dhe strukturat e tjera të përfshira në procesin e negociatave me BE-në.
Siç përmendet dhe në Parathënien e tij, “ky libër i kushtohet idealizmit, punës dhe përkushtimit të një numri të madh ekspertësh, të cilët prej shumë vitesh punojnë pa kursyer me dijet, mençurinë, vendosmërinë dhe energjitë e tyre për të realizuar një endërr, e cila vjen nga shekuj historie.
Sipas Prof. Krisafit, “Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” vjen në kohën e duhur si dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për Europën, e progresit të arritur, mësimeve të nxjerra, projekteve të ndërhyrjeve rutinë dhe reformave të tjera që duhen zbatuar për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Libri është shkruar mjaft bukur, me gjuhë të pasur dhe stil tërheqës, me tituj dhe nëntituj veçanërisht intrigues dhe domethënës.“

Të gjithë panelistët ishin të një mendimi se libri është shkruar me frymë realiste, pozitive dhe vlerësuese ndaj punës së institucioneve përkatëse, vendeve aleate, medias, shoqërisë civile, bashkëatdhetarëve, me shqetësim qytetar dhe diplomatik, pa përjashtuar komente e vërejtje kritike popr me frymë pozitive.
Kjo dhe falë përvojës së gjatë diplomatike 30 vjeçare, kompetencës dhe besueshmërisë profesionale të autorit për trajtimin e kësaj teme komplekse dhe madhore.
Në përfundim, autori falenderoi drejtuesit dhe Rektoratin e UMSH-së për mbështetjen e tyre pa rezerva për organizimin dinjitoz të kësaj veprimtarie, e cila përkoi me 15 Vjetorin e themelimit të tij.

Parathënia e librit ” Negociatat – sfida e fundit e integrimit

Prof. Dr. Ksenofon KRISAFI

10 vjet më parë kolegu dhe miku tim Jorgji Kote, u paraqit para lexuesve me botimin “Diplomacia për të gjithë“, në dukje i thjeshtë, por shumë i dobishëm, si për ata që merren me diplomaci dhe për lexuesit e zakonshëm. Ai vinte pas botimit të dy librave të mëparshëm, “Berlini pa mure” dhe “Në vetrrethim“.
Para pak kohësh ai më dërgoi në dorëshkrim një tjetër libër, i cili mban titullin NEGOCIATAT, sfida e fundit e integrimit, si një studim monografik. Vura re se shumica e lëndës përbëhet nga shkrime nga fusha e politikës së jashtme, shumica e të cilave janë publikuar, pothuajse rregullisht, në shtypin e përditshëm dhe janë pritur me interes.
Autorin e njoh që kur mbaroi studimet e larta dhe nisi hapat e para në jetë. Ishte mjaft i vlerësuar. Krahas punës së tij të zakonshme thërritej shpesh për përkthime në takime delegacionesh ose për tekste të rëndësishme që kërkonin mjeshtëri në dhënien e saktë dhe të qartë të përmbajtjes së tyre. Binte në sy për aftësitë, kulturën, mirësjelljen dhe paraqitjen elegante që kërkonte kryerja e kësaj pune.
Më vonë u përfshi me shumë sukses, në diplomaci. Pas përfundimit të misionit zyrtar, në respekt të plotë të etikës profesionale, ai e gjeti veten të lirë që mendimet e veta në fushën e diplomacisë, zhvillimeve politike, ekonomike, sociale të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare në Ballkan, të rajonit e më gjerë, t’i shprehte publikisht, nëpërmjet shkrimeve ose intervistave.
Ato çka shkruan autori janë njëkohësisht çështje të ditës, që trajtohen me preokupim nga kanceleritë më kryesore të politikës dhe të diplomacisë europiane dhe botërore. Si të tilla analizat dhe mendimet e shprehura prej tij përfaqësojnë kontribute me interes edhe për organet kompetente të shtetit shqiptar, të cilat kanë rastin të marrin kështu një ekspertizë të kualifikuar, për probleme me të cilat janë të angazhuara. Ajo është frut i leximit të botimeve të panumërta dhe i një përvoje personale shumë të veçantë, siguruar gjatë shërbimit të tij diplomatik atje, ku përgatiten drejtimet strategjike të politikave botërore. Kompetenca profesionale, maturia dhe kujdesi i veçantë i treguar e kanë bërë Jorgjin një ndër ekspertët e njohur shqiptarë të politikës ndërkombëtare.
I përfshirë gjerësisht qysh në fillim në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, autori ka ndjerë dhe është ndeshur nga afër me problematikat komplekse, me të cilat është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet. Odisenë e negociatave, që është njëkohësisht një kalvar i mundimshëm përpjekjesh, e ka ndjekur jo vetëm me “ftohtësinë” e diplomatit, por dhe me shqetësimin e natyrshëm si shqiptar, si pjesë e europianëve të mirëfilltë, që dallgët e historisë, paradoksalisht i lanë në mënyrë të padrejtë jashtë dyerve të Europës.
Libri “Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” i kushtohet dhe idealizmit, punës dhe përkushtimit të një numri të madh ekspertësh, të cilët prej shumë vitesh punojnë pa kursyer me dijet, mençurinë, vendosmërinë dhe energjitë e tyre për të realizuar një endërr, e cila vjen nga shekuj historie. Aspirata e shqiptarëve për përkatësi dhe lidhje me Perëndimin nuk reshti as gjatë komunizmit. Përmbysja e tij në vitet ’90 të shekullit të kaluar krijoi kushte që ajo të rimerrej në rrethana të tjera, tërësisht të ndryshme nga më parë.
Shqipëria, tashmë shtet i pavarur dhe i çliruar nga vargojtë politikë dhe ideologjikë të sistemit komunist, kërkoi zyrtarisht bashkimin me Europën, e cila gjithashtu tregoi interes për ta përfshirë atë në gjirin e vet. Por, ritmet e ecjes ishin tepër të ngadalta për një varg rrethanash. Në fillim ishte Shqipëria dhe zhvillimet e saj të brendshme problematike, lufta për pushtet e klaneve të ndryshme politike, lulëzimi i kriminalitetit, korrupsionit, trafiqeve të paligjshme etj, të cilat ngadalësuan shumë procesin e futjes së vendit në binarët e një demokracie të mirëfilltë. Kjo “e trëmbi” në njëfarë kuptimi edhe Europën, tek e cila, sikur u fashit entusiazmi i çasteve të para për ta konsideruar Shqipërinë pjesë institucionale të saj. Në vijim erdhën problemet që lindën brenda përbrenda vetë Europës, krizat ekonomike, politike, mjedisore, rivalitetet etj, të cilat bënë që të spostohej vëmendja e strukturave vendimmarrëse të Brukselit nga Shqipëria.
Faktor tjetër pengues ishte vendosja e kërkesave jo racionale në formën e kushtit “sine qua non” nga ana e ndonjë prej shteteve anëtare të BE’ së, fqinj i Shqipërisë me synime tradicionale, sistematike ekspansioniste ndaj saj. Me miratimin e shprehur ose të heshtur të Brukselit, ato janë përpjekur që, nëpërmjet vendosjes së “kushteve të panegociueshme”, siç iu pëlqen t’i cilësojnë, të arrijnë qëllimet e veta në dëm të integritetit territorial të vendeve kandidate. Le të qëndrojmë te shembulli më i fundit, më i freskët dhe më domethënës, ai i marrjes peng të Shkupit dhe Tiranës nga ana e Bullgarisë, në qershorin e vitit 2022, vetëm e vetëm për ta shfrytëzuar rastin për t’i imponuar Maqedonisë së Veriut kushte që ajo i konsideron të papranueshme sepse cenojnë sovranitetin e saj kombëtar.
BE nëse realisht kërkon të mbetet një bashkim shtetesh model që respekton parimet dhe normat ndërkombëtare duhet të heqë dorë sa më parë nga parimi i vetos për pranimin e shteteve të tjerë, çka u kërkua zyrtarisht nga ministrat e jashtëm të shtatë prej shteteve anëtare në mars 2024. Kjo lloj “vetoje” iu jep dorë shteteve me reminishenca të papranueshme që të nxjerin dufet e së kaluarës ndaj kundërshtarëve dhe të marrin prej tyre përfitime politike, territoriale, ekonomike, sociale, kulturore, fetare etj. Ato, në fund të fundit, mbjellin farën e konfliktit, e cila një ditë do të mbijë dhe do të krijojë sërish situata si këto që pretendohet të zgjidhen me imponimin e kushteve që burojnë nga politika ose platforma ekspansioniste. Disa fqinjë dhe disa protektorë të tyre në Bruksel nuk duhet t’i vlerësojnë dhe gjykojnë shqiptarët dhe përpjekjet e tyre vetëm nëse ata janë të gatshëm të pranojnë dhe të zbatojnë kushtet e papranueshme të vendosura prej tyre. Kërkesat për plotësimin e atyre që ndonjëherë reklamohen si standarde dhe kritere të Brukselit, shqiptarët i plotësojnë kur realisht përkojnë me interesat e tyre, kur nuk cënojnë tërësinë territoriale, sovranitetin shtetëror, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Ndonjë prej fqinjëve, me qëndrimet ndaj Shqipërisë, dëshmon se e duan ose jashtë Europës, me qëllim që t’i kenë duart e lira të bëjnë ç’të duan për realizimin e qëllimeve të tyre ose duan një Shqipëri të zvogëluar, të cilës t’i kenë marrë toka, detin, lumenj, pasuri, shkollën, kishën, sovranitetin shtetëror dhe gjithëçka identifikuese si komb, si popull dhe si shtet. Nga veprimet e ndërmara dhe qëndrimet e shprehura duket sikur kërkohet të lejohet të “hyjë” në BE, pikërisht kjo Shqipëri e bindur, e nënshtruar, e copëtuar, e raskapitur, e poshtëruar, me gojën mbyllur. Por, e krasitur nga territoret e saj etnike, e reduktuar në një krijesë të shëmtuar rakitike, ajo nuk i duhet askujt, as BE, as Ballkanit madje as vetë shqiptarëve. Më mirë të rrijë siç është, sepse përvoja e shkuar dëshmon që deri më sot, disa nga fqinjët dhe Koncerti Europian i dikurshëm i Vjenës, 1814-1815, me institucionet që krijoi, i kanë marë më shumë se gjysmën e territoreve dhe popullsisë. Sot, në epokën e zhvillimeve moderne, qytetëruese dhe emancipuese, kur zhvillimet dominohen nga strategji integruese e globalizuese, Europa duhet të rreshtohet në krah të shqiptarëve dhe t’iu jape atyre shansin për t’u bërë pjesë e saj edhe në kuptimin institucional, që të ndjehen të sigurt e të garantuar për të dhënë ndihmesën e tyre modeste, për përparimin e mëtejshëm të politikave europiane dhe të vetë BE. Shqipëria vetë ka provuar gjithmonë se është e çliruar nga hipotekat nacionaliste përkundrejt fqinjëve. Ajo ka deklaruar se njeh realitetet e tanishme gjeopolitike në Ballkan, njeh kufijtë ekzistues edhe pse të padrejtë ndaj saj. Prandaj ajo nuk shkon në Bruksel e ngarkuar me projekte aneksioniste, por me dëshirë për bashkëpunim.
Objekti i ketij libri disi të veçantë, i vendosur në një sfond të përgjithshëm pozitiv dhe inkurajues i përkushtohet pikërisht dëshirës së flaktë të shqiptarëve për të qënë pjesë e Europës, për të cilën kanë kontribuar jo pak si në të shkuarën ashtu dhe në ditët e sotme. Veprimtaria e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ka mbetur një prej çështjeve më të diskutuara, që ka marrë e merr vazhdimisht vlerësime nga më të ndryshmet, nga më emocionalet pozitive deri te rezervat dhe reticencat e mirëkuptuara, madje dhe kritika të ashpra.
“Negociatat – Sfida e fundit e integrimit” vjen në kohën e duhur si dëshmi e përpjekjeve të Shqipërisë për Europën, e progresit të arritur, mësimeve të nxjerra, projekteve të ndërhyrjeve rutinë dhe reformave të tjera që duhen zbatuar për çeljen dhe zhvillimin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Ai vjen gjithashtu si projekt pothuajse i realizuar i një specialisti kompetent në këtë fushë, i cili, veç të tjerash ka qenë për 15 vjet Këshilltar i Lartë diplomatik në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë BE-së në Bruksel, Ambasadës sonë në Belgjikë dhe në Berlin. Për të, veprimtaria si diplomat i akredituar pranë BE-së, kësaj organizate “sui generis” dhe “ngrehinë” gjigande institucionale, juridiko-ndërkombëtare, ishte një kualifikim i jashtëzakonshëm profesional.
Aty gjenden të trajtuara në masën e duhur, për të mos thënë, të gjitha çështjet të cilat përfaqësojnë fizionominë, rolin, veprimtarinë dhe sfidat e sotme të BE-së, që mund të kenë ndikim mbi Shqipërinë si vend aspirant dhe nesër si shtet anëtar i BE-së. Ato janë trajtuar nga dikush qe i sheh në veprim, jo vetëm nga jashtë, por dhe nga brenda strukturave të komplikuara burokratike të BE-së. I ndodhur në Bruksel edhe mbas përfundimit të shërbimit diplomatik për arësye moshe, me mundësitë, lehtësitë e qasjes në burimet dokumentare, bibliografike, eventualisht edhe arkivore, si dhe me lidhjet me ish kolegë që vazhdojnë të punojnë në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera të BE-së, Jorgji njeh dhe mëson më mirë se kushdo tjetër, se ç’ndodh, pse, ku dhe kur ndodh, autorët që përgatisin skenaret, aktorët që i interpretojnë, pasojat që vijnë, të dukshme e të padukshme, të drejtpërdrejta ose të tërthorta, ndikimet me të cilat shoqërohen dhe të tjera. Aty ndjen nga afër frymën dhe prirjet e zhvillimeve të pritshme.
Publikimi i një pjesë të lëndës së librit në shtypin e përditshëm, i ka shërbyer autorit si një mundësi avantazhuese, për të mbledhur paraprakisht vërejtje e sugjerime për përmirësim. Rrjedhimisht, ai kaloi një sprovë të shumëpritur për çdo krijues. Punoi me librin në “kantierin” e vet krijues, duke patur mundësinë për t’iu rikthyer sërish çdo kreu, që, nëse e gjykonte me vend, të ndërhynte, për të shtuar ose edhe për të hequr pa dhimbje, shkrime ose pjesë shkrimesh që, tashmë me objektivitetin që impononte ftohtësia e kohës së shkuar, të vepronte me lirshëm.
I hartuar dhe mbi bazën e fondit të begatë bibliografik, libri ka një kufi kohor, fokusohet te zhvillimet e viteve të fundit. Është një zgjedhje e diktuar, ishte periudha kur demarshet e qeverive shqiptare për çeljen e negociatave, ishin shndërruar në një obsesion permanent dhe një sprovë vlere, aftësie ose paaftësie, përkushtimi ose jo, bojkoti apo mbështetje ndërkombëtare për forcat politike në pushtet. Autori ka ndjekur me një vigjilencë të jashtëzakonshme çdo hap të ndërmarrë dhe rezultatin pozitiv a negativ me të cilin ai është shoqëruar.
Dallohen përjetimet e tij emocionale për oshilacionet e trajtimit të kërkesës shqiptare. Shpjegimi është i kuptueshëm. Ai është dhe mbetet shqiptar i përgjegjshëm që shqetësohet për fatet e vendit të vet. Gëzohet për çdo arritje dhe shqetësohet për çdo problem edhe pse, prej shumë vjetësh, jeton në zemër të Europës, në Bruksel, aty ku formalizohen vendimet për statusin e Shqipërisë, në raport me BE. Tregon interes sepse ato kanë ndikime të fuqishme në zhvillimet politike, ekonomike, sociale etj si dhe në prestigjin e saj ndërkombëtar.
Këto dhe të tjera dallohen në librin e Jorgjit, i cili sjell kontribute në literaturën shqiptare kushtuar raporteve të Shqipërisë me BE dhe lidhjeve të saj polivalente me vende ose faktorë të tjerë influentë.
Libri përmban vëzhgime të imtësishme ngjarjesh, zhvillimesh, faktorësh, personazhesh, të ndodhura në skaje të ndryshme hapësinore e kohore, të kryera me vazhdimësi të pandërprerë dhe të analizuara me konsekuencë e metodologji shkencore, të cilat i kanë dhënë mundësi autorit të bëjë një shqyrtim tërësor të tyre dhe t’i pasqyrojë ato në faqet e librit me vlera të padyshimta. Libri është shkruar mjaft bukur, me gjuhë të pasur dhe stil tërheqës, me tituj dhe nëntituj veçanërisht intrigues e domethënës. Përbën një tjetër arritje të çmuar të autorit në veprimtarinë e tij krijuese, përçka meriton urime, lëvdata dhe përgëzime të shumta.

BIO

Dr. JORGJI KOTE

Mjeshtër i Madh

Ka lindur më 9 Mars 1952 në Tiranë; është diplomuar për gjuhë&letërsi angleze dhe Ekonomi Industriale në Universitetin e Tiranës; ka kryer specializime të ndryshme në Austri, SHBA, Greqi, Egjipt dhe gjetkë. Veç mësuesisë dhe përkthimit, për 15 vite ka qenë ekspert dhe drejtor në Ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme.
Gjatë periudhës 1997 – 2017 shërbeu si Këshilltar/Ministër Këshilltar në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel, në Berlin, Përgjegjës Sektori në Ministrinë e Jashtme dhe së fundi në Ambasadën tonë Bruksel deri më 31 Mars 2017 kur doli në pension. Eshtë anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Veç disa librave, ka botuar mbi 500 artikuj në të përditshmet kryesore të vendit mbi aktualitetin diplomatik dhe ka dhënë shumë intervista në televizionet e njohura të vendit. Eshtë analist diplomatik mbi BE-në, diplomacinë shumëpalëshe, ekonomike, publike dhe Ballkanin.