Partitë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi, të cilët pas më shumë se 3 dekadave e fituan pushtetin ndaj Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq, vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje serioze rreth mënyrës së qeverisjes.
Ndërsa Fronti Demokratik , si parti e njohur proserbe dhe proruse në Mal të Zi është duke e bojkotuar parlamentin dhe duke kërkuar marrëveshje të re qeveritare, partitë tjera në koalicion besojnë se partia proserbe nuk ka forcën e duhur për të bërë ndryshime në skenën politike në Mal të Zi.
Në Mal të Zi është krijuar një situatë paradoksale ku qeveria e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, të vitit të kaluar, nuk e ka shumicën, por përkundër këtij fakti vazhdon të qeverisë pa ndonjë problem të theksuar.
Partitë e koalicionit qeverisës, të cilët pas tri dekadave e fituan pushtetin ndaj Partisë Demikratike Socialiste të presidentit Milo Gjukanoviq, kanë marrëveshje serioze rrethe mënyrës së qeverisjes.
Partia proserbe dhe proruse, Fronti Demokratik është duke e bojkotuar parlamentin dhe këmbëngul për një marrëveshje të re lidhur me qeverisjen me kryeministrin Zdravko Krivokapiq, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe marrjen e disa vendeve kyçe në qeveri.
Megjithatë, partitë tjera në koalicionin qeverisës nuk besojnë se trysnia politike e Frontit Demokratik mund të shkaktojë zgjedhje të parakohshme.
Partia qytetare “Ura” e Dritan Abazoviqit, e cila cilësohet si forca politike më me ndikim në qeverinë malazeze vlerëson se një qëndrim i tillë mund ta rikthejë, në formën më të lehtë, Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Gjukanoviq, e cila mbi 30 vjet e ushtroi pushtetin në Mal të Zi.
Zyrtari i Lartë i partisë qytetare “Ura”, Ilir Harasani theksoi se zgjedhjet e parakohshme dhe rrëzimi i qeverisë nuk shkon në favor të Frontit Demokratik.
“Qeverinë e përbëjnë partitë, të cilat janë diametralisht shumë të ndryshme me ideologji, por ndërrimi i pushtetit 30 vjeçar nuk do të ishte i mundur pa u mbledhë ne si parti të ndryshme për ta rrëzuar atë pushtet. Fronti Demokratik ka më së shumti vende në parlament dhe për atë është më i zëshëm. Problemi qëndron se ajo është parti djathtiste dhe destruktive.
Si e tillë kjo parti bënë më së shumti zhurmë, por nuk besoj se do të ndërmarrë hapa radikale për rrëzimin e qeverisë pasi nuk shkon në favor të tyre”, tha zoti Harasani.
Opozita në Mal të Zi e sheh si të panatyrshme qeverisjen e partive me pikëpamje të skajshme politike. Ish nënkryetari i parlamentit të Malit të Zi dhe deputeti aktual i “Listës Shqiptare”, Genci Nimanbegu vlerëson se koalicioni qeverisës e ka vështirë të mbijetojë situatën dhe të vazhdojë përpara.
“Ato veprojnë me programe të kundërta politike, me politike të djathta, nacionaliste apo proserbe. Nga ana tjetër kemi politika që janë demagogjike e popullsitë. Pushteti i ri në Mal të Zi është formuar duke kundërshtuar pushtetin e kaluar dhe ajo që i lidhë aktualisht partitë qeverisëse nuk është e mjaftueshme që të vazhdohet përpara”, tha deputeti Nimanbegu.
Situata e krijuar në Mal të Zi dhe tensionet aktuale e shqetësojnë edhe BE, ku kërkoi që Mali i Zi ti kthehet rrugës që ka marrë, drejt integrimeve evropiane.
“Do të ishte vërtetë për keqardhje nëse partitë politike fillojnë të krijojnë përshtypjen e mospërputhjes dhe paaftësisë, veçanërisht kur Mali i Zi ka arritur deri këtu”, thuhet në një reagim të BE-së.
07 gusht, 2021