“Vatanët” e Adem Demaçit (reportazh nga viti 1956). Pergatiti per botim: Adem Nimani

“Vatanët” e Adem Demaçit (reportazh nga viti 1956)

1 korrik 1956, Rilindja, Prishtinë

Parafjalë
(Ribotimi i plot i këtij teksti nderon autorin Adem Demaçi në përvjetorin e vdekjes)

Edhe para se të dali nga burgu Adem Demaçi, një njeri, profesor, ish i burgosur politik, kishte vendosur të bënte diçka për idhullin e tij, për të cilin ishte gati të flijohej me shumë shokë të tij, filloi të shkruante për Bacën në veçanti. Meqenëse me ra shorti që gjatë asaj pune kolosale që bëri Selatin Novosella, të marr pjesë, duke lexuar aq shumë shënime, nga llojet më të ndryshme të vetë Demaçit, por edhe të shumë autorëve të tjerë, që kanë shkruar për Demaçin, më janë dukur me shumë interes disa shkrime të para të Bacës kur kishte filluar punën në Rilindje. Më janë dukur ato shkrime me vlera krejt të veçanta, sepse Ademi 22 vjeçar po shihte e vuante bashkë me popullin e tij. Adem Demaçi bashkë me goxha shumë shokë po shkolloheshin në Beograd, ku ishte hapur dega e Albanistikes. Ademi ishte dalluar me disa shkrime që kishte botuar sa ishte nxënës i shkollës së mesme në Prishtinë.
Regjistroi Letërsinë Botërore në Universitetin e Beogradit.
Nevojat për kuadro të shkolluara në Kosovë ishin tepër të mëdha, kështu që Demaci u kthye në punë pa mbaruar vitin e dytë të studimeve. Qe nga fillimi, me shkrimet e para, ai prekte probleme të mprehta me të cilat ballafaqohej populli shqiptar nën okupim. Kishte talent e guxim Demaçi për të shkruar, por sa duket dhjetëfish më trim ishte Esat Mekuli që mbante përgjegjësi për çdo fjalë që botohej në faqet e Rilindjes. Për këtë e dinin që të dy, dhe këtë do ta kujtonte vetë Demaçi i cili falënderoi Esatin deri në vdekje.
Përmbajtja e reportazhit, (siç e quan Demaçi), ka vlera të shumëfishta. Autori me pak fjalë thotë shumë.
“Po shkruan mirë”, thoshin kritikët e kohës, por pak kush do ta lexonte, kur 80% të popullatës shqiptare ishin analfabet. Ata për të cilët shkruante Demaçi, jo që ishin analfabet, por akoma ishin po aq të egër e të vendosur për të mos lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë me asnjë çmim, sidomos vajzat.
Bashkëkombësit e Demaçit, i shohim të mbërthyer brenda “Vatanëve” të tyre të vegjël. Ata edhe ëndrrat i kanë të robëruara brenda mureve të kasolleve ku flenë. Demaçi sheh më shumë e më mirë, por edhe duket më guximtar se të tjerët! Nën censurën që kërcente cdo fjalë të shkruar, sa duke ishte edhe ma trim Esat Mekuli, i cili mbante përgjegjësi për krejt çka botohej në Rilindje.
Demaçi po shihte edhe natën, kur fikeshin dritat e qirinjve e të llambave të vajgurit, e madje edhe kur hëna fshihej pas reve apo të jetë sosur fare. Demaçi i sheh edhe ata (spiunët e kohës) kur ngjiten mbi mure dhe pullaze kasollesh, për të afruar veshtë pranë vrimave të oxhaqeve që janë fikur, për të dëgjuar çka flitet nëpër familje. Kalërojnë spiunët e vegjël, që Demaçi i njeh, por i dallon vetëm me nofka, pasi ishte kohë e rëndë për ti dalluar me emra.
Derisa Demaçi ishte në burg, kishte dëgjuar për Kongresin e Drejtshkrimit që ishte mbajtur në Tiranë dhe ishte gëzuar shumë. Ai, që atëherë kishte menduar, që sapo të dali nga burgu, romanin e tij të ndaluar “Gjarpinjtë e gjakut” ta ribotonte në gjuhën e njësuar letrare. Mund të shkruhen me dhjetëra recensione vetëm për këtë reportazh, i cili edhe kur u botua ka pasur aq pak lexues sa edhe ribotimi do të ishte faktikisht promovim i një reportazhi unik nga viti 1956, që pasqyron gjendjen e popullit shqiptar në një lagje qyteti, i cili nuk ishte as qytet, por një kasaba gati, gati krejt mesjetare.

T: “Lagjja ime me shume oxhaqe, shume dritare e shume sokaqe…”

Lagjja ime, me shumë oxhaqe, hije randë, ngreh mbi pullaze dritare mrojtë me çatma të drujta e përmbrenda mbuluar me perde çfardo, me sokaçe të kalldrëmta shtrue, në pluhun hullisue, varg e vij e kryq e tërthuer, me vada hamamxhiqesh e nevojtoresh(!) – flenë në qetësinë e natës.
Flejnë sokaqet e lagjes sime, ato gryka të ngushta nda me mure kurdoherë ma të naltë se dy pash njeriu, prej atyne “vataneve” të vegjël, rreshtue njeri pranë tejtrit… “Vatane” të vegjël, “Vatane me qejfe për vedi, tyme për shtëpija e me dyer kah sokaqet e fjetun.
Flejnë sokaqet, flejnë qatijat, flejnë njerëzia, se e shkurt asht nata e ndejës në lagjen time. Nata e gjumi asht ma e deshirueme. Flejnë, se për me marrë gruen në gji, ose edhe vetëm për të fjet, nuk duhet nxjerrë buletë. Buletë me të holla. Flejnë gjinja e lagjes sime, flejnë dhe s’flejnë… Dy dritare me drita të dobta, të puthuna me terrin e natës së thellë, duket se koten . Hove hove ndonjë hije lëvizë mbrapa perdeve, por prap zhduket dhe prap drita me dhambët e saj të mpreft, padobi mundohet me kafshue terrin e pafund.
Ndonjë udhtar i vonë ose ndonji piajnec, vështron kah dritaret, kah ato zgavra të shëndritshme dhe dëshiron me dijtë se çdo “vatan” asht me qejf për vedi dhe tym për shtëpi, vazhdon rrugën…
Vetëm për somnambulistat nuk ka “vatane” me qef për vedi e tym për shtëpi… E lagja ime, përveç të tjeravet ka edhe somnambulista, ka edhe njerëz të cilët në pikë të natës nën rrezet e hanës, në këmishë e tlina, hecin zgipteve të qatijave. Ka. Unë i njof, vetëm dy në lagjen time, por sigurisht do të kët edhe të tjerë.
Qe edhe sonte kanë dalë që të dy me nji kohë, dhe se hana asht ora e tyne e përbashkët dhe paralel me nji sokak ndërmjet, hecin mbi çatijat e “vataneve” të rreshtuem. Hecin somnambulistat pran oxhaqeve hijerandë të mërrrolun, pranë oxhaqevet, roje të qatijavet. Por kur gjindja e “vatanit” nuk ndezin stufën ose votrën, e oxhaku nuk ka si me pufue fjollën e tymit, s’ka me çka me hjekë mërzinë, prandej për inati të gjindve të “vatanit”, i tranzmeton jashtë fjalët që thuhen në dhomë: fjalët e mira dhe të këqija, t’amblat dhe t’idhtat, të kangës dhe të vajt, të bisedës dhe të kuvendit, të msheftat e të pamsheftat, të gjitha – për inat. Por jo çdokujt. Vetëm somnambulavet, se vetëm këta i bajnë shoqni në vetmin ma të madhe, i hejkin mërzi në mërzinë ma të madhe. Por edhe somnambulistat nuk i tradhtojnë transmetuesit e vet besnikë. Natën ndëgjojnë, e kur të zgjohen të nesërmen prej kllapije i hargjojnë të gjitha. Dhe në këtë mënyrë – besa ruhet, e tradita nuk prishet.
Somnambulisti Sefer hecë në kët anë t’sokakut, e Lili m’atë anë.
Seferi ndalet pranë oxhakut me tulla, afron veshin pranë dy zgavrave në faqen kah ai dhe ndëgjon zane e piskamë.
Shihni këtu o vllazën e ilaka të ngushtë! Unë, nuk ju kam thirrë këtu me na tregue se si kanë qenë punët në kohët e Babunit, por ju kam grishë me kuvendue dhe dertue hallin tonë. Vajzën, ju nuk e keni vetë kur e keni dhanë pothuaj aspak… “
“Po pse or bacë me vetë vajzën?” A duhet të vetemi na apo ajo?
“Ngadalë bacë se ende nuk e mbarova. Ju nuk e keni ndëgjue vajzën fare se çka ju ka thanë, por vetëm keni dhanë fjalën”.
“Ani”.
“Ani, vajza as nuk e ka dashtë at myshteriun, as që po e dini”.
“Shka bre?!”
“Ngadalë të lutem axhë! E vajza ka tregue qysh në fillim se nuk po e don dhe ju prap e keni dhanë…”
“Bjerni shkurtë loke, e fol ma shqip, se aspak s’po mundem me të marrë vesh!”
“Mirë loke, – që shkurt e shqip: mesa jote e motra jeme, nuk po don me e marr për burrë djalin që ja keni zgjedhë ju!”
“U, qyqe u bafsh, çka fole, po dojka ma na e marrë fytyrën!”
“Jo kjo punë kurrsesi nuk mund të bahet!”
“Jo pa dajë, kjo punë asht ba si mos ma zi, ma mirë me thanë ju e keni ba.. e u…”
“Shka po don bre bir ti me thanë me këto fjalë?”
Ngadalë babë, mos u nxejë! Po due me thanë, që ju e keni pru vedin në nji situatë kaq të keqe sepse nuk e keni ndëgjue me kohë fjalën e vajzës!”
“Çfarë vajze more, çfarë hamami!”
Jo, vlla nuk asht ashtu. Ta lam faktin se vajza asht tek e fundit intelektuale, por pikësëpari të pyetemi athua kush ka me u martue me atë myshterin, kush ka me kalue jetë me të? Nodshta kam me u martue unë apo ke me u martue ti axhë, ose ka me u martue baba, ingja ose gjyshja”… të gjithë na kemi me ndejtë ndër shtëpija e vajza jonë ka me u martue, prandej ma së pari nji; ka të drejtë me e vet, e mandej na. Ajo e vetmja ka të drejtë me caktue fatin e saj!… E dij gjyshe e dij çka po don me thanë, por tjetër ka qenë koha jote e tjetër koha e sodshme… Nuk e dij apo mundemi me u kuptue. Kësaj pune të ngatrrueme duhet me ia ba nji hall. Duhet gjetë nji shtekdalje.
“Kjo punë nuk ka kurrfarë shtekdalje, veçse si asht nisë ashtu me mbetë!”
“Nuk e dij, a nuk po di unë me fole, apo nuk po më kuptoni, ose as nuk po doni me më kuptue. Unë po e dij se edhe së bashku me mue gjindemi në nji pozitë të vështirë, por mund të bahet edhe ma keq. Vajza, në vend të djalit që ja keni zgjedhë ju, po e don nji tjetër!”…
“Shka, shka?”
“Kurrsesi nuk mund të bahet!”
“Me kthye fjalën? Me lëpi atë që kemi pështy! Zoti na ruejt!”
“Po, pse pra keni pshty pa e vet kryet e punës!?”
“Me kthye fjalën!… me çnderue vedin dhe familjen.”
“Kurr për së gjalli!”
“Unë po ju them, se më mirë asht me kthye fjalën me kohë, se me ju metë fjala në qiell!”
“?!”
Kurse Lili m’at anë sokakut ndalë pranë nji axhaku tjetër, gjithashtu ndëgjon fjalë, piskamë dhe shamje:
“Ah ja bafsha e ja kthefsha shkollarit! Shih ti njiherë beter me sy: nuk ka as zanat as kurrgjë para dere, e ka fytyrë me ma lypë vajzën! Kurr e për kët dyja!”
“Aman more babë, po sod që besa edhe shkolla po ban punë gati sa zanati”.
“Çfarë pune more, po mos na shurdho allahile! Nesër e kapin rrebet dhe ta len robin në sokak!”
“E zanatlija nuk po mujka me ta lanë në sokak?”
“Zanatlija jo, se ai ulë kryet dhe këqyrë punën e vet.”
“E shkolltari nuk po mujka me ba punën e vet e me shique punët që i përkasin?”
“Jo pra, asnji shkollar nuk mundet me ndejtë rahat.”
“Qysh rahat?!”
“He, he, he, he! Nuk po mundesh me i ra në fill të fjalve, he lum nipi! Po ai, me ninue ramazanin nuk ia ninon, pragun e xhamisë as për ditë të Bajramit nuk ia kapërcen, po me kapë gruen e me dal me shëtitë nëpër qytet – po, nëpër zabava e nëpër njëmijë e njiqinë vende tjera – po. Për kët punë, ky po thotë, shkollari nuk mundet me nejt urt – dhe plotësisht ka të drejtë!”
“Po ani çka o dajë, nëqoftëse shëtitë, grue të vetën e ka.”
“Grue të vetën, po se po, e sa për fytyrën e tij unë nuk pata me u mërzitë aspak, por kjo asht edhe bija ime e motra jote bre ahmak! Nesër, njerzija zgjasin gishtin e thonë qe e bija e filanit asht ba llakantë, me që filan baba i kësaj e kësaj! He, apo sheh a jo?”
“More unë, a din çka po them o mik?! Kësaj vet me ia gjetë nji vend të mirë në katun, se ndryshe nuk bahet.”
Jo, lum miku në katun, por me mujt njëfarë vendi pak si ma t’afrueshëm, a ndonji zanatli se…”
“Në qytet a ?! Paj, por u bafsha qen që ni gjetsh ti venë hallall çikës s’ate, se i tanë qyteti me shkollarë e zanatli asht prishë!”
‘Jo, jo”.
“Tybe po bre mik, e tash po të them në gojë që e shkretove krejtësisht kët punë! Ti po don edhe me lypë edhe me zgjedhë, edhe me qytet edhe me Barilevë !”E kështu nuk ke me e gjete! Por, ja katunë safi, ja qytet safi – me të gjitha beterët !… “
“Jo që besa mik, sa për ashtu kurrsesi nuk ma merr mendja!”
:Unë po ju them, jepjani njeriut që na e kërkon, se qe besa, s’asht çudi që edhe mundeni me i nxjerrë vedi punë të papunë!”
“Qysh bre punë të papunë?!”
“Ashtu unë e veta motrën, e ajo më tha që ky shkollari po i pëlqen e mos e dhashin… “
“Mos e dhashi, përplasë derën mbas vedi e shkon te ai që po e lypë e po e pëlqen.”
“Tut bre zoti t’marroftë a kështu flet vllau për të motrën!”
“Unë ju thash çka pata menden, e ju tash zgjedhni : ose, ose!”
“Qe besa kurrfarë osash bre bir, pos ja pres kryet me sakicë”.
“Ani babë në ta qitë hesapi me shti veden llugavet, pa pasë kurrfarë zori, shtine!”
‘?!”
Hana fytyrrrumbullaktë për disa çaste të shkurtë, mshefet mbas njij figure të çuditshme reje.
Seferi dhe Lili largojnë veshët prej zgavrave t’oxhaqeve dhe ngrehin shiqimet nalt kah qielli. Kërkojnë Hanën, nanën e tyre të natës.
Kërkojnë dhe nuk munden me e gjetë se i gjatë asht rendi, e trash asht shtresa e revet kumulluese, Shiqojnë somnambulistat e ngirtun maje qatijave kah njeri tjetri, shiqojnë për disa çaste dhe nuk shifen ndër vedi, se në kët kohë vetëm hanën munden me pa.
Por hana e mbetun mbas resh vazhdon me udhëtue.
Somnambulistat, gadi të deshpëruem për kohën e shkurtë të shëtisë që ua fal nana Hanë, me hapa të sigurtë dhe të pandieshëm, fillojnë për në”vatanet” e veta…
Mbas disa çastesh, si për inat të somnambulistavet, hana tregoi fytyrën e saj si të shëndritshme dhe nën qeshjen e saj që derdhë, duket gati e qartë lagjja ime me shumë oxhaqe, me shumë dritare dhe shumë sokaqe: duken qartë ata “vatane” të rreshtuem pranë njani tjetrit “vatane” me qejfe për vedi dhe tyme për shtëpija; duket lagjja ime e gjindjevet që mundohen me ngranë me dy lugë, që mundohen nën nji sjetullë me bajtë dy bostana…
Adem Demaçi
– Shtypi nga origjinali Adem Nimani

Përshendetje

Për z. Mujo Buçpapaj

Kësaj radhe vendosa tua dërgoj këtë Shkrim të Adem Demaçit për shumë arsye. E kam zgjedhur para shumë kohësh duke menduar të ribotohet, pasi është botuar në një kohë kur pak kush e ka lexuar. Por nuk është kjo arsyeja. Arsyeja e vërtetë për ribotim pas aq shumë vitesh, është gjuha e shkruar dhe përmbajtja që rezonon fort me aktualitetin e tashëm. Vlerësimet tjera të shumëfishta mund ti nxjerrin lexuesit e interesuar.
Teksti i reportazhit (nëse botohet) duhet bërë pa asnjë ndërhyrje ngase vetë unë e kam rishtypur nga një kopje e gjetur në arkivin e Rilindjes. Dhe Pikërisht gjuha e shkruar është temë nga e cila duhet te nxjerrin mësim të gjithë ata që sot shkruajnë shqip.
( vetëm ashtu ky reportazh sjell me fakte gjendjen e popullit shqiptar)(gjendja ekonomike, arsimore, kulturore, gjuhësore, politike, e sigurisë etj….
Pjesa që kam shkruar më poshtë, mund të shkurtohet apo hiqet fare, por reportazhi (nëse botohet) vjen sipas shkrimit origjinal që është nxjerrë nga arkivi i Rilindjes.

JU përshëndes nga Prishtina