PRESIDENTI I ZGJEDHUR JOE BIDEN MBAN FJALIMIN E FITORES: “ËSHTË KOHA TË BASHKOHEMI”

 

08 nëntor, 2020

Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti të shtunën në mbrëmje fjalimin e fitores në Uilmington të shtetit Delauer përpara përkrahësve të shumtë.

“Njerëzit e këtij vendi folën. Ata na dhanë një fitore të qartë, një fitore bindëse,” tha zoti Biden përpara mbështetësve të mbledhur në një parking dhe që brohorisnin.

Joe Biden, Kamala Harris, 7 nëntor 2020

“Zotohem të jem një president që nuk kërkon të ndajë, por të bashkojë,” tha ai.

“Unë e kërkova këtë post për të rikthyer shpirtin e Amerikës dhe për ta bërë Amerikën të respektuar përsëri në botë”, tha zoti Biden.

Pa përmendur drejtpërdrejt rivalin e tij republikan, zoti Biden iu drejtua 70 milion amerikanëve të cilët votuan në mbështetje të Presidentit Trump, disa prej të cilëve dolën në rrugë të shtunën për të demonstruar kundër rezultateve:

“Të gjithë atyre që votuan për Presidentin Trump, unë e kuptoj zhgënjimin sonte. Unë vetë kam humbur disa herë. Por tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Tani, le t’i japim njëri-tjetrit një shans. Është koha të heqim dorë nga retorika e ashpër, të ulim temperaturën, të shikojmë dhe dëgjojmë njëri-tjetrin përsëri. Kjo është koha e shërimit në Amerikë,” tha ai.

Zoti Biden tha se populli amerikan dëshiron që demokratët dhe republikanët të bashkëpunojnë, dëshiron që “demonizimi në Amerikë” të fillojë të marrë fund.

“Unë do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan sa edhe për ata që më votuan,” tha ai.

Zoti Biden njoftoi gjithashtu se të hënën do të shpallë një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh për ta ndihmuar atë të hartojë një plan për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Ai tha se këta këshilltarë do të shqyrtojnë propozimet për trajtimin e pandemisë që ai bëri gjatë fushatës për t’i kthyer ato në një “projekt” që ai do ta miratojë kur të inaugurohet si president janarin e ardhshëm.

Propozimet përfshijnë investime në pajisje mbrojtëse personale dhe kredi për bizneset e vogla, si dhe plane për të zbatuar udhëzime më të standardizuara të shëndetit publik.

Zoti Biden tha se plani do të “ngrihet mbi shkencën e shëndoshë”.

Ai u prezantua nga senatorja Kamala Harris, e cila do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane dhe e para amerikane me origjinë aziatike që shërben si zëvendëspresidente.

Kamala Harris

Zonja Harris tha se është “dëshmi e karakterit të zotit Biden fakti që ai pati guximin të thyente një nga pengesat më thelbësore që ekziston në vendin tonë dhe të zgjidhte një grua si zëvendëspresidenten e tij.”

Presidenti Trump, i cili ishte duke luajtur golf kur rrjetet kryesore televizive parashikuan që rivali i tij kishte fituar, akuzoi menjëherë zotin Biden se po nxitonte të paraqitej në mënyrë të padrejtë si fitues”.

“Këto zgjedhje janë larg së përfunduari,” tha ai në një deklaratë.

Ekipi i presidentit Trump tha të shtunën se kishte ngritur padi në Arizona, në të cilën pretendon se qarku më i populluar i këtij shteti jugperëndimor skualifikoi në mënyrë të gabuar një numër votash të hedhura ditën e zgjedhjeve nga disa votues.

Marre nga Zeri i Amerikes

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here