Ende nuk është i qartë fituesi i zgjedhjeve presidenciale amerikane, ndërsa rezultati varet nga disa shtete ku mbetet për t’u numëruar një sasi e madhe e votave me postë për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Presidenti Donald Trump ishte në një avantazh të konsiderueshëm në shumicën e këtyre shteteve, por votat e panumëruara pritej të favorizojnë sfiduesin Joe Biden, mbështetësit e të cilit votuan nëpërmjet postës në numra shumë më të mëdhenj.
“Ky është një mashtrim madhor ndaj vendit tonë”, deklaroi Presidenti Trump, duke shtuar se “për sa më takon, unë kam fituar tashmë”.Më herët, zoti Biden iu drejtua mbështetësve nga qyteti i tij Wilmington, në shtetin Dellauer, për t’i falenderuar dhe për të shprehur besimin se ai do të triumfojë.
“Ruani besimin; do ta fitojmë këtë”, u tha zoti Biden mbështetësve që brohorisnin dhe u binin borive të makinave pranë shtëpisë së tij.
Por, ndërsa numërimi i votave vazhdoi në disa shtete kyçe ku ai radhitet pas Presidentit Trump, zoti Biden paralajmëroi se “duhet të jemi shumë të duruar”.
Numërimi i votave
Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Trump shkruajti në Twitter se “Do të fitojmë thellë, por ata po mundohen t’i vjedhin Zgjedhjet”. Twitter e etiketoi mesazhin me përmbajtje “të debatueshme dhe konfuzuese”.
Më vonë, gjatë një fjalimi për mbështetësit, presidenti tha se juristët republikanë do të kërkojnë lëshimin e një urdhëri nga Gjykata e Lartë për t’i dhënë fund numërimit të votave në shtetet Xhorxhia, Karolina e Veriut, Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, shtete ku Presidenti Trump qëndron në avantazh domethënës, megjithëse zoti Biden mund t’ia kalojë kur të jenë numëruar votat e mbetura nga bastionet demokrate. Ato janë shpesh vota nga qytetet e mëdha, kur mbështetja elektorale ndaj Presidentit Trump është më e dobët.
Në vazhdim, fushata elektorale Biden e quajti zotimin e presidentit për të mbyllur numërimin e votave, një përpjekje “revoltuese” për t’u hequr të drejtat demokratike shtetasve amerikanë që hodhën votën e tyre përpara datës së zgjedhjeve.
Çuditërisht, Presidenti Trump bëri thirrje për t’i dhënë fund zgjedhjeve megjithëse radhitej pas zotit Biden në numërimin e votave të Kolegjit Elektoral, 220 me 213, kur nevojiten 270 vota elektorale nga 538 për një mandat të ri presidencial që fillon më 20 janar.
Gjatë ditëve të fundit, Presidenti Trump u kishte thënë njerëzve të afërt se do të shpallte fitoren nëse ndjente se ishte në avantazh.
“Mendoj se është një gjë e tmerrshme nëse votat mund të mblidhen pas zgjedhjeve”, u tha ai gazetarëve të dielën. “Mendoj se është një gjë tmerrshme që shteteve t’u lejohet tabulimi i botave për një periudhë të gjatë pasi zgjedhjet kanë mbaruar”.
Nënpresidenti Mike Pence tha se republikanët ishin të vendosur “të mbronin votën”, por nuk përsëriti deklaratën e Presidentit Trump se ata kishin fituar.
Zhvillimet më të fundit
* Demokratët pritet të ruajnë kontrollin e shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve. Por, kontrolli i vazhdueshëm republikan i Senatit ishte i pasigurtë, ndërsa nuk ishte vendosur ende rezultati i disa zgjedhjeve për në Senat në mbarë vendin.
* Udhëheqësi i maxhorancës republikane, Senatori republikan Mitch McConnell, i shtetit Kentaki, fitoi mandatit e tij të shtatë 6-vjeçar.
* Sipas një anketimi të Edison Research, Presidenti Trump përmirësoi pozitat e tij në radhët e çdo race dhe gjinie, me përjashtim të burrave të bardhë, krahasuar me nivelet e vitit 2016 kur ai mposhti demokraten Hillary Clinton.
* FBI-ja tha se po hetonte për telefonatat të automatizuara që kishin dekurajuar votimin e njerëzve në disa shtete. Sidoqoftë, nuk pati shenja konflikti në shkallë të gjerë tek qendrat e votimeve, siç pritej nga disa.
* Sekretari në detyrë i Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf, u tha gazetarëve të martën se “nuk ka tregues” se ndonjë aktor i huaj mund t’ia ketë dalë të ndërhyjë në zgjedhje.
Por, rezultati i garave në disa shtete, në Karolinën e Veriut, Xhorxhia, Miçigan, Uiskonsin dhe Arizona, është ende i pavendosur, ndërsa zyrtarët vazhdojnë të numërojnë miliona vota, disa prej tyre të hedhura të martën dhe shumë të tjera gjatë javëve të votimit të hershëm.
“Do të jetë një betejë deri në fund”, tha La Trice Washington, eksperte e shkencave politike në Universitetin Otterbein në Ohajo.
Fituesi në nivel kombëtar përcaktohet nga rezultati në secilin prej 50 shtetet dhe kryeqytetin e vendit Uashington, me fituesin që merr të gjjitha votat elektorale të çdo shteti, me përjashtim të dy shteteve me popullsi jo të dendur ku luajnë rol edhe fituesit e garës për ligjvënës. Shtetet me popullsinë më të madhe kanë votat më të shumta elektorale dhe ndikimin më të madh në Kolegjin Elektoral.
Pjesëmarrje e lartë
Dhjetëra miliona njerëz qëndruan gjatë gjithë ditës në radhë në mbarë vendin për të hedhur votat e tyre në Ditën e Zgjedhjeve. Më shumë se 101 milionë njerëz të tjerë votuan paraprakisht gjatë javëve të fundit, pjesërisht për të shmangur qëndrimin pranë të tjerëve në mes të pandemisë së koronavirusit.
Votimi i hershëm në javët përpara zgjedhjeve të vitit 2020 arriti në më shumë se dy të tretat e të gjithë numërimit të votave në zgjedhjet 2016 kur Donald Trump mundi Hillary Clinton në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Me votimin e hershëm intensiv, numërimi i përgjithshëm i votave në vitin 2020, nga disa vlerësime, mund të arrijë një rekord të ri prej 150 milionë ose më shumë. Por me ligjet që variojnë nga shteti në shtet që përcaktojnë se sa shpejt mund të numërohen votat me postë – jo përpara të martës në mbrëmje ose dhe më vonë në disa shtete – rezultati i zgjedhjeve mund të mos dihet për ditë të tëra.
Zgjedhjet presidenciale po vijnë pas një fushate të ashpër dhe luftarake, me të dy kandidatë që sulmuan duke pretenduar se tjetri është i papërshtatshëm për të udhëhequr vendin dhe do ta çojë atë në shkatërrim.
Fundjavën e kaluar, tensionet u rritën ndërsa mijëra mbështetës të presidentit Trump u mblodhën dhe demonstruan në të gjithë vendin; në një rast një karvan automjetesh me flamuj të zotit Trump në Teksas rrethoi një autobus të fushatës Biden dhe, sipas disa rrëfimeve, u përpoq ta nxirrte atë nga autostrada.
Autoritetet dhe tregtarët në disa qytete, duke përfshirë Nju Jorkun, Detroitin dhe Uashingtonin pranë Shtëpisë së Bardhë, kanë mbuluar me dërrasa vitrinat e dyqaneve për të parandaluar dëmtimet e mundshme dhe plaçkitjet në rast se shpërthen dhuna në lidhje me zgjedhjet.
Shumë nga votuesit e hershëm – dy të tretat e të cilëve votuan me postë ndërsa pjesa tjetër votuan personalisht – thanë se donin të shmangnin ardhjen ballë për ballë të martën me njerëz të tjerë në radhë të gjata në qendrat e votimit, ndërsa Shtetet e Bashkuara regjistruan ditët e fundit më shumë se 90,000 raste të reja të koronavirusit.
Disa demokratë thanë se donin të ishin ndër të parët që votuan kundër Presidentit Trump, ndërsa shumë republikanë thanë se kishin në plan të votonin personalisht në Ditën zyrtare të Zgjedhjeve presidenciale – të martën e parë të nëntorit – siç ka qenë norma në zgjedhjet amerikane çdo katër vjet që nga mesi i viteve 1800.
Votuesit po zgjedhin midis dy kandidatëve në të shtatëdhjetat, të dy më të vjetër se shumica e 328 milionë qytetarëve të vendit. Zoti Biden do të jetë 78 vjeç deri në Ditën e Përurimit në 20 Janar, ndërsa Presidenti Trump është 74. Kushdo që fiton do të jetë udhëheqësi më i vjetër i Shteteve të Bashkuara.
Përveç kësaj, votuesit po zgjedhin të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet në Senat.
Votat elektorale
Anketimet kombëtare kanë treguar prej javësh se zoti Biden kryesonte ndaj Presidentit Trump në nivelin kombëtar me një mesatare prej 7 ose 8 përqind.
Edhe dy shtete me popullsi jo të dendur – shteti Mein në verilindje që ka katër vota elektorale dhe Nebraska në mesperëndim me pesë vota elektorale – mund të luajnë rol në nivel kombëtar nëse rezultati del i afërt. Të dyja këto shtete i përcaktojnë votat e tyre elektorale nëpërmjet rezultateve për në Kongres në distriktet individuale dhe votimit të përgjithshëm në mbarë shtetin, dhe mund të shndërrohen kështu në një faktor në një palë zgjedhje shumë të afërta.