Në çfarëdo çasti të vështirë të jetës, njeriu duhet t’i detyrojë vetes të përshtatet me kushtet, jo t’i nënështrohet fatit, por të përshtatet. Ky vit i tmerrshëm për gjithë njerëzimin, na i mësoi edhe më mirë dhe më qartë këtë. Në 35 ditët e para të vetmbylljes nga jeta e përditëshme aktive, për mua qenë një kohë e një pune krijuese të palodhur. Ne, shkrimtarët dhe poetët kemi shpirt më të ndieshëm se të tjerët…Zoti na ka krijuar ” sentinel” ( prekim me shqisën tonë të veçantë dhe shohim me sytë e arsyes më të lartë ato që për të tjerët janë të largëta, të padukëshme, të papërfytyrueshme). Kësisoj, në ato 35 ditë unë shkrova romanin tim ” 31 ditë larg botës”, roman që hyri këto ditë për botim. Është me temë nga Pandemia, shumë interesante, po nuk po them asgjë për përmbajtjen…Do ta lë ta lexoni vet dhe jam i sigurt që do ta lexoni me një frymë. Në të vërtetë dilja çdo mëngjes anëdetit, pastaj kthehesha e shkruaja, deri ditën që Vlora hyri në qytetet e zonës jeshile. Më pas, në marrëveshje me miken time, shkrimtaren, kritiken, redaktoren, publicisten dhe studiuesen e mirënjohur, Iskra Tata ( Thoma) arritëm një bashkëpunim të suksesshëm të një vëllimi me novela e tregime, titulluar ” Nata e kuajve të bardhë”, i cili u botua para disa kohësh. Ndërkohë përgatita një vëllim me poezi prej 200 faqesh dhe për 70 vjetorin e lindjes sime, së bashku me Iskra Tata ( Thomain) përfunduam një vëllim tjetër me vovela. Doja të theksoja, që krijuesi e gjen frymëzimin edhe tek e mira, edhe tek e keqja.
***
Për vitin 2021 po përgatis një vëllim tjetër me poezi, një roman, i cili do më kërkojë shumë kohë për vet tematikën që trajton dhe një libër të përbashkët me Iskrën me përmbledhje studimesh historiografike, gjuhësore, i ntervista, analiza letrare e gjuhësore, përfundime të studimeve të gjata në po këto fusha etj.T’i lutemi Zotit të na japë shëndetin e mirë, fizik e mendor, që të arrijmë qëllimet.