Përshëndes zgjedhjen e Dr. Mujo Buçpapaj si Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë!
Është një zgjedhje e duhur, si dhe një organizim dhe mbështetje e nevojshme për të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë.
Vlerat e Dr. Mujo Buçpapaj janë të njohura nga publiku dhe nga vetë shkrimtarët dhe artistët, si për krijimtarinë e tij të pasur letrare artistike, të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu dhe për drejtimin nga ana e tij të gazetës së mirënjohur NACIONAL, e cila në vitet e botimit të saj dhe në të gjithë numrat e saj ka qenë dhe është një tribunë e gjallë dhe aktive e poetëve, shkrimtarëve studiuesve, gjuhëtarëve, kritikëve, publicistëve, e artistëve të fushave të muzikës, pikturës, skulpturës, arkitekturës, folklorit, ashtu dhe e traditave të vyera e atdhetare të popullit tonë. NACIONAL është shndërruar prej vitesh në një kuvend shkrimor e artistik, një kuvend i letërsisë, kulturës dhe arteve mbarë shqiptare, nxitëse, mbështetëse dhe zhvilluese e traditave më të mira shqiptare. Vlerat e saj janë të shumta dhe të gjithanshme dhe, në krye të saj, ka qenë dhe është Dr. Mujo Buçpapaj, të cilin kemi nderin ta kemi sot Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë.
Si në çdo vend tjetër të botës edhe në Shqipëri shkrimtarët dhe artistët e kishin të nevojshëm këtë organizim dhe tashmë që e kemi, të bashkohemi dhe të ndihmojmë në fuqizimin, organizimin dhe mbështetjen e kësaj Lidhjeje me rëndësi kombëtare.
Letërsia shqipe është e pasur dhe ka shumë penda të çmuara, si ato të hershme, që kur u bë e njohur gjuha e shenjtë shqipe, në periudhën e Mesjetës dhe të Rilindjes Kombëtare, në fillim shekullin e XX me shpalljen e Pavarësisë, por edhe gjatë gjithë shekullit dhe të këtij filli shekulli, ku penat shqiptare nuk kanë reshtur së punuari duke pasqyruar në letërsi dhe arte shpirtin atdhetar shqiptar, historinë, mitologjinë, legjendat, folklorin, kulturën, artet e llojllojshme, traditat e vyera të popullit tonë në shekuj dhe gjithçka që lidhet me lirinë, pavarësinë, atdhedashurinë dhe zhvillimet demokratike të Shqipërisë.
Urime Dr. Mujo Buçpapaj, për kryerjen me sukses të kësaj detyre të rëndësishme kulturore, letrare, artistike dhe atdhetare!
Me respekt
Viron Kona
Tiranë, më 21 maj 2026


















