Duke e kremtuar këtë vit jubilar, në mjediset e hotel “Opera” në kryeqytet, “Buzuku” ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve të konkursit për roman.
Kështu, çmimi i parë i është akorduar shkrimtarit, përkthyesit e publicistit nga Shqipëria, Besnik Mustafaj, për romanin e tij në dorëshkrim “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin (Conarium)”. Sipas vlerësimit të jurisë, të kryesuar nga studiuesi Behar Gjoka, ky çmim është ndarë me motivacionin për “stilin, tematikën, lojën me kohën dhe hapësirën, narracionin krejt të veçantë në romanin e sotëm shqiptar”.
Çmimi i dytë në këtë konkurs i është ndarë Shkelzen Marevcit për romanin “Terror e dashuri”, si një vepër që, sipas vlerësimit të jurisë, bën një shtjellim psikologjik e letrar të subjektit të terrorizmit.
Ndërkaq çmimi i tretë i është ndarë Biser Mehmetit për romanin “Lulja e hidhur”, i vlerësuar, sipas jurisë, për diskursin modern të shkrimit.
Po kështu çmimi i tretë është ndarë edhe për shkrimtarët: Shqiponja Axhami-Trota për romanin “Fundi i Uskanës”; Nexhat Çoçaj për romanin “Të gjallë e të vdekur në një varr”, si dhe Jetlira B. Avdiaj për romanin “Bija e Antarktidës”.
Në fund të ceremonisë, çmimi special është ndarë për letrarin që jeton në New York, Roland Gjoza për romanin “Naomi”, i vlerësuar për stilin unik, natyrshmërinë dhe larminë rrëfimore.
Sipas Abdullah Zenelit, themelues i shtëpisë botuese “Buzuku”, të gjithë fituesve të çmimeve do t’u botohen romanet.
Te gjitheve iu uroj sukses!