MJEGULL
S’të shoh dot,
mjegull ka mbulu fytyrën tande
veç aromën ty ta ndjej,
përqafimi yt, vegim
kohën pas dua ta kthej,
edhe nji herë fort me t’shtrëngu.
Shiu pikon mbi petale
e trupi im dridhet
prekjen tande e kërkon,
tash që afër meje s’je
më thuaj kë e përqafon,
prekja jeme a t’mungon?
Veç reflektimin e diellit
mbi shtratin e lumit shoh,
si kur prekeshin buzët e mia
me buzët tua, kujtim,
Akoma i ndjej puthjet e tua
vjen e shkon ti si mjegull,
mbetesh vegim, vetëtimë.
T’PASHË TY
T’pashë në andërr mbramë,
pashë shumë andrra,
andrra t’gjata,
por t’pashë ty!
T’pashë si erdhe
nga pas m’përqafove,
m’puthe, m’qeshe mu,
qeshje bashkë me mu.
T’pashë sikur nuk t’interesonte bota
e vetmja gja që t’interesonte
isha unë,
vetëm unë!
Dhe qëndrove!
M’premtove se
do t’shtrihesh me mu gjithmonë
e kurrë s’do t’më lësh me ikë.
Mbaje premtimin i dashun
se kam me t’mbajtë ngat vetes
s’kam me t’lanë me ik kurrë…
TREGOJU
Tregoju!
Tregoju si m’trajtoje!
A t’vjen turp?
Tregoju si m’gënjeje
n’sy mshikoje,
n’ballë më puthje, m’përqafoje.
Tregoju
A ke turp?
Tregoju si m’lëndoje,
tregoju si me tjerat ikje
e mu vetëm më shkatrroje.
A ke turp?
Tregoju!
Sa herë emrin ma ngatërroje
n’sy m’shikoje, buzëqeshje
e as falje nuk kërkoje.
Tregoju si vrapoje,
pas tjerave si shkoje,
tregoju si m’injoroje
e tu m’shiku n’sy, m’gënjeje
m’thoje se veç mu më doje.
S’KA POEZI
S’ka poezi
sonte ty du me t’mendu,
n’ktë natë të ftohtë dhe me shi
prekjen tande me e imagjinu.
S’ka poezi
se edhe fjalët n’fyt më ngecin,
kur kujtoj buzqeshjen tande
i shoh dhe yjet se si buzqeshin.
Shndrrit ti sipër meje
më drithëron, ma rrit dhe epshin,
me pëshpërimë ma puth lëkurën
pëshpërimë, muzikë për veshin.
Frymëmarrjen tande e ndjej
pa frymë jam, nuk të gënjej,
aty ku m’le, aty të pres
vështirë n’errsirë ty të të gjej,
edhe pse kudo të ndjej.
Të t’puth fort, si herën e parë
putheshin bashk’ gzim e lotë,
putheshim ne, strukeshim
pa t’puthë s’mund të rrija dot.
S’ka poezi, se poezinë ma more ti,
pa fjalë më le
fjala ime u bane ti
s’ka poezi,
poezia ime tash je ti.
ÇMENDUNI
Çmenduni e çmendun
si shiu i ditëve të vjeshtës,
çmendunisht mas teje
e çmendun isha unë.
E çmendun si qielli
kur mas diellit bie breshën
si yjet netëve të verës
e çmendun isha unë.
Më thuaj a vlen gjithë kjo marrëzi
kur ti afër ma nuk je?
A vlen gjithë kjo dashni për ty
kur n’rrugë bahesh sikur s’më njeh?
Rri tash, mendoj,
çmenduni asht’
kur kujtoj dhe syt’ e tu,
kur kujtoj buzqeshjen tande
mënyrën si më puthje mu.
Çmenduni njëjtë
si kur e puth deti diellin,
sa hap e mbyll syt’ perëndon.
Në fund të ditës unë vetëm mbes
e rrethume n’çmenduni,
e burgosun pa ty jam
e burgosun në liri.
PIKËPYETJE
A ke me m’kujtu nesër
kur t’shkoj larg e t’ik prej teje,
a do t’jesh i lumtur
kur ma afër t’mos më kesh?
A ka me t’ngroh ma dielli
kur pa mu të jesh ti vetëm,
a ke me ma ndje mungesën
kur mu afër t’mos më ndjesh?
Si do t’jenë netët për ty
a ka kush të t’përqafojë,
kur mërzia të t’kaplojë ty
a ka kush të të shtrëngojë?
Kur yje të mos ketë
e hana të mos bajë dritë,
a do t’rrish ti prap i qetë
apo mu do t’vish me m’lypë?
Se ashtu si më le vetëm
me ty u trondit dhe natyra,
shiu s’ndalet as n’ditë vere
t’u hoq maska, të doli ftyra.
Eh tash bie breshër
mundohet mu të më ngushllojë,
tash që ma me mu nuk je
e di, askush si unë nuk do të t’dojë.
VJESHTË ME LULE PA AROMË
Dyert e teatrit si hap ma pa ty
Rrugët e mbushuna janë,
Gjethe t’vyshkuna m’bien mbi kry
Ngjyrën e artë t’vjeshtës kanë,
T’vjeshtës së ftoht’ pa aromë.
N’skenë ka mbetë violina
E thyer, harkun me vete kam marrë,
Publik kam veç hijen time
Notat n’zjarr digjen ngadalë,
Me to bashk’ digjem dhe unë.
Për çdo natë hanës i flas
Përhumbem n’andrra, ty t’ndjek nga pas
Veten me ty e andërroj,
Si kjo vjeshtë e artë, e ftoht’
Hijen tande e kërkoj,
Prap, veç me veten përfundoj.
Tetor i ftoht’ më ngrin kujtimet
E un’ dirgjem e trishtume,
Si duroj dot predikimet
E ksaj vjeshte të mallkume
Mbeti bosh dhe historia jonë,
Si kjo vjeshtë e amshume
Vjeshtë me lule pa aromë.
PA TY
Nuk lindi dielli sot,
Nuk ka dritë
As zogjtë n’mëngjes nuk kanë këndu,
Vesa mbi gjethe nuk iku as n’mesditë
Errësira qytetin e ka pushtu.
Kam ftohtë sot, si dje
Akullnajë që s’shkrin
Kaplon mendjen time
Më mbërdhen shpirtin tim.
Shiu fillon, bie pa ndalë
Retë e zeza qiellin kanë pushtu
Stuhi lotësh, shtrëngatë
Askush s’asht me më shpëtu.
Ty të mori era
E mu ma mori lirinë,
Krahët e kputun m’kanë mbetë
Tani po e ndjej vetminë
Pa ty!
Që ditën kur ike ti
Nuk shndrrit hana,
Nuk ngopem frymë,
Mes varresh ngulfatem
Mbyll sytë, ndjej aromën tande
Nën dhe tretesh ti, përgjithmonë.
KE MBETË TI AKULL
Botë e akullt
Kanë ngri edhe njerzit
N’shtratin tim e qetë s’mund të fle,
Dorë për dorë
Vështronim yjet
T’etun për njani tjetrin ishim dje.
Botë e akullt
Kanë ngri fytyrat
Asnji buzqeshje sot s’ma dhe,
Shkon e kthehesh
T’rrëmben natyra
Me aromën e tjetrës mos u kthe.
Tash ledhatimet
Në botën e akullt kanë mbetë
Ke ngri dhe ti njëjt’ si kujtim,
E ftoht ka mbetë zemra ime
Pa të pasë ty në përqafim,
Ke mbetë ti akull
Zjarri i fshehun i shpirtit tim.
POEZI E PAMBARUME
Ke mbetë ti,
poezia ime e heshtun
ndjekun maleve e shkatrrume
vetëm lanë, e dërmume.
Ke mbetë ti,
kangë vjeshte
puhi dimni e lëndume,
gjethe e shtypun, e shkrumume.
Plagë e hapun, e pambarume
zemërdjegun e përvlume,
ke mbetë ti, poezia ime
poezi e pambarume.
EJA E DHUROMË DASHNI
Ty po t’shoh tuj vrapu
Nën gjethe t’arta mu kërkomë,
Të pres me m’marrë, me m’përqafu
Erën tande trupi im e don.
Kape dorën teme, lule
Mbaj krahun tim, mrekulli
Shikom n’sy e puthmë fort
Mbushmë plot me ambëlsi.
Mos shko ashtu si ike dje
Sa shpesh ti mu vet m’ke lanë,
Se veç ty unë du me t’ndje
Zemra jeme pa ty qanë.
Hajde prap te unë
Bashk’ le të vallzojmë,
Andrrat ma ti mos mi the
Andrrat bashk le ti andrrojmë.
Dije që edhe qielli qesh
Kur bashk jemi ne të dy,
Le t’qeshim dhe ne, vesh më vesh
Eja e dhuromë dashni.
TY DO TË T’PRES
Strukun n’errsirë tani
E pamundun me u kthy tek ti,
M’ka kaplu mërzi e madhe
S’mund të rri unë ma pa ty.
Edhe qielli qan me mu
Mbushun dhimbje, jam shkatrru,
Derë vetmie nuk më hapet
Mbyllun brenda kam përfundu.
Akrepat e orës kanë ndalë
Ka ndalë edhe koha për mu,
Akull m’asht ba dhe zemra jeme
Pa t’pasë afër me m’përqafu.
Në qiellin e natës sot
Nji ylli për ty do ti flas,
Do t’puth hanën në vendin tand
Në ulërimë do t’pëlcas.
E shtrirë, ngrirë
Ty do të t’pres,
Nëse s’vjen e më le vetëm
E di se vetëm do të vdes.
ATËHERË…
Atëherë kur dielli perëndon
Vë zjarr në qiellin tim plot re,
Atëherë shpirtin ma tundon
Më zhduk buzëqeshjen si rrufe.
Dy drita lart mbi mu ndriçojnë
S’janë yjet tanë tu na shikju,
N’mëngjes prap do t’perëndojnë
Do t’lind dhe dielli, përsëri, pa mu.
E humbun jam, si hije
Mes shtigjesh zvarrë ngatërrohem,
Tek ti du t’vij n’andërr si dje
E humbun jam, pa ty harrohem.
Dhe sot përfundoj si dje
Rrënu n’qiellin e errët pa hanë,
Pa ty as zemra nuk më rreh
Gjetun, mbytun, e vetme jam.
U MUNDOVA ME T’KUJTU
U mundova me t’kujtu
Nën dritën e hanës sonte vetëm jam,
Do t’doja ca vargje ty me ti kushtu
Çdo ditë e ma shumë mall për ty kam.
Dhe larg jemi, sa ma s’ka
As dritë, as hije dot s’na bashkon
Ky zjarr i tmerrshëm po don me m’vra
A thua tash për kë andrron?
Do t’mundohem me t’kujtu
Edhe nesër sikur sot,
Do t’mundohem me t’andrru
Me të puth, me t’përqafu fort.
Bile n’andërr afër t’kam
Të përqafohemi si dy fëmijë,
T’pushoj e qetë n’gjinin tand
E mos t’na ndajë asnjeri.
PRES NË ANDËRR TY ME T’PA
Pres në andërr ty me t’pa, sonte
Shikoj qiellin e ngrysun, errësirë
Syt’ e tu pikturë,
shkëlqejnë përmbi kullën e sahatit që akrepat
i janë ndalë qysh dje,
N’shikimin tand du t’fundosem
Me shikim ndjenjat me i shpreh.
Zvarritem përmbi gurë,
Përmbi gurët e varrit tand
I përgjakun nën dhe, i tretun
Nga ti s’mbaj mend as edhe nji fjalë.
S’je ktu’ fort me m’përqafu
N’krahnorin tand do gjeja qetsi,
Malli kurrë nuk po shuhet
A do t’kem najher’ dashni?
Mall, veç mall e lotë
Tretem dhe unë çdo ditë, ngadalë
Pres në andërr ty me t’pa
Kujtimet e mia me ti falë.