Prof. dr. Milazim KRASNIQI: SI MUND TA NDIHMOJË ALBANOLOGJIA SHËRIMIN NGA PASOJAT E KOLONIALIZMIT SERB

Kur flasim për pasojat e sundimit serb, ne menjëherë koncentrohemi te dhuna fizike që ka ushtruar shteti kolonial serb. Kjo qasje është krejtësisht e kuptueshme, sepse pasojat e asaj dhune janë ende të freskëta në kujtesën tonë. Por ne ende nuk kemi filluar ta analizojmë e ta sistematizojmë dhunën kulturore, që ka ushtruar shteti kolonial serb. Dhuna kulturore nuk shihet me sy, as nuk ndihen dhimbjet e saj. Ajo shkakton hutesë, topitje, harresë, tjetërsim, por në mënyrë të ngadaltë, të padukshme. Efektet e dhunës kulturore fillojnë të shihen vetëm kur procesi i tjetërsimit ka përparuar shumë, siç përparon sëmundja. Kur tjetërsimi a sëmundja përparojnë, nuk mund të shkëputesh lehtë prej tyre. Duhet terapi adekuate për t’u shëruar. Në rastin tonë shqiptar në Kosovë, pasojat e dhunës kulturore serbe mbi identitetin tonë kulturor e kombëtar duhet të jenë më të rënda, se sa ne kujtojmë. Pse? Sepse gjenerata të tëra jemi shkolluar me planprograme mësimore të diktuara nga administrata shtetërore e arsimore e Serbisë/Jugosllavisë. Kemi mësuar serbishten dhe alfabetin cirilik, që nga shkolla fillore. Kemi folë serbisht në komunikim zyrtar. Kemi paguar tatime për shtetin serb/jugosllav. Kemi shërbyer në armatën jugosllave. Kemi dëgjuar televizionin serbisht. Kemi lexuar gazeta serbisht. Kemi bërë tifo për ekipe serbe a jugosllave. Të gjitha këto i kemi bërë duke qenë qytetarë të rendit të dytë, duke qenë të pushtuar e të kolonizuar. Por ato kanë lënë vrragë më formimin tonë kulturor, edhe pa dashjen tonë. Ne kemi një formim kulturor, ku arbitrarisht ka participuar kultura e pushtuesit. Rrjedhimisht disa nga shijet dhe disa nga huqet i kemi si pasojë e atij ndikimi arbitrar të kulturës së pushuesit. Ne duhet të koncentrohemi e të kuptojmë se ku janë këto ndikime, si ndikojnë në jetën tonë tash që jemi të lirë, si mund t’i eliminojmë që të rifitojmë ekuilibrin tonë kulturor e kombëtar. Ky duhet të jetë preokupim i studimeve albanologjike, studimeve kulturore, sidomos i studimeve postkoloniale. Në studimet e tilla do të mund të krijohet evidenca e politikave koloniale serbe që janë zbatuar, qëllimet që kanë pasur dhe rezultatet që ka arritur në nënshtrimin dhe tjetërsimin kulturor të shqiptarëve të Kosovës në periudha të ndryshme kohore (1912-1999.) Studimet kulturore e postkoloniale mund të akomodohen brenda studimeve albanologjike, pra, brenda institucioneve shkencore ekzistuese. Por është e nevojshme që të ngrihet edhe një departament i Studimeve Shqiptare, i cili do të përgatiste kuadro pikërisht për këtë fushëveprim studimor. Studimet që bëhen në departamentet e letërsisë shqipe, gjuhës shqipe e të historisë, nuk aftësojnë ekspertë për këto fusha specifike studimore.
Derisa presim që shkencat shoqërore e humanistike të organizojnë projekte e programe në këto fusha, ne duhet të mobilizojmë edhe artet që të tematizojnë dhunën kulturore, sigurisht edhe dhunën fizike, psikike, ekonomike e politike që ka ushtruar shteti kolonizaor serb kundër shqiptarëve të pushtuar. Në këtë kontekst, letërsia mund të bëjë shumë, po edhe piktura e muzika mund të bëjnë shumë. Mirëpo, për të pasur rezultate duhet që të orientohen politikat kulturore në drejtim të zbërthimit artistik të atyre përvojave të hidhura koloniale. Pa e zvogëluar aspak preokupimin me luftën çlirimtare dhe vlerat e saj, duhet të stimulohet kërkimi për përvojat e gjeneratave të shqiptarëve që nga rënia nën okupimin serb në vitin 1912 e para kësaj nga tragjedia e muhaxherisë shqiptare, e cila u dëbua nga vatrat e veta në vitet 1877-1879. Muhaxheria është njëra nga temat që do të duhej të mbahej lart në preokupimin e shkrimtarëve e piktorëve. Për të gjitha këto na duhen vetëm dy faktorë: studiues e artistë me preokupime mirëfilli artistike e me ndërgjegje kombëtare dhe qeveri që harton e zbaton me qartësi politika kombëtare. Qëllimi i fundit i këtij projekti duhet të jetë dekontaminimi i kulturës dhe identitetit tonë kombëtar nga pasojat që ka lënë sundimi njëshekullor serb/jugosllav. Me gjasë ky është edhe parakusht për të ecur përpara, pa pengesa serioze, në rrugën e fuqizimit dhe integrimit kulturor dhe kombëtar.