Të nderuar Bashkëkombas dhe Bashkëqytetarë shqiptarë, media, miq të letrave, si dhe miq të mi!
E gjithë bota po kalon një periudhë të vështirë, e cila ngjason me një luftë të ashpër dhe me një armik të rrezikshëm, me koronavirusin vdekjeprurës. Kjo betejë ka ndryshim me luftërat botërore që ka përjetuar njerëzimi, pasi armiku ka qenë përballë dhe shtetet kanë ditur të mbrohen. Kurse tani jemi në një situatë shumë më të vështirë sepse kemi përballë një armik të padukshëm që duhet ta luftojmë me durim dhe shumë korrektësi.
Veç karantinës, kujdesit higjenik, kufizimit të daljes dhe takimeve publike, gjithë qytetarët në këtë periudhë të vështirë, kanë nevojë për shpresë.
Natyrisht që mediat do të bëjnë punën e tyre me statistikat në lidhje me të infektuarit apo të atyre që kanë humbur jetën, sepse kjo i bënë njerëzit më të kujdesshsëm në zbatimin e rregullave dhe udhëzimeve të dhëna nga Institucionet shëndetësore.
Megjithëse Qeveria Shqiptare e kapi shpejt situatën duke marrë masat e ka dhënë udhëzimet e duhura, porse edhe këtu po përhapet virusi, ndonëse me ritme më të ngadalta krahasuar me Italinë fqinje. Media duhet të kenë kujdes që të mos ndjellin panik. Gjithashtu qytetarët nuk duhet t’i pushtojë paniku, nga fika se një ditë mund të preken prej virusit. Paniku nuk është në favor të luftës që duhet të bëjmë me virusin, por është kundër, sepse na çorienton dhe nuk jemi në gjendje t’i bëjmë familjes dhe vetes shërbimet e duhura. Gjakfohtësia në çaste të vështira është mikja më e mirë e çdo personi. Ju lutem, ruani qetësinë që të mos humbisni gjykimin!
Një vlerësim, falënderim dhe mirënjohje të veçantë e shpreh për Bluzat e Bardha, të cilat po përleshen me koronavirusin, një armik që nuk pyet për jetë njerëzore!
Miq të nderuar, kurrë mos e humbisni shpresën se ajo vdes e fundit!
Zbatoni këshillat dhe do të jeni të fituar!
Të gjithë së bashku le t’i lutemi Zotit me dëshirën dhe dashurinë humane që t’i japë fund këtij armiku të pabesë.
Mikja juaj e të të njëjtit hall!
Vilhelme Vrana Haxhiraj, shkrimtare vlonjate, “Mjeshtre e Madhe e Penës” &Akademike.
Vlorë,20.3.2020