LAMTUMIRË PAPA FRANÇESKO! Nga Elda Keci Novelli

Italia në zi për humbjen e Papa Françesko-s më 21 prill 2025. Ndërroi jetë në apartamentin e tij në moshën 88 vjeçare pas dymbëdhjetë vjet pontifikato, i zgjedhur më 13 mars të vitit 2013 si Papa i Kishës Katolike.
Bergoglio, një papa latino – amerikan, lindur në Argjentinë, por me origjinë italiane, nga Piemonte.
Lajmi solli një heshtje të madhe pasi askush nuk e priste në një ditë të veçantë për besimtarët, të Hënën e Pashkëve, pas përshëndetjes që i bëri të gjithëve në Sheshin San Pietro të Djelën e Pashkëve. Flamuj gjysmë shtize janë ulur në shenjë zie në shtetin fqinj. Papa Françesko lë gjurmë në historinë e njerëzimit. Me thjeshtësinë e tij ka fituar zemrat në mbarë botën që në momentin që u zgjodh Papa e zgjodhi emrin Françesko. Vinte nga Shkolla e Teologjisë së Popullit dhe mes popullit ishte deri në fund. Një Papa që është impenjuar në konfliktet që kanë pllakuar botën, ka qenë në krah të më të dobëve të shoqërisë, të të varfërve, të emigrantëve duke përcjellë gjithnjë mesazhe për paqe e dialog, që në këtë moment duket i vështirë, mesazhe shprese, gëzimi e lirie. Nuk u ndal me udhëtimet e tij në më shumë se 66 vende të botës, një ndër to dhe në Shqipëri, më 21 shtator 2014, duke na dhënë për të kuptuar se çdo vend e popull, qoftë i vogël, është i rëndësishëm. Një figurë e rëndësishme, revolucionar në krahasim me papët e tjerë, një pikë referimi për botën ekleziaste, por edhe për politikën, ekonominë, etj. Na mësoi për të patur një vizion global e duke mos humbur shpresën. “Shpresa nuk zhgënjen” – ishte mesazhi i Bergoglio-s në takimin me të burgosurit në burgun roman. Mesazhet e tij ishin edhe për atë që nuk kishte besim.
Edhe pse me vështirësi të gjendjes shëndetësore mesazhi i Papa Françesko-s ishte dhe do të mbetet për paqe e bekime.