Katër letra  të pabotuara të poetit martir Villson Blloshmi. Dossier nga  Haxhi Balliu

Cfarë i shkruante poeti i burgosur  kurshërirës së tij në Tiranë, piktores Lumturi Blloshmi

Nga dashuria për librin , tek dashuria për liri…

Në një ditë të zakonshme të punës si gazetar më është dashur të shkoja edhe në Bërzeshtë, fshati  që njihet jo vetëm për atë rrapin shekullor, pranë të cilit grurgullon uji i shtatë cezmave si sylynjarë,bpor ky fshat  është vendlindja e poetëve të pushkatuar nga diktatura : Genc Leka e Vilson Blloshmi .

Të shoqëruar nga Bedriu,vëllai i Vilsonit, aty në shtëpinë e tyre të vjetër, na ranë në dorë edhe disa letra të shkruara nga burgu, të cilat ,Vilsoni ia dërgonte kurshërirës së tij në Tiranë, piktores Lumturi Blloshmi, ku një nga temat më të vazhdueshme të tij, ishte gjetja e librave në gjuhët e huaja.

Kritika e ka vlerësuar piktoren Lumturi Blloshmi si një përfaqësuese e denjë e pikturës bashkëkohore shqiptare, vite më parë kur ajo hidhte themelet e këtij moderniteti në pikturën e saj, gjithçka i ishte mohuar, suksesi, madje dhe ekspozimi për vite me radhë. E mes tyre që e mënjanuan kishte nga ata kolegë që koha dhe arti i la pas.  Askush nuk mundi ta zbehë dhe ta zmbraps fuqinë dhe aftësinë e saj krijuese, mbështetur fort në rrënjët e përgjakura të trungut të saj të jetës. I ati  lumes, Azis Blloshmi, ushtarak me gradën “Major”, kishte përfunduar studimet e larta  në Grac të Austrisë, Me kthimin e tij në Shqipëri punoi si instruktor në shkollën  e  plotësimit për oficer në Tiranë e më pas në shumë rrethe të vendit. Familjarisht përkrahën lëvizjen për çlirimin e vendit. Megjithatë, një mbrëmje ai u thirr për një sqarim në komandën partizane dhe së bashku me 35 intelektualë të tjerë më 26 tetor 1944, u pushkatuan pa gjyq. Tashmë është e qartë, se intelektualë të tillë nuk i duheshin terroristëve në prag të marrjes së pushtetit.

Gjithmonë nuk duhet harruar se gjithë sa lexonte a përkthente, shpesh, varej nga librat që i binin në dorë. Mbase përkthimi nga “Legjenda e shekujve” lidhet me patosin e Viktor Hygoit kundër tiranëve dhe tiranisë.

18 Marsi është ditëlindja e Vilson Blloshmit dhe nje pjesë e këtyre letrave janë shkruar kur poeti ishte vetëm 20 vjec, ndaj menduam që këto letra të pabotuara deri tani, t’i publikojmë në gazetën letrare “Nacional”.

 

 

Letra e parë

Lumi !

Më në fund e mora edhe një letër nga ti. Kisha menduar se patjetër  do të  kishe harruar të shkruash, por fatbardhësisht kisha qenë i gënjyer. Më thoshe se para letrës që më dërgoje më dat.6.10 1972 më kishe shkruar edhe një tjetër më parë, por ajo s’dihet ç‘u bë, se unë nuk e kam marrë.

-Më shkruanje se jeni mirë. Gëzohem. Po mami si e ka punën tani ? A u bë më mirë ? Ermiri si duket ? Po Gushi e Nezi ? Nga daja si janë ?

U bëra ca ziliqar kur mora vesh se po lexoje “ Le most dansl’ame” të Zhan Pol Sartrit, përfaqësonjësit  më të madh të ekzistencializmit, këtij artisti të vërtetë që ka lëvruar në të gjitha gjinitë letrare dhe ka pasur suksese të mëdha në të gjitha, si me romane,drama, poema, proza, novela, vepra autobiografike, kritikë, filozofi etj. Por suksesin më të madh  e korri në mendjemadhësi, pikërisht në vitin  1964, kur refuzoi çmimin Nobel.

Unë nuk kam lexuar asgjë gjer më sot nga Sartri. Po munde mundohu mos më sigurosh ndonjë vepër të tij, sidomos “La p…. Respectuere” dhe “Moris sans Sepulcre”(vëllimi i dytë i sëparës) osel’age de la raison”.”LeDiable et le bon Dien”,”Le Sursis” etj. Më thoshe se ke lexuar mbi jetën e Artur Rambosë. Mirë, po pse  nuk më çonje ndonjë copë poezi nga Ramboja ? Përse nuk më tregon asgjë për sonetin e famshëm të ngjyrave ? Përse nuk më shkruan asgjë për atentatin e bërë nga Pol Varleni kundër Rambosë ? Shkruamë për këto !

Më kënaqi shumë ai fragmenti që kishe nxjerrë nga vepra “La Peste” e Albert Kamysë ,edhe ky francez, është po aq i madh sa edhe J.P.Sartri edhe nga potenciali i intelektit edhe nga reprezentacioni temporal, me një fjalë ajo që i dallon këta dy francezë janë vitet. Kamy-ja është nja tetë vjet më i vogël në moshë,po jo në famë.Po munde lexo këto vepra të Kamysë: L’etrongere”, ”Kaligula”,”Miti I Sisifes”, ”Les Justes” etj.Thuaj si të duash, po ky fitoi çmimin Nobel nëvitin 1957, domethënë shtatëvjet para Sartrit…

Lumi ! Ti tani me të vërtetë lexon ajkën e literaturës kontemporane. Më pyesje mua, në se i kam lexuar. Nuk kemi kohë të mendojmë dhe për një çast se kanë ekzistuar Sartra, Kamy-ra e Folknera edhe se ekzistojnë akoma .Pastaj ti harrove  se këtej nga fshati nuk shtypen të tilla përralla. Po munde interesohu andej nga “libri ndërkombëtar” mos na gjesh ndonjë gjë.

Po Lili si i ka punët ?Me çfarë është preokupuar tani? çfarë lexon? Unë nuk lexoj fare as shqip as frengjisht. ç‘të lexoj? I jam përshtatur plotësisht ambientit .Lili më ka premtuar se do të më gjejë ndonjë libër frengjisht. Jam shumë i bindur se e ka mbajtur këtë premtim ? !…Nejse… Të fala të gjithëve.Pres përgjigje.

 

 

 

 

Letra e dytë

Lume !

Po ! Eshtë shumë e vërtetë që unë i vonoj përgjigjet; por po të më pyesje përse i vonoj do të habiteshe se unë s’do të dija të përgjigjesha.

Letra jote më gëzoi shumë , për shumë arsye, sidomos kur mora vesh për shëndetin tuaj dhe mbi të gjitha lajmin  e jashtzakonshëm të fejesës së Lilit. Gëzohem…gëzohem shumë dhe për t’i uruar duhet të jeshë urim vetë se ndryshe s’arrihet ajo që thotë dëshira.

Më thoshe se Lili është shumë e kënaqur .E besoj këtë dhe njëherë për një herë s’mund të jetë ndryshe, sa të përshtaten mirë e mirë, por thuaj Lilit(mundësisht edhe gjithë atyre që vdiqën, jetojnë dhe do të lindin) se nuk është aq e lehtë. Unë nuk dua të hiqem estet në këtë rast, por e them këtë nga përvoja e të tjerëve.

Njëherë një burrë i madh që i thërrisnin Victor Hugo doli për shetitje në mal, po që ishte vendi shumë i vështirë për t’u kaluar. Në çdo anë kishte lule dhe bimë të bukura e interesante. Të gjithë thonin”shih sa e bukur kjo bimë”.Vetëm Victori thoshte ”ruhuni nga gurët”.

Kaq… Unë nuk di kush kishte më shumë të drejtë, ata që dalldisnin mbas luleve, apo ai që dalldiste pas rrezikut…

Lumi ! Ti nuk më thoshe se çfarë paraqite në ekspozitë dhe nuk më shkruanje ndonjë citat nga “L’obelisqueMoise”, pse ?

Tani unë nuk kam ç‘të lexoj më. Thonë se do të dalin ca fjalorë të italishtes, të lutem interesohu.

Më thoshe se ishe në plazh.Deti është  më i vogël se një njeri. Ju ndofta do të më kundërshtoni për këtë pohim. Mirë, kundërshtomëni…

Të fala të gjithëve.

Mund të kem bërë ndonjë gabim, por më fal, se nuk më le rehat V.A Moxarti me të famshmen simfoni ”Jupiter” në “do maxhor opus 41 numër 551.

20.VIII.73

 

 

 

 

 

Letra e tretë

E dashur Lumi !

Telegramin që më dërgonje  më datën 18 mars, me anën e të cilit më uronje ditëlindjen, e mora  dhe ju falenderoj shumë, me që jeni i vetmi person që më uruat 20-vjetorin e lindjes.

… Unë po bëj 19 ditë sot që nuk kam kapur libër me dorë, sepse këtu nuk gjen asgjë për të lexuar.

Më pyesje për natyrën e këtushme. Këtu është caktuar nga natyra që të jetë një ditë shi e një ditë diell Këneta dhe kanale ka aq shumë sa të çmendin bretkosat. Lumi i Matit dhe deti që këndej mbajnë nganjë çerek ore. Zejmeni mban dy orë dhe Lezha 2.5 orë.

Unë kam qenë shumë sëmurë nga koka,qysh më datën 4 mars,deri më 18 mars, kur mora telegramin. Kam qenë aq sëmurë, sa disa ditë i kalova në krevat.

Lumi ! Më shkruaj pak për pamjen e natyrës që përmban tablloja, të tjerat i marr me mend vetë. E di se je e zënë shumë me punë, por aq kohë sa të na bësh ndonjë letër duhet të kesh.

Të fala e përqafime

Vëllai jot Vili

Dt.23.03.1968

 

 

 

Letra e katërt

Lumi !

Dëshiroj të jeni mirë . E lexova librin, të faleminderit shumë.Përmbledhje të tilla janë të mira e të mrekullueshme.

Shpesh herë natyra lind njerëz-fenomene :Eskili-njeri-dramë,Ajnshtajni-njeriu –zot,Bodleri –njeriu-brengë.Si duket natyra desh ta shohë brengën me këmbë e me duar…

Nejse… l’hommeest la plus pine crattin qui a Sarti de la Tesse de la nature…

Megjithatë Bodleri është shumë më i mirë se Sartri,Kamyja,Becketi,Kafka e ndonjë tjetër.

Si i ke punët me anglishten?

Unë tani jam në kulmin e së keqes. Dhembje të tmerrshme në stomak.

Lumi ! Ç‘po bën për ekspozitën ?  Në s’ke bërë asgjë, çfarë ke ndërmend të bësh, shkruamë ! Ndonjë libër po gjete, mirë e bën, se unë mund të vij andej ndonjë ditë.

Të fala Vili

18 mars ‘73

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here