Bashkëpunimi Shqipëri – Kosovë: Korrupsioni si faktor, shumë marrëveshje në letër, por pak konkretizim Ilirian Agolli, Zeri I Amerikes

 

Në Tiranë, organizata e bizneseve Al-Konfindustria shprehu sot shqetësim për shkëmbimet e dobëta ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku kanë mbetur pezull një seri projektesh dypalëshe.

Në një deklaratë të saj theksohet se “bashkëpunimi ekonomik në mes dy shteteve shqiptare nuk po shënon fuqizim të prekshëm, madje është në gjendjen më kritike të viteve të fundit”.

 

 

Administratori i saj, Gjergj Buxhuku, thotë se kanë ngelur në vend pa konkretizim disa projekte të mëdha dypalëshe si tregu i përbashkët kombëtar, tregu i përbashkët energjitik, bursa e energjisë Shqipëri – Kosovë.

Po ashtu edhe një seri marrëveshjesh duheshin konkretizuar në formë ligjesh për shkëmbimet ekonmike e tregtare, thotë ai, ndërsa përfaqësuesit qveritarë dhe politikë të Shqipërisë dhe Kosovës e kanë vështirësuar dhe rralluar mjaft edhe uljen formale në tryeza të përbashkëta për të trajtuar problematikat ekonomike dhe biznesit.

“Ne mund të pranojmë standarte të tregut rajonal, por duhet të kemi ecur shumë përpara në bashkëpunimin me vetveten, me njëri tjetrin. Ne shprehim shqetësimin tonë se po humbasim kohë dhe po shpenzojmë energji me mosmarrëveshje të rangut politik, që shkarkohen pa asnjë kuptim mbi ekonominë dhe mbi biznesin e të dy shteteve shqiptare” – tha zoti Buxhuku.

Qytetarët në të dy anët e kufirit që ndan Shqipërinë me Kosovën kanë pritshmëri të larta për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike përmes një tregu shqiptar si pjesë natyrale e integrimit të përbashkët në BE, por këto deri tani nuk janë arritur, deklaron Alb-Konfindustria.

Vëzhgues të pavarur të ekonomisë vlerësojnë se shkak për këto zvarritje në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve është korrupsioni qeveritar në Tiranë dhe në Prishtinë.

Analisti i ekonomisë në Rrjetit Ballkanik Investigativ BIRN Albania, Gjergj Erebara, thotë që niveli i ulët i shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve shpjegohet me mungesën e interesit të qeverive të dy vendeve për ta zhvilluar këtë fushë. Shqipëria dhe Kosova janë dy tregje të ndara me dy sisteme rregullatore të ndara, dhe ka fare pak kompani që veprojnë njëkohësisht në të dy vendet dhe kjo tregon se sa larg janë nga BE-ja.

“Ka një konflikt midis integrimit europian dhe korrupsionit. Nuk mund të pretendohet se Shqipëria do të jetë një vend i korruptuar dhe kështu mund të ecë drejt Bashkimit Europian. Kjo nuk ndodh. Ose do të jesh një vend që do të ecësh drejt Bashkimit Europian dhe do të luftosh korrupsionin, ose do të jesh një vend i korruptuar dhe do të mbetesh jashtë Bashkimit Europian. Nuk është nacionalizmi europian ai që po ndalon progresin e Shqipërisë drejt BE-së. Nacionalizmi shqiptar është përdorur për imazh publik nga të dy vendet me fjalime e përqafime, por në ato takime mediatikisht të bujshme nuk kanë dalë nisma konkrete me interes të dyanshëm në bashkëpunimin ekonomik Shqipëri – Kosoë” – tha zoti Erebara.

Zoti Erebara sjell si shembull flagrant shërbimet postare, që edhe pse kanë një marrëveshje shumëvjecare për tarifat, të dërgosh sot një letër nga Tirana në Prishtinë kushton njëlloj sa ta dërgosh në Norvegji, Gjermani apo Britani të madhe.

Qeveritë e dy vendeve zhvilluan disa kohë më parë edhe mbledhje të përbashkëta, për të nënshkruar sa më shumë marrëveshje.

Alb-Konfindustria vlerëson, se një numër projektesh strategjikë Shqipëri-Kosovë për të cilët është punuar vite me rradhë po vonohen dukshëm.

Nga ana tjetër, zoti Buxhuku thekson se ideja e një tregu kombëtar është lënë krejtësisht mënjanë dhe u zëvendësua me projektin e një tregu rajonal. Krijimi i Tregut Mbarëshqiptar, si qëllim strategjik kombëtar, është i mundur dhe duhet të vazhdonte njëkohësisht dhe pavarësisht lindjes dhe ecurisë së projekteve politike rajonale.

“Ndërkohë që bëhen takime pa fund për tregtinë rajonale, për tregun rajonal, por nuk bëjmë ende atë që kemi mundësi ta bëjmë vet brenda standarteve ndërkombëtare dhe të BE-së për integrimin. Atëherë këtu unë flas për shkarkesa politike, që dëmtojnë në mnyrë rrënjësore zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë në SHqipëri dhe në Kosovë në mënyrën më të pakuptueshme” – tha zoti Buxhuku.

Por si mund të dalin nga ky ngërç i vonesave marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Sipas analisiti Erebara, rruga e bashkëpunimit është shumë e thjeshtë, mjafton që Shqipëria dhe Kosova të ndjekin modelin e Bashkimit Europian; të koordinojnë politikat fiskale, të njëjtësojnë tarifat dhe modelet fiskale, të njëjtësojnë institucionet rregullatore në përputhje me standartet e BE-së.

Mjafton të ecet drejt integrimit europian dhe kemi ecur drejt integrimit mes dy vendeve dhe këtu nuk ka asnjë konflikt, por dy administratat nuk i hedhin këto hapa për t’u integruar, sepse janë të korruptuar.

“I gjithë problemi është tek qeverisja në të dyja rastet. Qeverisja në SHqipëri dhe në Kosovë ëhstë e korruptuar dhe korrupsioni nuk bën të mundur asnjë lloj logjike ekonomike të gjithë argumentat ekonmike rrëzohen në prani të korrupsioni, sepse korrupsioni ka si interes të kundërtën e saj. Aty ku puna nuk ecën me një logjikë normale, atëherë aty është i pranishëm korrupsioni. Shqipëria dhe Kosova nuk janë ekonomi të mirëfillta tregu, por janë ekonomi që komandohen nga faktorët politikë. Këta faktorë politikë në të dy anët e kufirit janë të interesuara që t’i mbajnë gjërat e ndara, se kështu i përshtaten pushtetit të tyre politik” – tha zoti Erebara.

Ekspertët pohojnë se gjendja është pezulluar nga të dy anët e kufirit, në infrastrukturë nuk ka asnjë projekt të përbashkët për investim, bursa kombëtare e energjisë ka mbëtur në letër, ndërsa ajo që duket më shumë ëhstë taksa e njëanshme për kalim në rrugën e kombit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here