Rama, përpara se të “mburret” me trombektominë cerebrale, duhet të japë llogari për vitet e vonesës, për jetët e humbura dhe për pasojat e rënda mbi pacientët!
E kam ngritur dhjetëra, ndoshta qindra herë, në Kuvend, në Komisionin e Shëndetësisë, në media dhe kudo ku kam pasur mundësi, domosdoshmërinë e ofrimit të këtij shërbimi jetik të urgjencës. Prandaj, hapja e tij në QSUT natyrisht më jep kënaqësi.
Për shumë vite, trombektomia cerebrale u ofrua vetëm në sektorin privat, me një kosto që arrinte rreth 30 mijë euro, të paguara drejtpërdrejt nga pacienti dhe familjarët e tij.
Ndërkohë, shteti nuk ofronte asgjë, pavarësisht potencialeve të mëdha që dispononte.
Kam kërkuar vazhdimisht që, për aq kohë sa ky shërbim nuk realizohej në spitalet publike, shteti të paktën të rimbursonte shpenzimet e ndërhyrjeve të kryera në privat. Por edhe përballë kësaj kërkese të drejtë pati vetëm heshtje!
Madje, edhe pasi në QSUT mbërriti një angiograf biplan, i siguruar nëpërmjet një granti ndërkombëtar pikërisht për procedura të tilla, kaloi një kohë e gjatë derisa sot u deklarua vënia e tij në funksion.
Gjatë gjithë këtyre viteve, qytetarët vazhduan të përballeshin me dilemën tragjike:
“O paguaj, o vdis!”
Kjo ishte dhe mbetet fytyra e vërtetë e shëndetësisë gjoja “falas” të Rilindjes.
Fakti që kjo procedurë po realizohet në sistemin publik vetëm pas kaq shumë vitesh dhe shumë më vonë se në sektorin privat, si edhe refuzimi i shtetit për të rimbursuar ndërhyrjet gjatë periudhës kur vetë nuk e ofronte shërbimin, dëshmojnë gjendjen e rëndë dhe thellësisht antisociale të shëndetësisë sonë.
Euforia e sotme e Kryeministrit tingëllon si një tallje e rëndë me qytetarët dhe veçanërisht me ata që sot nuk jetojnë më, sepse nuk patën mundësi të përfitonin në kohë nga kjo ndërhyrje jetike.
Fatkeqësisht, edhe sot ka shumë shërbime mjekësore jetike që nuk ofrohen në sistemin publik ose për të cilat pacientët detyrohen të presin me muaj e vite. Ndërkohë, sëmundja përparon, invaliditeti rëndohet dhe, në raste të caktuara, humbet edhe jeta.
Prandaj, përpara se Kryeministri të mburret me atë që u realizua shumë vite më vonë nga sa mundej dhe duhej, duhet të mbajë përgjegjësi për vonesat dhe për pasojat e rënda që kjo shëndetësi u ka shkaktuar qytetarëve.


















