Nëpër shtëpi ndihet një gjallëri e veçantë. Të rriturit i ka zënë ethja e festimit të përvjetorit tim të parë. Rregullat e organizimit të ceremonisë i përcakton Këshilli Femëror i Fisit me në krye Momën, që ka ardhur për të bujtur që prej një jave. Personi më i ëmbël i familjes, Moma! Një ëmbëlsi, që u jep dritë edhe rrobave të saj gjithnjë të zeza. Është e para qenie me të zeza, që has në jetën time. Do ta pasojnë të tjera. Silueta të hajthme, që e veshin zinë si lëkurë të dytë. Pa kompromise me grinë apo me bardhezinë.
Në kuzhinë, ime ëmë e teta Ita përpiqen të më mësojnë teknikën e shuarjes së qiririt të ditëlindjes. Secila me metodën e vet, më shpjegojnë se si duhen mbushur mushkëritë me ajër, si duhen gufuar bulçitë për të fryrë mbi flakën si gjyryk e fikur me një frymë. Kur lodhet njëra, ia kalon stafetën tjetrës – një qerthull pa fund.
Nën mbikëqyrjen e Momës, anëtaret e Këshillit përzgjedhin objektet-simbol për “tepsinë e fatit”. Tek armenët, riti besëtytnor i uljes së fëmijës në tepsi është pjesë e festës së organizuar me rastin e daljes së dhëmbit të parë. Quhet “Agra Hadig”. Objekti i parë, që prek fëmija, parathotë profesionin; objektet e tjera paracaktojnë pasionet. Meqenëse jam gjysmë shqiptare e në gojë kam tashmë tetë dhëmbë të mprehtë, tepsinë e fatit ma organizojnë për njëvjetorin. Kësisoj do të mund të shijoj edhe ëmbëlsirën e gatuar nga ime ëmë. Quhet strukull. (Mos e kërkoni në fjalorin shqip-shqip se do të zhgënjeheni. Nënkupton kotec pulash.) Strukulli është ëmbëlsira e familjes Mima. Me petë të hollë a të trashë, i mbushur me mollë të grira, arra e reçel qershie, i përvëluar me sherbet të erëmuar me kanellë apo me vanilje, nuk mungon në asnjë festë.
* * *
Ajrin e përkëdhel një fësh-fësh i mëndafshtë. E krijojnë fustanet prej taftaje të tezeve, që shkojnë e vijnë si flutura sa nga një dhomë në tjetrën. E tërhequr nga takat e larta të këpucëve me majucë, më pëlqen t’u kaloj mes këmbëve. Nuk rrëzohem. Tashmë, hapat i hedh gjithnjë e më të sigurt. Rrotull kam kushurirat e para, Ajkanën e Milën. Njëra më e bukur, më e dashur e më e kujdesshme se tjetra.
Teta Ita ndez qiririn e kuq mbi strukull e, ballëlartë, më fton t’i fryj për ta shuar.
– Mek…, jerku…, jerek… (në armenisht: një, dy, tre) – numëron babi, gati për të shkrepur foton historike.
Hedh sytë nga të pranishmit. I përngjajnë një grupi atletësh në vijën e nisjes, në pozicion për të vrapuar garën e shijimit të ëmbëlsirës sapo të jepet sinjali i fikjes së flakës joolimpike. I afrohem qiririt. Mbyll sytë, marr vrull, gufoj mushkëritë dhe…
– Qyqja!
Ndiej gishtat e sime ëme, që më fusin në gojë cepin e një shamie të lagur. Në vend që t’i fryj, flakën e kam thithur. Im atë rrëmben pasqyrën e vogël me bisht e më kontrollon mishrat e dhëmbëve dhe qiellzën. Asnjë shenjë djegieje. Vetëm ankthi i të mëdhenjve se mos kisha zgjedhur të ushtroja zanatin e fakirit.
– Sillni tepsinë! – dëgjohet zëri i Momës.
Çasti vendimtar i fatit që më pret, mbërriti. Më ulin në qendër të tepsisë e më rrotullojnë dy herë. Kur të më jetë fashitur marramendja, duhet të bëj zgjedhjen e shumëpritur. Qetësi. Rrotull meje, objektet fuqiplota. Kë të zë e kë të lë?
– Uuaaa?! Do t’u bëka doktoreshë, goca! – gëzohet tezja e madhe.
Kam prekur stetoskopin. Nuk e di se ç’më ka tërhequr. Ndoshta tubi prej llastiku, që më spërdridhet gishtërinjve.
– Edhe një, edhe një! – më nxit daja Kopi.
Një dorë më kap të kuqin e buzëve; tjetra, stilografin. Është i lëmuar, ngjyrë blu e argjend.
– Do të shkruajë historinë e të atit, – mallëngjehet ime ëmë.
– Mos ia hiq kapakun! – më urdhëron teta Ita dhe ma rrëmben stilografin nga dora me frikën se mos boja e majës së penës më ndot fustanin e ditëlindjes.
* * *
– Familja Mar…kallami? – pyet shoferi i taksisë, që sapo ka trokitur në derë.
– Po, po! Gati jemi! – përgjigjet ime ëmë tek shtyn në prag valixhet e rënda.
I vetmi që ka durimin t’u shpjegojë ortografinë e saktë të mbiemrit tonë shoferëve, postierëve, hidraulikëve, marangozëve, këpucarëve, hamallëve e spiunëve të lagjes është im atë. Shkëput një fletë nga blloku i vogël, që mban kurdoherë në xhep e, tek shkruan me germa të mëdha shtypi MARKARIAN, shqipton çdonjërën nga shkronjat me zë të lartë duke shpresuar që tjetri t’i përgjigjet: “doktor, e kuptova!” Por s’ka shanc…
Në Durrës, do të banojmë në të njëjtën shtëpi përdhese, prapa hekurudhës, ku qëndruam verën e shkuar. Pronarët janë me origjinë çame. Çdo mëngjes, e zonja e shtëpisë lë mbi pezulin e dritares sonë një shportë të vogël me dy-tri vezë nga pulat e qymezit. Janë të bardha e të vakëta. Në drekë, kur kthehemi nga plazhi, gjejmë një tjetër shportë, me perime e fruta të kopshtit. Qumështin na e sjell një fshatar i zonës, që ka dy lopë e një tufë të vogël delesh. Vjen tri herë në javë, hipur mbi një mushkë. Në çdo ijë të mushkës varet nga një thes prej shajaku ku fut bidonat me qumësht. Majtas qumësht lope, djathtas qumësht deleje. Hera-herës, ngarkon edhe ndonjë kosh të vogël me fiq, qershi, kajsi, mana e manaferra. Kur im atë i zgjat lekët, qumështshitësi buzëqesh i kënaqur. Në gojë ka vetëm katër dhëmbë.
– Zotëri, mos e neglizhoni gojën se jeni i ri, – e këshillon babi. – Po t’ju rrafshohen xhenxhivat, proteza lëviz dhe ju plagos.
– Ehh, doktor! – përgjigjet tjetri dhe i rreh shpatullat me dashamirësi. – A vini të dielën për një gotë raki? Merreni edhe gocën, të shohë qingjat dhe kërriçin.
E kapur pas fustanit të sime ëme, në dorë biberonin me lëng domatesh, ndjek me vëmendje veprimet e fshatarit. Mbyll kapakun e bidonit të qumështit, e ngarkon në thes dhe e lidh me litar që të mos rrokulliset. Pastaj zgjidh kapistallin nga huri i gardhit dhe tërheq mushkën. Bën të hipë mbi samar, por sikur ndërron mendje. Rrëmon në koshin e vogël dhe vjen drejt meje.
– Mbylli sytë, – më thotë.
Kur i rihap, në çdo vesh më varen dy qershi të tulta, të kuqe gjak.
– E paçi me jetë e fat! – uron prindërit e mi dhe i hip mushkës.
Pasdite rizbresim në plazh. Në çantën e sime ëme, një tjetër biberon me lëng domatesh. Qëkurse e ka kuptuar që më pëlqejnë, i shtrydh e m’i jep t’i pi si të ishin ujë. Thithkës prej gome i ka shpuar një vrimë të gjerë, të denjë për oreksin tim. Pushuesit rrotull çadrës sonë më thërrasin «Miss Domatja». Titulli im i dytë pas «Topolake», i fituar me djersën e… nepsit.
* * *
E dielë, 14 korrik. Dita e pagëzimit. Ceremonia do të zhvillohet në kishën ortodokse të Shën Vlashit. Përkon me një nga shenjtorët më të rëndësishëm të Armenisë, Surp Vlas. Vlashi i Arbërisë dhe Vlasi i Armenisë janë martirë nga dy qytete me të njëjtin emër, Sebaste. Prindërit e mi shpirtërorë do të jenë teta Lusia, bashkëshortja e njërit nga miqtë më të mirë të tim eti, Hagop Zaharian, dhe Gajzi, që nuk është i pranishëm, sepse s’ka mundur të marrë vizën shqiptare. Gjatë ritit kremtues, Gajzin do ta zëvendësojë xhaxhi Zahariani.
Tre pajtonë me stola të drunjtë dhe tendën të lyer në bojëqielli, na ngjisin grup në kodrën ku ndodhet Manastiri. Veshjet e të ftuarve i japin kortezhit një hijeshi elegante. Burrat me kostume verore; gratë me fustane puplini, mbi thjeshtësinë e të cilave spikasin stolitë me shndriza. Rruga zgjat pothuajse dy orë. Arrijmë të dërsitur nga vapa e të troshitur. Im atë ka parashikuar gjithçka. Ka porositur pije freskuese e rezervuar dy dhoma në Manastir ku do të pushojnë të ftuarit në pritje të fillimit të ceremonisë.
Kur kapërcejmë pragun e narteksit, teta Lusia më merr në krahë. Pastaj, të shoqëruara nga dhjaku, që tund temjanicën, i afrohemi igumenit. Pasi më shënon me vaj të bekuar, më ngre hopa e më zhyt tri herë në vaskën e mermertë të mbushur me ujë të bekuar.
– Të pagëzoj në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë!
– Amen! – përgjigjen të pranishmit në kor e bëjnë kryqin.
Igumeni më pret një tufë flokësh, që mami i fut në një zarf të vogël, e më jep kungimin e parë. Nuna më vesh fustanin e gjatë me dantella e më var në qafë një napoleon të florinjtë. Pastaj më dorëzon në duart e sime ëme.
– Ma dhe vajzën pagane, po ta kthej të krishterë, – reciton formulën e shenjtë, ndërsa xhaxhi Zahariani shuan qiririn dhe ia beson tim eti.
Moma, teta Ita e të ftuarit e tjerë më rrethojnë me përkëdheli. Të gjithë së bashku marrim pozën për foton-kujtim. Dreka është shtruar në oborrin e pasmë të Manastirit, nën hijen e qiparisëve e të ullinjve shekullorë. Vendi i shenjtë me gurin mrekullibërës është plot e përplot me besimtarë.
Shkurti famëkeq i vitit 1967 është ende larg…
©A.M. Postuar me shkurtime. Tregimin e plotë, së bashku me 22 rrëfime të tjera, e gjeni në përmbledhjen «Shtëpia te Selvia», Botime Çabej.