Bedri Çoku: Vdekja     e    Dallëndyshes  së  Burrelit…..Tregim

 

Trtegim nga Bedri Çoku

 

Dita më e gëzueshme për të burgosurit politikë të burgut të  Burrelit,  në diktaturën komuniste,  ishte  dita e   Marsit, kur   në qelinë e tyre, pa pritur  dëgjoheshin  cicërimat   e dallëndysheve të para …..Sepse bashkë  me to vinte  aroma  e pranverës, cicërimat e jetës së lirë, vinte vrulli i fuqisë  qiellore,    pse jo dhe  i dashurisë  njerëzore…

E ndërtonin folenë  brenda në qeli dhe çfarë tjetër më e gëzueshme  e   njerëzore se kjo  ishte për ata,   që   vite e vite mes katër mureve dëshironin të shikonin   qenie  ndryshe, që të mos   trembeshin  prej tyre,  që të mos i  përçmonin pse ndodheshin  në atë vend të mallkuar…

Se, kur  vinin ato, njerëzit  uronin me gjithë shpirt  njeri- tjetrin :

“ Qoftë viti i lirisë  e i çlirimit të Shqipërisë !”

As festat e Bajramit e të Pashkëve, as festa e Pavarësisë   nuk sillnin gëzimin  e shpresën  për të burgosurit  e etur për liri e demokraci, siç ua sillnin ato, dallëndyshet e para….

Nga ajo ditë   fillonte jeta, ëndrra dhe ata, të burgosurit, të ngeshëm deri në çmenduri, mbështeteshin  në kurriz,  duke  vrojtuar  orë të tëra, net  të tëra, ditë e javë të tëra,  si fillonte dhe ndërtohej çerdhja  e bukur, nga çifti i zellshëm i familjes së ardhshme….se si ata, prindërit, ndërronin njeri – tjetrin për të ushqyer dhe  ngrohur  të vegjlit e tyre, si vigjilonin për të mbrojtur shtëpinë  e pasurinë  ….si grindshin  e pajtoheshin  për  fëmijët    që cicërinin për të ngrënë …Dhe kjo ishte gjithçka që  u mungonte njerëzve të ngujuar nën tavanin e betonuar  ushtarakisht : familja, fëmija, puna dhe sakrifica për të ndërtuar të ardhmen e tyre…..

Por,  një ditë  e një herë,  çuditërisht  ra në krevatin e një të burgosuri  i “vogëli” i folesë….

“Oh, ç’fatkeqësi !”

Sepse askush s’ mund ta rikthente në folenë  e vet…tek  e ëma …tek vëllezërit e motrat e veta,  në kushtet e atij burgu të tmerrshëm komunist….

Mjerisht, si do të jetonte “ i vogëli”  aty, poshtë,  me fatkeqit, me  njerëzit e dënuar për të qenë të   mbyllur   vite e vite, pambarim…

Por, jo !

Më i moshuari dhe  njeriu më  autoritar i dhomës, dom Nikoll  Mazreku, urdhëroi :

“Zogthin  e  vogël do ta    quajmë  “Princ i Lirisë“, me status : “  I pavdekshëmi”!…. I cili  do të jetojë e  do të rritet  që të jetë  përsëri i lirë në qiellin e pamat, edhe  pse një dorë e padukshme e ka sjell këtu,  poshtë….me ne, të burgosurit pa liri. !”

Vendimi tjetër ishte ky :

“ Të gjithë të burgosurit  e   qelive, pa dallim feje, krahine dhe ideje, të gjithë për një qëllim : të shpëtojmë “Princin e Lirisë”, duke grumbulluar çdo minutë, çdo orë,   çdo ditë …miza, insekte dhe çdo gjë tjetër që është e dobishme për të ushqyer të “Pavdekshmin”, i cili, si një ogur i mirë, erdhi    nga foleja e tij   në dorën tonë….”

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë !

“Vdekja e Tradhtarëve, liria e Shqiptarëve !”

Ai rrinte me të gjithë, lozte me të gjithë,  hante me të gjithë, flinte me të gjithë….rritej me të gjithë. Edhe në ajrosje dilte me të gjithë….Ishte ai,   fjala e parë dhe e fundit e ditës…Fëmija i vetëm dhe i shtrenjti i të gjithëve.

Ishte jeta dhe dinjitetit i    njerëzve të burgosur…

Edhe kur  u rrit,  iku,  fluturoi nëpër  qiell për të parën herë, të gjithë  të burgosurit  lotuan nga gëzimi, por  edhe   trishtimi, njëkohësisht…Princi i Lirisë s’do të ishte më midis tyre, por ata s’do ta harronin kurrë, do të flisnin vazhdimisht për të dhe sytë  nuk do t’i largonin nga  qielli, atje ku ai fluturonte i lirë, së bashku me lirinë e tyre, i gëzuar, së bashku me gëzimin e tyre, i trishtuar, së bashku me trishtimin e tyre…. Do të kalonte male, fusha,  dete dhe   oqeane…. do të shkonte edhe në Amerikë…..në Shtëpinë e Bardhë…do të fliste me Presidentin….me njerëzit e  lirë  të Botës demokratike dhe do të   tregonte  atyre për  …

Por jo, ai, Princi, u kthye  përsëri  tek ata nga Qielli i Lirisë,   mbi duart  e të burgosurve  në tokën e robëruar, duke qarë e qeshur nga gëzimi,…

Ai s’u nda …nuk  iku,     siç dëshironin  të gjithë ata që vuanin…

Pikëllimin e të burgosurve  për  “Princin e  Lirisë” që u  kthye   nga qielli i pa matë, e mësoi edhe  Komanda e burgut, e cila menjëherë urdhëroi :

“ Në emër të Popullit, Princi i të burgosurve politikë, të kapet e të ekzekutohet !”

Një ditë,  ndërsa ai kthehej nga fluturimi  i largët, i zakonshëm,   lodhur e malluar, por edhe i gëzuar  për     lajmet  e  reja e të gëzueshme që sillte, komanda e burgut  i mbylli  të burgosurit nëpër  qelitë e tyre   dhe e mbushi oborrin e ajrosjes me ushtarët e karakollëve.  Urdhëroi që   ushtarët   të çonin duart lart,  siç bënin “ata”, kur  “Princi” donte të  zbriste nga qielli…   Dhe  e arrestuan.   E  ekzekutuan. Por të burgosurit, megjithatë,  pritën  e  pritën  me shpresë  që   Princi  Tyre i  Lirisë, një ditë,  të kthehej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës….

Dhe  shpresojnë  ende….

 

FUND