Shkrimtari i mirënjohur Bashkim Hoxha promovon më 14 gusht romanin SHTËPIA E VERDHË, në orën 20.00 në sheshin “Marinari” në shëtitoren Taulantia Durrës
Shkrimtari i mirënjohur Bashkim Hoxha promovon më 14 gusht romanin SHTËPIA E VERDHË, në orën 20.00 në sheshin “Marinari” në shëtitoren Taulantia Durrës
Në një njoftim të autorit jepen edhe detajet e organizimit të veprimtarisë:
“Promovimi i një libri është festë për autorin. Me këtë ndjesi nisa përgatitjet për promovimin e romanit SHTËPIA E VERDHË botuar nga ONUFRI. Por ndodhi dicka shumë e bukur që nuk më ka ndodhur asnjëher më parë. Ndoshta për vet temën që trajton romani, që lidhet me çështjen aq shumë të përfolur ndërkombëtarshit të gjoja trafikimit të organeve nga UÇK-ja por ndoshta edhe për një ringjallje të ndjesisë së mirë për librin, në festën e promovimit do të na bashkohen shumë njerëz. Jo vetëm si lexues e spektatorë, por si organizator të kësaj feste duke i dhënë asaj një përmasë të madhe. Bashkia e qytetit na ka vënë në dispozicion teknikën dhe infrastrukturën e duhur për këtë eveniment. Shoqata “Durrësi Autokton”, përvec pranisë së intelektualëve të shquar të qytetit, e ka konsideruar sheshin Marinari edhe si një takim kulturor me durrsakët e emigruar që, si zakonisht, në gusht vijnë pranë familjeve plot mall. Ish themelues të UÇK-së, që me përjetimet dhe botimet e tyre më kanë ndihmuar mjaft për këtë libër për të qënë pranë të vërtetës së ngjarjes, kanë bërë thirrje në rrjetet sociale të gjithë atyre kosovarëve që ndodhen në Durrës në datën e caktuar të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, jo vetëm letrare. Artisti i fotografisë Gëzim Domi hyri në arkivat e pasura të Studio Domi dhe zgjodhi të sjellë në shesh atë mbrëmje një mini-ekpsozitë nga ditët e eksodit biblik të 1999, parë si ndarje e një fati të përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Salloni i arteve Çaush Vathi do të sjelli një mini-ekspozitë pikture të artistëve nga Kosova. Presim të na plotësojë atmosferën e vlerave edhe skulptori i mirënjohur Idriz Balani dhe të rinjtë e shoqatës Durrësi aktiv, që do të sjellin një ekspozitë me punimet e tyre me tema të lira. Qendra Kombëtare e Librit, kritikë të njohur, artistë, shkrimtarët e qytetit tonë dhe nga qytete të tjera, të rinjtë e grupimit “Rinia Lexon” dhe klubi i leximit “Gjergj Vlashi” me siguri do ta shijojnë këtë mbrëmje si respekt edhe për ta, ata që banalititetin e përditshëm e mundin me ndjesitë e bukura plot frymëzime. Zëri i mrekullueshëm i Olta Jubës do të na përshëndesi me interpretime mjeshtërore nga krjimtaria jonë kombëtare. Studio e baletit Arjan Plaku do ta bëjë edhe më të plotë atmosferën e kësaj mbëmjeje që, nga një festë e autorit dhe botuesit, nën qiellin e hapur të shëtitores buzë detit premton të jetë një festë e bukur artistike.
Ju pres ditën e mërkurë, dt. 14 gusht, ora 20.00 në sheshin “Marinari” në shëtitoren Taulantia Durrës me ndjesinë e bukur të festës së një libri si një festë të të gjithëve.”
I urojme suksese shkrimtarit tone te mirenjohur dhe shume te dashur per lexuesit shqiptare!