Prof. Milazim KRASNIQI : Mbijetesa e Kosovës si shtet është e mundur, nëse kombinohen faktorët adekuat

I. SFONDI HISTORIK, POLITIK, KULTUROR

1. Kosova u bë shtet në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, e jo si ndonjë korrigjim i padrejtësive historike ndaj shqiptarëve, që janë bërë kundër nesh të kaluarën. Padrejtësi në të kaluarën janë bërë edhe kundër kombeve të tjera në Evropë, fjala vjen, kundër hungarezëve, por ato padrejtësi kanë mbetur të pakorrigjuara. Prandaj, vlerësimi për suksesin e shqiptarëve të Kosovës në bërjen e shtetit, duhet të trajtohet brenda kontekstit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, proces në të cilin Kosova dhe shqiptarët e saj kanë kontribuar realisht, por jo në mënyrë vendimtare, jo aq sa ajo federatë të shpërbëhej nga fuqia gjëmësjellëse e shqiptarëve. Shpërbërjen e ish Jugosllavisë e ka provokuar në mënyrë vendimtare nacionalsocializmi serb, me projektin e krijimit të Serbisë së Madhe si modifikim i Jugosllavisë së AVNOJ-it, e cila nga doktrina nacionasocialiste serbe u konsiderua si padrejtësi e bërë ndaj serbëve. Veprimet e lëvizjeve nacionale sllovene, kroate, shqiptare, boshnjake, maqedonase e malazeze për pavarësi, kanë qenë reaktive ndaj projektit nacionalsocialist serb të Serbisë së Madhe. Në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve, reagimi në vitet tetëdhjetë ka qenë ndaj masave represive, ndaj diskriminimit ndërsa në vitet nëntëdhjetë ndaj segregacionit e në fund të tyre edhe ndaj spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Pra, lëvizja dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, kanë qenë reaktive dhe ka qenë mbrojtëse. E ka ruajtur brenda vetes edhe elementin e mëhershëm iredentist, por vetëm në një pjesë shumë të vogël të saj. Megjithatë, historia e shtetit të Kosovës, këtij shteti që ekziston sot si i tillë, duhet të fillojë nga narracioni mbi shpërbërjen e ish Jugoslalvisë, e jo nga ndonjë pretendim megalloman se Kosova u pavarësua falë ndërgjegjes mbi përkatësinë dardane e ilire e madje as të projektit të nacionalizmit shqiptar të periudhës së Rilindjes Kombëtare. Narracionet romantike për të kaluarën heroike të Kosovës, si tokë dardane, si bastion i shqiptarizmës, është mirë të mbahen e të kultivohen në sferën e kulturës e të arteve, por jo të mendimit shkencor, politik e shtetëror, sepse në atë rast nuk e shprehin të vërtetën. Në anën tjetër me aso narracionesh të pavërteta dhe agresive, mund të krijohet perceptimi për shqiptarët si një popull plangprishës e rebel, të cilit nuk mund t’i zihet besë as nga Bashkimi Evropian dhe as nga NATO-ja, sepse shqiptarët ditkan të jenë jolojalë dhe të pabesë në situatë krizash, siç qenkëshin treguar jolojalë e të pabesë ndaj ish federates, kur ajo ra në krizë. Prandaj, duhet të dominojë narracioni më modest, sipas të cilit përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për dalje nga okupimi serb kanë qenë të imponuara, ndonëse edhe si të tilla, ato ishin të pamjaftueshme për të arritur suksesin, po të mos e fillonte nacionalsocializmi serb procesin e pakthyeshëm të formimit të Serbisë së Madhe, si zëvendësim për ish federatën jugosllave. Modifikimi i projekteve të shqiptarëve në periudha të ndryshme është dëshmi se atyre u janë imponuar reagimet: nga lëvizja iredentiste (bashkimi me Shqipërinë), në vitet 60-80 u kalua në një lëvizje integriste (kërkesa për një republikë në kuadër të ish Jugosllavisë.) Por, pasi eskaloi kriza në vitet nëntëdhjetë, filloi artikulimi i kërkesës për pavarësi, ndonëse edhe deklarata e 2 korrikut 1990 dhe referendumi i shtatorit 991 ende e parashihnin Kosovën si republikë në federatën/konfederatën jugosllave. Kushtetuta e Kaçanikut e promovoi projektin për Kosovën si shtet i pavarur, por vetëm në letër, ngase Kosova në atë kohë ishte tërësisht e okupuar. Zgjedhjet që u mbajtën (1992 e 1998) proklamoheshin si zgjedhje të një shteti të pavarur, por i cili ishte nën okupim total. Pra, as ato përpjekje e as ato modifikime nuk sollën pavarësimin, sado që e mbajtën të gjallë mobilizimin e popullit në atë kauzë. Raporti i Badenterit, që konstatoi shpërbërjen e ish federatës jugosllave, ndonëse Kosovën e injoroi, de facto e hapi rrugën që edhe Kosova ta ndiqte rrugën legale të pavarësimit, meqë ishte “element konstituiv i federatës”, gjë që më vonë e mori para sysh edhe Gjykata e Drejtësisë, në vlerësimin e pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën ndërkombëtare. Pra, shpërbërja e ish federatës jugosllave ka krijuar bazën legale të pavarësimit të Kosovës, meqë Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 ishte bërë element konstituiv i atij federalizmi.
2. Lufta çlirimtare është dëshmi e avancimit të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, si reagim ndaj segregacionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb. Ndonëse me elemente pothuajse mitike të sakrificave, ajo luftë çlirimtare, me kapacitetet e saj, nuk ishte e mjaftueshme për ta arritur çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Krahas brutalitetit të Serbisë ndaj saj, edhe oscilimet ideologjike dhe qëndrimet radikale kundër lëvizjes paqesore, i kanë rrezikuar seriozisht mundësitë edhe ashtu të pakta të saj. Marrëveshja e Hollbrukut e tetorit 1998, e cila mundësoi ardhjen e vëzhguesve, ka qenë e rëndësisë strategjike për mbijetesën e Ushtrisë Çirimtare të Kosovës, si organizatë legale, unike dhe kooperuese me faktorët ndërkombëtarë. Intervenimi i NATO-s, 24 mars-10 qershor 1999 kundër caqeve ushtarake në ish Jugosllavinë e Zhablakut, me Marrëveshjen e Kumanovës (11 qershor 1999) mundësoi çlirimin e Kosovës, me çka u hap udha edhe për pavarësimin e saj në 17 shkurt të vitit 2008. Pra, pavarësia e Kosovës ka ardhur edhe si rezultat i intervenimit të NATO-s dhe i një akordi të gjerë ndërkombëtar, të mishëruar në Planin e emisarit të OKB-së, Marti Ahtisarit, e jo si ndonjë aksion i njëanshëm.
3. Armiqësia me Serbinë nuk është mbyllur dhe nuk ka gjasa që të mbyllet as në të ardhmen, në kuadrin ku po kërkohet mbyllja e armiqësive, në procesin e tashëm të Brukselit. E vetmja mundësi për të arritur një mbyllje të tyre është nëse Bashkimi Evropian ofron një pako për pranimin e të dyja vendeve në BE, paralelisht me arritjen e marrëveshjes. Por, pakoja e tillë duhet të përjashtojë çfarëdo mundësie të rishikimit/korrigjimit të kufijve. Ajo mund të akomodojë serbët në veriun e Kosovës, me një zgjidhje me elemente të “rregullimit të rajoneve.”Në këtë aspekt, Kosova nuk ka pse ngutet për ndonjë marrëveshje të pafavorshme me Serbinë. Kosova ka pozitë më të mirë se sa Serbia në statu quo: e para, ngase Serbia është shumë më përpara në procesin e integrimit evropian dhe asaj i ngutet të kompletojë procesin, ndërsa Kosova është shumë më larg. E dyta, Kosova tashmë ka në prapavijën e vet tre shtete të reja anëtare të NATO-s, të banuara me shqiptarë, të cilat do të destabilizoheshin nga konflikti eventual Kosovë-Serbi. Prandaj NATO-ja nuk do të lejojë agresionin e Serbisë në drejtim të Kosovës, sepse në atë rast kriza do të përfshinte edhe tre shtete anëtare të saj, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Kjo rrethanë i jep Kosovës hapësirë më të gjerë manovruese edhe për marrëveshjen finale, sepse Kosova është në anën e NATO-s, ndërsa Serbia nën influencën direkte të Rusisë.
4. Kosova urgjentisht duhet ta fillojë një proces të gjerë e shumëplanësh evropianizimi, që do të përthekonte legjislacionin, qeverisjen, drejtësinë, mediet dhe shoqërinë mbarë. Përafrimi i ligjeve dhe rekomandimeve me ato të Bashkimit Evropian, reforma zgjedhore, çrrënjosja e korrupsionit, shteti i së drejtës, afirmimi i pakicave, mediet e lira dhe shoqëria e lirë, janë përgjegjësi e shoqërisë dhe e institucioneve të Kosovës. Ata që kujtojnë se duhet të pritet pranimi në BE, që të fillojnë reformat, në fakt janë kundër integrimit dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në BE. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për këtë fakt dhe të mos i votojnë politikanët e dhunshëm, të korruptuar, të padijshëm dhe esencialisht antievropianë. Në instancë të fundit, qytetarët e kanë në dorë evropianizimin e vendit.
5. Realiteti brendashqiptar është mjaft kompleks: një komb, dy shtete dhe pjesëtarë të kombit edhe në disa shtete të tjera në rajon. Këto dy shtete dhe fragmentet në shtetet e tjera, duhet të harmonizohen e të mos lihen të veprojnë spontanisht, sepse në atë rast mund të vijnë në situata që t’i shkaktojnë dëme njëra tjetrës, ose edhe të konfliktualitet të ndërsjellë. Nuk duhet të hapen tema lidhur me “pronësinë” mbi kujtimet e përbashkëta, mbi gjuhën, ose mbi meritat në historinë kombëtare. Kuadri i veprimit dhe diskutimeve të tashme e të ardhshme për të ardhmen e shqiptarëve si komb duhet të vendoset brenda ombrellës atlantike dhe asaj të Bashkimit Evropian, e jo të nacionalromantizmit të shkuar, e aq më pak të ideologjive të falimentuara majtiste.
6. Kombi shqiptar është nga të paktët kombe evropiane, që e kanë aritur sintezën e bashkëjetesës harmonike ndërmjet besimeve të ndryshme fetare brenda të njëjtit komb. Kjo harmoni duhet të kultivohet edhe më shumë në të ardhmen dhe mundësisht të shndërrohet në model edhe për kombet e tjera evropiane, me çka imazhi i shqiptarëve, i dëmtuar rëndë nga çmoralizimi komunist, do të mund të përmirësohej. Respektimi i të drejtave dhe lirive fetare duhet të jetë i plotë, në frymën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës Amerikane, që nuk lejon as Kongresin të miratojë ligje që e kufizojnë atë liri.
7. Kultivimi pasionant i gjuhës shqipe në administratë, në medie, në arsimin publik e kudo në komunikim, duhet të jetë orientim strategjik kombëtar. Ky orientim mund të jetë më rezultativ, nëse financohet më shumë kultivimi i letërsisë shqipe dhe nëse financohet përkthimi masiv i literaturës universitare e artistike nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe. Rritja e cilësisë së arsimit, me theks te arsimi universitar, është vendimtar për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për ndryshimin e natyrshëm të elitave.

II. SFONDI AKTUAL DHE PERSPEKTIV I KOSOVËS

1. Kosova duhet të heqë dorë nga ideologjia iredentiste për bashkimin mekanik me Shqipërinë. Kosova duhet ta forcojë konceptin indepedentist të shtetit. Bashkimi me Shqipërinë mbetet një ëndërr, por vetëm kur të bëhen Kosova e Shqipëria shtete të suksesshme e të fuqishme dhe kur të hyjnë në kuadër të BE-së dhe NATO-s, ku barrierat për bashkëpunim eliminohen pothuajse tërësisht. Por, duhet të hiqet iluzioni për një bashkim mekanik a me dhunë i dy shteteve shqiptare gati të dështuara. Thjesht, këtij iluzioni duhet t’i vihet pikë. Kosova duhet të profilizohet qartësisht si shtet i pavarur, duke hequr dorë nga kompleksi i inferioritetit edhe në raport me Shqipërinë (si shteti amë!) dhe duhet të krijojë instrumentariumin e miteve që e mbajnë kompakt e të fuqishëm një shtet në kohën tonë. Mitet dhe narracionet e mëdha e të rreme, të stisura me ngjyra romantike e propagandistike, nuk funksionojnë në kohën postmoderniste. Prandaj duhet të afirmohen narracione më praktike e më të kuptueshme, për gjeneratat e reja të shqiptarëve, të ndikuar edhe nga globalizimi.
2. Respektimi i diversitetit etnik e fetar, është arma më e fuqishme e Kosovës për fuqizimin si shtet, deri sa të jetë nën ombrellën e NATO-s dhe nën sponsorizimin e SHBA-ve. Pra, në këtë model duhet të mbështetet e gjithë arkitektura e institucioneve dhe e vlerave tona shoqërore. Edhe kjo mënyrë e konceptimit të shtetit e shoqërisë, krahas heqjes dorë nga ideja iredentiste, mund të zbutë paragjykimet dhe dyshimet e NATO-s, SHBA-ve dhe Evropës, ndaj shumicës muslimane të shqiptarëve. Kjo ka shumë rëndësi, sepse ato paragjykime dhe dyshime janë aktive dhe nëse zhvillohen më tutje, mund të prodhojnë keqkuptime serioze. Nëse zbuten ato paragjykime, kjo mund të frenojë edhe projektin e konvertimit, të cilin Perëndimi e ka aplikuar ndaj popujve të kolonizuar, më së shumti në rastet kur ka dyshuar në lojalitetin e tyre.
3. Praktikimi i një Islami paqesor, adekuat me kontekstin tonë gjeokulturor, gjeopolitik dhe të Postmodernizmit, është mënyra e duhur për një bashkëjetesë paqesore ndërmjet shqiptarëve muslimanë dhe sponsorëve/mbikëqyrësve të pavarësisë së Kosovës. Për këtë objektiv, duhet të bëhet një reformë rrënjësore e bashkësisë fetare, futja e edukimit fetar në shkolla publike dhe përmirësimi i arsimit publik, që të nxirren gjenerata qytetarësh të dijshëm e të aftë për gjykime kritike mbi realitetin ku jetojnë.
4. Kultivimi i një kulture shqiptare më lokale, duke forcuar ndjenjën për gjuhën shqipe dhe duke e mposhtur albabofobinë, të cilën tashmë prezenca ndërkombëtare e ka imponuar në Kosovë, si një gjendje të pashpallur pushtimi.
5. Dekriminalizimi i shoqërisë, me pjesëmarrje shumë më aktive qytetare në zgjedhje dhe në kontrollin demokratik të pushtetit poashtu do të ndihmonte në forcimin e vetërespektit të qytetarëve dhe të identitetit shtetëror të Kosovës, i cili do të duhej të spikaste në plan të parë, pasi ne kemi krizë të theksuar të identitetit shtetëror, e jo aq të identitetit kombëtar.
6. Vlerësimi shkencor i ngjarjeve historike, veçmas lëvizjeve çlirimtare të Kosovës nga Lidhja e Prizrenit e deri në ditët e sotme, me theks tek Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe simbolet e saj, duhet të jetë pjesë e projektit të forcimit të identitetit shtetëror të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj, bashkë me partneritetin me NATO- n, duhet të mbetet shtylla kurrizore e historisë së shtetit të Kosovës. Nëse mbetet aktiv dhe fuqizohet miti i saj, ai mit bëhet diga më e fortë kundër projekteve për zbehjen e identitetit shtetëror të Kosovës, po edhe kundër projektit për ndërrimin e identitetit tonë kombëtar e fetar. Në këtë kontekst, evokimi i figurave të heronjve, evokimi i ngjarjeje dhe betejave, evokimi i masakrave të okupatorit serb, çështja e të zhdukurve, çështja e shkatërrimit të objekteve fetare e kulturo-historike, duhet të jetë i vazhdueshëm. Natyrisht, evokimet dhe kremtimet do të duhej të bëheshin më me shije estetike, si një projekt shtetëror, e jo spontanisht e me ngjyrime provinciale. Natyrisht ky projekt shtetëror duhet të begatohet edhe me referimin tek ngjarjet dhe figurat e mëdha të Rilindjes Kombëtare, që shteti i Kosovës të qëndrojë edhe mbi një trashëgimi të fortë atdhetare.
7. Përpjekja e gjithanshme e elitave dhe e popullit duhet të vazhdojë që të finalizohet e të rehabilitohet Kosova si shtet me shumicë muslimane të popullsisë, por si shtet mirëfilli demokratik, në truallin e Evropës dhe në strukturat e saj. Ky shtet i afishuar si shtet me shumicë muslimane në Evropë, do të ishte test për Perëndimin, se a ka hequr dorë nga taktikat kolonialiste. Në truallin e Evropës ka pasur shtete me shumicë muslimane që nga shekulli VIII (Andaluzia) që me trashëgiminë e vet është inkorporuar në mënyrë unike në rrjedhën e qytetërimit të këtij kontinenti. Pra, Kosova si shtet i ri, me shumicë muslimane, nuk është kurrfarë precedenti, nuk paraqet kurrfarë rreziku, nuk ka asgjë kundërthënëse me qytetërimin perëndimor. Shqiptarët e Kosovës janë me shumicë muslimane, por kanë brenda korpusit të vet nacional edhe pjesëtarë të krishterë, me të cilët jetojnë në harmoni me shekuj. Kjo bashkëjetesë harmonike fetare e shqiptarëve në përgjithësi dhe e shqiptarëve të Kosovës në veçanti, është një model i shkëlqyer edhe për Perëndimin, ku ende nuk është mposhtur islamofobia. Pra, Kosova e këtillë si është, është një shans për Perëndimin, që ta menaxhojë edhe paragjykimin e vet. Në rast se do të hiqte dorë nga taktikat neokolonialiste dhe islamofobike në Kosovë, ajo përvojë do t’i shërbente Perëndimit si model edhe për qëndrim më korrekt ndaj shteteve të shumta muslimane anëkend botës, duke vënë harmoninë ndërmjet besimit islam të popullsisë dhe demokracisë.

III. PËRBALLJA POLITIKE, JURIDIKE DHE KULTURORE ME SERBINË

Përballja e suksesshme politike, juridike e kulturore me Serbinë është me rëndësi jetike për mbijetesën dhe zhvillimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe demokratik. Për të pasur sukses në këtë përballje, duhet të insistohet në këto pika, natyrisht duke i kombinuar dhe duke i aktivizuar në kontekste të ndryshme:
1. Mbajtja lart në axhendë e çështjes së krimeve të Serbisë, spastrimit etnik dhe gjenocidit të viteve 1998-1999 dhe të viteve 1912-1913. Në këët kontekst, duhet të bëhet kompletimi i dosjes dhe inicimi i padisë kundër Serbisë në Gjykatën e Drejtësisë për krime të luftës. Nga ana tjetër, duhet të bëhet minimizimi i Gjykatës Speciale – prezentimi saj si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.
2. Fuqizimi i Luginës së Preshevës, me integrim e bashkëpunim shumëplanësh arsimor, kulturor, ekonomik dhe zgjerimi i kooperimit ekonomik mbi jugun e Serbisë. Bashkëpunimi intensiv dypalësh dhe shumëplanësh me Shqipërinë, si dhe bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut e me Malin e Zi. Në këtë kontekst, duhet të ketë edhe iniciativa konkrete kulturore e arsimore për rikthimin në identitet të shqiptarëve të Peshterit. Stimulimi i rikthimit të shqiptarëve nga mërgatat, integrimi dhe investimet e tyre në Kosovë. Edhe integrimi i plotë i goranëve në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, krahas komuniteteve të tjera duhet të jeët objektiv politik e shtetëror.
3. Fuqizimi i partneritetit evro-atlantik të Kosovës, duke rritur disponimin antirus.
4. Duhet të bëhet rishikimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe, duke e futur qartazi në sistemin juridik të vendit tone me një “Marrëveshje Themeltare.” Poashtu edhe eliminimi i komunave rurale, ose gjetja e formulës për minimizimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, formimi i së cilës është obligim ndërkombëtar, duhet të jetë një objektiv real.
IV.FRENIMI STRATEGJIK I SERBISË
Frenimi strategjik i Serbisë si shtet de fakto vasal i Rusië dhe me varësi të madhe ekonomike edhe nga Kina, mund të zbatohet nga SHBA, NATO e Bashkimi Evropian, nëse insistohet në këto aspekte:
1. Presioni që të mbyllet Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish.
2. Detyrimi nga ana e BE-së që Serbia të vendos sanksione ndaj Rusisë.
3. Derusifikimi i Gazpromit në Serbi, si element sigurie për BE.
4. Kapitulli 35 të nxirret më herët e jo në fund të negociatave me BE-në.
5. Bllokimi i pasurive dhe pengimi i udhëtimeve i ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, përfshirë Daçiqin, Vulinin e Vuçiqin.
6. Pranimi i gjenocidit të kryer në Srebrenicë.