( Me rastin e 100 vjetorit të nënshkrimit te Konventës së Lozanes)
Në verën e vitit 1922, pas disfates greke në luftë me Turqinë, deshtoj projekti grek i Megali-Ides për aneksimin e Azisë se Vogël dhe sundimin e Greqisë në ish territoret e Perandorisë Bizantine. Për rrjedhojë në vitet 1921-1922 filloi një periudhë e re tensioni politik në Greqi, që u shoqërua me aksione agresive ushtarake kundër shqiptarëve etnikë.
Nën monitorimin e Fuqive të Mëdha e të Lidhjes së Kombëve më 30 janar 1923 u nënshkrua Traktati i Lozanës. Në një nga nenet e tij përcaktohej shkëmbimi i popullsisë së etnisë turke në Greqi me atë greke në Turqi. – U vendos që të ngrihej një komision i Lidhjes së Kombëve për të ndjekur zbatimin e dispozitave të shkëmbimit, së bashku me disa nënkomisione.
Demagogjia greke në “Lidhjen e Kombeve” dhe masat qeveritare për shpernguljen me dhunë te popullsisë shqiptare.
Komisioni Mikst, i ngarkuar nga Lidhja e Kombëve për zbatimin e shkëmbimit vendosi të “përjashtohej popullsia Shqiptare e besimit mysliman të Çamerisë”. Këte fakte e kishin pranuar edhe qeveritarët e Athinës. Përfaqësuesi grek në Lidhjen Kombetare Kaklamanos deklaroi se “Qeveria greke nuk ka për qëllim të shkëmbej myslimanet me origjinë Shqiptare; Se Shqiptarët banojnë në një krahinë të përcaktuar mirë, në EPIR.. Në qoftë se ata janë të një besimi me Turqit, nuk janë kurrsesi të një kombësie. Po ashtu Kryeministri i Greqisë E. Venizellos në një letër që i ka dërguar sekretarit të lidhjes së Kombëve shkruan:
“I kam telefonuar Qeverisë sime për t’i tërhequr vëmëndjen për gjendjen e shtetasve grek mysliman të racës Shqiptare, të cilët nuk duhet të njësohen me turqit për sa i përket ekzekutimit të Konventës së këmbimit të popullsive. Unë jam i bindur se Qeveria greke e ka fort mirë parasysh këtë gjendje”.
Autoritetet greke në kundershtim me deklaratat e tyre, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara ndërmorën masa të gjithanëshme për pastrimin etnik të popullsisë Shqiptare duke i etiketuar si Turq.
Masat qeveritare ndaj shqiptarëve myslimanë që padrejtësisht iu nënshtruan “andallaisë” (shkëmbimit) u zbatua me egërsi të madhe. Çeta audartesh dhe kriminelësh profesionistë grekë masakruan popullsinë, e grabiten dhe e shpronësuan për ta detyruar të largohej në Turqi:
Pas Rënies së Janinës ( 6 mars 1913) dhe pushtimit të Camërisë, me “andallain” (shkëmbimin) filloi etapa e dytë e madhe e spastrimit etnik që ju bë popullit Çame.
Përfaqësuesit e Camërisë në mbrojtje të identitetit Shqiptarë
Në takime me komisionin e Lidhjes së Kombëve përfaqësuesit e Çamerisë mbrojnë me vendosmëri identitetin e tyre Shqiptar. Ata deklarojnë në mënyrë kategorike se janë Shqiptarë dhe nuk i lidh asgjë me Turqinë, duke shprehur me këmbëngulje e vendosmëri kundër shkëmbimit dhe dhunës.
Musa Demi, përfaqësuesi i Filatit, Gumenicës dhe Margellicit në letrën që i drejton Kryetarit të Komisionit Mikst në Athinë më 13 maj 1924 shkruan: ….
“ Myslimanet e Çamerisë përfshirë këtu dhe Paramithinë, janë Shqiptarë të njohur si të tillë gjithmonë nga të gjithë historianet e sidomos nga ata të fundit të shekullit të XVIII-te dhe të fillimit të shekullit XIX-te. Këta historianë dhe udhëtarë janë anglezë, francezë, dhe grekë, mjafton të përmendim Leake, Pouquvile, Gervinus, Finle, Arvantinos etj.. Të gjithë kanë thënë: Çamet, ashtu edhe Suliatet, janë Shqiptarë nga raca, gjuha dhe zakonet. Edhe sot gjendet në fshatin Guardhiq një lagje e quajtur KOPOLATE, të gjith myslimanë, që janë kushurinjë te heroit të famshëm Suliot, Xhavella.
Në fakt ajo çka dallon një racë nga një tjetër, që i bën Çamet të jenë Shqiptarë, janë gjuha e tyre, gjuha Shqipe e folur në familje, zakonet e tyre, që ndryshojnë kryekëput nga ato të Turqve, doket dhe zakonet shtëpiake, ato që lidhen me martesën, me varrimet, me lindjen e një fëmije, me vallet, me këngët…
Kostumi i Çamëve është krejtësisht i veçantë, madje vjen prej kohës që pellazgëve dhe është e përbashkët për të gjithë Shqiptarët, si për të tjerët ashtu edhe për Çamet.
Ne do t’ju ishim jashtëzakonisht mirënjohës po të merrej, sa më shpejtë që të jetë e mundur, një vendim në favorin tonë, duke na deklaruar jashtë kembimit, si dhe të merreshin masa që kufizimet e vendosura për elementin Shqiptar mysliman të hiqeshin e, për pasojë, ne të jemi të lirë të disponojmë pasuritë tona, njerzit tanë, duke gëzuar të drejtat tona qytetare, me qëllim që të rikthehemi në një gjendje normale, gjë që ne dëshirojmë qysh prej pesëmbëdhjetë muajsh.”
Në këtë letër patrioti Musa Demi me kulturen e një inelektuali erudit, i bëri prezent Kryetarit të Komisionit Mikst tiparet e identitetit etnokulturor të popullit Çame, si gjuhën, racen, doket, zakonet e tjerë, që janë krejt të ndryshme nga tiparet etnokulturë të popullit turk. Duke konfirmuar origjinën pellazgjike të popullit Shqiptar të Çamerisë Musa Demi në mënyrë konçize përjashton edhe pikëpamjet e historiografike greke për prezencën e qyteterimit helen në Çameri. Ai ishte një ithtar i fuqishëm i mbrojtjës së lirive dhe të drejtave të njeriut në Çameri, të cilat në mënyrë permanente kanë qënë dhe janë te dhunuara nga nacionalistet grek.
Një tjetër intelektual Çamë, që ngriti zërin e protestës për të penguar shpërnguljen e Shqiptarëve të Çamerisë për në Turqi ishte Ali Dino një nga pinjollët e shquar të dinastisë së Dinenjeve, ish deputet në parlamentin grek. Në një letër drejtuar kryetarit të komisionit mikst, Karl Marius Ëiddingut, në Athinë me 7 qershor 1924, Ali Dino, duke analizuar kriteret shkencore për të vërtetuar Kombesinë e banorëve të Çamerisë i shkruan: “… sipas të gjitha veprave të së drejtës ndërkombetare, kriteret për të njohur Kombesinë e një populli janë: Raca, feja, ndërgjegja kombetare, gjuha, doket dhe zakonet ose, i quajtur ndryshe, qyteterimi….
Le të analizojmë çdo njërën nga këto kritere, për sa u përket banorëve të Çamerisë, për të mundesuar tregimin e radhes së rëndësisë sipas së cilës ato duhet të merren parasysh dhe të menjanohen disa prej tyre, në se kjo është e nevojshme, për të patur një bazë ekspertize objektive, jashtë çdo sentimentalizmi e ca më pak interesi.
RACA – Të gjitha veprat shkencore asnjanëse, që u morën me Çamet, pohojnë prerazi se ato janë Shqiptar dhe i njësojnë me Suliotet.
Këto vepra janë shkruar nga studiusit: Leake, Pouqueville, Hanges Smart, Ibrahim Manzour, Hobhouse, Ami Boué, Bopp, e tjerë………….
Sipas antropologeve shumica më e madhe e banorëve të Epirit janë MBIBRAKICEFALË (kokëgjerë) ashtu si gjith Shqiptarët dhe dallojnë tërësisht nga turqit dhe grekët që janë DOLICEFALË (kokëgjatë). Vepra që merret posaçerisht dhe imtesisht me këtë çeshtje, “Popujt e Ballkanit” e profesorit E. Pitard e dëshmon këtë,………..
FEJA – Çamet, si të gjith Shqiptarët, para pesë shekujsh, ishin të krishter. Kjo dëshmohet nga historia dhe nuk të habit fakti që në `Çameri, myslimanet kanë të aferm të krishter….
Me pushtimin turk, Çamet, si shumica e Shqiptarëve përqafon fenë muhamedane, por kjo nuk e ndryshoi racën e tyre.
GJUHA – Të gjithë banorët e Çamerisë flasin Shqip. Nëse hasen disa burra nja 10% që e dinë, dhe shumë pasaktësisht, turqishten ose greqishten, kjo ka ardhur nga nevoja që kanë pasur këta Çamë për të mundesuar komunikimin me autoritetet ose edhe me oficerët gjatë shërbimit ushtarak, për të ditur që të shqiptojnë disa fjalë të këtyre dy gjuhëve. Përkundrazi, e pohoj në mënyrë më të prerë që gratë dhe fëmijët (perveç atyre të qytetit të Paramithisë, që njohin greqishten) flasin dhe njohën vetëm Shqipen e asnjë fjalë turqisht ose greqisht.
DOKET DHE ZAKONET – Ekzistenca e klasave shoqërore te Çamet, martesat e tyre, trashegimi, zija, gjakmarrje, vallet, veshjet e ushqimi, nuk ndryshojnë fare nga ato të Shqiptarëve dhe nuk kanë asgje të përbashket me ato të turqëve.
Si konkluzion Ali Dino i sygjeron kryetarit të komisionit Mikst që në përcaktimin e përkatësive etnike të Çamerisë të merren në konsideratë komponentet e njohur të identitetit etnik, si raca, gjuha, doket e zakonet e tyre, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme (kontrollueshme).
Përballë rrezikut të debimit nga tokat e veta në Greqi, popullsia myslimane Shqiptare reagoi duke dërguar peticione prane qeverisë greke, në të cilat shprehte përkatësinë e saj Shqiptare dhe dëshirën për të qëndruar në tokat dhe pronat e veta.
Një peticion i nënshkruar nga 130 banore nga Filati u dërgua në korrik të vitit 1923 në Athinë, në të cilën deklarohesh se nuk donin të iknin nga vendi i tyre si turq. Po kështu, 173 banore nga Paramithia kishin shkuar në Athinë për të takuar komisionin Mikst.
Në mars 1924 Mit’hat Frashëri, Ministri fuqiplotë i Shqipërise në Athinë (1923-1926) njoftonte Tiranën zyrtare si deri në këtë kohë kishin ardhur në Athinë gjashtë përfaqësi nga Çameria për tu interesuar për problemin e tyre. Me dhjetra telegrame të tyre ishin dërguar në emër të popullit të Filatit, Mergelliçit, Paramithisë e tjerë.
Një përfaqësi kishte ardhur nga Selaniku në Athinë, ku kishte ndenjur katër muaj me rradhë për tu interesuar për fatin e tyre, “në emër të Shqiptarëve të Maqedonisë”.
Komisioni i lidhjes së kombëve pasi konstatoi kombesinë Shqiptare dhe vullnetin e popullit ndaloi shkëmbimin, por qeveritarët e Athinës nuk hoqën dorë nga përpjekja për debimin e popullit Shqiptar. Banda të medha komitesh qarkullonin fshatrave te Çamerisë dhe terrosizonin popullin. Autoritetet greke konfiskuan pronat e Shqiptarëve, të tërë fshatrave duke e konsideruar popullsinë e tyre si popullsi turke.
Me 31 tetor 1923, 22 përfaqësues të krahinave të ndryshme të Çamerisë (Margelliçit, Filatit, Paramithisë, Gumenicës) i kërkonin qeverisë Shqiptare të ndërhynte pranë qeverise turke për të mos pranuar në Turqi Shqiptarë e Camërisë.
Në këtë situatë të pasiguruar për jetën, masave shtërnguese dhe poshtëruese të marra nga qeveria, rekrutimit dhe përvetësimit me forcë të pasurive dhe të ardhurave, filloi shpërngulja e dhunshme dhe boshatisja e trevave të tëra me popullsi Shqiptare si trevat e Konicës, Fallorinës, Kosturit, Janinës, Prevezës e tjerë.
Vendosja e refugjatëvë grek të Azisë së Vogël ne vëndbanimet shqiptare
Jeta e popullsisë Shqiptare të Çamerisë u vështirësua edhe më shumë me vendosjen në vendbanimet Shqiptare të refugjatëve grek nga Azia e Vogël. Që në tetor – nëntor të vitit 1922 rreth 12.500 refugjatë nga rrethet e Izmirit (Turqi) me vendim të qeverisë greke u vendosën në Gumenicë, në Paramithi, në Kastri, në Kardhiq, në Varfanj, në Arpice, e tjerë. Në Margelliç ishin vendosur 3500 muhexhir grekë, në Pargë 3000, në Gumenicë 1800, në Filat 1700 e tjerë.
Familjet Çame u shtërnguan të strehojnë dhe ushqejnë për disa muaj refugjatet. Nga fundi i vitit 1924 pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve u vendosën në Maqedoni, ndërsa më shumë se 4000 të tjerë mbetën në shtëpitë e Çamëve duke u bërë zotër të shtëpive dhe arave të tyre. Autoritetet qeveritare greke i lanë dorë të lirë refugjatëve që të bastisini shtëpitë e Çamëve në mënyrë që të shtërngonte popullin që të largohej nga Çameria.
Ata filluan ti shfrytëzojnë për llogari të tyre prodhimet bujqësore si valanidhin, ullinjtë, fiqtë, zarzavatet, pyjet, kullotat ndërsa pronarët e tyre mbetën pa asnjë prodhim e të ardhura.
Politikën e ndjekur nga qeveria greke ndaj popullsisë Shqiptare në Greqi, debimin e saj në Turqi dhe rrëmbimet e pasurive, e përshkruan (e prezanton) në mënyrë të sintetezës Mit’hat Frashëri në një relacion drejtuar Ministrit të Puneve të Mbrendshme të Shqipërisë me 8 shtator 1925.
“Politika helene për debimin e elementit mysliman nga Epiri dhe Maqedonia – shkruante Mit’hati- kish nisur “që të nesërmen e Luftës ballkanike”. Ajo kishte filluar të zbatohej “me anë të Çetave të hajdutëve dhe të sjelljeve të autoriteteve civile dhe militare”. Sipas tij, kjo politikë mori një ngjyrë të re, pas motit 1920, ku qeveria greke mori masa të forta dhe të rënda ndaj popullsisë Shqiptare. Lidhur me këto masa, ai shkruan:
1. U përzunë me dru e me të rrahur prej gjindarmërisë greke 35.000 Shqiptarë të Follorinës dhe të Kosturit.
2.Në kundërshtim me deklaratën që bëri delegati grek në Lozanë z. Caclamanos, në janar 1922, u përzunë me pahir dhe dru.
A- Të tërë Shqiptarët e Prevezës.
B- Një pjesë e madhe e Shqiptarëve të Konices.
C- Të tërë Shqiptarët e Pargës.
D- Një shumicë e Shqiptarëve të vetë Çamerisë.
3. Shqiptarët mysliman në Epir ose Maqedoni s’kanë të drejtë as të shesin, as të japin me qira, as të marrin të hollat e pasurive të tyre.
4. Asnjë shtëpi nuk ka mbetur e lirë, kudo kanë kallur me pahir refugjatë, duke hedhur rrugëve të zotët e shtëpive. Shumë shtëpi rrinë të zbrazura, refugjatët (grekë- S.Sh) qeveria greke i instalon në shtëpitë e Shqiptarëve.
5. Refugjatet me lejen e autoriteteve grabisin pasuritë, kopshtet e ullinjtë, fiqtë, vreshtat dhe drithërat e Shqiptarëve.
6. Pasuria e grabitur gjer më sot… arrin në vlerën 2.700.000 napolona ar.
7. Dyert e drejtësisë janë të mbyllura për Shqiptarët dhe të rrahurit, të grabiturit, të burgosurit, janë buka e përditshme për ta. Qëllimi i këtyre sjelljëve është të shtrëngohen Shqiptarët të largohen nga Greqia dhe të grabitet pasuria e tyre…
10. Shqiptarët në Greqi s’kanë:
A. Të drejtë per votim;
B. S’ kanë deputet;
C. S’ kanë të drejtë për shkolla;
D. Xhamitë dhe Teqetë e bektashive janë konfiskuar prej qeverisë.
Më 17 tetor 1925, Mit’hat Frashëri, i pa autorizuar nga qeveria, i kishte deklaruar Kryeminidtrit Grek Pangallos që “në qoftëse Greqia ka qëllim të përzërë Çamet ose ti shtrëngojnë derisa të ikin, atehere më mirë të marrin masa që tani, për të bërë edhe ne si Turqia, domethënë për të këmbyer grekofonët tanë me Çamet e Greqisë.
Shperngulja e popullsisë shqiptare në Turqi dhe fillimi i asimilimit të vëndbanimeve në Camëri.
Në vitet 1920-1926, gjatë shpërnguljëve me dhunë u dërguan me forcë në Turqi 35.000 Shqiptarë,banorë të 24 vëndbanimeve të Kosturit dhe të 14 fshatrave të Follorinës, si dhe 55.000 shqiptarë myslimanë të Epirit (Çamerisë), pjesa më e madhe nga rrethet e Janinës, Prevezës dhe të Pargës.
Këta qytete, që deri në atë kohë kishin mbajtur të gjallë frymën kombetare, me largimin (shpërnguljen) e popullsisë Shqiptare myslimanë për në Anadoll, filluan të asimilohen.
Të përzënë prej trojeve të tyre me forcë, shqiptarët myslimanë u degdisën në Anadoll, ku nuk duruan dot as klimën dhe as kushtet e jetesës. Për pasojë vdiqën në masë pleq, fëmijë e gra. Një pjesë fare e vogël mundi të kthehej në Shqipëri, ndërsa të tjerët iu nënshtruan vuajtjëve dhe mjerimit në tokat e shkreta te Anadollit.
Vetëm në zonën e Izmirit e qytetet përreth, si Meneme, Saqe, Çeshme, Menisa e tjerë, u vendosen mbi 2000 familje Çame.
Sot Izmiri konsiderohet kryeqendra e Shqiptarëve të Çamerisë në Turqi. Popullsia e debuar me forcë u vendos kryesisht në rajonin e Stambollit, të Izmirit, të Bursës, të Kajserit, të Konjas, të Ankaras, të Samsunit, të Zonguldakut e tjerë.
Pas 100 vjetve popullsia Came në Turqi ruan disa vlera etno kulturore e gjenetike shqiptare, lidhjet e komunikimi me të afërmit e tyre në Shqipri dhe mosha e tretë ruan edhe gjuhën arkaike të shqipes por asaj nuk i njihet kombësia shqiptare, pra ajo është asimiluar.
Si rezultat i shpërnguljes së dhunshme qytete dhe fshatra të tëra u boshatisen nga popullsia Shqiptare. Kështu Gardhiqi nga 400 shtëpi që kishte më 1913, në vitin 1925 mbetën 80,
Dragomia nga 160 shtëpi në 18, Karbunari nga 300 shtëpi në 120, Parga nga 300 shtëpi në 40, ndërsa në disa fshatra si në Petrovicë nuk mbeti asnjë shtëpi.
Në shtëpitë e shqiptarëve mysliman u vendosën me dhunë refugjatet grek të Azisë së Vogël ndërsa shtëpitë e banuara nga të krishterët dhe grekët nuk u prekën. Padrejtësia ishte e hapur, mizore dhe çnjerzore. Nuk mbeti një shtëpi shqiptare e pa okupuar prej refugjatëve.
Jo vetëm elementët mysliman por edhe Shqiptarët e krishterë që mbetën në viset përtej kufirit u gjendën para trysnisë së shkombetarizimit.
Atyre u ndalohej çdo shfaqje e shpirtit kombetar, tradicional, e shprehur në doke, zakone, në gjuhë e në kulturë. Në një gjendje të tillë, të papranueshme për ta, një pjesë u dyndën në shtetin amë ose ndonjë vend tjetër, ku do të ishin më të lirë për konfirmimin e vlerave të tyre kombetare.
Në vitin 1926, pas shumë memorandiumesh proteste nga shteti Shqiptarë dhe nga popullsia Çame, procesi i shpërnguljes së popullit shqiptar në Turqi u ndërpre. Në këtë kohë kryetari i shtetit Grek, arvanitasi Theodoros Pangallos mbajti një qëndrim korrekt ndaj Shqipërisë dhe Çamerisë: Ai deklaroi zyrtarisht përpara lidhjes së kombëve në Gjenevë se:
“Republika Greke njihte minoritetin Shqiptar që jetonte në Greqi dhe nuk i konsideronte më shqiptarët myslimanë si popullsi turke.
Teza që ortedoksit Shqiptarë janë grek që është përhapur deri më sot është e gabuar dhe është hedhur poshtë nga të gjithë ne.
Pasi ajo mori tatpjetën dhe arriti pikën që nuk mbante më, mora masat e duhura dhe shpërndava të gjitha shoqëritë “veriepirotë” që mëshironin skajet më ekstreme të këtij mentaliteti të sëmurë”
Kur Pangallos ishte kryeministri i Greqisë u nënshkrua (me 25 qërshor 1926) marrveshja për shkëmbimin e kriminelëve dhe vjedhësve nga të dy vëndet. Me 13 tetor 1926 u nënshkrua “Marrveshja Konsullore” e cila kishte të bënte me kryerjen e veprimëve administrative, mbajtje pasurish, shitje, blerje, lindje, vdekje si dhe lirinë e tregtisë mes shqiptarëve dhe grekëve, punësimin e lire pa taksa dhe viza doganore për shtetasit me banim 15 km larg vijës kufitare nga dy anët e kufirit.
Në këtë periudhë u shpall amnisti për të gjith Çamet e dënuar ose të pandehur, u premtua perdorimi i gjuhës Shqipe në disa shkolla të Greqisë e tjerë.
Kjo është periudha e vetme në historinë e shtetit Grek ku respektohen disa të drejta të minoritetit Shqiptar në Greqi.
Përfundimi, pas 100 viteve i veprimit të klauzolave të Konventës së Lozanës (viti 2023), krijon një situat të re për shqiptarët e Camërisë. Shteti Shqiptarë e ka detyrim kushtetues por edhe shteti Turk duhet ti drejtohen e ti kerkojnë shtetit grek demshpërblimin me vlerë prej 2.700 000 napolona ar. për pasurit e grabitura, si shtëpi, toka, ullishte, vreshta etj. duke i kaluar ato në pronësi të refugjatëvë grek të ardhur nga Azia eVogël.
Në këtë kuadër duhet të shqyrtohet edhe statusi i minoritetit etnik shqiptarë prej rreth 100 000 banorësh shqiptar mysliman që u shpërngulën për në Tuqi, por që ishin të kombësisë shqiptare.
Tiranë, më 01/08/ 2023. Përgatiti: Prof. Dr. Selman Sheme