Brahim Avdyl Elezi u lind më 25 Mars të vitit 1954, në fshatin Luzhë. Një fshat i mirënjohur në Malësi për traditë, mikpritje, ndershmëri, bujari dhe trimëri.
Brahimi ishte djali i madh i Avdyl Elezit dhe Fetie Uke Hoxha. Ai u rrit në një familje dhe fis të nderuar ndër breza për cilësitë e tyre prej Malësorësh fisnik dhe të Besës.
Në vendlindje mori mësimet e para ku spikati si një nxënës me vullnet dhe dëshirë të fortë për tu arsimuar. Vështirësitë ekonomike të ekstremshme të asaj kohe nuk e penguan, perkundrazi e shtuan dëshirën e këtij të riu të përsosej dhe madje të zhvillonte dhe pasionin për futbollin ku Brahimi cilësohej si një nga lojtarët më të talentuar të ekipit të Valbonës.
Arsimin e mesëm e kreu në Shkollën e Mesme Ekonomike Bujqësore, Lezhë ku u vlerësua si një nxënës ekselent dhe i vetëmotivuar për tu rradhitur ndër të parët e paralelit të tij.
Regjimi i ashper tentoi të pengonte këtë talent të arrinte majat në zhvillimin personal profesional, por nuk ja doli, pasi Brahimi arriti të diplomohej si Ekonomist i Lartë në Fakultetin e Ekonomisë Tiranë me nota të shkëlqyera duke treguar edhe një herë një vendosmëri dhe vullnet të hekurt për persosjen e figurës profesionale të tij.
Ai krijoi familje duke u martuar me zonjën Xhbane Avdyl Hyka, me të cilën pati tre fëmijë.
Pas studimeve Brahimi i shërbeu administratës në disa pozicione ku mund të përmendim detyra të ndryshme si, Shef Finance pranë ish ndërmarrjes së riparim shërbimeve komunale të qytetit Bajram Curri, Hetues dhe Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Rrethit Tropoje, Shef Finance pranë Njësisë Administrative Nr.11 Tiranë dhe Kontabël i Miratuar. Gjatë gjithë karrierës së tij, Brahimi shfaqi një dëshirë të vazhdueshme për të mësuar dhe për të qënë i përditesuar me teknologjinë dhe kohën. Kështu vazhdimisht ai ka marrë pjesë në trajnime, kurse dhe seminare si “Ekspert Kontabel i Autorizuar pranë IEKA, Problemet praktike të kontabilitetit publik, Planifikimi strategjik në qeverisjen lokale, Zhvillimi ekonomik lokal dhe rajonal, Procedurat e Buxhetimit, Mbledhja e taksave, Probleme Praktike të Kontabilitetit Publik” e shumë të tjera.
Në Mars të 2019 ai mbylli me sukses 45 vite karriere në administratën e shtetit. Megjithatë ai vijoi punën si Kontabilist duke reflektuar energjinë që e karakterizoi deri në momentin e fundit të jetës së tij.
Cilësi të pamohueshme të tij ishin bujaria, humori, pozitiviteti dhe gatishmeria për të ndihmuar këdo që mundte. Një enciklopedi ishte mendja e tij. Enciklopedi prej se cilës rridhte informacion i detajuar për historinë, gjeografinë dhe brezat. Tavolina ishte përherë e hareshme dhe interesante kur pjesë e saj ishte dhe Brahimi. Ai i gëzohej gjithmonë jetës dhe merrte gjithmonë anën pozitive të vështirësive që kalonte duke treguar kështu për një karakter të forte.
I lidhur fort me rrënjët e tij, ai në mënyrë të shpeshtë merrte pjesë në çdo organizim që lidhej me qytetin e Tropojës apo fshatin e lindjes dhe takimet me miqtë dhe dashamirët ishin një kënaqësi e madhe për të.
Brahimi u nda nga jeta më 26 Janar 2024 pas problemeve shëndetësore duke lënë një hapsirë të zbrazet në zemrat e familjes dhe të miqve.
Pushoftë në Paqe shpirti i Brahimit!
Familja dhe dashamirët e kujtojnë me mall, dashuri, respekt dhe krenari!
NË LUZHË PO KËNDON BILBILI…
Kushtue Brahim Avdylit, Luzhë
Në Luzhë këndon bilbili,
Kangën e vet me pasion.
Burrë fisnik Brahim Avdyli,
Për jetë krenaria jonë.
Kullë besnike, shumë bujare,
E njohur kudo në Malësi.
Nevojtarëve u bani Çare,
Zemërbardhë, Shpirtin e ri.
Të parët burra atdhetarë,
Për Nderë, Besë e Trimëri.
Përherë ishin përparimtarë,
Burra Gashi, Zemër Flori.
Burrë i lartë me vlera,
Të gjithë e donin me Zemër.
I buzëqeshur për hera,
Daja për mirë ka lanë emër.
Burri ishte me Universitet,
Marshoi në rrugë të reja.
Në çdo punë arriti sukses,
Punonte si rrufeja.
Nga një Familje e nderuar,
Do të kujtohet për të mirë.
Nuk kemi për ta harruar,
Na plotësoi çdo dëshirë.
Ligjet e jetës të Egra,
Ja këputen jetën në mes.
Vepra jote nga e Drejta,
Gjithmonë me sukses,
Fjala jote ish’ plot shpresa.
Burrë i Urtë me Kulturë,
Për shoqëri ishte Model.
Para shokëve prinë Flamur.
Tropoja s’të harron kurrë,
Mbete shembull për çdo Brez.
Nuredin Sadik Lushaj.