Konferencë shtypi e Drejtorisë së FNP “Ditët e Naimit”
Prej 19-20 tetor 2023, në Tetovë do të mbahet Edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Atë do ta karakterizoj një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. Në te do të mbahen disa lexime, do të ndahet çmime të ndryshme letrare, si dhe do të bëhen vizita në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës. Kjo u bë e ditur sot, në një Konferencë shtypi të mbajtur në Tetovë, nga drejtori dhe anëtarët tjerë të FNP “Ditët e Naimit”, Shaip Emërllahu, Xhelal Zejneli dhe Bujar Plloshtani.
Drejtori Shaip Emërlahu tha se, ky Edicion i Festivalit këtë vit u ndesh me mungesë fondesh. Mungoi mbështetja institucionale. Shuma e Ministrisë së Kulturës ishte absurde 100 mijë denarë (diku afer 1700 euro), kurse nga Komuna e Tetovës nuk u mbështet fare. Drejtoria edhe përkundër pengesave të shumta arriti që ta përgatisë Edicionin e 27-të FNP “Ditët e Naimit” dhe ta ruajë traditën tre dekadëshe të Festivalit, i cili tanimë qëndron dinjitetshëm në hartën e aktivitete letrare e kulturore botërore.
Në Edicionin e 27-të të Festivalit Ndërkombëtar te Poezisë “Ditët e Naimit” marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si: Pierfranko BRUNI (ITALI), Marisa Martínez PÉRSICO (ARGENTINA), Tanya Ko HONG (KOREA E JUGUT), Tara SKURTU (SHBA), Dayra Lee Montoyo LEANDRY (PORTO RIKO), Mohamed Rabie (PALESTINË/SHBA), Mario DE ROSA (ITALI), Nikolay NAYDENOV (BULLGARI), Ali Al SHALAHI (IRAK /ZVICËR) Halil MATOSHI (KOSOVË), Juliana VELIÇKOVSKA (MAQEDONIA E VERIUT), Muhsine ARDA (TURQI), Xanthi HONDROU-HILL (GREQI), Maria Teresa ALFONSO (ITALI), Adi Memeti (SHBA), Puntorie Muça ZIBA (MAQEDONIA E VERIUT), Arjan KALLÇO (SHQIPËRI), Ndue UKAJ (KOSOVË), Eva Esat KACANJA (SHQIPËRI), Merita DULAHI (MAQEDONIA E VERIUT), Saranda MEHMEDI (MAQEDONIA E VERIUT) dhe Mërgime JETISHI (KOSOVË).
Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXVII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të bëhet të enjten në orën 19.30, përmes një performance fishekzjaresh para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati italo/arbëresh Pierfranko Bruni dhe një delegacion nga Komuniteti Bektashian do të vendosin buqete lulesh para shtatores së poetit të madh “Naim Frashëri”. Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje do t’iu dhurohet Antologjia me poezi të poetëve pjesëmarrës, si dhe libra të tjerë të Festivalit.
Më pas, në Sallën e Madhe do të bëhet hapja zyrtare e Programit të Edicionit të 27-të FNP “Ditët e Naimit”, ku hapjen do ta bëj drejtori i Festivalit z. Shaip Emërllahu.
Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci do të recitoj poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa nga një pikë muzikore me piano dhe në flautë do të ekzekutojnë virtuoz të muzikës klasike.
Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, përveç leximit të poetëve, do t’i ndahet edhe çmimi i madh letrar “Naim Frashëri” laureatit Pierfrancon Bruni, te cilin juria e Festivalit e perbere nga Prof. dr. Ymer Çiraku (Shqiperi), Prof.Dr. Vebi Bexheti dhe Mr. Ndue Ukaj (Kosove), ja ndane kohe me parë.
Në ditën e dytë të Programit, poetët do t’i vizitojnë monumetet kulturore dhe historike në qytetin e Tetovës dhe në Teqenë Arabati Baba, ku në orën 10.00, do të mbajnë orën letrare “Poetë dhe vargje”.
Ndërkaq, në orën 20.00, në Qendrën për Kulturë dhe Art “Shift Center” do ta mbahet ora letrare “Meridiane poetike”, ku krijimet e tyre do t’i lexojnë poetët pjesëmarrës, si dhe do të ndahen çmimet letrare “Ditët e Naimit”, “Menada”, “Oeneumi”, Qiriu I Naimit” dhe “Silke/Liria”.
Sponzorë të Festivalit janë restorant “Kurtishi” dhe “Parajsa e Sharrit”. Ndërkaq, ate e ndihmuan edhe disa dashamirë të kulturës dhe të Festivalit.
D. Hadri
Tetovë, 17. X. 2023