Mirela Leka Xhava, Francë : JU IKNI PA NA FOLUR PËR VJESHTËN… POEZI

VERË ISHTE DJE

(Pak frymë nga Baudelaire)

 

Verë ishte dje, sot vjeshtë e parë shkeli pragun e stinës

Të nesërmen e një nate gushti me yje që bien

Zogjtë çukisin thërmiat  mbetur nga banketi

i festës

Të  tjerë larg ikin para se të vijë dimri.

 

Verë ishte dje, sot mbrëmja  zbret me shpejt

Të  tjere do te ulen, për të rindezur qirinjtë e shpresës.

 

 

2

 

VJESHTA

 

Bëj një hap, dy, tre, për të hyrë në një stinë tjetër.

Jashtë, këtu jashtë, filloi shiu i ditës së parë të vjeshtës

dhe sigurisht i fundverës.

U hapën ombrellat e përgjumura të lulediellta

për të dëgjuar sërish simfoninë e shiut.

 

Tek-tuk, bashkë me erën, gjethet e para fluturojnë qiellit

e të tjera rrëzohen

duke u kthyer në lajmëtare ëndrrash

për ata që rrinë të heshtur pas dritareve.

 

Dita e parë e vjeshtës mban aromën e tokës

dhe toka gjithashtu mban aromën e jetës.

Cicërima zogjsh nën strehën e lagur

dhe hapa që nxitojnë ngjyrave të zverdhura.

 

 

3

KY SHIU I VJESHTËS

 

Hedh hapat udhëtimit të tij të gjatë

Kujdesshëm, shtruar, ngadalë

Si një plak i mençur vjeshtës së tij

Bën bilançin e ditëve, netëve, stinëve.

 

Asnjëra e njëjtë, njësoj të gjitha.

Një jetë, një lumë, një oqean

shtratit të tij, ka lënë pantoflat

Shtruar ky shiu i vjeshtës e ka marrë…

 

 

4

 

SEKUENCË VJESHTE

 

Në një ditë si kjo, lumi rrjedh shtratit

të vjeshtës

Gjethet, pikturuar me diell, si varka të vogla

rrëshqasin mbi ujë

Vezullimet e kristalta reflektojnë në

mijera pasqyra yjesh

Magjinë e një stine që përshëndet ikjen  e

dallëndyshes  së fundit…

 

 

5

 

KY SHI VJESHTE

 (Panoramë stine)

 

Ky shi vjeshte gjerbon mbi çatitë e vjetra

ku myshku aty-këtu shfaqet si hartë demografike

e shpalos diaporama historish të gdhendura,

ende pa u fshirë.

 

Zogjtë fillojnë të ndërrojnë shtëpitë si qeraxhinj stinorë

Qiejt e lagur sjellin të ftohtin e radhës

u harruan ylberet me diellin në lojën e të fshehurit

ndonjeherë nxjerr kryet pas një reje,

e ikën me hijen e mungesës në perëndim.

 

Era fishkëllen pas dere natën e korbit

e macet jashtë mjaullijnë.

 

Vjeshta, kjo piktore e ngjyrave portokallli

na hedh krahëve shallin e ngrohtë të melankolisë.

 

 

6

 

LETRAT E VJESHTËS

 

Poezitë flenë e zgjohen në papiruse shekujsh,

pluhurosur e shpluhurosur rafteve të bibliotekave

diku gërricur nga brejtës,

diku një gërmë fshirë prej lotit,

diku një tym cigare mbetur paragrafeve…

 

Poezitë e sharmit,

vargjet e Ovide, Khajam, Baudelaire…

zërat e shuar në përshpirtjen e Echos,

kyçur në postën e letrave të vjeshtës.

 

 

7

 

VARGJE MBI QELQ

 

Perdet e shiut pështjellin butësisht dritaren

Mbi avullin e ngrohtë nis e shkruaj ca vargje

Çuditërisht jo për shiun,

as vjeshtën e melankolisë

Por për diellin lutje si në ritet pagane.

 

Dikur avulli nis të thahet ashtu pak nga pak

Gërmat zhduken sikur kurrë të mos qenë shkruar

E desha diellin të ma ngrohte ditën vetëm pak

Mbi qelq gishtërinjtë lanë gjurmë të kohës së shkuar.

 

 

8

 

JU IKNI PA NA FOLUR PËR VJESHTËN…

 

Me ju ikin përrallat dhe magjia fëmijërisë

kuverta bie mbi dysheme

tërhequr nga monstrat fantazmat e natës

ku sy nuk do të mbyllim asnjëherë.

 

Pa ju kurorat e lule margaritës thahen

me pëshpëritjet tona sekrete dhe rrëfimet e gjysheve.

 

Pas jush lulet e limonit i merr era,

frutat zverdhen prej rrezeve lënë nga zemra.

 

Ju ikni pa na folur për vjeshtën…

 

 

@Mirela Leka Xhava

Francë