MOIKOM ZEQO, CIKLI I POEZIVE PER  70 VJETORIN E LINDJES

TIGRAT E YLBEREVE

 

Uji shpërthen nga vrima mes barkës,

Të gjallët magjepsen nga klithma e të vdekurve!

Nga xhunglat fluturuese të shtrëngatës

Dalin tigrat e rrezikshëm të ylberëve!

 

Ku vallë, ku vallë është Morali dhe Nderi?

Trutë e gjenive të shpërbërë në pluhur!

E kap dhe e nguros këtë rreze Dielli

Relike e një magjie në shekuj e humbur!

 

KOZMOSI I YLLËZUAR

 

Kujtesa humbet e zbraz çdo hambar,

Stinët e dikurshme janë thjesht kristale!

Qiriri i Meshës së Zemrës lind i madh

E vdes i vogël gjersa zhduket fare.

 

Filozofët janë çmendur, cullakë mes erërave,

Mendimi s’pikëzohet më në letra,

Të vetburgosur jemi në prangat e vertebrave,

Por kozmosi i yllëzuar na hyri në eshtëra.

 

 

VJESHTA S’ËSHTË MË MBRETËRESHË

 

Biblioteka i Vërtit librat si Tespije

Dhe unë nuk mund të qaj, as të qesh.

Diadema e gjetheve të zbehta bije

Dhe Vjeshta, Vjeshta s’është më Mbretëreshë!

 

Gurët e peizazhit kanë ngrirë si kukulla,

Si vallë, si vallë t’i lëviz dhe t’i grish?

Dy duart e mia mbi dy ijet e tua

Si vegjet e amforës së Dashurisë!

 

TJETËRSIMI NË ABSURD

 

Njollat e penës i kam lule të këmishës,

Fletët e pashkruara më treten si shkumë.

Vjen ora e mesnatës për ballon e Hirushes

Dhe tjetërsohet gjithçka në absurd.

 

Dogmat e Mesjetës si marimangat që endin

Mëndafshin e Vdekjes për të çmendurit e varfër!

Erërat e droguara lëkunden dhe vjellin

Si në orgjitë e Borxhias kardinalët e majmur!

 

GJOKSI DETAR

 

Me paralele dhe meridiane të Krimit

Është burgosur çdo ideal i llagartë.

Dhe mbaj talismanin e gjallë të Drinit

Në gjoksin tim të pafund detar!

 

Bankat e mëdha janë tempuj krize

Të kanibalizmit të parasë në çdo kohë.

Nga arkivoli piano në studion time

Del çdo natë Drakula Bet’hoven!

 

ZDRUKTHTARI I MREKULLUESHËM

 

Mitet e Botës realiteti i tret

Dhe vetë e ardhmja është plot ngricë e llohë.

Fati si Njeriu i Padukshëm godet

Me grushtin vdekjesjellës ajrin pa formë.

 

S’di ç’të bëj tani të flas a ta hesht,

Por prap s’më mposht asnjë frikë.

Me drurin e Edenit arkivolin ma gdhend

Vetë zdrukthtari i mrekullueshëm Jezu Krisht.

 

SHPRESA UTOPIKE

 

Qerosi i përrallës së vjetër në garderobë

Gjen dhe vesh vetë rrobat e Volterit.

Zambakët e ujërave e formojnë një flotë

Të një shprese utopike të planetit!

 

Rrëzohem e bije për t’u ngritur prap,

Asnjë kumt s’më grish më për shpëtim.

O malet e Shqipërisë me lisat naimianë

Tani ju jeni kordat e zërit tim!

 

KËMISHA E FORCËS

 

Ç’jehohon kështu në ndriçimet e majit?

Ç’ABC ka shpikur jeta e paanë?

Se vetë jargavani i mushkrive të Whitmanit

Mbush kopështin e muzgut të mbramë!

 

Refugjatët ikin. Lihet bosh Shqipëria.

Nga gjumi i pafajshëm ka mërguar dhe ëndërra!

Penelopa e thurr që nga motshmëria

Këmishën e forcës për Homerin e çmendur!

 

FLOKËT E TMERRSHËM TË SHIRAVE

 

Ç’heshtje fatale vijnë mbas klithmave?

Si humbi liria e humorit therrës?

Majmunet e zhdukur mbas Hiroshimave

Shfaqet befas sërish si njerëz!

 

Specia e luanëve po humb mes heshtjes,

Amnezia është substanca e mortit.

Dhe rriten shirat me fuqinë e vjeshtës

Si flokët e tmerrshëm të Samsonit!

 

EPITAFI SUBLIM

 

Ç’gojë e vorbullave profecira më flet?

Ç’sekret në terr vezullon tek drita?

Çdo pulëbardhë e brishtë e mallit tënd

Ka një zemër tigri në Currila!

 

Zëri bëhet pemë e lulëzuar e mendjes,

Njerëzimi po vdes pa shpresë, pa prarim!

Veç gjarpëri i rrokjeve të emrit të Evës

Bëhet epitafi sublim i varrit tim!

 

MONA LIZA QË S’LIND MË

 

Në vetmi në kthetra na ka kapur Brenga,

Çdo gur kërcen si të ishte një xhind

Mona Liza i frymëzon tërë femrat shtatzëna

Por ajme! Vetë ajo asnjerë më s’lind!

 

Ende e shoh zjarri që Neroni i vu Romës,

Fantazmë inkandeshente që lëkundet në zgrib

Në festat fallike ngre shtyllën e Vandomës,

Por mitrën e qiellit më Napoleonin s’e ngjiz!

 

KRYQI-SPIRANCË

 

Ç’qumësht ulkonje vallë i ka mëkuar

Jetimët e botës, fëmijët e braktisur?

Jam pirati i nëmur përherë i kryqëzuar

Në kryqin-spirancë të anijes së mbytur!

 

Arti më çmend, më ngjeth në errësirë,

Thyhet para meje xhami i horizontit

Në dëborërat e letrës kërkoj e vdes i ngrirë

Si dikur vetë Skoti pa e arritur polin!

 

KATËR MARI HORIZONTE

 

Luhatem i dlirë me flladet e Fatit,

Rebel dhe i gjallë në viset përrallore.

Jam Fëmija Mesi e Ardhmërive të Artit

Mes katër Marish horizonte!

 

Tani në trup çdo sekondë më dhëmb,

Rrufetë më bëjnë akopuntura të Kohës.

Naim, Naim, nëma qiririn tënd,

Të ndez shpërthimin e Apokalipsit të Botës!

 

SYRI I QYTETIT

 

Çdo mal në Shqipëri ka fantazi profeti!

Kush vallë e lexon alfabetin e gjurmëve?

Në largësi më rishfaqet qyteti –

Syri madhështor me qerpikët e rrugëve!

 

Jam tek koha që s’ka as gëzim e as tmerr,

Lëvizja e shekujve asnjë shahu s’i ngjan!

Veç me fashat e bardha të mjegullave në erë

Unë e balsamos një muzg egjiptian!

 

PËR LAJMËTARIN E MADH

 

Sa porta ka për të hyrë në Ferr?

A s’është vetëvrasja një formë e Golgotës?

Floririn elektrik të shpërndarë në terr

S’e peshojnë dot tërë argjendarët e botës!

 

Ç’Lajmëtar i Madh do të shfaqet sëshpejti?

Zogjtë janë si vorbulla mbi hon.

Çdo fjalë është mali që vjen tek Muhameti.

Nata me Hënën si negri me saksofon!

 

Ç’VETMI E POPULLUAR ME TË VDEKURIT E MI

 

Tani s’më tundon as Gënjeshtra, as Arti,

Polipi i katastrofës është emblema e planetit

Veç ëndërrat i kam skafandra kozmonauti,

Po jam krejt pakuptim si druvari mes detit.

 

Këpucët e Van Gogut i kam lënë pas pragut,

Vec  këmbëzbathur vrapoj në përjetësi.

Në qiejtë e dejeve kam rrufetë e gjakut.

Ç’vetmi e populluar me të vdekurit e mi!

 

ARKEOLOGJIA E KUJTESËS

 

Ç’trill tani e lulëzon lofatën?

Ç’magji e lëviz gjithçka në përjetësi?

Ja Hëna, Hëna – bisht peshku mbi pjatën,

Ku është ngrënë gjithçka me babëzi!

 

Ç’fërgëllon në zenit në amëshimin prej ere?

A mundet prej kometash të bjerë një rrebesh?

Maja e heshtës ilire është gjethe legjende,

Arkeologjia e kujtesës ka statuja idesh!

 

LIBËR I MBYLLUR

 

Bimët e rigonit kundërmojnë mes greminave,

Stina shumëfishon magjinë e vetvetes.

Kaçurrelat e purpurta të trandafilave

Rrethojnë fytyrën botiçeliane të Verës!

 

Vetëtima vizaton një xhamadan në shkrep,

Por heronjtë kanë ikur lakuriq në Had.

Fjalët janë prej qelqi. Mes tyre a më sheh?

Jam libër i mbyllur që veç Dashuria e hap!

 

HËNA, BUKA E KRISHTIT

 

Gjethet drithërohen në ndjeshmërinë e prillit,

Por erërat e papritura s’kanë frerë.

hëna, Hëna është buka e Krishtit –

Hahet përherë e s’mbaron asnjëherë!

 

Dhe një molekulë tingëllon si këmbanë,

Përthyhet e shurdhët e tërë hapësira.

Kohërat fluturuese të stuhive nuk kanë

Shenja trafiku metaforat e mia!

 

NJË GJARPËR RRUFEJE

 

Një gjarpër rrufeje ndron lëkurën mbi hon,

Gjithashtu lëvizin metamorfozat e kohës

Don Kishoti tani më nuk sulmon

Mullinjtë e erës, por akrepat e orës!

 

Grigja e dhive lëviz mbi tërthore,

Himara e miteve as s’shndrit, e as nxin.

Një ëngjëll e shet pasaportën hyjnore

Në tregun e zi për pak kokainë!

 

 

EDIPI I FJALËKRYQEVE

 

Ç’mbretëri e harruar dhe e kotë e Mendjes!

Ka nisur numrimi i sekondave nga fundi.

Heshtja, heshtja është luksi i Vdekjes

E unë jam Edipi i çdo fjalëkryqi!

 

Përplasem dhe grindem me veten çdo ditë!

Sa yje më ngurosen tek pragu i shtëpisë!

Se unë biletën që të shkoj në Antlantidë

E paguaj me kometa të vetë Fantazisë!

 

GRIFONI I HARRIMIT

 

Mjerimi shumëfishohet me absurd të pasosur,

Zgjat kthetrat e nëmura Grifoni i Harrimit.

Makbethi e fshin thikën e gjakosur

Te vetë mjekra e Uilliam Shekspirit!

 

Pse vallë u bë mjegull vetëdija e Nderit?

Në oazin e natës vdesin peshqit prej drite

Me ujësjellësin romak të ylberit

Do të sjell për ju eliksirin e hyjnive!

 

 

KALORËSI I NGUROSUR

 

Ende Sfinksi i Madh s’ka thënë asnjë fjalë,

Tek zanoret e gjuhëve përgjon një tërmet

Karonti e shet barkën për të blerë një kalë

Për të shkuar sërish tek fëminia e vet!

 

Rrëzohen zogjtë alienë përmbi dhe,

Tokat djerrë ëndërrojnë për të korra.

Më i shpejtë, më i shpejtë se mendimi je

Kalorësi im i ngurosur në kohëra!

 

KULLA E IMAGJINATËS

 

Kush e ndjen në shqisa epokën?

Ç’Gjykatës Hyjnor pretencën e tha?

Një shtrëngatë po e kurdis si orën

Të më zgjoj një mëngjes mes letargjive të mëdha!

 

Sa iluzione që pjell realiteti konkret!

Sekretin e botës kush vallë e shpall?

Çdo Kullë të Imagjinatës e kam ngritur përpjetë

Me tulla fëminie të naivitetit të rrallë.

 

ASKUSH S’BESON

 

Çdo tekst i imi tani thyhet si xham,

Kuptimi i fjalëve ka forma prej ere

Dhe Librin e Xhunglës së Kiplingut e kam

Si qime me gjoksin e adoleshencës së herëshme!

 

Askush s’beson në alternativa pranvere,

Poeti vetmohet në Apoteozën e Murgut!

Ky shekull miop djeg gishtat me shkrepse

Për të lexuar në terr Librin tim të Muzgut!

 

DASHURI STUHISH

 

Nuk kam ç’të ndreq, as se ç’të prish.

E dashur! Prania tënde – kumti i tërmetit!

Le të bëjmë sëbashku një dashuri stuhish

Në shtratin martesor të detit!

 

Nuk kam ngazëllim, por as edhe frikë,

Jam gati të përplasem tek balli i shqotës,

Të paralizuarit i bëj kampionë olimpikë

Dhe të verbërit – mjeshtra teleskopësh!

 

KËMISHA E CENTAURIT

 

Sa shumë tragjedi, dhimbje dhe plagë!

Çdo tatuazh rrufeje qiejtë do t’i grisë!

Me trumcakun e Migjenit në të njëjtën kohë

Vetëvritet dhe Majakovski futurist!

 

Do të ngrihem, do të ngrihem dhe prej varrit,

Ringjallja është më sublimja ide!

Si këmishë magjike të vetë Centaurit

Kam veshur detin… sa herë futem në të!

 

BARLETI, REDAKTOR I POEZIVE

 

Minutat e kohës janë ndryshkur si hekur

Dhe oksidohet me tmerr hapësira!

Unë shetis kaq shpesh me Barletin e vdekur,

Që i besoj redaktimin e poezive të mia!

 

Karnavalet kthehen në orgji të egra,

Ëndrrat janë në delir një lloj shpure.

Vrapon si Ana Komnena vetë Vjeshta

Me paruken e shirave në supe!

 

HIEROGLIFI TRONDITËS

 

E dashur, e dashur, pse s’më shohin më sytë?

Pse ti je kaq larg dhe unë në vetmi?

Me biçikletën e numratoreve telefonikë

Unë rris shpejtësinë e dashurisë për ty!

 

E papritura shfaqet si kometa mes ditës,

Koha e munguar më rënqeth dhe më tremb!

Dhe befas një hiroglif është kaq tronditës

Sa gjetja e një skeleti peshku në Hënë!

 

LËKURËT

 

Jetë lëviz në iluzione, mashtrime,

Ah pyetja hamletiane “Të rrosh a të mos rrosh?”

Unë përleshem me Kasius Klein e hijes time,

Përplasem, gjakosem… e askush s’fiton!

 

Nga ankthi shndrohet çdo imazh a pamje,

Inflacioni përhapet e ku nuk futet!

Vjeshtat dhe gjarpërinjtë janë raca të ngjashme

Çdo vit i ndrojnë ritualisht lëkurët!

 

HORROR

 

Ç’bakterie lëvizin në Sagën e Kalbjes?

Pse koha e ardhme është dhe koha e vjetër?

Shqipja dykrenare e syve të De Radës

Nguroset tani mbi Milosaon e vdekur!

 

Çdo çast i rastit kthehet në horror,

Shiu i pikëpyetjeve na baltos mes gjurmave!

Dhe shfaqet diku një Trandafil Perandor

Mbi haremin e brishtë të fluturave!

 

NJERI I VËRTETË, A DIGJITAL?

 

Jam njeri i vërtetë, a njeri digjital?

Me lëkurën e shekujve ç’është pickimi i një morri?

Dhe Homerit i kërcen  damari mbi ballë

Një gjarpër i frikshëm Laokoonti!

 

Fantazma e Shpresës rri mbi humnerë,

Foshnjat e palindura e shohin dhe presin

Dhe dhëmbët e shkulur të Cerberit në Ferr

Si xhingla cigane në panaire i shesin!

 

GARGARA PREJ RËRE

 

Enigma ka mbyllur me pezhishkë çdo derë

Dhe është katafalk i padukshëm në gjumë!

Unë skeletin e rrugëve e kam mbushur përherë

Me mishin e trupit tim të pafund!

 

O nxihet, o përflaket e bardha e borës!

Si vezë prehistorike janë zajet e lumit!

Në fytin e klepsidrave Kotësia e Botës

Bën gargarën prej rëre të Absurdit!

 

REQUEM

 

Ekzistenca e ka ndjesinë e rëmetit

Dhe Paqja pa rrufe në qiell vetëtin

Mbreti, Mbreti ja merr jetën Poetit

Por Poeti ja rrëmben Pavdekësinë!

 

Shekujt janë kaledoiskopë të formave

Simbolet janë semantika të Fatit

Veç Demokriti i lashtë me pjanon e atomeve

E rikrijon Requem-in e Mozartit.

 

KATEDRALJA E ARTË

 

Tërë rrugët e fëminisë i kam si një remb,

Vdekja ka vënë parzmore me hekur.

Tek Uria ime e Shenjtë tani vjen

Lumbardha e Anakreontit… e pjekur!

 

Arti i droguar tani është skandal

Dhe shqiponjat kanë ngrirë në fluturime!

Metafora është Katedralja e Artë

Mes arkitekturës time ateiste!

 

FENERI SURREAL

 

Kudo fërshëllen Apoteoza e Erës

Me autostradat e mëdha me rite mortore.

Mjel lopën e natës nga gjiri i Hënës

Për fëmijët e mi të metaforave!

 

Ç’peshë të Universit kam në duar?

Si ta transformoj vetë këtë hapësirë?

Në shtigjet e Hadit një pulëbardhë e praruar

Si një fener surreal më ka prirë!

 

LULE HIBRIDE

 

Ç’lule hibride po i sjell pranverë

Vetë Bodlerit blinduar me Vetmi?

Si Njeriu i Padukshëm i Uellsit Kujtesa

Vesh kostumin shkronjor të librave të mi!

 

Mjerimi rritet dhe Cinizmi tallet,

Muzgu tjetërson çdo ftillesë mistike.

Djegjen e Xhordano Brunos kardinalët

E kanë bërë kalorifer në altaret e tyre!

 

JERUZALEM VARGJESH

 

Sekondat dhe minutat shpërthejnë si teshtimë.

Si ta bëj, si ta bëj një Jeruzalem prej vargjesh?

Metaforat, metaforat janë dashuri platonike,

Por Poeti i madh s’lind dot pasardhës!

 

Kafshoj një mollë – ka shije fortune!

Heshta e Akilit më godet, por s’më vret.

Gjon Buzukun do ta mbaj mbi supe

Si Eneu i Trojës babain e vet!

 

LIRIA NË ASKUND

 

Në Bizantin e Ri asgjë s’më mahnit!

Pi ambrozin e hyjnive që s’janë!

Dhe ne përpara jush dhe Universit poezitë –

Gosti Mbretërore me flakë!

 

Rrokjet këputen si hallka zinxhiri,

Liria ikën, në Askund mërgohet

Mjellma ndalet tek një kullë meditimi

Dhe sytë më zmadhohen nga vizionet!

 

ODISEU I RINGJALLUR

 

Shoh në pasqyrë e mbushem me ngjeshje

Dhe më paralizohet ritmi i së Ardhmes,

Ku lumi i Vjosës mbulohet me gjethe

Si hindjanët e famshëm të Hajavathës!

 

Asnjë të Vërtetë Absolute s’kam shpallur,

Por luftë sizifiane kam bërë me gënjeshtrat!

Kujtesa është Odiseu i ringjallur,

Që shkon dhe bëhet kurban për sirenat!

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here