Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të dalë nga koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.
Vendimi vjen pasi kryeministri Albin Kurti vendosi që të shkarkojë Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Kryetari Isa Mustafa, në një konferencë për mediat pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, ka thënë se pas zhvillimeve të fundit në skenën politike në Kosovë, LDK-ja do të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Mustafa është shprehur:
“Patem mbledhjen e kryesisë, trajtuam situatën aktuale në vendin tonë shkaktuar nga rrezikimi i prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në, si rezultat i mos heqjes së tarifës edhe pse kërkuan pareshtur si aleati yni. Gjithashtu e trajtuam edhe problemin që sot ka lind me shkarkimin në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje të ministrit Veliu. Sot në mbledhje e diskutuam dhe kemi vendosur që LDK të iniciojë mocionin e mosbesimit për të rrëzuar Qeverinë Kurti.”
Kreu i LDK u shpreh se Kurti nuk respektoi marrëveshjen e koalicionit duke mos u konsultuar fare me kryetarin e partisë në koalicion për ta shkarkuar një ministër të saj.
Më tej, ai shtoi:
“Unë dëshiroj t’iu them se më 12 të këtij muaji e kam takuar Kurtin se bashku me kryeparlamentaren Osmanin dhe zv/kryeministrin Hoti dhe kam kërkuar nga ai që të heqë tarifën pa kushte siç e kërkon SHBA-ja, sepse rrezikimi i marrëdhënieve nuk është në dobi të vendit tonë për shkak të një tarife të cilën nuk e ka vënë as LDK-ja as Vetëvendosja. Kam dhënë arsyet tona ne si LDK, është miqësia e përhershme me SHBA’në dhe ne nuk mund ta cenojmë identitetin tonë politik dhe as bashkëpunimin tonë me vendin që na ka ndihmuar ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Nuk kam pasur ndonjë përgjigje pozitive, meqenëse më 15 ka kaluar afati që Kurti ta heqë tarifën. Kam konsultuar bashkëpunëtoret e mi në LDK, i kam shkruar Kurtit që të ndërmerr veprimet deri në fund të kësaj jave ta heqë tarifën. Rrezikimi i raporteve me SHBA-në nënkupton rrezikimin e investimeve me 200 milionë dollarë.”