Arif MOLLIQI: IM ATË TË SHTUNAVE MË BLINTE KËPUCA LLASTIKU

I.

Të premten kur u ktheva në shtëpi
dyqind metra para se të hyja brenda
filloi të bjerë shi në një rrugë të pashtruar
u ndjeva ligsht edhe pse kthimi është i gëzuar
brenda kornizës së shtëpisë një ngjyrë e errët
përtej një sfondi kulla, muret, dyert, pemët
zogjtë kishin shpërndarë disa njolla gjaku
figurën time të harruar e gjej në dhomë mbi shtrat
aty është im atë
dritë i pastë shpirti
që kishte vdekur atë sene kur ra lia e madhe
ai nuk vdiq nga ajo sëmundje e mistershme
as nuk e kishte marrë vesh ç’ ishte ajo dergjë
ka qenë pranverë
data e vdekjes së tij është në mermer
shënimet e tjera mbahen në regjistrat e ofiqarit
po unë e di që jam ende gjallë
e mbaj mend mirë sepse sado që isha axhami
e kisha për zemër një grua që e takoja rrallë
nganjëherë veç në këmishë të bardhë
herë tjetër lakuriq
tashmë e kujtoj vetëm në ëndërr atë që ju dyshoni
e kur zgjohem nga gjumi hëna ka ngjyrë tjetër
kam një ndjenjë të pështirë e të gërditshme
e bash tash ëndrra ma kujton edhe kohën
kur e nxorën im atë prej shtëpisë me tabut
e kishin mbuluar me një çarçaf të bardhë
s’kam si ta kujtoj ndryshe vdekjen e tij
veç kur e lanë në një qoshe të oborrit lakuriq
e nga uji i dukeshin gjymtyrët e trupit
ishte aq i qetë sa nuk lëvizte as nga uji i nxehtë
kur tim atë e nxorën nga shtëpia
s’di nga erdhi e kush e nisi më i pari
por të gjithë bënin kuvendime në pikë të diellit
gjëmë e madhe ishte e vërteta, e vërteta ishte vdekje
kur gruaja me këmishë të bardhë më tha:
mos u mërzit se në atë dynja do ta takosh tët atë
se në këtë botë ke mbetur jetim
i bekuar a i pabekuar të ftoj të pish gji në gjoksin tim
këmishëshkopsitur prej gruaje
vetëm unë e ndieja atë fshehtësi
kur më ngacmonte shpesh për dashuri
pse duhet ta fsheh se kisha frikë
derisa pija gji nga koha ime prej gruaje

kur më vdiq im atë ditët dhe netët qenë njësoi
përveç të shtunave
që tashmë s’kthehej më nga pazari si dikur
mbi një kalë pullali me trokëllimat e shiut
që binte mbi gjethet e pemëve në atë stinë

II.

nesërmen që kisha mbetur jetim
dola për të kërkuar shitoren
ku im atë të shtunave më blinte këpucë prej llastiku
që sa herë i mbathja binte shi e mjegull
djemtë e pasherr të fshatit ma kishin lakmi
në atë qiellin e cuklavtë robëria e zezë dridhej
kur i kujtoj pleqtë që thurnin fjalë lufte
në një lëndinë plot gurë varri të panumërta
e rrëfimet e mbushnin lëndinën plot tym grotesk
dhimbja e tyre më përtokte
tash të gjitha kujtimet e vitet më braktisin
më kanë mbetur sall hijet e pazbërthyeshme të numrave
si alarm trishtimi për një dashuri të vjetër
kur im atë të shtunave m’i blinte këpucët prej llastiku
me një mjerim që vazhdonte e s’linte zgjidhje
nga një sëmundje e pavdekshme që na vriste
netëve dhe ditëve të së shkuarës
në atë kohën e territ që s’di ç’ emër t’i vë
mjerimit s’di si t’i jap emër të kuptueshëm