Valbona Abazi, Vladimir Nelaj: Përshtypje mbi librin me poezi “Kam mall” të autorit Duka Kopali

Përshtypje mbi librin me poezi “Kam mall” të autorit Duka Kopali

“KAM MALL” , NJË UDHËTIM POETIK NË THELLËSITË E SHPIRTIT NJERËZOR

“Libri me poezi i Duka Kopalit sjell një univers ndjenjash mbi familjen, atdheun, dashurinë dhe mallin që nuk shuhet”.

 

Nga Valbona Abazi, Vladimir Nelaj

 

Libri “Kam mall” i Duka Kopalit është një udhëtim i sinqertë përmes ndjenjave njerëzore, që përshkojnë kohët, brezat dhe vlerat që rrënjosin jetën tonë. Me një përkushtim të rrallë e një ndjeshmëri që rrjedh natyrshëm nga përvoja, autori na dhuron 197 poezi që përfshijnë temat më të dashura e më të rëndësishme për çdo njeri: familjen, atdheun, shoqërinë, miqësinë dhe kujtimet që nuk zbehen kurrë. Çdo varg i këtij libri është i ngrohtë, i ndershëm dhe i gjallëruar nga një mall i bukur – për vendlindjen, për njerëzit që e kanë ndikuar jetën e tij, për rrugët që ka ecur dhe për kujtimet që nuk shuhen. Poetit i rrjedh fjala me përulësi e mençuri, siç i rrjedh një burimi që di të ushqejë tokën ku rritet shpirti. Ky libër është më shumë se një përmbledhje poetike – është një dëshmi e ndjeshmërisë së një njeriu që ka ditur të udhëheqë me zemër e dashuri. Si kolegë, kemi ndjerë gjithmonë përkrahjen e tij të sinqertë, dashurinë atësore dhe vlerësimin profesional që na ka ndihmuar të ecim përpara me dinjitet. Për këtë arsye, ky libër na prek edhe më thellë – sepse është një pasqyrim i shpirtit të një drejtuesi të rrallë dhe një njeriu me vlera të mëdha. “Kam mall” është një mall i bukur që mbetet i gjallë në kujtesë, në vargje, dhe në zemrat e atyre që e kanë njohur autorin si njeri dhe si krijues. “Kam mall” nuk është thjesht një titull i zgjedhur me ndjenjë — është vetë thelbi që përshkon çdo varg të këtij libri. Është një mall që vjen nga thellësia e kujtesës, që prek rrënjët e shpirtit dhe jehon në heshtjen e atyre që ndjejnë largësinë, mungesën dhe kujtimin si plagë të bukura. Autori Duka Kopali, përmes poezisë, ndan me lexuesin jo vetëm përvojat dhe ndjesitë e tij, por edhe një botë të tërë që shkon përtej individit. Poezitë kushtuar prindërve janë dëshmi dashurie të papërshkrueshme – “Duart e tua”, “Tim eti”, “Nëna” – secila një gur i shenjtë në tempullin e kujtesës familjare. Lexuesi e ndien dorën e poetit që shkruan jo me laps, por me zemër që dridhet nga dashuria e fëmijës për prindin. Në ciklin “Kam mall”, shfaqet fshati, vendlindja, jugu i dashur, bregu i Jonit, dhe ajo Shqipëri që mbetet gjithmonë në mendje për emigrantët që, si fëmijët e autorit, janë larg atdheut. Poeti nuk flet vetëm për veten — ai bëhet zë për çdo prind që përjeton largësinë, për çdo fëmijë që rritet me mall, për çdo gur të një fshati që ruan kujtime. Poemat e tij për emigracionin janë një thirrje e heshtur, një dhembje e përbashkët që tejkalon kufijtë familjarë. Ai nuk ankohet — ai ndjen, dhe këtë ndjenjë e përkthen në poezi me mençuri, me përulësi dhe me një stil që mbetet i natyrshëm, i çiltër dhe i thellë. “Kam mall” është një libër që nuk lexohet vetëm por ai ndjehet, jetohet dhe rrjedh në shpirt si një lumë kujtimesh dhe ndjenjash që s’plaken kurrë. Nje tjetër dimension i autorit është ai i dashurisë, i ndjeshmërisë delikate, i vështrimeve dhe prekjeve të brishta, të cilat përshkojnë gjithë qenien njerëzore. Këto poezi duket se i përkasin një krahu më intim të autorit — atij ku zemra flet për dashurinë, kohën, lidhjet njerëzore, shpërndarjen e emocioneve dhe ritmet e jetës që ecin në mënyra të çuditshme e të bukura njëkohësisht. Tituj si “Kur të jesh e imja përjetë”, “Dua më shumë dashuri”, “Kaltersi (Syve të vashës sime)”, “Eja dashuri”, “Refleksion”, “Zemër ngulçuese”, “Jam ndjenja jote (N + Q)” dhe “Perëndimi i diellit” tregojnë se Duka Kopali nuk i ka kursyer as ndjenjat më të thella, më njerëzore dhe më universale të qenies njerëzore: dashurinë, mallin, pritjen, zhgënjimin, ëndrrën, përjetësinë. Ky libër është një thesar i shpirtit dhe i fjalës së thjeshtë që ngjall ndjenjë dhe i fton lexuesit të ndalen të reflektojnë, të kujtojnë dhe të duan më shumë. Cikli i fundit “Kur vargu bëhet qiell,dhe shpirti rrëfen”! Në rreshtat e këtij libri, ndien si ngrihet një urë mes tokës dhe qiellit, ku fjala bëhet frymë dhe ndjenja merr formën e yllit. Duka Kopali nuk shkruan thjesht me penë – ai shkruan me shpirt, me mall dhe me një ndjeshmëri që të fton të rrish gjatë në çdo varg. Ky libër është një udhëtim përmes universit të brendshëm të autorit – ku Hëna flet me Zemrën, ku Yjet bien si lot shprese mbi shpirtra që kërkojnë dritë. Ëndrrat nuk janë thjesht endje, por urdhra të butë nga një fuqi e lartë, që përshkruajnë një njeri që ka parë shumë, ka ndjerë thellë dhe ka ditur të kthejë gjithçka në art. Leximi i këtij libri të përngjan me një shëtitje në galaktikën e ndjeshmërisë. Ndien frymëmarrjen e një shkrimtari që nuk e përdor fjalën për të bërë zhurmë, por për të shëruar, për të dhuruar paqe dhe për të thënë: “Unë jam këtu, për të ndriçuar edhe shpirtin tënd.” Një vepër që nuk të le vetëm , të përqafon, të mendon dhe të sjell më afër vetes .