Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG): Tri mundësi për kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

 

 

Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), tha të henën në një raport se janë tri mundësi të zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në raportin me titull “Rinisja e bisedimeve Kosovë-Serbi”, Grupi ndërkombëtar i Krizave thekson se njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, autonomia për serbët e Kosovës dhe shqiptarët në Serbi si dhe ndryshimi i kufijve, janë tri mundësi që do të mund të çonin deri te kompromisi ndërmjet dy vendeve.

“Janë disa shpresa që një kombinim i trysnisë, miliarda ndihmë për zhvillim dhe investimet për Serbinë, së bashku me sigurinë e anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Evropian, mund të lëvizin atë drejt njohjes së Kosovës pa lëshime të rëndësishme nga Prishtina”, thuhet në raport si një nga mundësitë e kompromisit.

Mundësia e dytë e kompromisit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas raportit do të ishte dhënia e statusit të autonomisë për serbët e Kosovës.

“Sipas këtij opsioni, një rajon serb i përbërë edhe nga dhjetë komuna me shumicë serbe do të kishte ligjin e vet themelor, parlamentin, forcën policore, gjykatën dhe burimet e financimit. Prishtina do të merrej vetëm me mbrojtjen, punët e jashtme, politikën monetare dhe disa ligje zbatimi. Lugina e Preshevës do të merrte të njëjtën, ose një grup të ngjashëm, të të drejtave autonome. Duke mbështetur më parë këtë mundësi, Grupi i Krizave ka vërejtur se kjo përfaqëson një ‘terren të mesëm’ që do të mund të ‘respektojë vijat e kuqe të Prishtinës’, ndërsa lejon Veriun e Kosovës të vetëqeverisë (ashtu siç bën tani) pa ndërhyrje dhe me përfshirje të gjerë nga Serbia”, thuhet në raport duke nënvizuar se megjithatë një ide e tillë mbetet thellësisht jopopullore në Kosovë.

ICG thekson se mundësia e tretë për një marrëveshje kompromisi në mes të Kosovës dhe Serbisë është ndryshimi i kufijve apo i njohur si shkëmbim i territoreve. Sipas raportit, pavarësisht kundërshtimit të fortë të shteteve të Bashkimit Evropian, një ide e tillë mund të jetë çelësi për zhbllokimin e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ndoshta tërheqja më e madhe e mundshme për të dyja palët, një shkëmbim do të lejonte secilin të pretendojë fitoren. Beogradi do të mund të thoshte se e ka detyruar komunitetin ndërkombëtar – duke përfshirë shtetet e mëdha, të fuqishme si SHBA dhe Gjermania për të bërë një marrëveshje me kushtet e saj. Shteti i Kosovës do të përfitonte njohje ndërkombëtare”, thuhet në raport duke nënvizuar se megjithatë një ide e tillë në Kosovë vazhdon të mbetet jopopullore ndërsa shton rrezikun e efektit domino në vendet tjera të rajonit posaçërisht në Bosnje dhe Hercegovinë.

Grupi ndërkombëtar i krizave thekson se pa ndryshimin e qasjes së Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, nuk mund të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Kushtetuta e Serbisë kërkon që çdo marrëveshje që i jep pavarësinë Kosovës duhet të miratohet përmes një referendumi, por udhëheqësit politik në Serbi nuk kanë bërë asgjë që të përgatisin votuesit për kompromiset që duhen të bëhen që të arrihet marrëveshja. Kosova nuk përballet me kërkesa të tilla kushtetuese, por udhëheqësit e saj mund të vendosin që ta vënë në votim marrëveshjen për hir të legjitimitetit dhe në çdo rast do të duhej të përgatisin publikun për lëshimet që duhen bërë për të arritur një gjë të tillë”, thuhet në raport.

Raporti i bën thirrje edhe partnerëve të jashtëm të Kosovës që të përgatiten për bisedime pa ndonjë zgjidhje dhe të mbështesin Kosovën drejt integrimeve ndërkombëtare, lidhjet ekonomike, të sigurisë dhe politike me pjesën tjetër të botës. “Këto lidhje nuk do të sigurojnë qëndrueshmërinë që mund të sigurohet vetëm me një zgjidhje politike për pavarësinë e Kosovës, por duke ndihmuar në zbutjen e frustrimit dhe inatit. Ato mund të ofrojnë disa mundësi modeste për përparim në mes të një situate që është lejuar të acarohet për shumë kohë”, thuhet në raport.

Kosova dhe Serbia sivjet mbushin dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por ende nuk shihet fundi i tyre.

Bisedimet që rifilluan vitin që lamë pas, pritet të vazhdojnë në pranverë meqë aktualisht Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Sipas vëzhguesve kjo periudhë mund të jetë edhe kohë e ripërtëritjes së marrëdhënieve transatlantike që vlerësohen shumë të rëndësishme edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here