Sa dashuri të rrejshme më japin. Poezi te reja nga HAMIT ALIAJ

 

DY DRITARE

Dritarja e diktatorit si llampë morgu
Rri mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”,
Njëqind metër larg, në ndërtesën përballë,
Fantazma kryeministrash të vdekur, të gjallë
Shtatë ditë iu deshën Dante Aligerit
Të shihte Parajsën, Purgatorin, Ferrin
Po njëqind vjet rruga mes dy dritaresh
Në Tiranën e tiranëve, zezonë funeralesh
Tirana e tiranëve i ka kohët ndryshe:
Në mëngjes je vajzë, në darkë ngrysesh gjyshe,
Në dy dritare vjell historia:
Nga dritarja e Diktatorit, te Kryeministria !

VETËM AI…

Sa dashuri të rrejshme më japin,
Si një të vdekuri ditën e fundit mbi dhe,
Asnjë fjalë të keqe për mua!
Në derën ku s’troket asnjë mik
I lumtur është harrimtari i vetmuar
Se s’ka kush e tradhton
Po unë kurrë s’jam vetëm:
I huaji i përjetshëm brenda meje,
Me syrin që zhbirilon përtej nate,
Me veshin që dëgjon përtej muri,
Herë paqe bëjmë, herë luftë,
Po vetëm kurrë s’më lë
Kur unë fle
Ai rrin zgjuar e bën plane
Ushtri të thërrasë kundër gjysmës
( Pra, kundêr meje)
Kur unë zgjohem
Ai bëhet natë,
Gjysmanatë e gjysmaditë, unë
Vetëm ai
Mik e armik,
I huaji brenda meje
Po nuk më bëre mua armik
E të më vrasësh ditë për ditë,
Si do të bëhesh Hero
Ti, gjysma ime ?!

PA DATË

Një vajzë merr përdore Zotin e verbër
Të përzënë nga shtëpia e njeriut
Prej Adamit e Evës
Ja tregon dherat e muzgut dhe e pyet:
Bablok, më mirë të bësh një poç vere me këto dhera,
A një njeri prej balte
Si njeriu yt i Zanafillës ?
Pik, bien skifterët prej qiellit jetim
E ua hanë këngën zogjve të dritës
Vajza ecën përjetësisht drejt muzgut
Në kërkim të tokës
Ku Zoti mori dheun
Me të cilin krijoi njeriun e parë…
Imzot, pse Zoti gjithmonë është burrë?
Më trego tokën ku të marr dheun
Me të cilin të krijoj një perëndeshë,
Të të martoj ty me të
E të lindni njeriun e munguar !
Pik,bien skifterët prej qiellit jetim
E ua hanë këngën zogjve të dritës…

NË ROZAFË
Gruaja-hënë e pagjak,
Veshur me trëndafilin e zi të muzgjeve
Del natën prej gurit
E bëhet mjegull mbi Bunë
Rrufe të idhta gjuajnë qingjin e zi
Në shpindë të Abrahamit mjekërbardhë
Që sillet rreth mureve të kalasë në Shkodër
Abraham, ti i shpike flijimet !
Po askush e askush
S’e din emrin e djalit jetim,
As emrin e perëndisë për të cilën u flijua
Gruaja e tradhtuar që u muros
Gurin ku fle gruaja dhe zjarri
E ruan gjarpëri i Drinit
Prej burrave besëprerë
Këtu në Rozafë ku zogjtë bëhen vjeshtë…

KËTU…

Këtu vdekja kushton
Më lirë se gjithçka
Dhe gjërat e bukura quhen “Dje”
Burrat shuhen me pengun e madh
Që s’u bënë këngë,as elegji
Në buzët e një gruaje
Gratë nuk shohin asnjë ëndërr,
Dheut shkojnë si lumenj të turbullt
Me burra të mbytur brenda tyre
Në hyrje të muzgjeve
Shitësi i ëndërrave…

KRONIKË PLURALISTE

Nën shkreptimat e dritës së vonuar
Nëpër qiej të sëmurë ikte
Fantazma që kish ndaluar Zotin mbi dhe
Shitoret e para që u hapën
Ishin ato ku shiteshin shenjtorët e ndaluar
Prej dheu të pjekur në furra të bukës së munguar,
Prej druri, prej qelqi, prej bronxi, prej brirësh dhie, kaprojsh, prej eshtra zogjsh,
Ishin portretet, statujat, medaljonet e shenjtëve
Shitej Jezusi fëmijë,Jezusi zbathur, Jezusi në kryq,
Maria e shenjtë në Betlehem,
Abrahami me qingjin e flijimit përdore,
Shën Pali, e gjithë shenjtët e tjerë,
Imam Aliu në Qerbela,
Dhe së fundi ,portretet e dervishëve të provincave të Ballkanit
Monedhat blerëse s’kishin rëndësi :
Lek shqiptarë, marka gjermane, dhrahmi, lireta, dollarë, e së fundi Euro …
Me muzikë pluraliste:muzikë kombëtare, globale, folk, tallava,
Vazhdon shitja e shenjtorëve,engjëjve,
Ndërsa fantazma e Judës që shiti Jezusin në darkën e të trembëdhjetëve
Shfaqet kudo dhe bën pyetjen e frikëshme:
“ Pse më akuzoni për ato 30 aspra”?

HISTORI

Luftën e fituam,
Nga fitimtarët, asnjë nuk u kthye i gjallë!
Hymni i ri i lirisë
Vetëm dy vargje ka:
“ Do vijnë ditë të bukura,
Gjithë krimbat u bënë flutura”!
Ohohhoo, more hej !

NATË PLANETARE

Brirët e drenit të vrarë,venë mbi portën e shtëpive,
Vijnë nga një vrasje, vrasje e të vetmit lot që i bie në besë njeriut,
Dhe një patkua kali, në çdo kohë,
Hipokrizi e njeriut ndaj kafshës së mundimeve,
Dhëmbi i ujkut,medalion në qafën e vajzave,
Nga një vrasje e të uriturit të pyjeve vjen,
Dhe pak lëkurë gjarpëri në portofol
Për t’u ruajtur nga syri i keq i njeriut,
(Portofolet të gjitha ,me lëkurë kafshësh të vrara janë)
Një krah lakuriqi, me prekjen e të cilit
Bën për vete vajzën e ëndërrës,
Një mbytje e zogut të natës është,
E së fundi : lëkurë e dhisë mitike e bërë tupan
Nën ritmin e të cilit kërcen marrëzia
Gjithçka e pandryshueshme,si e shkuara :
Në lëkurë të tij e në portën e shtëpive,
Tatuazhe bën vrasjet dhe pamëshirshëm
Prej tyre kërkon mbrojtje nga frikërat e përjetëshme,
Njeriu !
Kafshët e prera në besë
Prap bëhen dorëzane dhe e marrin me ndore
Njeriun prej njeriut
Kjo lëkura ime
Natë planetare

MORTARË
Nga ç’mort po vijnë këta gjamtarë,
Që u prin poeti i plakur,
Poeti i plakur me kryet plot dimër?
Kë shtitë në dhe,o mortarë të zymtë,
Ku shkoni kështu kësaj nate të panatë ?
Se po rrëzohet qiella e përfundi u zë!
Kthehen nga morti i Orëve të maleve,
Te Vorri i Hanës në dhe i kan shti …
Oiiii, medet, si do jenë netët,
Sot e mot, netët e pafjetuna
Në malet orëdekuna !

BIEN SHIRA TË PLAKUR
Lisat dhe kuajt flenë në këmbë,
Bien shira të plakur
Verrajave që dihatin
Sa lutje për ndërrim qiejsh!
Po ndërrim i qiejve do të thotë
Ndërrim edhe i Zotave !
Në muzg krijojmë perëndi të natës
Për të mundur frikërat e njeriut
E ikim
Pa na parë drita
Veç gurët s’dijnë të plaken
Hera-herës lëshojnë
Mjekërr të blertë lëmashku
Në këtë vjeshtim vetmishë
Nën qiej që rrëzohen

YLL- LOTI

Lagshtë drite çdo ag
Në fijet e barit dhe dushqet
Për kë qan
Yllloti ,natën mbi dhe ?!
Dënesje e përjetëshme yjesh
Të dënuara të vdesin nga drita !

PAGAN
Vriteni paganin,bërtasin
Kryqërisht, hënërisht,ujqërisht
Tash dymijë vjet
Unë rri natë e ditë çue
Pagan që ruan zjarrin të mos shuhet
Ashtu si shpikësi i parë i tij
Ia mbuloj gacat e prushta
Me hi qytetërimesh të shuara,
Me gërmadha kështjellash e ëndërrash
Me hi rrufeshë të plakura
Ndryshe nga gjithë zjarret e tjera
Ai zjarr fillon te zemrat
E po u shua nuk ndizet më
Prej hirit të tij
Vetëm zogj të thinjur mund të lindin
Unë,pagani ruaj zjarrin mitik
E krijoj perëndi
Me emrin dashuri
Sa borëra më kanë zbardhur,
Sa shira më kanë lagur !
Vriteni paganin, bërtasin
Por po u shua ky zjarr
Bota do të ngrijë !…

BOTA, SIKUR….

Të bëhej bota si sytë që e shohin,
Sytë ku rri perëndia e dritës
Dhe fjala e fundit e Zotit në ditën e shtatë !
Të bëhej e blertë, kur sy të blertë e shohin,
Të kaltëronte kur sytë e kaltër e kqyrin,
Natë e ëndërrt të bëhej kur e vështron syzeza,
Tokë me fara lulesh,kur sytë e kaftë ta shihnin,
Shkrim të bëhej, sipas syve të shkruar,
Se,e larme është,pavarsisht sylarmëve,
( Sybardhët të frigojnë në mite)!
Por, ah, nuk e lë loti që bota të bëhet sy
Loti në udhëkryq
I kryqëzuar në kryq !

E DI NJË VEND…

E di një vend
Ku vdekjet e bukura kanë vdekë
Ka vdekur vdekja për Atë e Dhe,
Vdekja për Liri ka shkuar në mërgatë,
S’ka më vdekje për bukurinë
Këmbëzbathur ikën maleve
Vdekja për Fjalën!
Vetë vdekja
Kap kryet me duar e vajton pa skaj
Vetminë e saj
E di një vend,
Po emrin s’ia them
Se në asht më dhemb!
E di një vend …

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here