Studiuesi dhe publicisti lazëratas Ali Llagatura sjell librin, “Lazërati – Folklor & Traditë, një vepër që flet me zërin e brezave”

Promovimi i librit, u organizua nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Lazërati”, Dega Tiranë

 

 

“Ky botim pason një sërë veprash të mëparshme me karakter historik e kulturor për Lazëratin, si: “Lazërati, realitet apo politikë”, “Çeta e Çerçiz Topullit dhe Lazërati”, “Disa gra të shquara arbërore”, “Lazërati ndër vite” (me bashkautor Prof. Inxh. Halil Hallaҫi), të cilat përbëjnë një kontribut të çmuar në evidentimin e historisë dhe kulturës lazëratase”.

Nga Rudina Gaba

 

Në një kohë kur trashëgimia kulturore rrezikon të zbehet nën ritmet e shpejta dhe shpesh marramendëse të jetës moderne, botimi i librit të studiuesit dhe publicistit lazëratas Ali Llagatura, “Lazërati – Folklor & Traditë”, vjen si një akt dashurie dhe përgjegjësie ndaj kujtesës kolektive, duke u shndërruar në një gur themeli për ruajtjen dhe dokumentimin e identitetit shpirtëror të komunitetit lazëratas. Ky botim pason një sërë veprash të mëparshme me karakter historik e kulturor për Lazëratin, si: “Lazërati, realitet apo politikë”, “Çeta e Çerçiz Topullit dhe Lazërati”, “Disa gra të shquara arbërore”, “Lazërati ndër vite” (me bashkautor Prof. Inxh. Halil Hallaҫi), të cilat përbëjnë një kontribut të çmuar në evidentimin e historisë dhe kulturës lazëratase.

Promovimi i librit, i organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Lazërati”, Dega Tiranë, u shndërrua në një mbrëmje të veçantë emocionesh dhe kujtese, ku bashkëfshatarë me banim në kryeqytet u mblodhën për të ndarë jo vetëm një libër, por edhe një ndjenjë të përbashkët përkatësie dhe krenarie. Aktiviteti u ndriçua nga prania e personaliteteve të njohura të jetës akademike e kulturore, si shkrimtari i shquar, akademiku Iliaz Bobaj, poeteshat Vllasova Musta, Lola Shehi dhe Yllka Mërkuri, studiuesi Pertef Gaba, përfaqësues të shtëpive botuese “Ada” dhe “Media Print”, si dhe miq e të afërm të autorit, etj.

Siç u theksua edhe gjatë promovimit, libri shpalos me përkushtim dhe ndjeshmëri një pasqyrë të gjerë të folklorit, këngës dhe traditës, duke i dhënë Lazëratit vendin që i takon në mozaikun e kulturës kombëtare dhe duke dëshmuar forcën, qëndrueshmërinë dhe pasurinë shpirtërore të këtij komuniteti autokton, me rrënjë të thella historike e kulturore.

Në analizën e tij, studiuesi Pertef Gaba e trajtoi veprën si një arkivë të gjallë të kujtesës kolektive, një “muze në lëvizje”, ku tradita nuk mbetet e ngrirë në të shkuarën, por jeton dhe bëhet pjesë aktive e identitetit kulturor bashkëkohor. Ai theksoi vlerat e jashtëzakonshme dokumentuese, kulturore dhe identitare të librit, jo vetëm për Lazëratin, por për gjithë trashëgiminë folklorike shqiptare. Z. Gaba nënvizoi se në faqet e librit frymojnë njerëz që i kanë bërë nder Lazëratit, dëgjohen zëra që kujtesa e Sopotit i mban ende gjallë, përshkruhen jehona historike që shtrihen nga Janina e largët deri në malet e Labërisë dhe ndihet isoja e këngëve që kanë kaluar brez pas brezi. Herë me dhimbje e trishtim, herë me gëzim e ngadhënjim, këto këngë dëshmojnë një rrugëtim sfidues, ku Lazërati ka ditur të mbijetojë, i ndërtuar mbi rrënjë të forta si guri, por me një shpirt të butë, të ndjeshëm dhe paqësor, ashtu si vetë simbolika poetike e shkrimtarit te shquar, akademikut Iliaz Bobaj: “dhe një gur nga Lazërati s’e ndërroj as me gjithë botën”, nëpërmjet së cilës e bën të pazgjidhshme lidhjen mes gurit dhe karakterit, qëndrueshmërisë, moralit e dinjitetit lazëratas.

  1. Pertef Gaba thekson se këngët shumëzërëshe dhe tradita lazëratase, ndonëse pjesë e pasurisë folklorike labe, kanë individualitetin e tyre, duke u dalluar për thellësinë e përmbajtjes, harmoninë e zërave dhe mënyrën karakteristike të interpretimit, elemente këto të vlerësuara edhe nga studiues të shquar të folklorit shqiptar, si: Zihni Sako, Ramadan Sokoli, Naxhi Kacaruho, Tomor Lelo, Roland Cenko dhe veçanërisht nga poeti dhe këngëtari piluriot Polo Çipa.

Duke e cilësuar këngën lazëratase si një “Everest” shpirtëror, Z. Gaba vuri në dukje se prania e disa grupeve te  këngës shumëzërëshe dhe ringjallja e veshjeve tradicionale popullore, janë dëshmi se tradita vazhdon të jetojë dhe të përcillet në breza me dinjitet.

Shkrimtari i shquar dhe akademiku Iliaz Bobaj shprehu mirënjohje për punën disavjeçare dhe pasionin e studiuesit Ali Llagatura, duke theksuar se kjo vepër i jep zë kujtesës historike të Lazëratit dhe se janë pikërisht vepra të tilla që e çojnë një komunitet drejt së ardhmes. Ai nënvizoi nevojën që këto vlera të kenë vazhdimësi, veçanërisht përmes përfshirjes së shkollave, të cilat duhet të shndërrohen në vatër të gjallë për mbledhjen dhe ruajtjen e folklorit, si dhe vuri në dukje kontributin e pazëvendësueshëm të Lazëratit në trashëgiminë kombëtare shqiptare.

Akademiku Iliaz Bobaj vuri në dukje se popujt e tjerë kanë ndërtuar pjesën më të ndritur të historisë dhe traditës së tyre duke u mbështetur në folklor. Po ashtu, Shqipëria është ndër vendet me folklorin më të bukur në botë, dhe brenda kësaj pasurie, Lazërati ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm, sepse kultura jonë është një thesar vendor dhe kombëtar, nga i cili nuk duhet të humbasë asnjë grime. Afërsinë e Lazëratit me Gjirokastrën, Z. Bobaj e cilësoi një bekim dhe një mundësi për zhvillimin e kulturës përmes bashkëpunimit. Ashtu si kënga shumëzëreshe gjirokastrite, edhe kënga lazëratase është një mrekulli më vete: si dy maja afër njëra-tjetrës në hapësirë, por të veçanta në identitet, dy maja që nuk mund të bashkohen, por vetëm lartësohen. Përmes vargut të tij poetik, “Në valle kur rrahim këmbën, mali dridhet si purtekë”, Z. Bobaj theksoi forcën, unitetin dhe lidhjen e pazgjidhshme të lazëratasve me vendlindjen e tyre e në këtë vijë uniteti dhe lidhjeje të fortë duhet të kontribuojmë për të lartëruar dhe pasuruar vlerat e Lazëratit.

Në fjalën e saj, poetesha e shquar gjirokastrite Vllasova Musta dhe njëkohësisht mikeshë e Lazëratit, shprehu kënaqësinë që u bë pjesë e këtij promovimi dhe theksoi se, edhe pse personalisht nuk ka pasur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Lazëratin, gjatë jetës ndoshta era e Sopotit e ka flladitur, duke e mbajtur gjithmonë në raporte te tilla miqësore me lazëratasit. Ajo vlerësoi tematikën e zgjedhur dhe punën e palodhur të autorit, duke e cilësuar librin si një pyllnajë ku dëgjohen cicerimat, tingujt e valleve, ku ka hare e gëzim, ku ka lot e ku ka edhe qirinj që ndizen për të dashurit e ikur nga kjo jetë, si një botë të gjallë emocionesh, kujtimesh dhe portretesh që ndriçojnë dhe do t’u përcillen brezave si dritësim, si dëshmi e një trashëgimie të pasur shpirtërore.

Në përmbyllje të promovimit, autori i librit, studiuesi Ali Llagatura, në fjalën e tij shprehu mirënjohje të veçantë për krijuesit popullorë lazëratas, por edhe për ata që e ruajtën dhe përcollën këtë pasuri brez pas brezi. Udhëtimin nëpërmjet këtij libri ai e interpretoi në dy forma: njëri në histori dhe tjetri në lëndinën e shpirtit lazëratas. Gjithë punën disavjeçare për librin e quajti si një obligim moral e shpirtëror ndaj vendlindjes, që duhet ta ndiejë çdo lazëratas. Jo pa qëllim, këtë libër e konsideroi si një fillesë, si një portë të hapur për studime të mëtejshme mbi kulturën, traditat, gjuhën dhe folklorin lazëratas. Aty mund të hyjë secili që ka mundësi dhe informacion, ta pasurojë dhe ta përcjellë në brezat e ardhshëm, në zemrat e të cilëve duhet të ketë gjithmonë një dhomëz të vogël për Lazëratin, për vendin e të parëve. Si një thirrje për brezat e rinj, Z. Ali Llagatura theksoi se nuk duhet të anashkalohet kurrsesi fakti se Lazërati, në periudha të ndryshme historike, ka mbi 24 dëshmorë të rënë për lirinë e Shqipërisë, për të cilët jemi borxhlinj dhe ndaj duhet t’u japim nderimin që meritojnë.

Autori u shpreh gjithashtu se në këtë libër ka përfshirë edhe krijime të disa autorëve jo lazëratas, të cilët nëpërmjet tyre tregojnë jo vetëm dashamirësinë, por edhe vlerësimin për Lazëratin. Përfshirjen e këtyre krijimeve në librin e tij e konsideron si një shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ta, pasi, siç citon edhe vetë: “Miqtë e vërtetë është e vështirë t’i gjesh, shumë e vështirë t’i lësh të shkojnë dhe e pamundur t’i harrosh”.

E kështu, mes miqsh e dashamirësish, aktiviteti u përjetua jo thjesht si një ceremoni promovimi, por si një hapësirë e gjallë dialogu mes veprës dhe komunitetit që ajo përfaqëson. Ai dëshmoi se këto iniciativa janë një mision që duhet të vijojë ndër breza, ku secili lazëratas ka detyrimin të kontribuojë për rikthimin e kujtesës kolektive dhe shpalosjen e kulturës dhe historisë së Lazëratit, si një trashëgimi që i përket jo vetëm së shkuarës, por edhe të ardhmes sonë të përbashkët.