GJASHTËMBËDHJETË DITË. Tregim nga Agim Gjakova

Po, miku im! Gjashtëmbëdhjetë ditë po më mbajnë si njëri-wc. Gjatë gjithë kohës i kam duart e lidhura pas shpine. Asnjë minutë nuk m’ i zgjidhin për të kryer nevojat. Për të mbetur gjallë bie mbi gjunjë si qen dhe me mjekër e shtyj copën e bukës deri në qoshe të mureve dhe e ha. Pikërisht si qen. Asgjë më shumë! Jam njeri si gjithë të tjerët!

 

E di kush jam në të dy anën e vetëdijes. Kur jam vetvetja, do të thotë ana e ndritshme e vetëdijes, dhe shoh se e keni ngushtuar botën për mua, mund të flas me ju pa hutim. Në delirium, ana e ngrysur pas torturave tuaja, mund të flas me veten lirisht dhe me perspektivë të pafund. Do të lë vetëm vetëdijen nëse ndodh diçka me mua…Nuk m’u desh shumë të bëhesha i vetëdijshëm se çfarë keni ndërmend. Për një kohë të gjatë të jetës kam provuar shumë lëndime, dhimbje dhe turbullira, të cilat i kam pranuar të tëra si pjesë e përvojës… Dhe e rritjes. Ju mund të luani me vetëdijen time, por kurrë me ndërgjegjen. Nuk mund të ndryshoni asnjë cifël të saj.

Në atë anën e ngrysur të vetëdijes sime ndjej se më kaplon një errësim paqësor. Kur vij në vete, më rrethon një dritë e artë dhe ju vërej juve përreth, megjithëse nuk mund të shoh asnjërin. Dhe kur ju filloni… kur më detyroni me tortura të “tregoj të vërtetën”, atëherë unë futem në errësirë dhe vetmi. Zhytem në anën tjetër të vetëdijes. Diçka vjen nga brenda. Nga jashtë trurit diku sikur më cingëron telefoni dhe më shqetëson. Nuk mendoj për atë që keni ndërmend për sa kohë që shtrihem në dyshemenë e ftohtë dhe të lagët prej betoni në qetësi të errët të anës tjetër të vetëdijes. Atëherë e kuptoj se çfarë po më ndodh. Ndjej se kërkesa për të vërtetën, cilado qoftë ajo, nuk është qëllimi dhe filloj t’i shpjegoj vetes dhe ta kujtoj mikun më të mirë, fjalët e tij, vizionet e tij, zemrën e tij, besimin e tij… kur më fliste për lirinë, të drejtat, shjoqërinë e lumtur… Por…!  Askush nuk mund të kuptojë se nuk jam duke e ruajtur sekretin deri sa të jua tregoj.

Kur kaloj në anën e errët të vetëdijes  kuptoj se kam qenë duke menduar dhe kërkuar se çfarë është e vërteta.Ende më sillen nëpër mendje pyetjet. Cili është ai sekret, domethënë e vërteta që më kërkohet?

Pastaj buzëqesh… Më kujtohet shoku, miku më i ngushtë i luftës. Ndjej se është buzëqeshje, ani pse nuk mund ta shikoj fytyrën time… me pamje të zbukuruar apo të shformuar. Ju mund të ma thoni.

Çdo natë, i hipnotizuara nga fantazitë kur më lëni në… , po e them paqe…, më kujtohet rrjedha e jetës. Mund të thuhet se jam i çmendur.

Kaloj nëpër tërë ferrin e jetës për të sjellë këtë ditë të ashtuquajtur liri dhe tani… Ajo që po më ndodh është vërtetë çmenduri.

Mund të kujtoj mikun tim, më të mirin mik, kur më tha se… E ashtuquajtura perspektivë revolucionare e shoqërisë! Por…?! Vizione! Dhe tani i them vetes: Ai nuk më tha asgjë! Dhe ju doni të dini diçka nga e vërteta për atë asgjë, por nuk ka sekret. E vërteta… Çka është e vërteta? Është jeta. Jeta mundet ose nuk mundet të ndryshohet me të vërtetën. Ky është sekreti që ju e kërkoni prej meje.

Tani jam i shtrirë në dyshemenë e lagësht e të ftohtë prej betoni, i pamundur të ngrihem në këmbë, i hedhur si qymyr në këtë birucë, duke u përgatitur për takimin me një të ardhme të re të panjohur dhe ende mendja kalëron në anën tjetër të vetëdijes. Përpiqem të arrij në absurdin e mendimeve të mia: “Pra ka dy anë të vetëdijes, ajo i të qenit i vetëdijshëm dhe ajo në agoni të mendimeve.”

Më kujohet nga shkolla : çdo të thotë të jesh njeri i vetëdijshëm? A mos një pjesë e saj rimishërohet çdo sekondë, çdo orë, apo vdes? A mund të jetojë ajo përgjithmonë? A e dëshiroj këtë? A jam junë i vetmi besnik ndaj saj? Nuk mund të them se ç’kuptim ka të jesh i pavetëdijshëm.

“Dëngla! Dokrra! Gjepura!” Çdo fjalë dhëmb. Por koka ime dhemb më shumë me heshtjen. Përse bëni pyetje kur i dini përgjigjet? Nëse me gjithë mend kërkoni të vërtetën, ju do t’i besoni vetes se nuk ka ndonj]ë sekret. Unë nuk po ju them se si po fluturoj në qiej të tjerë. E vërteta është se nuk ju kam njohur gjatë muajve më parë. Kamë qenë duke u përpjekur të çoj përpara gjithë ato për çka jam mundur, por ju nuk jeni të gatshëm të dëgjoni.

Para se gjithash po shoh se keni harruar çdo gjë që keni mësuar për historinë e jetës sime. Gjatë gjithë jetës kam kërkuar të vërtetën. Ju shtiheni se po kërkoni të vërtetën. Të

vërtetën që përbën sekretin. Gënjeshtër: Unë duhet të gënjej? Ja çfarë keni qenë duke kërkuar ju, apo jo? Unë… t’ i prëdor fjalët që shqiptuat ju! Gjithë ç’mund të bëj nuk është vetëdija ime, por “koka ime”… E pabesueshme dhe e frikshme!  Sa do ta mbijetojnë këtë goditje nga idetë!? Ideja ndryshon brenda vetvetes. Nuk kam dëshirë të bashkohem me asnjërën prej shumë formash jete të huaja që gjatë ekzistencës së njerëzimit kanë propozuar disa, le t’u themi nejrëz. Jashtë dëshpërimit, perceptimi im i gjerë për botën rrethepërqark më imponon të shoh me qartësi e ngjyra të hidhura se çfarë po ndodh. Mund të ju siguroj: asgjë nuk mund të ketë përtej së vërtetës. Po të pranoj njërën prej atyre formave të jetës nmund të përfitoj vetëm anën tjetër të vetëdijes, domethënë të jem i pavetëdijshëm. Mund të heq dorë nga ky qëllim. A mund të filloni të mendoni dhe krijoni dhe të rriteni bashkë me mua? Në të tillë rast thuhet se ne jemi të ndërsjellë, të ndërrueshëm, barabar në dashuri dhe urrejtje kundrejt njëri tjetrit. Ne jetojmë në simbiozë, të ndarë, por të bashkuar në mënyrë harmonike.

Megjithatë unë përjetoj anën e ulët të jetës. E humbas veten kur vetëdija juaj është ndrydhur dhe truri juaj duhet të mësojë të flasë, të lexojë, të mbajë në mend, sepse nuk jeni ende mjaft të fortë që të tejkaloni këtë pengesë që ju parandalon ta pohoni veten si banorë të tokës. Pa dyshim se po habiteni se sa gjatë mund të mbijetoj, pothuajse i pavdekshëm. Çfarë do të lëni ju prapa? Asgjë!

Nuk e kam lakmi mendjen tuaj prej dhelpre dhe të mburrem se nuk kam gabuar kurrë si ju. Nuk mund të emërtoj pasardhësit pas ikjes sime, se nuk kam (Në të vërtetë nuk di se ç’është një femër). Emri im do të përmendet jo vetëm nga njerëzit, por edhe nga Zoti. Do të kjutohet si sinonim i të ardhmes. Unë do të fluturoj në të ardhmen dhe ju do të mbeteni në të tashmen me tendencë të shkoni mbrapa. Nuk e kam hallin për gjith çka njerëzit bëjnë keq, sepse nuk mund të kuptojnë botën si ishte dhe si është.

Çdo mëngjes përjetoj një vetëdije tjetër, të qartësuar gjatë natës,  të pasuruar me mirësjellje, të ripërtërirë nga largësia ndërmjet përshtypjeve të një dite më parë dhe të fshirjes së shqetësimit se në botë ekzistojnë mendime të liga. Nuk jam frikësuar nga gabimet dhe nuk i fsheh ato. Në njëfarë kuptimi jam përpjekur ta them të vërtetën çdo herë dhe kudo. Kurrë nuk kam pasur ëndrra të rrezikshme si ogur kobndjellës, ose si rezultat i një pasioni të pafat dhe të fuqishëm. Një herë një plak më këshilloi të mos e vras mendjen për gjëra që nuk mund t’i ndryshoj. Mund të pyes: Çfarë është thelbësore? Të prek diçka konkrete apo shpirtin? Një ide buçitëse, më e rëndësishmja në jetën time, ka sunduar karakterin tim, duke pritur rastin të gjejë vendin për të provuar nëse është e drejtë apo e gabuar – Mirësia! A e dini se ç’është kjo?! A e keni ndjerë ndonjëherë? A i keni të dy anët e vetëdijes?.. Aha, natyrisht se jo! Mund të mos keni asnjërën. Po… po! Jam i sigurt se keni ligësi e egërsi të ngurosur. Kjo mund të quhet ana e tretë e vetëdijes. A është ky emërtim i pangjashëm?  Nga kabineti juaj plot me mjete të ndryshme që tregojnë se keni një vetëdije të tretë, ju menduat as unë jam i brishtë si porcelani. Por unë jam një mrekulli përshkuese dhe magjike. A mund ta kuptoni magjikën?

Kurrë nuk kam pasur zili ndaj ideve apo magjikës së të tjerëve. Dikush mund të thotë sa qesharake. Kam njohur disa njerëz, jo shumë, që kanë arritur magjikën që për ju mund të bëhet aq irrituese sa nuk mund ta besoni. Jam i vetëdijshëm se është e rrezikshme ta them. Por ç’është rreziku? Ta kursesh dikë nga ironia? Qesharake, apo jo? Një mrekulli! Por kur përfundimisht ta kuptoni këtë mrekulli të ironisë si një ndodhi të mrekullueshme, ju gjithnjë do ta duani ose do ta urreni.

“Na thuaj” është fjala që përdorni. A e dini se ç’është gjuha? Ju jeni të kufizuar te një lidhje shpirtërore me kafshët dhe askush nuk mund të ju shërojë nga egërsia, ndërsa mua nga hidhëtia e jetës. Kafshët therren sjellshëm…

Parodi! Që nga fëmijëria nuk kam pasur askënd të ma kruaj shpinën. Nuk kam guxim të lëviz. Çfarë po mendoni? A jeni të uritur? Shikoni në mur. Duket sikur dikush ka vënë aty një bukë në madhësi të një unaze të madhe. Shumë prej jush nuk e dinë se ç’është vetëdija. Shumë prej jush vetëm se jetojnë. A mos mendoni se jeni pronarët e botës me mendjet tuaja të prishta që kanë premtuar se do ta bëjnë botën të rrotullohet mbrapsht? Simbolet tuaja po fillojnë të trembin njerëzit madje edhe ëndrrat plotë makthe. Mishërimi juaj do të bëhet në një planet tjetër.

Tani unë do të ju flas nga ana tjetër e vetëdijes. Shoqëri e re! Botë e re! Rend i ri shoqëror! Ju nuk mund të më ndiqni në mendimet e mia pasi jeni duke bërë pehlivanllëk me planifikimet tuaja egoiste. Ju nuk e doni të vërtetën. Jeni të shqetësuar të përgatitni historinë që do t’u thotë njerëzve se akulli nuk mund të shkrihet as në diell. Ana tjetër e vetëdijes jeni ju. Sekreti që ju e dëshironi nga unë do të kuptohet kur të vijë koha. Është një sekret i çuditshëm. Ashtu si bishat me kafshime rebeluese ju hyni në këtë kthinë dhe përkuleni mbi anën tjetër të vetëdijes sime dhe unë pyes “çfarë është në rend të ditës për sot”. Ju filloni të gënjeni dhe në atë çast unë dëshiroj që të jeni bishat më të egra. Pastaj vetëdija ime fillon të zhvishet: “Mirë, unë nuk mund ta bëj këtë vetëm. Ju lutem më ndihmoni”, dhe qesh. Si dukem? Ju nuk më lini të bëj pushim.

Ju filloni të shkëputni copëza nga vetëdija ime. Ndjehem i lumtur. Së pari ju gëzoheni me ndryshimin e kësaj skene në një peizazh të formave të shformuara. Unë vras mendjen nëse mund të provoj të mbledh këto copëza dhe të formoj një vetëdije tjetër, si një ngrehinë të sofistikuar që lufton për veten, duke më treguar si një personalitet të spikatur. Famë! Çfarë është fama? Madhështia e sendit që nuk ekziston, apo jo? Fama është hapësirë brenda të cilës ju ecni dhe ia nisni një endjeje të marrë.Dëshira të thurura në lakoren e vdekjes! Lundrim i rrezeve të hënës, mbulesë e drojes. Çfarë ka të vërtetë në tërë këtë? Vendosmëria, kokëfortësia, qëndrueshmëria, mospërkulja, këmbëngulja,  papajtueshmëria… ose pajtimi me ju?! Nëse do të kishte forca arbitrare të natyrës unë do të hiqja dorë nga jeta. Por njerëzit janë duke shpikur një formë të çuditshme që të mos e lënë jetën të funksionojë. Mirësevini në këtë botë të humbur të keqdrejtuar! Çdo gjë duket e rrejshme… Duket apo është? Ju keni me qindra bëma, çdo njëra me regjim të ndryshëm të djallit. Hah, më mirë këto t’i quaj “vepra”!

Do ta tregoj sekretin. Por ju juve. Mikut tim. A e dini se kam miq? Ju duhet ta dini se këto gjëra nuk janë të mira për ju në pushtetin tuaj të vogël të uzurpuar. Me që jemi afër vdekjes sime gjërat nuk janë aq të përsosura. Unë po vështroj me maturi anën tjetër të vetëdijes sime. Një ditë dikush do të shkruaj një libër të tërë për veset tuaja duke parë nga kjo anë e vetëdijes sime. Nuk ka gardh ndërmjet së mirës dhe së keqes. Ne vështrojmë njëri tjetrin me orë të tëra. A ekzistion ndërmjet nesh një gardh, një megjë e pakalueshme?! Hapësira tek unë është e gjerë, e pakufishme. Ju keni një vrimë të ngushtë ferri.

Ju jeni të vetëdijshëm në mënyrë të dhimbshme për faktin se statujat tuaja do të formojnë muzeumin e gabimeve, të kompromiseve dhe tradhtive. Çfarë është kompromisi?! Ngjitje e tendencës së imponimit të një kënge drejt arritjes së zbraztisë. Çfarë është tradhtia? Ta këndosh këngën mbrapsht.

Nuk e di se sa orë kanë mbetur deri në mbarim të këtij trupëzimi të djallëzisë. Teatri i krimeve po shtrihet kudo. Ndoshta askush nuk ka për t’u mallkuar, pasi paragjykimet duket se janë pengesa kryesore për ju. Njerëzit ndërtojnë jetën e tyre, ju bëheni nervoz  në skenën e kësaj bote. Ju mendoni se kjo është njëfarëlloj përvoje së cilës ju nuk dëshironi t’i vijë fundi. Që të jem i vërtetë, kjo është një shfaqje. Një shfaqje e vërtetë! Shfaqje ku unë torturohem dhe ju ndjehni jo të rehatshëm. Unë nuk mund dhe nuk dua që të kundërveproj megjithë anën tjetër të vetëdijes sime.

Bëmat tuaja po zhvillojnë një fushatë reklamuese të re më të dobishme me sloganin “Na thuaj të vërtetën”. A ekziston e vërteta?! Ju vetëm mund të shpresoni se njerëzit entuziastë, të cilët nuk kanë idenë se çfarë po ndodh në këtë shfaqje, do të përhapin fjalën tuaj “E vërteta u gjet. Sekreti doli në dritë”. Besoj se është vetëm çështje kohe që njerëzit të kuptojnë gënjeshtrën. Kush e mbështet shfaqjen? Do të vazhdoni deri sa të ju soset energjia djallëzore. Në të ardhmen askush nuk do të derdhë një pikë djerse në këtë gjë. Siç e keni kuptuar, unë jam pikërisht pak më i regjur. Unë mund të arrij atje ku ju nuk guxoni! Ky shpërthim i diversitetit është i nevojshëm që të mbijetojë bota pa një takëm si ju. A mos mendoni se do të përlotem? Përkundrazi, jam miërnjohës se në fund të fundit e kuptova të vërtetën. Ju ma treguat. Ju deshët që unë të prisja të më bëhej moral, të ndjehesha jo i rehatshëm. Çdo gjë më ndodhi mua dhe asgjë nuk ju ndodhi juve.

A jeni të kënaqur? Nuk është keqkuptimi im që mund të jetë formuar gjatë kësaj kohe që unë jam këtu. Është e vërteta që erdhi me sloganin tuaj “Na thuaj të vërtetën”. Diversiteti ndërmjet meje dhe juve është se ju do të vdisni nga pleqëria, kurse unë nga e vjetërsia e së vërtetës. Them: vjetërsia e së vërtetës është njeriu, vetëdija e tij, të dy anën e saj. Unë po flas për ndryshimin e jetës sime. E ndryshuar në atë mënyrë sa askush nuk ka mundur ta kuptojë më parë dhe, shpresoj, miku im do ta kuptojë, shohë, dallojë, njohë, shquaj, veçojë , identifikojë, vëzhgojë, vërë re, shënojë, ndjej, ndiej, bëhet i vetëdijshëm dhe në fund ta realizojë… A u lodhët nga këto fjalë?

Babai dhe nëna ime vdiqën një vit ndërmjet njëri tjetrit. Isha një adoleshent kur i humba. Pa familje, nuk pata rrugë tjetër. Por unë mund të vizitoja shumë miq.

A do të qante nëna ime nëse do të më shihte në këtë gjendje si tani? Vendi ku jetova deri tani është parajsë për mua dhe do të jetë i tillë çfarëdo që të ndodh me mua. Tokë ku mund të varros eshtrat të cilët do të shënoheshin: NJERI.

Ju e doni të vërtetën, atë të vërtetë që aq shumë ka pasur rëndësi për mua. Nuk do të shtoj më tepër se sa ta quaj veten të lumtur që jam ky njeri që shihni. Orvatjet tuaja rrënuese si prej minjsh, që shtireni të jeni ata që nuk jeni, të jeni revolucionarë, por lojcakë, do të përfundojnë në një ideologji  zalisëse, sepse ky popull po humb mjaft gjak.

Nëse unë kam dy anë të vetëdijes, ju keni dy anë të vështrimeve ekzotike. Njëra, si ma tregoi miku im, dhe tjetra egoizmi i errët për pushtet. Por pushteti nuk mund të sundojë mendimet. Kurrë!

“Na thuaj të vërtetën”! Ka heshtje. Ju më shtytë të qëndroja i heshtur, ju, me bëmat tuaja.

Nuk kam ç’të lë mbrapa… Tani jam i gatshëm ta them të vërtetën, ky është “sekreti”. Shkoni dhe thërriteni mikun tim të vijë. Deri sa të vijë ai, unë do të krijoj disa vargje. Ato do të jenë për rënien tuaj. Ç’është rënia? Ëndërr e kthyer përmbys.  Hamendje, pandehmë, hipotezë e… e asgjësë. Ose mirë mirë të thuhet tendenca drejt mosqenies. Udhëtim nëpër shkëmbinj të zi të një terri të zgjatur e të moskuptueshmërisë. Unë do t’i nxjerr nga vetja drejt e një mjedisin e botës këto vargje. Në to ka mjaft çiltërsi të vrazhdë të ironisë dhe të sinqeritetit njëkohësisht. E di se nuk do të hidheni në këmbë, por do të jem i gëzuar të shoh veshët tuaj të duartrokasin në miratim të tyre me kënaqësi. Duartrotiktje e veshëve! E çuditshme! Shumë e çuditshme! Por në të njëjtën kohë me duartrikitjen ju do të ndjeni frikë për shkak të detyrës që nuk duhet t’i dëgjoni

Të zbukuruara me thirrje si lulet e shpërndara në një oborr ju do të ndjeni brenda trupit tuaj që rryma e tyre është e vërteta më e veçantë. Ja:

KULLA E FILDISHTË

 

Më gjuajtën në grumbullin e plehut

“pleh njeri”

isha i vdekur

kërkova lot

kërkova ndonjë dridhje buze

kërkova ndonjë ofshamë

kërkova ndonjë buzëqeshje

tekembrama ironinë me veten…

 

koha mbisundoi e papërfillshme

 

kisha qenë i verbër

në mënyrën time individuale

i munduar të shihja aty ku nuk ka pamje

i gatshëm të mblidhja

një grumbull të verbërish.

 

Tani, më që miku im erdhi, unë dua ta tregoj sekretin: “Miku im, unë jam e vërteta. Unë jam sekreti. Nuk po bërtas për ankesa. Më shiko…”

Sikur ta shihja veten në një pasqyrë të shtrembër, unë pashë në fytyrën e tij fytyrën time të përçundnuar,vetulla të prera, hundë të gërvishtur dhe enjtur, sytë këkordhok, veshë të çarë dhe e çmova veten se isha një burrë dyzetegjashtë kilogramësh nga shtatëdhjetë e tetë që kisha pasur…

Por gjëja kryesore që ai po shihte, ishte pjesa e brendshme e vetëdijes sime… Ai po kuptonte se bota e tij e lirisë dhe e të drejtave të barabarta, të përfitimeve dhe mundësive për të gjithë qytetarët po shkonte në ferr.

Atë natë, në atë shtet të botës së re, lirisë… miku im bëri vetëvrasje dhe unë u ekzekutova.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here