VALS, 1
botë e gdhendur prej dritës së mëngjesit
me spikatje fërgëllimash aromash e horizontesh
shtepish që bien erë mollë mes kopshtesh të verës
e psherëtima e ëmbël e vajzës që rrëshqet
nëpër qiellzën e saj të re si mjalt’ prej vështrimit
të djalit që shket si mëndafshi mbi qelq
porsi te një e vërtet’ poetike
që duhet të besosh gjithçka e asgjë
nëna, vdekja, dashuria,- e gjith’ bota ndarë
në mënyr’ jo t’barabart’ mes këtyre skajesh t’magjishëm
flladi që ëmbëlsohet nga lulet e ograjës
dora e dashuruar që mban një dorë tjetër
për t’i dhënë zemrës së dikujt një fytyrë
krijimi i iluzionit t’absolutes prej trupit të gruas në epsh
ah, se te një e vërtet’ poetike
duhet të besosh gjithçka e asgjë
gjuha e përkryer që i jep ajrit vezullime diamantësh
që shpreh dhembshuri dhe për vetmin’ e vrasësit të trishtë
si uji i burimit i erëmuar me petale livandeje
secilit i takon ndjesa e një ylli dhe e një nëne
në një vend të përmbytur nga dielli dhe fiqtë
me vlagën e ngroht’ e sensuale të tokës që ajrin nxeh
porsi te një e vërtet’ poetike
që duhet të besosh gjithçka e asgjë
psherëtima e ëmbël e vajzës që rrëshqet
nëpër qiellzën e saj të re si mjalt’ prej vështrimit
të djalit që shket si mëndafshi mbi qelq…
VALS, 2
kreshta shkëmbore, bjeshka me hijen e resë
nxehtësia e trupit të kalit të vogël
uji i shndritshëm që kullon në rrjedhën e cemtë
gjinjtë e buzët e vajzës që lëvizin si një frut i gjallë
qielli i bukur i agimit si një vizatim fëmije, iluzioni
i melankolis’ që ësht’ veç vegimi i një t’vërtete t’largët
paj, s’ësht’ e rastësishme fytyra që kemi
gdhendur mbi të jan’ hove-ndriçimet tanë
mëngjesi me çastin e tij magjik kur shkatërrohen
universet e kaluar e lindin yjet e rinj
rrugët e tërthorta që na çojn’ tek jeta jonë
dita e madhe dhe e gjerë si një luginë e thellë
rituali i shamis’ me ujë lulesh portokalli
lidhur rreth kokës n’tëmtha për t’qetësuar dhembjen
ah, se e rastësishme s’është fytyra që kemi
platitur mbi të jan’ uraganet tanë
dashuria si një kafsh’ qiellore që të kall frikën
tek i gëlltit njerëzit dy nga dy pa u ndalur
me magjepsjen e rreme joshëse të përjetësisë
hija e errët në qershor me freskin’ e një pragu porte
byzylyku i argjendtë në nyellin e këmbës, flokët e saj
të marrosur e syt’ e zez’ tër’ epsh që më kujtohen
paj, s’ësht’ e rastësishme fytyra që kemi
gdhendur mbi të janë gaz-e-vajet tanë
kreshta shkëmbore, bjeshka me hijen e resë
nxehtësia e trupit të kalit të vogël
uji i shndritshëm që kullon në rrjedhën e cemtë…
VALS, 3
(Llogara’)
ç’ditë e përsosur me dritën e kthjelltë të shtatorit
me qiellin e kulluar e të qartë, -sa që dhe engjëjt
se ç’bëjn’ në parajsë, mund t’i përgjosh e t’i shohësh
e kërcejt’ e ylqeve që zhuriten në gëmushë
paj, fluturimi i trembur i një shapke
me vezullimin e saj të kaftë në të kuq
fjalët nuk kan’ nevoj’ që gjithmonë
të dijn’ se ku do të mbërrijnë
ndiesitë e ndritshme vijn’ nga aroma
ah, se ndiesit’ e turbullta, –nga kujtimi
dielli që kullon fjalën prej çdo vështrimi të errët
pishnaja ku drenusha ndalet me thundrën në ajër
një re e bardhë n’horizont që bën statuetën e bukuris’ tënde
e projekti ëndërror për të drejtuar një kor zogjsh
qëndrim, lëvizje, kohë, përjetësi
të njëjtësohesh me të tashmen paskajore të foljes
fjalët nuk kan’ nevoj’ që gjithmonë
të dijn’ se ku do të mbërrijnë
ndiesitë e ndritshme vijn’ nga aroma
e ndiesitë e turbullta, -nga kujtimi
vështrimi në paqen e mbrëmjes, shtëpit’, përjetshmërin’ e pyllit
e sytë bojë qielli rinorë
t’errësuar prej afshit të eksitimit
aroma e fortë e lules së ligustrës n’ajrin e lagësht
qerpikët e së dashurës që rrethojn’ lakoren
e qepallave si çerdhja e ngroht’ e një pulëbardhe
fjalët nuk kan’ nevoj’ që gjithmonë
të dijn’ se ku do të mbërrijnë
ndiesitë e ndritshme vijn’ nga aroma
ndiesitë e turbullta seç nga kujtimi
ç’ditë e përsosur me dritën e kthjelltë të shtatorit
me qiellin e kulluar e të qartë, -sa që dhe engjëjt
se ç’bëjn’ në parajsë, mund t’i përgjosh e t’i shohësh…
VALS, 4
fiqt’e detit n’korrik në lulëzimin e artë të ri
maja e pemës që prek qiellin e cepi i gjethes
së fundit që futet brenda në një yll
cicërima e cërloit që ngrihet nga një xunkth
sërish kripa e atij ajri veror të lashtë
të lehtë, të butë deti fërgëllues
e t’thithësh lotin si lëngun e një fruti të athtë
me buzët e etura për të gjitha puthjet
që nuk ke dhënë e që nuk ke marrë
flokët e verdh’ fije të holla drite në feksje
që derdhen mbi supet e vajzës së re- dhe e kaluara
që t’rrethon si rrënojat e një shtëpie të djegur
shpresa, trishtimi, dashuria, atdheu i humbur
krimi, ndërgjegjia, lutja, kënga e emigrantit
e jasemini i çelur rreth grykës së pusit
ah,t’thithësh lotin si lëngun e një fruti të athtë
me buzët e etura për të gjitha puthjet
që nuk ke dhënë e që nuk ke marrë
fiqt’ e detit n’korrik në lulëzimin e artë të ri
maja e pemës që prek qiellin e cepi i gjethes
së fundit që futet brenda në një yll…
VALS, 5
fuqia e ëndrrës që rrëmben gjith’ trajtën e një burri në vesk
aq sa rë duash tokën, siç do një fëmij’ i vogël
rrahjet e zemrës së nënës
e aroma e fortë e re e manjoleve të Mursisë
gjethet në vjeshtë më të kuqe se lulet e pranverës
qielli ngjyr’ blu loti që ruan brishtësin’ e dimrit
ashtu si të magjepsurit e të vegjëlve dhe pleqve
pa e ditur nëse nga dhembja e kthyer në gëzim
apo nga gëzimi i kthyer në dhembje
ah, vetmia e vet e detit, e hapësirës, e vdekjes
mizoria e vogël që ka çdo shenjt për t’fituar aurën e tij t’ ndritshme të artë
si një vetëtim’ e thekshme që fut n’terr peisazhin përreth
e bukuria e vërtet’ e trëndafilit në çastin e agimit
malli në pragmaji për të shkuar në fshatin e thellë
për të parë murrizet, mollët në lulëzim e stuhitë
ashtu si të qarët e të vegjëlve dhe pleqve
pa e ditur nëse nga dhembja e kthyer në gëzim
apo nga gëzimi i kthyer në dhembje…
VALS, 6
flatra vezulluese si tehe thikash të fajkojve
rrahja e një zemre të re që përtërin tokën e vjetër
feksja e velave të kuqe mbi ujërat e bruzta verore
bakri i gjethes n’pragvjeshtë, bronxi i mështeknës në afsh
secila trajt’ thërret veten përmes meje- trajta e lotit, e këngës
si te një shaman që vizaton rrathë magjikë në ajër
çdo njeri ësht’ një vepër e asaj çfar’ i gjith’ universi po bën
ashtu si një valë ësht’ vepër e asaj ç’po bën i tër’ oqeani
dallgëzimi i lehtë i xunktheve në dritën e hënës
e buzët e njomura nga lotët që ngjajnë
me lule që pikojnë vesën e mbrëmjes
veli i butë i bardhë i reve në alpe
britma e mpreht’ e hares’ e valles së gjall’ epshore
blegërimat e tufave të dhenve mes lofatës së pllajës
ti je një vepër e asaj çfar’ i gjith’ universi po bën
ashtu si një valë ësht’ vepër e asaj ç’po bën i tër’ oqeani
aroma, ngjyra, reflekse, shkëlqim krahësh në diell
e pamja ime që kacaviret nëpër qerpikë të saj
si dikur fëmij’ i shkollës duke ngazëllyer nëpër pemë
ah, t’iki n’hiperborea e të lind një jamb të përmalljes
si drenusha në borë që vrapon të lindë ndërsa ulërin
me tinguj të gjatë varur te yjet e natës
çdo njeri ësht’ një vepër e asaj çfar’ i gjith’ universi po bën
ashtu si një valë ësht’ vepër e asaj ç’po bën i tër’ oqeani
flatra vezulluese si tehe thikash të fajkojve
rrahja e një zemre të re që përtërin tokën e vjetër
feksja e velave mbi ujërat e bruzta verore…