Shkrimtari i famshëm Agim Gjakova flet për romanin e tij të ri “Muzeu i krimbave”

-Libri juaj më i fundit është “Muzeu i krimbave”. Çfarë përcillni përmes tij, pasi siç jeni shprehur i drejtohet çdo lexuesi?
Shkrimtarë shqiptarë në përgjithësi i janë drejtuar përmes letërsisë së tyre lexuesit shqiptar. Mirëpo një libër nuk mund të lexohet vetëm nga shqiptarë, por mund të lexohet nga të gjithë njerëzit e botës, por edhe unë bie në këtë mjedis të kuptohemi, që i jam drejtuar në këtë mjedis të letërsisë lexuesit shqiptar. Por botimi “Muzeu i krimbave” është i shkëputur totalisht nga ajo. Ky roman i drejtohet çdo lexuesi nga poli i Veriut deri në pol të Jugut. Dhe ka të bëjë me një filozofi të caktuar, me një farë rrethane të caktuar, me humorin, me ironinë, etj. “Muzeu i krimbave” është dhe botimi im më i fundit. Aty janë përqasja midis botës së vdekur dhe botës së gjallë. Fraza e parë e romanit është: “në të errur të jetës mbërrita në mbretërinë krimbave”. E mbretëria e krimbave është mbretëria e përtejme dhe atje është në “Muzeun e krimbave” , ku krimbat i hanë dhe i gërryejnë të gjithë pa përjashtim. Aty gjen pastaj se si i kanë vendosur krimbat personazhet e ndryshme të botës reale, ku i kanë vendosur dhe si i kanë vendosur politikanët, ku dhe si i kanë vendosur njerëzit e mirë, njeriun e lig, kriminelin, etj. Të gjithë anët negative ose pozitive janë vendosur me forma, figurat e ndryshme, të cilat natyrisht përfaqësojnë një ironi të caktuar, një mendim që vërtetë edhe ekziston në jetë, por ja që nuk është shprehur dhe kjo është si pasqyrë e jetës së njerëzve, e shoqërisë njerëzore, e cila pavarësisht të gjitha të metave edhe mangësive, pavarësisht të gjitha mirësive dhe përparimeve më në fund i paguajnë haraç vetvetes. I paguan haraç vetvetes, sepse edhe i miri edhe i keqi më në fund e kanë fundin e tyre.
-Kur nisët ta shkruani këtë roman?
Në të vërtetët janë 2-3 romane, që më kanë lodhur më shumë.
-Pse ju kanë lodhur?
“Muzeu i krimbave” nuk ekziston kurrkund dhe më është dashur të mendohem dhe të hartoj me imagjinatë. Të hartoj këtë roman dhe të jetë jo vetëm thjesht për lexues shqiptarë, por për çdo lexues, sepse postulatet e përjetshme, e mira dhe e liga, vrasja, etj, ekzistojnë dhe do të ekzistojnë gjithmonë. Por varet se si përfundojnë bartësit e tyre, si përfundojnë njerëzit e tyre. Unë kam një natyrë, që po nuk e përpunova një vepër në mendje në aspektet themelore të saj, nuk ulem ta shkruaj. Unë kur ulem e kam të qartë se çfarë do të shkruaj, por përpjekja e asaj kur ulem është si do ta shkruaj, cila është mënyra më e mirë, cili është ai shkrim, gjuhë, ai fjalor i përshtatshëm artistik. Ka qëlluar që unë kam pasur dhe idenë dhe përmbajtjen në mendje dhe jam ulur në kompjuter që ta shkruaj, por nuk kam gjetur formën artistike që mendoj se duhet dhe kam ndenjur 10 minuta në kompjuter, nuk kam shkruar asgjë dhe jam ngritur e kam dalë të pi kafe me shokët.
Intervistoi: Julia Vrapi gazeta sot Tiranë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here