Pyetje- 85 vjet, gati një shekull jete dhe përvoje të pazakontë i politikanit, historianit, shkrimtarit, njeriurt të kulturës dhe të medias, Uran Butka. Nga vjen z.Uran?
Përgjigje- Vij nga familja Butka e Kolonjës, e cila e kishte origjinën nga Frashëri, nga fisi autokton Aliçka, i lidhur ngushtë me frashërllinjtë, madje gruaja e Abdyl Frashërit, Ballkizi, ishte nga Aliçkajt. Gjyshi im Sali Butka dhe gjithë burrat e familjes Butka kanë punuar, luftuar dhe kanë rënë për Shqipërinë.
– Çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?
– Kam lindur në Tiranë më 2 dhjetor 1938. Emrin ma ka vënë mjeku i mirënjohur Jani Basho. Në atë kohë, babai im Safet Butka, që kishte studiuar për filozofi në Austri, ishte drejtor i gjimnayit shtetnuer të Tiranës dhe reformator i arsimit kombëtar bashkë me Mirash Ivanaj. Për shkak se organizoi protestat e studentëve të Tiranës në datat 3-6 prill 1939 kundër pushtimit italian të Shqipërisë, u arrestua dhe u internua si antifashist në Ishullin Ventotene për 3 vjet. Nga andej i shkruante nënës sime Hatixhesë, që t-i shiste enciklopeditë që kishte sjellë nga Austria dhe me ato para të shlyente kredinë e ndërtimit të shtëpisë të vogël në Tiranë. Por ajo nuk i shiti ato, as librat e bibliotekës, shiti gjerdanin e florinjtë të martesës. Sot librat e çmuar dhe enciklopeditë janë në bibliotekën time si trashëgim nga prindët . Kur im atë u kthye nga internimi në vitin 1942, krijoi çetat nacionaliste në qarkun e Korçës dhe luftoi edhe kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë në disa beteja, që janë futur në histori.
– Cilat janë momentet më të spikatura të jetës tuaj nën regjimin komunist?
– Kujtimi i parë i dhimbshëm është kur familja Butka, u internua ne fillim të vitit 1945 në kampin e perqëndrimit të Krujës, madje edhe e shoqja e Sali Butkës. Një ditë, kur gjyshja u afrua tek telat me gjemba dhe i kërkoi një krutani pak çaj se po digjej nga temperatuta e lartë mbesa Rita, krutani i dhimsur ai solli fijet e çajit bashkë me një paftë sheqeri, por të nesërmen morëm vesh se roja që e kishte lejuar, ishte zhdukur dhe krutanin bamirës e kishin varrur në litar në sheshin e qytetit për të bërë terror.
Nëna ime, Hatixheja, bijë e dëshmorit të Rilindjes, Ramiz Lubonja, na u gjend pranë në fatkeqësi e e vështirësi jete, ajo na rriti neve katër fëmijve, – Saliut, Iljazit, Uranit dhe Teftës me sakrifica, por me përpjekjen per të mos na lënë pa shkollë.
– Ju kini qenë arsimtar për disa vjet. Ka qenë privilegj, detyrim apo pasion?
– Unë kreva shkollën pedagogjike dhe punova për 15 vjet si mësues në rrethe të ndryshme. Nuk ishte privilegj, por rekrutim si në ushtri, megjithatë kam qenë mësues i pasionuar. Na mobilizuan si mësuesa për mungesë kuadrosh dhe na pushuan nga puna për biografi, kur u plotësuan me mësues të dalë nga kurset.
Në atë kohë, në momentet e zbutjes së luftës së klasave, që zhvillohej me zikzake, kreva universitetin e Tiranës me korrespondencë. Më pyetët për momentet e vështira të jetës. Në vitin 1967 sollën në Krujë me qarkullim kuadrosh Masar Bekteshin, që kishte punuar në Komitetin Qëndror të Partisë; e prunë si drejtor të shtëpisë së kulturës. Në prag të festës së Krujës, 22 shtatorit, ai thirri në mbledhje ata persona që merreshin me kulturën, bie fjala me këngët, vallet etj. Më thirri edhe mua që përgatisja çdo vit nxënësit për recitime, por më tha: ”Ti do të recitosh në miting “Epopenë e Ballit Kombëtar”. Unë iu përgjigja se mësuesi nuk reciton në publik, por përgatit nxënësit dhe se ky ishte një provokim nga ana e tij. Siç dukej, ishte parapërgatitur terreni. Kallëzimi ishte bërë -” Ka mbrojtur Ballin Kombëtar etj”. M’u pre fletarresti nga Dega e Brendshme, e cila njoftoi drejtorin e gjimnazit, Stefan Bulo, se do ta bënte arrestimin në një klasë të maturës ku jepja mësim. Drejtori i gjimnazit shkoi në komitetin e partisë, ku sekretar i parë ishte Piro Kondi, edhe ai i qarkulluar atëherë në Krujë. Stefani i kërkoi Piro Kondit, që unë të mos arrestohesha në orën e mësimit në mes të nxënësve dhe i tregoi të vërtetën e asaj ngjarjeje. Piro Kondi, që kishte qenë nxënës i Safet Butkës në Gjirokastër, e anulloi vendimin, Nuk më arrestuan, por më çuan mësues në një fshat të Krujës, Derven i thonë. Pas disa vitesh, më pushuan nga puna,
– Cfarë pune bëtë pasi ju larguan nga mësuesia?
– Në Tiranë punova për disa vjet si punëtor në komunale. Më pas kreva shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” degën e pictures (pas universitetit!) dhe arrita të vendosem si piktor në fabrikën e këpucëve. Atje u njoha me mjeken Merjeme Pasmaçiu, nga një familje qytetare beratase, e cila ishte mjeke nefrologe në Spitalin e Përgjithshëm në Tiranë. Ajo kidhte ardhur në fabrikën e kepucëve për një studim mbi ndikimin e lëndëve helmuese në tensionin arteria. Pak kohë pasi u martuam, natyrisht pa dasëm, nisi odiseja tjetër e familjes sonë të re. Merjemes i bënë presion që të ndahej nga unë për arsye biografije, por ajo nuk pranoi. Në vitin 1976 me urdhër të Hysni Kapos, sekretar i Byrosë politike të PPSH, u internuam në rrethin e Tropojës me shënimin e tij arbitrar– të zhvendosen nga Tirana larg kufirit dhe larg njerëzve. ( E kam botuar këtë vendim).
Na hipën në një kamion të mbuluar dhe na çuan në Tropojën e vjetër, por atje ishim afër kufirit, ndaj na hoqën urgjentisht dhe na vendosën në qytetin e Fierzës, por atje ishim afër njerëzve. Në mbledhjen e klasës punëtore në Këndin e Kuq në Fierzë për të na demaskuar, na akuzuan se mund të hidhnim ne erë hidrocentralin etj , madje një punëtor me kasketë tha që këta ti hedhim ne lumin Drin…Mandej Komisioni i Dëbim Internimeve me në krye Manush Myftiun na degdisi në Martanesh, në teqenë rrëzë malit të Kaptinës, larg kufirit dhe larg njerëzve, larg edhe fshatrave të Martaneshit. Atje jetuam mëse 11 vjet, 1976-1987. Unë nuk mund te isha arsimtar, por më tjetërsuan në llogaritar të këshillit, duke yëvëndësuar një fillorist! Vazhdonte egërsisht tjetërsimi i njeriut në socializëm. Merjemes ia hoqën specializimin si mjeke nefrologe dhe ajo shkeli ne katër fshatrat e Martaneshit si mjeke e përgjithshme, duke u shërbyer me devotshmëri njerëzve edhe në kushtet e vështira të dimrit të ashpër atje. Edhe kur shpëtoi nga vdekja njè grua shtatzane, Kadife quhej, që u rrëzua nga nga një pemë dushku tek priste gjeth për bagëtinë e kooperativës dhe kur familja e saj e falënderoi doktoreshën, sekretari i byrosë së partisë në Martanesh kundërshtoi publikisht-“Nuk e shpëtoi mjekja, por e shpëtoi partia! A e dini pse e kanë sjellë këtu?… Dua të theksoj se qoftë në Tropojë, qoftë në Martanesh, populli na ka respektuar dhe na ka dashur, sidomos Merjemen.
– Ju kini marrë pjesë në Lëvizjen demokratike te viteve 90 dhe në Partinë Demokratike. Mund të na thoni diçka?
– Kur u kthyem në Tiranë në prag të rënies së regjimit komunist, punova për dy vjet sërish punëtor në ndërmarrjen komunale si bojaxhi, lyeja makinat, biçikletat etj. Në dhjetor 1990 filloi lëvizja demokratike dhe unë natyrisht që isha pjesë e saj, mandej anëtar i PD. Gjithashtu isha një nga drejtuesit e Shoqatës kombëtare të të Përndjekurve politikë të Shqipërisë me Osman Kazazin, që kontribuam ne përmbysjen e diktarures. Studentët ishin dallëndyshet e para të lëvizjes demoktratike dhe të pluralizmit politik, por të përndjekurit politikë ishin forca goditëse. Më 20 shkurt 1991 isha bashkë me qytetaret e Tiranës në rrëzimin e shtatores se diktatorit Enver Hoxha. Në zgjedhjet e 31 korrikut 1991 Partia Demokratike fitoi në qytetet e mëdha. Tomor Malasi, kryetar i Komitetit pluralist të Tiranës më emëroi nëndrejtor të shkollës “Ismail Qemali. U ktheva sërish në profesionin tim, gjithashtu kryeredaktor i gazetës “Liria” organ i shoqatës të të përndjekurve politikë të Shqipërisë, ku janë evidentuar krimet e regjimit komunist dhe martirët e tij . Në zgjedhjet politike të 22 marsit 1992 u zgjodha deputet i Kolonjës dhe më pas anëtar i kryesise së Partisë Demokratike, madje dhe kandidat për kryetar Partie në konkurim me Sali Berishën. Jam zgjedhur edhe kryetar i Komisionit parlamentar të Mediave dhe Kulturës për dy legjislacione (92-96 dhe 96-97), kam punuar në parlament për ligjet e reja në fushë të kulturës dhe të mediave, madje nismëtar i televizioneve publike e private dhe realizova draftin e parë ligjor në parlament për televizionin publik dhe privat në Shqiperi, sepse deri atëherë ekzistonte vetëm televizioni shtetëror. Në atë kohë kam realizuar kthimin nga SHBA të eshtave të Faik Konicës në atdhe, bashkë me ministrin e kulturws, Teodor Laçon dhe Bardhyl London. Kohët e fundit edhe kthimin e eshtrave të Midhat Frashërit pranë vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës në kodrat e liqenit, tek ai vend i bukur e i lartësuar, që e kam menduar si Panteoni i njerëzve të shquar të kombit. Shpresoj që së afërmi të vijnë atje edhe eshtrat e Fan Nolit.
Dua te theksoj se qysh në fillim të karrierës politike, kam qenë për kthimin e pronës tek i zoti, tek ish ish-pronaret, si një parim themelor i demokracisë dhe detyrim ndaj pronarëve të shpronësuar e të persekutuar për gjysmë shekulli, edhe me një grup deputetësh te djathte, kunder ligjit komunist 700501, si edhe kam ndihmësuar për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë e statusin e tyre social. Gjithashtu kam kërkuar në parlament dënimin e regjimit komunist, dënimin e krimeve te komunizmit dhe ndarjen nga e kaluara komuniste e Sigurimi famëkeq i Shtetit.
– Për këtë veprimtari intensive e të guximshme, a ke pasur sulme nga enveristët dhe ish-Sigurimi i Shtetit?
– Natyrisht kam pasur edhe kërcënime, por nuk jam thyer. Bie fjala, një herë kur u ktheva në mesnatë nga Konispoli, ku përurova shtatoren Nëna Çamëri, me fytyrën e një nëne, ku loti i saj çante edhe gurin për tragjedinë Çame, e gjeta nënën time në Tiranë duke lexuar gazetën Zëri i Popullit, me një titull te madh “Uran Butkën do ta gjejë si i ati, do të vrasë veten”. Një herë tjetër, isha ne shtëpi duke punuar, kur ra zilja e telefonit, Ishte gruaja, Merjema, që më fliste nga poliklinika ku punonte si mjeke. “Po bije shi dhe nuk e kam marrë çadrën, A mund te vish, merr edhe çadren time me vete”. Më erdhi keq që u ndava nga puna, sidoqoftë shkova. Poliklinika ishte karshi Prokurorisë së Përgjithshme, Duheshin edhe disa minuta qe ajo te dilte, Për tu mbrojtur nga shiu i rrwmbyer, u futa nën strehën e prokurorisë dhe prita. Buzë trotuarit u ndal një veturë. U hap xhami i ndenjëses së pasme dhe nxorri kokën ish- prokurori i përgjithshwm Aranit Çela. “U mundove të na bësh gropën neve, po re brenda vetë – më tha, Ëhëë…, të paskan thirrur në prokurori!” U afrova drejt tij dhe i thashë. “Unë jam i qetë, ndërsa ti duhet te ishe në Prokurori. A të zë gjumi natën, a të dalin në ëndërr ata që ke burgosur, vrarë apo varur në litar?” Ai mbylli xhamin dhe makina u zhduk. Në atë çast erdhi gruaja. “Pse nuk e hap çadrën, shiko si je bërë qull.” E hapa çadrën. “Me cilin po flisje ashtu?- me tha. – “Me te shkuarën,- i thashë.
– Çfarë marrëdheniesh këni pasur dhe kini me PD?
B.Parlamenti i vitit 1992-1996 , ku kam kontribuar edhe unë, ka qenë model i parlamentarizmit, ai e futi Shqipërinë në rrugën e demokracisë dhe të Evropës. Më pas ndodhi deformimi i PD për shkak të lidershipit të saj. Unë kam qenë kritik ndaj lidershipit të PD, autokratizmit dhe shmangjes nga parimet demokratike. Për këtë shkak u largova nga PD dhe u mora me studime dhe botime.
– Ju kini bërë mjaft botime në fushë të historisë, publicistikës, letërsisë, kritikës historike dhe të kulturës. Mjaft prej tyre i kemi publikuar në gazetën “Nacional” si “Ringjallje”, “Marrëveshja e Mukjes”, “Safet Butka”, “Bombë në legatën Sovjetike”, “Masakra e Tivarit”, “Lufta civile 1943-45”,”E djathta dhe e majta në luftë”, “Miti i Haxhi Qamilit”, “Elita shqiptare”, ”Vuajta e bukur”, etj.
– Duke marrë shkas nga titulli i fundit, vuajtja në jetë më ka shërbyer edhe si një pasuri për botimet e mia letrare dhe memuaristike. Si kryetar i Komisionit ad hoch per vlerësimin e figurave, kam vlerësuar historikisht jo vetë personalitete të martiriyuar të së djathtës si Hysni Lepenica, Skënder Muço, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, dhe qinra të tjerë, por edhe të së majtës progresive si Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, LLazar Fundo, Drita Kosturi e të tjerë.
– Një nga botimet më të rëndësishme është edhe vepra e zgjedhur e Midhat Frashërit në 12 vëllime. Sa kohë kini që punoni për këtë kolanë?
– Aktualisht jam drejtor i Institutit të studimeve historike “Lumo Skendo”, themeluar në vitin 2016 nga unë dhe humanisti Agron Shehaj, duke u nisur nga testamenti i tij i vitit 1929, me anën e të cilit i linte veprat e Abdylit, Naimit, Samiut si edhe bibliotekën e tij prej mëse 40.000 vëllimesh për themelimin e një Instituti albanologjik në Tiranë. Në këtë institut kam hulumtuar, studiuar dhe botuar veprën e plotë të Midhat Frashërit, kolosit të historisë dhe kulturës shqiptare, me materiale të nxjerra nga arkivat shqiptare dhe arkivat e Francës, Britanisë së Madhe, Zvicrës, Greqisë, Rumanisë , Sofjes, Italisë, ShBA, etj si edhe botimin e Albumit të Frashëllinjve.
– Ndër pikturat që zbukurojnë mjedisin tuaj familjar, janë edhe një portret dhe një pikturë në vaj. A mund të na thoni diçka për to?
– Njëra është një nga pikturat e mia, peisazh vjeshte në Martanesh. Eshtë shkrirë me natyrën, ideja e lindjes, plakjes dhe rigjallërimit të jetës, e përjetësisë. Piktura tjetër është porteti im i realizuar nga piktori i mirënjohur Buron Kaceli.
– Kini marrë vlerësime dhe çmime kombëtarë e ndërkombëtarë si Mësues i Merituar, Mjeshtër i Madh, Penda e Argjentë në letërsi, , Urdhëri Kalorës i Gjerg Kastriotit Skënderbeut, urdhëri i shenjtores Nënë Tereza, çmim për veprën e Midhat Frasherit, titujt Doktor kauza në disa universitete të Kosovës e SHBA etj
– Për mua ka rëndësi më shumë se çmimet, që të lesh gjurmë të mira në jetë dhe të kesh një familje të mirë.
– Çfarë projekte kini në të ardhmen?
– Të vijoj krijimtarinë, që më mban gjallë dhe nëse do të kem jetë, të botoj veprën e zgjedhur të Isuf Luzajt dhe të Musine Kokalarit.
– Ju uroj shëndet, jetë të gjatë dhe veprimtari të mëtejshme.
– Faleminderit!