Në këtë intervistë për Nacional, Agim Memia rrëfen me qetësi dhe pa urrejtje vitet e fëmijërisë në Mejdan e Tropojë, burgosjen e të atit, Avdyl Hamez Ukshinit, vuajtjet dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme të familjes, si edhe kujtesën e çmuar historike të një dere të lidhur me ngjarje dhe figura të rëndësishme të historisë kombëtare. Përmes kujtimeve të tij, shpaloset jo vetëm drama e një familjeje të përndjekur, por edhe qëndresa morale e njerëzve që, mes vuajtjeve, nuk humbën besimin, nderin dhe dashurinë për atdheun.
Përpara rrëfimit të tij, vlen të thuhet se jeta e Agim Memisë përmbledh në vetvete dramën e një brezi që u përball me padrejtësitë e diktaturës, por që nuk lejoi të mposhtej nga to. Pasardhës i derës së njohur të Hamez Ukshinit, me rrënjë të thella në historinë dhe traditat e Malësisë së Gjakovës, ai mbart kujtimet e një familjeje që kontribuoi në çështjen kombëtare, por që më pas u godit rëndë nga regjimi komunist. I lindur me prirje të jashtëzakonshme për mësim, ai e kuptoi që në fëmijëri se talenti dhe përkushtimi nuk mjaftonin në një kohë kur biografia familjare mund të shndërrohej në dënim të përjetshëm.
Intervistoi: Mujë Buçpapaj
– Zoti Agim Memia, ku i keni fillesat e jetës dhe të shkollimit?
– Filloren e kam kryer në Vicidol. Kam pasur mësues të nderuar si Zyl Berisha, Raz Berisha, Nezir Meta dhe Idriz Çela. Kam qenë nxënës i shkëlqyer, me të gjitha notat dhjeta. Kisha një kujtesë të jashtëzakonshme. E mbaj mend edhe sot nënën time, rahmet pastë, kur i tregoja përmbajtjen e librave fjalë për fjalë, pa harruar as pikat e presjet. Vetëm më vonë e kuptova se pse ajo më shikonte me mall e me dhembje. E dinte se koha nuk falte.
– Tetëvjeçaren e vazhduat në Tropojë?
– Po. Në ditën e dytë të shkollës, mësuesi i historisë shpjegoi mësimin dhe tha se kush do ta tregonte mirë do të merrte dhjetën. Kur erdhi radha ime, e tregova pothuajse fjalë për fjalë. Mirëpo, në vend të vlerësimit mora notën negative. Atëherë nuk e kuptova, por më vonë e mora vesh se biografia ime ishte pengesa kryesore. Babai im ishte i burgosur politik. Që nga ajo ditë humba besimin se mund të vazhdoja shkollën e lartë, pavarësisht se sa mirë mësoja.
– Si i kujtoni vitet e shkolles se mesme në Tropojë?
– Kam pasur drejtorë si Selim Berisha, Hasan Meta, Zoj Mala, Muharrem Kuçana dhe Sokol Berisha. Një ngjarje nuk do ta harroj kurrë. Rastësisht u dëmtua edhe fotografia e Enver Hoxhës dhe fajin desh ma ngarkuan mua. Drejtori Muharrem Kuçana tregoi burrëri të rrallë. Ai nuk lejoi që një ngjarje e tillë të shndërrohej në tragjedi për një djalë me biografi të keqe. Burrërinë e tij do ta kujtoj sa të jem gjallë.
– Babai juaj, Avdyl Hamez Ukshini, kishte një histori të veçantë?
– Po. Babai im, bashkë me gjyshin Hamez Ukshini, xhaxhain Mehmet dhe vëllanë Miftar, morën pjesë në luftimet për çlirimin e trojeve shqiptare në Kosovë. Babai u plagos në qafë dhe plumbi i mbeti në trup. Kur u kthye në shtëpi, gjyshi im Hamza i tha: “Me hajër plaga!”. Kjo ishte filozofia e burrave të asaj kohe.
– Më pas ai shërbeu në ushtri?
– Po. Në vitin 1948 u dekorua për trimëri, pasi mori pjesë në asgjësimin e sulmit të armatosur grek. Mirëpo, pak ditë para lirimit nga ushtria ndodhi arratisja e pesë oficerëve dhe thyerja e depove ushtarake. Babai kishte paralajmëruar komandën se depot nuk duhej të mbeteshin pa roje, por askush nuk e dëgjoi. Për të mbuluar përgjegjësitë e eprorëve, arrestuan edhe babanë tim.
– Çfarë ju ka treguar ai për hetuesinë?
– Ishte një ferr i vërtetë. E mbanin të lidhur e të varur, pa ujë dhe pa bukë. Shumë të rinj pranonin akuza të paqena vetëm për t’u shpëtuar torturave. Por babai im nuk u dorëzua kurrë. U thoshte hetuesve: “Armik i komunizmit jam deri në vdekje, por jo i popullit tim dhe i Shqipërisë”. Fillimisht e dënuan me pushkatim, më pas me pesëmbëdhjetë vjet burg dhe në fund me tetë vjet heqje lirie.
– A vazhdoi përsekutimi edhe pas burgut?
– Po. Familja jonë jetoi për dekada nën mbikëqyrje. Më vonë, një ish-ushtar i zbulimit më tregoi se shtëpia jonë ruhej vazhdimisht dhe se kishin urdhër të na ndiqnin në rast arratisjeje. Kur ma tha, i thashë me shaka se paska qenë babai im aq i rrezikshëm, sa regjimi e ruante me roje si të ishte vetë Enver Hoxha.
– Familja juaj lidhet edhe me emrin e Idriz Seferit?
– Po. Këtë histori ma ka treguar babai. Gjyshi im Hamza Ukshini kishte miqësi me familje nga Juniku. Kur Idriz Seferi u plagos, e sollën fshehurazi në Mejdan. Gjyshi im e strehoi, e mjekoi me ndihmën e mjekëve popullorë dhe e mbajti për muaj të tërë derisa u shërua. Më pas e përcolli drejt Malit të Zi. Më vonë, vetë Idriz Seferi e kishte lënë me shkrim këtë ngjarje. Por për shkak të biografisë së familjes sonë, kjo histori mbeti në heshtje.
– Po ju vetë, pas shkollës së mesme?
– Mbarova klasën e dhjetë, bëra ushtrinë, më pas kursin e shoferit dhe vazhdova dy vjet shkollë nate. Edhe aty më ndiqte hija e biografisë. Megjithatë, nuk u dorëzova kurrë.
– Çfarë mendoni sot për të gjitha këto vuajtje?
– Nuk kam urrejtje. Kam vuajtur, por nuk jam përkulur. Demokracia u dha fëmijëve të mi mundësinë të shkollohen dhe të ndërtojnë jetën e tyre. Kjo është fitorja ime më e madhe.
– Cili është mesazhi juaj për brezat e rinj?
– Të mos harrojnë se liria dhe dinjiteti kanë çmim. Ne kemi kaluar vuajtje të mëdha, por nuk e humbëm besimin, nderin dhe dashurinë për atdheun. Kjo është trashëgimia më e çmuar që kemi marrë nga të parët tanë.


















