Grenell: Shkëmbimi i territoreve Kosovë – Serbi, nuk është një opsion


Ambasadori Richard Grenell i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, tha në një intervistë për televizionin T7 në Prishtinë se shkëmbim i territoreve nuk është diskutuar kurrë në praninë e tij dhe nuk pa parë ndonjë marrëveshje të fshehtë për këtë çështje.

Ambasadori Grenell, ritheksoi kërkesën për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, të cilën tha ai, e ka shtruar në të gjitha takimet që ka zhvilluar me udhëheqësit e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara, e kemi pasur një qëndrim për një kohë të gjatë se tarifa prej 100 për qind që është zbatuar para z. (Albin) Kurti, ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti. Kjo është një politikë afatgjate, kjo është diçka që ia kemi komunikuar secilit udhëheqës para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve dhe të jem i sinqertë, ne e kemi pasur zotimin nga të gjithë para zgjedhjeve se ata do të përkushtohen për heqjen e tarifave”.

Ai tha se këtë zotim e kishte marrë edhe nga zoti Kurti.

“Njëqind për qind po. Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do t’i heqin tarifat”, tha ai.

Në fund të muajit shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se synon heqjen e kushtëzuar të tarifave, duke i zëvendësuar ato me masa të reciprocitetit të plotë, ndërsa më 20 mars i hoqi ato për prodhimet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja.

Por, një masë e tillë qe vlerësuar “masë gjysmake” nga Shtetet e Bashkuara që kërkojnë heqjen e plotë të tyre.

Partneri qeverisës i lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat të hiqen në tërësi sipas kërkesës amerikane. Mospajtimet brenda koalicionit qeverisës kulmuan me shkarkimin e ish ministrit të Brendshëm nga radhët e LDK-së dhe të mërkurën, parlamenti miratoi një mocion të kësaj partie për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Përgjatë debatit të së mërkurës në parlamentin e Kosovës, kryeministri Kurti u shpreh i bindur se “ka marrëveshje të gatshme”, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkëmbim territoresh.

Të enjten në një deklaratë të përbashkët, ambasadori Grenell, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, theksuan se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se bisedimet ndërmjet të dyja vendeve duhet të çojnë në njohje të ndërsjellë.

Ambasadori Grenell ritheksoi në intervistën me televizionin T7 se nuk është diskutuar ndonjëherë për këtë çështje.

“Kurrë. Kurrë nuk është ngritur si çështje në praninë time dhe siç thashë, kjo nuk është diçka që e kam parë ose që është folur për të dhe meqë ra fjala, më lejoni të jem shumë i qartë. E kam thënë këtë më parë. E kemi thënë këtë në twitter, kemi lëshuar deklarata për medie, kur ato kanë kërkuar. Kjo nuk është hera e parë që kemi qenë të qartë se këto thashetheme janë thjesht kaq, janë thashetheme. E kemi thënë këtë qe një kohë, por disa po zgjedhin të mos e besojnë dhe kjo nuk na përket neve. Ne vetëm mund të vazhdojmë t’i deklarojmë ato që i dimë se janë fakte dhe fakti është se unë kurrë nuk e kam parë atë (marrëveshjen sekrete) dhe kurrë nuk është diskutuar, thjesht nuk është opsion”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here