O PERSES!
Dëgjoj kambanën tonë
Tuajën dhe timen, timen që ther
Një pikëz, përpara tragjedisë suaj.
Një komedi, dhe një derr.
Perses!
Më merrni mes jush, të klith aty
Sepse më vjen turp
KËTU e këtu t më dëgjojnë
Me zërin tuaj të mbështillem me ju
Evripidh e Sofokli, t më lakmojnë.
O Perses,o, si unë, e në fatin tragjik
duke shqyer gjoksin e më zë histerik!
-O në tokë u bë navmajxia!
O ,u zhduk nga TOKA mirësia!
Oh, unë e zeza, e shkrteta merimangë
për lakun tim, që i shndriti në diell , fija
O, qaj për veten,zemrën time, nën një shtangë
qaj si Motra, tragjedia dhe e bija…
20.1. 2020 Krete, ishull Greqi
TI NDEJTE PA GJUMË
Ti ndejte pa gjumë
Pa bukë edhe ujë der’ sa, më pe
U ndave aq ditë nga zanat në pritë, der’ sa, më pe
Hodhe shokë për kokë e vargje përtokë, deri sa më pe
E vetmja herë vetvetja lindja dhe dhimbja ,deri sa më pe…..
E kur më pe, nuk e di sepse, të kujtova barinë
Më shëtite tërë ditën si qengj në lëndinë
Loze me mua dhe nxore mërzinë,
Derisa bëra be, dhe më, nuk më pe…
TROJANË!
Trojanë!
Trojanë!
10 vjet luftuat më kot!
Elena, nuk ishte Elena
Elena juaj, është shëmbëlltyrë imja
Elena juaj, nuk ishte një gjak me mua
Ajo Elena juaj, ishte hakmarrje, mallkim…
Po,po Elena nuk ishte Elena!
Elena e vërtetë, ngeli në Egjipt
Shkretë,e vetme për fatin e saj
Duke pritur burrin e vërtetë të saj …
Ej, Spartiati!
Jam ashtu sic më le!
Me zjarrin në bark, afshin që më dhe
Me zërin që më dridhet e lotin e thatë
me atë, etjen e bukur, gjerë edhe gjatë…
Elena, nuk ishte gjaku im
Elena, ishte, i Irës Sajim.
16.1. 2020 Greqi
KORBË
Korraqi i Alan Poe , do të bëhem
Me ata sytë e ftohtë, acar -murlan
Me lotë të zinj -kongjinj, që të tmerrohesh
-Kurrë më! Kurrë më,s e bëj,
t më përgjërohesh!
Koraqi i Alan Poe në u bëfsha
do të ulem më në fund mbi varrin tim
me sytë gjysmë të hapur të qetësohem
Kurrë më, kurrë më, të mos lëndohem.
20.12.2019 Greqi
TI VISHU E MË PRIT SI KALAMA…
Do vishem,
si vllahkat e fshatit tënd atëherë,
ti vishu dhe më prit si kalama…
të bëj , sikur ujë,
me shtëmbë po mbush,
ti vishu e më prit si kalama…
të të shoh, tek ul kokën
nja dy a tri herë
tyyy, sikur llastiqet të ranë,
të dëgjohen këmborët
t ja marrim vrapit
se vapës rruazat i ranë,
të fshihemi të tromaksur
si vllahka me labin,
që sheh e sheh e nuk prek
të rri e të kënaqem,
duke të dëgjuar
-vllahkat, rrinin pa brekë…
20.12.2018 Tylisso,Greqi
KRRËC E KRRËC
Kali i shën Merise… mua më thonë,
e vockël e pashpirt për mua thonë
rebelkë skizofreni,për mua thonë,
putankë gjithfarëlloi, për mua thonë..
Por nuk e dinë se unë, linda e lirë
puploj në një ekstazë parajsëhapsirë,
notoj në një fllusknajë ngjyra -ngjyra,
afroj në zjarr të shpirtit shenjtfytyra
Për cmendurinë time, e bëj atë që dua!
Për at’ dhimbjen time e bëj atë që dua!
Për kënaqësinë time sa ndjen, ja këpus qafën
krrëc e krrëc e krrëc filloj ja përtyp kafkën…
për atë heshtjen time e lë të derdhë mbi mua,
ia thith të futmin gen ,e bëj atë që dua…
Pastaj , rri e vajtoj , qyqare e vetmuar
kacavjerrë e mjerë për muri përqafuar
përdredhur,ngulur thonjëzat në tempullin me vrimë
shpresuar se një ditë, më pranë e pranë do të vimë…
…
Kali i shën Mërise,mua me thonë…
26.1.2019 Greqi
LUTJU BARBARËVE
Kostandine, nuk erdhën barbarët
as të tutë dhe as të mitë
qysh n a e lanë zemrën pa shqyer
qysh n a lanë pa n a i nxjerrë trutë…
Lutju barbarëve Konstandine
që sapo të arrijnë ,të më godasin
me se s bën, të jem viktimë
t më marrin shenjë,dersa t më vrasin.
MILINGONAT
Unë e di nga lind dielli,
e di,lind atje ku nderet buzëqeshja shpirtgjerë,
atje ku unë prek e përkedhel atë kokën që dhemb,
atje, ku unë zhytem si rreze e shfaqem si dele,
kullos dhe ngopem në livadhin tënd të butë
mbi atë gjoks trëndafilash, që cel vetëm për mua…
Mos ik, mos ik, se rrëzohet dielli,
nuk mund të më lësh, pa më thithur palcën…
Shih si rrotullohen milingonat, shih,u iku mendja fare…
16.2.2017 Greqi
O VAJZË E VIRGJËR KU JE
Cicat e vogla ia thëthiste dielli
flokët e mëndafshte ia puthte era
teminat prej kashte i ndiznin fustanin
o vajzë e virgjer ku je…
mbi afshin e gjuhes , rruaza kaucuku
në gishtin e turpshëm unazë borronice
me mes te mullirtë, mbyt gjarpërinjtë,
të ishte dhe njëherë… dje…
O BUZËQESHJE
Dhe unë, do lë
o idhul për ty ,
rojën në mes të shiut
ullinjtë e mi aristokratë,
zogj,diell e cicërima
do e lë detin, akull të ftohtë,
të pleqërojë me ishujt
do vij tek ti, në Tajeto ,
tamam si grua e bindur
do t i heq gurët, një e nga një,
do hap qetë- qetë shtegun
të të gjej shtrirë aty ku le,
me atë zënë e dridhur
të fle pak buzëtë mbërdhe ,
e ti si shpirt mbi gushë
t më pëshpërisësh fjalëngadalë
tregtarin me vejushë…
3.12..2019 Greqi