Bukuri Natyrore e Vlera Qytetarie  Tropojë – Gjakovë. Nga  FRROK  VUKAJ

 

Për një pasqyrim realist

Nga mosnjohja shumëkush mendon se Tropoja është  “Prapa diellit” e majë malesh, por realiteti tregon ndryshe. Udhëtimi nga rruga e Kombit nuk është më shumë se 250 km, ndërsa nga Puka e Komani piktoresk kjo distancë shkurtohet ndjeshëm.

Lidhja me vendlindjen është si lidhja e Anteut me tokën. Sa herë e vizitojmë atë, gjenerojmë forca të reja e qetësi psikologjike. Peizazhi i mrekullueshëm është relaks e antistres, diçka romantike që të rinon. Kushdo që vjen e rivjen në vendlindje apo si vizitor, i zgjohen e lindin mbresa e ndjesi të reja, ndaj po përmend e  shtoj  kalimthi disa prej tyre, sepse kam shkruar edhe herë të tjera…

Luginat e Valbonës e lumit të Gashit, të Tropojës e Nikaj-Mërturit kanë një lartësi mesatare më pak se 250 m mbi nivelin e detit, me një mikroklimë shumë të përshtatshme për bujqësinë e veçanërisht për frutikulturën. Në oborrin e shtëpisë sime  në Shëngjergj të Nikaj-Mërturit, hurmat sa nuk po thyheshin nga prodhimi. Kurora e masiveve të pyjeve e brezit të gështenjave nga Geghyseni deri në Markgegaj, të falin kënaqësi shpirtërore e materiale. Si ngjyra ylberi përzier me re të murrme e gri ngjan gjelbërimi i këtij fillim nëntori. Pishat e bredhat deri majë kershave e majave të pjalmuara nga bora e hershme, janë të bukura e madhështore, joshëse e kurative në çdo stinë.

Ngado të vish e kudo të shkosh përballesh me befasi marramendëse: në brigjet e lumenjve e buzë liqeneve alpin e artificial, në bjeshkët e larta e vrrinin e ëmbël, në pllajat e ulëta e kreshtat e maleve, në burimet e bollshme e rudinat me bar, në Curraj Epër e në Valbonë, në Agër e në Doberdol, në Sylbicë e në Lugun e Thive, në grykëngushtën interesante e pak të vizituar Rrasa e Currajve-Mulaj ku përbirohet Lumi i Mërturit, në Lumin e Gashit e të Vranës, në Kakijë e në Shkëlzen, në Trokuz e në Ndërmaja, në sa e sa pasuri të shumta nën e mbi tokësore të Alpeve, përsëri të virgjëra, të pastudiuara mirë e të pashfrytëzuara me efektivitetin e duhur. Mund të shtosh e të numërosh me dhjetëra e qindra; ato nuk kanë të sosur, pa harruar faunën e florën e shumëllojshme me vlera të mëdha turistike e kurative.

Në fushat e pllajat në të dyja anët Valbonës, përsëri gjallojnë blloqet  me pemëtore disi të zvogëluara e bari i shtuar nga mos punimi i tokave, të përshtatshme për gjithfarë kulturash. Fondacione e shoqata, organet dhe organizmat shtetërorë po vijojnë të investojnë në rindërtimin e ndërtimin e kanaleve e ujësjellësve të rinj. Një projekt gjerman do të jetësojë furnizimin me ujë pothuajse të gjitha fshatrave të kësaj lugine.

Janë dëshmi e ndryshimeve pozitive të realizuara me investitor privat e shtetëror, edhe vilat e bukura, qyteti me rrugë e lulishte të rindërtuara e disa rrugë makine të viteve të fundit (Sylbicë e Curraj Epër, Shkëlzen). Një i huaj me siguri do të befasohej me këtë qetësi e qytetërim, përballë paragjykimeve për “barut” e  “shpellarë”, nganjëherë edhe keqdashëse.

Shumë është shkruar e do të shkruhet për vlerat e kësaj treve, por asnjëherë ato nuk do të jenë të plota pa i parë e pa i shijuar nga afër. Lufta e egër politike i ka ulur tonet, i ka thirrur arsyes e konstruktivitetit duke ndërtuar ura komunikimi të ndërsjella. Në shumë aspekte ka një bashkëpunim e harmoni për interesa madhore të komunitetit në të gjitha fushat; ekonomike, politike, kulturore, shpirtërore, të besimet etj. Këto i pamë të konkretizuara në nivel zyrtar, në veprimtaritë e shoqatave, fondacioneve, komuniteteve fetare e shtresave shoqërore, pa mohuar edhe mangësitë e konceptet frenuese nga segmente të veçanta.

Pamë evenimente të përbashkëta, të pinë kafe e bëjnë vizita të ndërsjella për raste gëzimesh e hidhërimesh, mes demokratëve e socialistëve, zyrtarëve e qytetarëve me pikëpamje e besime të ndryshme duke respektuar praktikat e mendimet ndryshe.

Shembulli i drejtuesve e familjeve më në zë ka qenë e do të jetë një vlerë e shtuar e rrezatim i vyer për sot e për nesër, një pasuri për brezat.

Tropojanët në përgjithësi kanë shumë energji pozitive, janë krenar, impulsive, të drejtpërdrejtë e kurajozë, punëtorë e të palodhur që e duan zhvillimin e përparimin, arsimin e kulturën, që luftojnë për drejtësi sociale të përsosur, deri diku të parealizuar e utopike e kjo i përball e i paragjykon kundrejt zhvillimeve zhgënjyese të shoqërisë.

 

Shembull përkushtimi e korrektësie

Kështu mund ta tipizoja me pak fjalë kushëririn tim “shoqërues” e sponsor të këtij udhëtimi.

Koloneli në pension Vuksan Vukaj është larguar nga vendlindja qysh në moshën 13 – 14 vjeç. Rreth viteve 1967 prindërit e tij vendosen në Kam të Bytyçit. Punuan pa u kursyer për shumë vite në atë minierë të shfrytëzuar qysh para Çlirimit. Iiati, Pjetër Sadiku, trupmadh e faqekuq, me forcë të madhe fizike e morale, ra në sy për cilësitë pozitive e si punëtor i fuqishëm i nëntokës për nxjerrjen e vagonëve grumbull me krom; kur ngecnin a dilnin nga shinat, thirrej ai si shpëtimtar…. E shoqja Dila, punëtore në sipërfaqe, me trup të hajthëm e kockëfortë , shquhej për vitalitetin e vullnetin e hekurt, për bujari e humanizëm, për pastërti e mendje të kthjellët deri në momentet e fundit të jetës. Këta prindër lindën e rritën 6 fëmijë, 4 prej të cilëve mbaruan shkollën e lartë. Vuksani, me një temperament ku shkrihet sanguini me kolerikun, i ka kaluar të gjithë shkallët e shkollimit e të karrierës ushtarake. Mbaron me rezultate të larta Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, “Shkollën e Bashkuar të Oficerëve” e “Akademinë Ushtarake”. E fillon karrierën ushtarake në Sazan, siç i patën thënë për pak kohë. Shtatë vite të çuditshme e vështirësi të jashtëzakonshme në atë ishull misterioz e strategjik. Pa pikë mëdyshje krah tij edhe bashkëshortja Lula, mësuese me arsim pedagogjik, me kërkesa të larta ndaj vetvetes e nxënësve për rezultate sa më të larta. Aty lindën fëmijën e parë. Ndonëse menduan ta quanin Sazan, së fundmi i vunë emrin Dritan, i lindur më 1977.

Vuksani, i përkushtuar e i aftë profesionalisht e fizikisht, disi tip spartani e kurajoz, i hapur, i drejtë e kritik objektiv, por edhe reflektues,  tregon për peripecitë e jetës së gjatë ushtarake, për idealet pozitive e utopizmin komunist, të cilat nuk i mohoi as në luftën më të egër politike, për përplasjet e privacionet, për uljet e ngritjet në karrierë, por pa u dorëzuar as pranuar të dalë jashtë radhëve të ushtrisë. Puna e përkushtimi i garantoi mbijetesën e vazhdimësinë, edhe kur përballja ishte e egër. Një gjysmë shekulli shkollë e karrierë ushtarake, nga komandant toge e deri komandant brigade, nga kadet deri në gradën e kolonelit, me merakun e “akuzat” për mohimin e gradës gjeneral. Edhe pas daljes në lirim, me të njëjtin vullnet e përkushtim ka vazhduar veprimtarinë në sektorin privat, por me natyrën e ushtarakut të karrierës. Vuksani është kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Shkodër, me një veprimtari të shquar për njohjen e promovimin e vlerave dhe edukimin patriotik. Largësia e detyra korrekte e ushtarakut, për shumë vite ia kanë privuar disi vendlindjen, por jo dashurinë, ndaj çdo ditë e më shumë i shton vizitat. Kjo vizita e fundit përveç motivit së “Përkujtimit të të vdekurve” pati edhe dëshirën për të bërë vizita në Bajram Curri e Gjakovë, për të takuar shumë shok e miq të para viteve 90, por edhe të tjerë si rezultat i një biznesi të krijuar gjatë tranzicionit.

 

Shkulëm piramida e ngulëm trarë

Tropoja është quajtur edhe Malësia e Gjakovës. Lidhjet shpirtërore  kanë qënë  historike, të fuqishme e të pazgjidhshme. Ai mur i hekurt famëkeq shekullor, me gjithë traumat tragjike që shkaktoi, nuk arriti t’i shkëpusë  lidhjet tona, por më shumë i fuqizoi ato. Sa herë kalojmë atë Tra ndarës na shtohen drithërohemi e pyesim veten. Prapë ky kufi mes vëllezërish??!!  Prapë këta “dreq politikajsh” nuk i shkulën këta çibanë kanceroz në trupin e kombit ??!! Shkon vëllai te vëllai në raste gëzimi a hidhërimi, për nevoja shëndetësore a familjare, për turizëm a biznes të vogël, për shkollim e veprimtari social-kulturore e nuk të ndahen kontrollet, dokumentet, pyetjet, hetimet e dyshimet, reminishencë e represionit serb. Kur i Zoti i shtëpisë e përzuri djallin, ky i fundit iu lut që  t’i lënë  një gozhdë për të varur trastën sa herë ta sjellë rruga. Shumë gozhda kanë mbetur të ngulura si çibanë në palcën e këtij kombi. Bashkimi e mjekimi i kujdesshëm mund të na shpëtojë nga kjo e keqe e madhe.

Gjakova me rrethinat e saj ka qenë e mbetet tunduese për çdo vizitor: qyteti interesant me arkitekturë tradicionale e bashkëkohore , me asete të vyera e vlera edukative, me veprimtari të pasura letrare, kulturor-artistike e sportive. Shumë evenimente të rëndësishme, të cilat është e pamundur t’i përmendim, janë organizuar në bashkërendim me Tropojën zyrtare e tropojanët e ato kanë qënë një pasuri me vlera të mëdha.

Fushat e gjëra pjellore e malet rreth e rrotull,  të pacenuara nga sopatat e motosharrat vrastare, ia shtojnë shumë bukurinë, pa harruar bjeshkët  me nam e qendrat turistike.

Ëndrra e shumëpritur për t’u lidhur me rrugë e  autostrada të nivelit evropian me Pejën, Prishtinën e Prizrenin, ka filluar të jetësohet e të gëzojë zemrat e çdo qytetari vendas e të huaj.

 

Mikpritje e qytetari në shtëpinë e Ramiz Morinës

Kafen e parë, në ditën e dytë, e pimë në një lokal jo larg hotelit karakteristik të Pashtrikut. Na ka ftuar Ramiz Morina, një shok i hershëm i Vuksanit. Kur menduam se atij takimi të këndshëm do t’i vinim kapak, ne paskeshim gabuar. Ramizi me këmbëngulje na ftoi për një kafjall (mëngjes) në shtëpinë e tij. Kundërshtimet tona nuk patën dobi. Megjithëse u nisëm për një kafe, tavolina u shtrua me meze e me raki. Një fjalë popullore thotë: “ Mysafiri sheh gjithçka, por është edhe “bereqet”. E para është e vërtetë, por edhe e dyta për bujarin është po aq e vërtetë.  Me siguri mendoi ndryshe një kurnac i kamur, por në zemër i varfër, që na ftoi për kafe e as tentoi formalisht për të paguar.

…Para se të hynim në banesën e të zotit të shtëpisë, vizitën e parë e bëmë në punishten e rakisë. E blente rrushin e piqte raki, po një raki si i thonë fjalës ”me ngjallë të vdekurin”.

Pyetëm e i  pamë një për një ato mjete e orendi të shumta, me kushte të favorshme për të punuar në cdo orë të ditës, edhe një njeri pa shumë njohuri për këtë mjeshtri.

Shkëmbyem mendime e krahasuam përvojat e traditat. Në oborrin e sipërm, ku ishte hyrja kryesore, na pritën e uruan mirëseardhjen me çiltërsi e bujari Fitnetja e Miranda (nënë e bijë).

Qysh në oborr, si të ishim shumë të afërt a farefis, bëmë fotografi e filluam bisedat. Mes ofertës për në dhomën e pritjes a në kuzhinë, ne na pëlqeu zjarri bubulak e temperatura e përshtatshme. Mikpritje e ngrohtë, e sinqertë e vëllazërore, pa paragjykime e fanatizëm, civilizuese e qytetare, e traditës e bashkëkohore…Po shikoja një realitet krejt ndryshe krahasuar me thashethemet a të vërtetat e tabutë e paprekshme të së kaluarës.  E ndjenim veten shumë mirë në atë familje të Mahallës Gercar të Qabratit historik të Gjakovës, e shquar për mikpritje e qëndresë  heroike kundër çdo okupatori. Shpesh herë përpiqem të rri me kujdes për të mos lënduar ndokënd në ndjenjat e sferën e besimit, të riteve, të mendimit politik, të sjelljes a fushë tjetër, por e ndjej veten mirë e harlisem me argumente e fakte në biseda e debate, kur bashkëbiseduesit janë të hapur,  pa komplekse e paragjykime ekstreme. Në këtë shtëpi u ndjemë komod e të relaksuar. Na ngrohu ajo pritje bujare e civilizuese, bisedat e mendimet e sinqerta mes mysafirëve , të zotit e zonjave të shtëpisë, mes dy besimeve me pak ndryshime e shumë  pika takimi.

Dëgjojmë të thuhet “pritje e mirë, muhabet i mirë, raki e meze të mira etj. Por sot të gjitha ishin në masën “shumë mirë “. Nuk pashë fanatizëm e paragjykime tek ato femra as në veshje, as në sjellje. Diskutonin e debatonin lirshëm e me kulturë pa ndjerë censurë as tutelë nga i zoti i shtëpisë, mysafiret. Fitnetja, e shoqja e Ramizit, e lindur dhe e rritur në Prishtinë, pohon se të partë e saj e kanë prejardhjen nga viset shqiptare brenda kufijve administrative të Serbisë. Nënë e bijë shquheshin për shije në rregullimin e dhomave, për pastërti shembullore, si kuzhiniere e specialist në përgatitjen e zaireve, diskutonin me qytetari për zhvillimet shoqërore, për emancipimin e fanatizmin otoman që i ka ikur koha.

Për Ramizin fillimisht u befasova, apo e pashë si me dyshim formimin e tij të admirueshëm, si njohës i mirë i zhvillimeve brenda e jashtë vendit, i sjelljes e mendësive të shtresave shoqërore. Qysh në vitin 1972 hynte e dilte në Shqipëri me kamionin “Man” 30 tonësh për çimento, llamba elektrike e qelqurina në Elbasan, Vlorë e Fushë-Krujë, por edhe anë e kand Jugosllavisë. Siç më shpjegoi, moto e  familjes ka qenë e do të jetë: Dashuria për Atdheun e për punën. “Të tillë jam mundue me i edukue edhe fëmijët, kudo të shkojnë e kudo të punojnë,  Kosovën e Shqipërinë mos me i harrue”. Don Zoti e të gjithë i ka shëndosh e mirë. Miranda e Miradia familjarisht punojnë në Prishtinë , prej shumë vitesh Emira në Gjermani e Xyla në Suedi. Shpati jeton e punon në Gjakovë, me dashuri të madhe për prindërit, për punën e për Kosovën, shembull pozitiv në shoqëri.  Edhe pse nuk e takuam i uruam fejesë e martesë të shpejtë. Pritshmëritë tona u tejkaluan; Vuksanin, si mik më i vjetër, e lidhën në Skype me vajzat e me dhëndrit, madje e ftuan edhe për vizita.

 

Pa ditë nga vjen, nuk di ku shkon

Akoma pa u ngritë nga tavolina, nëpërmes një telefonate Mustafë Brahim Aliaj na fton për një kafe tek lokali “Arra”. Me ndihmën e Ramizit e falë internetit gjejmë  adresën e lokalit e ngjitur me të një Arrë e madhe me degë goshajka ( kurorë).  Pa u ulur mirë, një djalosh pak si buçko, i zhdërvjelltë e fytyrëqeshur, me nxitim na jep dorën duke na përqafuar e rrahur shpatullat; i përmalluar e pothuajse i përlotur, sikur shihte vëllezërit kurbetçinj  pas shumë vitesh. Kaq të mbushur me dashuri e kishte zemrën, sa fliste pa pushim e disi i gulshuar. I takuar për herë të parë,  e pyes se nga e kishte prejardhjen.

 

  • Jemi vëllezër, nga Palçi i Mërturit të Tropojës e kam prejardhjen, prej atij fshati
  •  me emër nga rrjedh edhe familja e famshme Gërvalla,- e fytyra i shkëlqen nga krenaria.
  • A je lidhur me ndonjërin prej andej?
  • Po, me Dedë Gjolin, me sa di e kam kushër
  • Ke gjet njeriun e duhur, i ditur e i shëtitur, nga dera e njohur e Fetë Sadik Gjergjit,
  •  e shquar për bujari e atdhedashuri.
  • Dardha bie nën dardhë , – plotësoi dikush, -që e njihte mirë Mustafën, por ky heziton
  •  të flasë për vetveten.

Si për koincidencë dëgjojmë një këngë “Për liri e për flamur, gjaku ynë nuk shteron kurrë”.

I ati, para viteve ’90,  për veprimtari patriotike, është burgosur 16 muaj në Maqedoni, ish RFS e Jugosllavisë. Edhe Mustafa, qysh në shkollë të mesme, bie në sy për shpirtin kryengritës e veprimtar shoqëror,  për më shumë liri e demokraci, për ndërgjegjësimin e bashkëmoshatarëve e më të rriturve,  me biseda, me shkrim parullash, shpërndarje traktesh e komunikatash, organizim protestash e forma të tjera rezistence. Në vitet e para me parullën “Kosova Republikë” e më vonë me një  ideal e vizion të ri më të avancuar ”Kosova e Pavarur”.

Në vitin 1984 me mision largohet nga Gjakova për në Bajram Curri dhe prangoset nga organet e Punëve të  Brendshme. E marrin nën hetim, e pyesin e sterpyetin, bile na përmend një oficer me mbiemrin Neza e punonjësin Sylë Kuca. I kuptojnë zemrën e dëshirat e tij, e shohin me dhembshuri, fillimisht me dyshime, por më vonë biseduan si vëllai me vëlla, me aq sa lejohej. Pas 35 ditësh e kthejnë në Kosovë  e burgoset 6 muaj. Flet me pasion e gjallëri, me zjarrin e pashuar për liri e Pavarësi reale. Përmend shokët e shkollës  Prend e Mem Lleshin të rënë në betejën e Rugovës me 1998, djalin e xhaxhait Avdylin, mësuesin frymëzues e patriot Palush Sylaj nga Vogova, takimin me Ilmi Haradinaj, babai i heroit të Kosovës, Ramush Haradinaj…Flet deri në detaje për veprimtari atdhetare për çlirimin e Kosovës, për keqtrajtimin fizik e moral në vitin 1993 nga shkijet e shërimin në Gjermani, për vitin 1998 kur përballja me serbët bëhet e ashpër e serioze, për mungesat në armatim e peripecitë e sigurimit të municionit.

Pa harruar edhe biznesin, zemra i rreh fort për Kosovën, mendon e punon për forcimin e saj, për lirinë e sovranitetin, por meraku e fantazia i shkon edhe më larg, atje ku i ka rrënjët e të parëve, në Palçin e Gurit, buzë  Drinit e rrëzë Agrit e T’thermes, aty ku u thyen ushtritë e Turgut Pashës me 1910.  Së fundi më tregon edhe një listë me brezat, aty ku takohen me vëllezërit palçnorë e ma len amanet për t’ia saktësuar.

Me gjithë dëshirën e madhe për të qëndruar më gjatë, u detyruam për t’u larguar për një vizitë në Prizrenin historik e për bashkues e më vonë për Tiranë.

Në këto vizita pamë nga afër përvojë e vlera pozitive në rritje, që na afrojnë natyrshëm e na bashkojnë  me njëri –tjetrin e me botën e qytetëruar, të mbështetura në traditën e çmuar e të sotmen frymëzuese, të përshkuara natyrshëm nga fryma e civilizimit perëndimor.

U larguam për t’u kthyer përsëri në trojet Dardane, aty ku kemi edhe një pjesë  të zemrës e përkushtimit tonë.

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here