IKJA NGA PARISI. Tregim nga Konstandin Dhamo

Sa e vështirë,sa e vështirë shkëputja nga Parisi,pas tridhjetë vitesh !
Paguan qiranë e fundit t’apartamentit dhe,ashtu të mbetur te dera e tij e hapur,i hodhën një vështrim panoramik të përmallshëm,ndonëse ai sakaq ishte i rrëmujshëm dhe gjysmë i zbrazur…
Edhe pse rrobat që i kishin zgjedhur për t’i marrë me vete, si edhe pikturat,figurinat prej qeramike,apo prej bronzi,dosjet voluminoze të mbyllura me kujdes dhe, librat, i vendosi në bagazhin e makinës shoferi dhe ata,bashkëshortët shkrimtarë,ai tetëdhjetë e pesë vjeç,i njohur botërisht dhe zonja e tij ,shtatëdhjetë e tetë vjeçe,një autore e parapëlqyer,por gjithsesi modeste në krahasim me të shoqin, nuk prekën më për së dyti asgjë me dorë,s’e shmangën dot një ndezullim tjetër kujtimesh,që i drithëroi.
Ah,librat librat !
Veçse kur i lëvizën nga vendi të gjithë njëherësh,shkrimtari K e ndjeu thellësisht sesa shumë kishte krijuar përgjatë një veprimtarie të ethshme të pandërprerë dhe,stërmunduese,të nisur që kur ishte një adoleshent i rrëmbyer.
Vitet pesëdhjetë,gjashtëdhjetë,shtatëdhjetë e me radhë,deri te dy dekadat e para të shekullit XXI, pasqyroheshin te mijëra faqet e librave,në përputhje me këndvështrimin e tij ndaj kohës,që ia diktonin në vazhdimësi dijet dhe aftësitë e tij artistike,të cilat i përftoi që nga rinia,gjer në pjekuri,si edhe interesat e ngushta egoiste për të bërë emër e karrierë,apo edhe për t’u mbrojtur herë – herë nga censura komuniste.
Sot,në moshën e tij,kur njeriu nxitet edhe biologjikisht,për t’u bërë cinik dhe filozof gjakftohtë,sugjeron se, është gabim t’i prekësh kirurgjikisht ato çka ke shkruar vite më parë,e t’i nxjerrësh kësisoj nga logjika e kohës,domethënë nga vula e saj .
Librat librat …
Në shqip,në gjuhën origjinale,po ata pastaj të përkthyer n’anglisht,frëngjisht,gjermanisht,italisht,spanjisht ; të përkthyer në rusisht gjithashtu dhe,në disa gjuhë të tjera sllave,alfabeti cirilik i të cilave dallonte lehtësisht mbi kopertinat,ah,por edhe ata të përkthyer në kinezisht,të cilët ,tek i merrje në dorë dhe i këqyrje të shtypur n’atë alfabetin e sofistikuar të hierioglifëve piktorikë,nuk besoje dot se n’ato libra ngërtheheshin gjithsesi tekstet e krijuar prej teje…
Ah,librat !
Por sa gjallohet dhe,sa ndihet i përtëritshëm një shkrimtar,fjala e të cilit lexohet e madje dhe artikulohet në dyzet gjuhët më të kultivuara humane ? Sa e ngushëllon në moshën e shtyrë ky sukses i madh në përfshirjen në një frymë amshimi ? Eh,një herë të ndez të tërin me një dritë hyjnore dhe, një tjetër herë të shkreh në pikëllim…
Por,si mund ta lësh Parisin pas tridhjetë vitesh ,pas tridhjetë vitesh të tërë të një krijimtarie intensive,për të cilën u vlerësua me çmime prestigjiozë ndërkombëtarë dhe ,u nominua shumë herë për Çmimin Nobel,si një mëtues i denjë që përfshihej rregullisht në treshen e kreut !
Siç duket,tashmë s’mjaftuekëshin më thjesht dhe vetëm meritat artistike ; tashmë më shumë se kurrë më parë,merret në konsideratë edhe pesha gjeopolitike e vendit që i përket autori ,si edhe qëndrimi moral dhe etik që mban ai në jetën sociale.Po pra, megjithatë,kur u laurua me Nobelin Hendke nazisti,juria e nderuar e Akademisë Suedeze,i mbylli të dy sytë,e madje të dy veshët, dhe asqë deshi t’ia dijë për deklaratat raciste të nazistit Hendke,kur i dorëzoi me këmbëngulje Çmimin Nobel…
Tridhjetë vjet …
Por çifi i shkrimtarëve,të martuar me njëri – tjetrin prej më shumë se gjysmë shekulli më parë,e kishin ndarë mendjen përfundimisht të shpërnguleshin nga Parisi për t’u vendosur në Tiranë,aty n’apartamentin e tyre,që ndodhej në katin e pesëmbëdhjetë të një kulle të sapongritur në ish Bllokun e byroistëve teveqelë dhe fanatikë të Diktaturës,n’atë lagjen e ndaluar,që e ruanin rreptësisht ushtarët e armatosur me kallashnikov të Gardës së Republikës…
Tashmë kjo lagje,përsëri e integruar,gumëzhin pareshtur nga trafiku i automobilave dhe kalimtarëve,por edhe nga kafenetë dhe restorantet e hapur te të gjitha vilat me oborre të gjelbëruar,pronarët e ligjshëm të të cilave,me t’i zotëruar sërish pas Nëntëdhjetës,i lëshuan me qira .
Bashkëshortët shkrimtarë,aty te rrugët e ish Bllokut,do të kishin dashur t’i shihnin broduejsat,ato vajzat që veshën të parat minifund dhe,ata djemtë me pantallona me prerje kauboj,që e bënin xhiron e mbrëmjes në Rrugën e Dibrës të viteve gjashtëdhjetë,ndonëse regjimi komunist i përsekutonte ngaqë ndiqnin modën,aqsa mundnin ta ndiqnin dhe,ngaqë dëgjonin bitëllsat dhe rrollingstonsat,muzika e të cilëve njollosej si aheng i degjeneruar bandash…
Gjer lart,në mbledhjet e Byrosë Politike,anëtarët e saj i përmendnin në diskutimet e tyre me emrin përkatës ata që visheshin pas modës : ç’është mor’ ai piktori Ali Oseku,që shëtit në bulevard si Napolon Bonaparti me pallto maxi…
Ata broduejsat pararendës do të kishin dashur t’i shikonin lart e poshtë nëpër rrugët e ish Bllokut, të veshur e të mbathur hijshëm tashmë si edhe në Londër,Milano,apo Paris,madje dhe duke ngarë një Mercedes Benz,Audi,,apo edhe një Lambo Aventador…
Disa prej tyre shkrimtari K i njihte personalisht dhe,i takonte shpesh te trotuari poshtë pallatit,por ata tashmë i binte t’ishin së paku shtatëdhjetëvjeçarë dhe zor se vëmendja e tyre përqëndrohej më te trillet e modës,ndërsa te xhiroja e mbrëmjes në Broduej,ndjekja e saj konsiderohej një mision…
Kështu kështu dhe,për çudi thuajse asnjë broduejs nuk u largua nga Shqipëria pas Nëntëdhjetës…
Por ja,si e sjell jeta ! Ata që guxuan,u dhuruan ëndrrën e tyre brezave pasardhës,të cilët po e jetojnë në realitet.Ata djem dhe ato vajza veçse të bukura,i vunë emrin Broduej atij segmenti prej njëqind metrash të Rrugës së Dibrës,sa ç’është edhe pista e sprinterëve,brenda të cilit ndodhej edhe Mapoja e Madhe,edhe apartamenti i çiftit të shkrimtarëve,te një pallat,arkitektura e të cilit u kritikua për modernizëm,në radhë të parë dhe,së dyti për koston e lartë të ndërtimit,teksa vetë arkitektin e tij e hodhën në burg…
Nga Brodueji i dikurshëm nuk ka mbetur asgjë tjetër përveçse pallatit ku banuan ata gjatë periudhës komuniste,por edhe vetë shtëpia e tyre,me ballkonin – lozhë nga ku mund të ndiqje xhiron e mbrëmjes dhe radhët e gjata të blerësve para dyerve të Mapos së Madhe,është kthyer në muze,për t’u lënë brezave t’ardhshëm,ashtu të ngrirë,mjediset ku jetoi dhe krijoi shkrimtari i shquar. Objektet dhe sendet e prekura dhe të përdorura prej tij,qofshin prej druri,prej hekuri apo prej letre,fill pas përurimit të muzeut,nisën të kthehen në fetishe të vërtetë për adhuruesit e shumtë të shkrimtarit,të cilët ,kur ai jetonte në Broduejin avanguardist,çapiteshin përgjatë pallatit rregullisht,thuajse nën disiplinën e një ceremonie religjioze,që e kryenin ende,sepse e kaluara e shkrimtarit K,vetë rrezatimi i tij,ishin sërish aty në shtëpinë – muze,brenda së cilës asgjë nuk lëvizej e nuk transformohej më dhe,kësisoj ajo e kaluara e tij ishte romantizuar sakaq dhe ndoshta edhe mund të shenjtërohej.Jo më kot muzetë e këtij lloji,kudo që ndodhen ,shndërrohen në ngrehina kulti .
Po po,ndonëse për vetë shkrimtarin K dhe të shoqen,lënia e asaj shtëpie,ishte bërë e domosdoshme pas dhunimit që iu bë kur u bastis dy herë radhazi nga sigurimsat që kthyen gjithçka përmbys dhe morën për vete ç’u pëlqeu.
I tillë është muzeu,kushtuar shkrimtarit K,por a i pëlqen vallë një autori ta shohë një muze të tillë të ngritur për nder të tij,ndërkohë që ai është ende gjallë ? E kush është ai ideator dhe kurator që beson vërtet se shkrimtari,domethënë i zoti i shtëpisë,do të gjente përnjëmend intimitetin dhe privatësinë që kishte n’ata pavijone kur banonte dikur me gruan dhe fëmijët nëpër këmbë ? Eh, si prishet magjia e vendbanimit e një krijuesi gjenial,sapo ta prekë,qoftë edhe një arkitekt interieresh mjaft i specializuar ! Pale kur këto iniciativa të vlefshme madje dhe të domosdoshme,edhe kur priren nga marketingu,ia fshijnë krijuesve nostalgjinë.
Prandaj kësi muzesh lypset të hapen kur personaliteti ,të cilit i kushtohet, të jetë larguar nga kjo botë.Për këtë arsye shkrimtari K nuk u shfaq kushedi sa entuziast,kur vizitoi shtëpinë – muze në Gjirokastër,atë shtëpi të restauruar tërësisht ,ku kishte lindur dhe kishte kaluar adoleshencën.Shumë interesant ishte ai muze për turistët,ngado që ata vinin,vetëm për shkrimtarin K jo,ngaqë s’e gjeti më aty as fëmijërinë e as rininë e parë…
Tek apartamenti në katin e pesëmbëdhjetë,aty te ish Blloku,ku gjer para një viti sodisnin që nga ballkoni malin e Dajtit,i cili kur moti kthjellohej pas shiut,dukej sikur lëvizte e të afrohej deri te Bulevardi Dëshmorët e Kombit,dhe ti mund të rravgoje virtualisht mes drurëve të pyjeve ,që dalloheshin shkriftueshëm ; ndërsa në një mot me re dhe ajër të ndotur me smog,dukej sikur ishte larguar e larguar pale sa shumë dhe,ashtu njëngjyrësh dukej gati i gaztë,aqsa të besoje se do të ndërronte konturet ,tashmë, ngjitur me kullën e apartamentit të tyre,ngritën një tjetër kullë të hirtë dhe, mali u zu,teksa në dhomat e tyre ra hija ,një hije me një densitet t’atillë sa të bëhej se ishte e lëndët.Ç’arrogancë e ç’paturpësi ! Asqë pyeste kush se,çfarë prishte e çfarë ndërtonte …
Sidoqoftë,aty do të jetonte prapseprapë tash e tutje çifti krijues dhe,pikturat,së bashku me figurinat që po i merrnin me vete,do t’i vendosnin në hollin e madh të ndenjjes,që të shihnin ,tek preheshin ,të njëjtat vepra arti që shihnin edhe në muret e hollit t’apartamentit në Paris.
Ah,por ndoshta,diçka nga ato që po sillnin nga Franca duhej t’i vendosnin edhe në hapësirat e vilës së pushimit në Durrës,e cila rrethohej me pisha të larta,aty ndanë detit buçitës.Po po, të gjitha i kishin parashikuar gjer në detaje,por ku mënjanohej dot Parisi ! Edhe nuhatja krejt e beftë e një parfumi Chanel,fjala vjen,apo Louis Vuitton ,do t’i provokonte e do t’i këndellte në çast dhe,do të hapnin sytë të shihnin se,në ç’krah e kishin Kullën Eifel,Piramidën e Luvrit, apo Senën,Senën që rridhte…
E ku shqitej nga shpirti Parisi !
Që në ditën e parë të mbërritjes në Francë,më Nëntëdhjetën,që solli përmbysjet e mëdha ideologjike në Shqipëri,ashtu të rraskapitur siç ishin dhe të traumatizuar,tek prisnin të merrnin azilin politik,u rrethuan menjëherë nga miqtë e tyre të pandarshëm,shkrimtarë,kineastë etj,në prani të të cilëve ,për fat dhanë edhe intervistat e para,me t’u rrethuar nga luzma e gazetarëve t’etur.
Më pas i thanë vetes të kishin kujdes të përhershëm,sepse rreziku për jetën mund t’u vinte, për ironi, pikërisht nga vendi i tyre me rend publik të prishur ndërkohë,ngaqë partiqeveria e atjeshme,ndonëse në hekë,mund të çonte në Francë ndonjë sigurims primitiv,të ngarkuar me detyrën patriotike për t’i asgjësuar fizikisht ; po po,edhe në trotuaret plot sharm të Shanz Alizesë…
Por ikën nga Parisi !
Nga Parisi që u dha aq shumë dhe,veçanërisht atij,shkrimtarit të shquar. Vetëm Çmimin Nobel s’arriti ta marrë,por për këtë nuk duhej fajësuar kurrsesi Parisi që arriti t’i vërë kandidaturën pë këtë çmim si shkrimtar franko – shqiptar, të përzgjedhur pra nga pala franceze…
Dhe ata ikën,në një mëngjes me dritë lëbyrëse vere,që shpëlan çdo rrugë e çdo vëllim ndërtesash.
Edhe vetë dielli të kujtonte atë punonjësin që e merr me bezdi turnin e radhës.
Parisin e lanë të shpërfytyruar.
Parisin e lanë të mbuluar me maskë .
Parisi ishte kthyer në fantazmë !
Ah,përndryshe do ta kishin pasur tepër zor ta linin…
Parisi këtë herë u maskua për të luajtur nga mëngjesi gjer në mbrëmje maskaradën e Pandemisë Covid 19 !
Parisi me maskë…
Edhe retë,herë të bardha,herë gri,të zeza herë – herë, ia zinin frymën Tur Eifelit si t’ishin maskë.
Maska Maska Maska
Dhe,ata u larguan
Pa iu bërë ndërgjegje maska mbi Paris !
Ata u larguan
Sena rridhte…
Në Tiranë,që n’intervistën e parë zonja K u tha gazetarëve : u kthyem përfundimisht këtu në Shqipëri ,me shumë gëzim madje .Të keqen e Tiranës ! Sa qejf bëhet këtu, oh,me sa padurim e pritëm kthimin ! Sa hare paska,kafenetë qenkan plot e përplot dhe,ne do të ulemi dhe do të kënaqemi me miqtë ! Ah,Parisi u kyç,Parisi u pikëllua,s’rrinim dot asnjë ditë më shumë.E kush do ta kishte parashikuar këtë kthim të prerë. Ja si vajtkan punët në jetë : vendime të papritura dhe,dashuri të rindezura dhe, të rifituara ! Ah, Parisi,sa mirënjohës i jemi atij,por tani kemi nevojë për Tiranën pa Maskë…
Nëse shkrimtari K nuk do ta kishte sjellë lavdinë letrare në Shqipëri nga Parisi,zor se do t’ia kishte vlerësuar ndokush romanet ,që shkroi e shkroi pas atyre poemave agjitative,kur i shpërtheu ditirambi politik ; shkrimtari K është në çdo rast modernist,madje edhe i pasinqertë dhe gjithë artifice,nënvizonin për të n’artikujt e tyre kritikët partiakë në kor me kolegët e tij të paaftë ; ti nuk e njeh aspak jetën,i turreshin,ti s’e ke idenë sesa revolucionare është klasa jonë punëtore dhe fshatarësia kooperativiste ,ti je mikroborgjez në mentalitet dhe të pëlqen vetëm Perëndimi…
Ç’ironi kriminale ! Mendo,ishin pikërisht këta grafomanë kuturisës që,me librat e tyre sollën në versionin shqiptar korçaginët dhe stakhanovët sovjetikë dhe më pas,edhe vetë të shumëpriturin Lej Fen të Kinës maoiste…
Mirëpo,edhe për Enver Hoxhën,i cili në rininë e vet kishte qenë një dendi bukurosh,ishte i dobishëm suksesi ndërkombëtar i shkrimtarit K,ngaqë sipas tij dhe,për këtë arsye edhe për turmën njëmimikëshe të studiuesve të letërsisë,ai sukses vërtetonte se metoda e realizmit socialist n’art e kulturë,nuk ishte aspak një dogmë leniniste,paçka se shkrimtarin e shkretë e kishin dërrmuar po ata vetë,duke e akuzuar me partishmëri se,ai i shmangej haptazi kësaj metode…
Veç kësaj,fama e shkrimtarit K,i vlente diktatorit edhe drejtpërdrejt,ngaqë ishte ky autor i shquar dhe jo një dosido,që kishte shkruar për të një roman,me të cilin i kish ngritur monumentin më të paasgjësueshëm…
Por me kë të flisje ; liria s’i hyn në punë injorantëve ,që duan të rrojnë skllavërisht …
Shumë shpejt pas mbërritjes në Tiranë ,bashkëshortëve shkrimtarë u erdhën në vesh reagimet e para t’atyre që s’ua kishin dashur asnjë herë të mirën : hehe,u kthyen përgjithmonë në Shqipëri,pikërisht tani që s’i përfillte më njeri e s’i ftonin më gjëkundi ; boll u mor Parisi me ta ! Le të tjerat, por sikur mbaruan edhe koniukturat e favorshme politike .Dhe ja,erdhën të vdesin n’atdhe ritualissht,siç i ka hije çdo artisti me identitet kombëtar,hehe…
Ka shkruar vjersha pë Stalinin,filluan të sokëllinin lloji i ri i armiqve të shkrimtarit K,të cilët u shfaqën pas Nëntëdhjetës.
Po mirë,i kundërshtonin të tjerët,kur ai vjershëronte për Stalinin ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç,pra me një llogari të shpejtë,i binte t’i kishte shkruar në fillimet e viteve pesëdhjetë,kur edhe në rrugët e Parisit,mund të hasje rëndom furgonët,mbi llamarinat e të cilëve shkruhej me germa të mëdha : Të ndihmojmë Baba Stalinin…
Dhe,mblidh plaçka dhe mblidh ushqime …
Po nobelisti Pablo Neruda që shkroi poemën Këngë Dashurie pë Stalingradin ,kur ishte dyzetvjeçar ? Ç’mund të dinte më shumë për komunizmin dhe për vetë Stalinin atëherë ky djalosh nga një provincë e Shqipërisë,kur edhe në mbarë botën komunizmi ishte një aspiratë e ndritshme ? Pablo Neruda madje shkroi edhe një vjershë solidariteti për Shqipërinë e diktatorit Enver Hoxha,një vjershë gjithsesi e dobët,që nuk ka mbetur kush pa provuar ta përkthejë…
Armiqtë janë në të drejtën e tyre ,madje edhe në kuptimin ligjor,por idiotësia e tyre në këtë kontekst,qëndronte te aleanca e të djeshmëve me ata të sotmit,pra e atyre që e akuzonin shkrimtarin K si modernist e renegat,tradhtar i mësimeve të Partisë,me ata të rinjtë që,përkundrazi,e akuzojnë si komunist i paepur dhe këngëtar i Oborrit të Kuq…
Prandaj armiq dhe jo kundërshtarë parimorë dhe,ajo çka i lidh bashkë është thjesht urrejtja ndaj shkrimtarit K,e cila shkreptin nga zilia…
Parisi e harroi edhe Samuel Beketin në fund ! O,sakaq kanë dalë të rinj të tjerë të guximshëm,të talentuar dhe novatorë,sa s’thoshin haptazi në artikujt e tyre analistët e teatrit dhe kësisoj Beketi,që priti Godonë,së bashku me personazhet e tij,vdiq i braktisur në një çmendinë,siç u shprehën,kur u kujtuan ta përmndnin Beketin nobelist,pa e vrarë mendjen që, atë institucionin shëndetësor ta thërrisnin me një emërtim më eufemik,të cilët nuk mungonin…
Eh,shembulli i Beketit !
Po si mund të vdiste,përveçse kështu i braktisur ky dramaturg i absurdit ?
Eshtë Godot ,jo God,i sqaronte Beketi të gjithë ata që e pyesnin intrigueshëm nëpër intervista,ja që personazhi im s’është Zoti…
Por rasti i Beketit nuk kishte aspak përputhshmëri me atë të shkrimtarit K,boll të thoshe se autori shqiptar kishte përgjithmonë bashkëshorten e tij pranë dhe miqtë e tij të kahershëm që nuk ia kthyen krahët asnjë herë…
Erdhën n’atdhe për të vdekur…
Por,a kishte sado pak një të vërtetë në shfrimin e ligësisë së armiqve të tyre të ndërkryer ?
E ç’të vërtetë të kishte,e kush nuk e lë një ditë këtë botë,por vdekja në vendin tënd,jo më kot është më ngushëlluesja dhe,më e paqta !Tërheqja metafizike e dheut të vendit tënd,është më e papërballueshmja…
Pas disa ditësh zonja K i telefonoi nga vila e tyre në plazh,mjekut,i cili përkujdesej për bashkëshortët sa herë ata ndodheshin në Shqipëri :
– Doktor,kam pasur rrahje të çrregullta zemre dhe,marrje mendsh këtë mëngjes.
– O,erdha menjëherë ! – iu përgjigj mjeku – Por mos u shqetësoni zonjë; vendimi që morët për t’u kthyer përgjithmonë në Shqipëri,takimet me miqtë dhe lexuesit,provokimet,ndryshimi gjithsesi i klimës,emocionet pra,ndikojnë n’organizëm,pa përmendur edhe moshën.Por ju, zonjë e nderuar dhe bashkëshortin tuaj të madh,ju pret tashmë një jetë e dytë plot falënderime dhe,shprehje respekti për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë për vendin,erdha …
Pas tridhjetë vitesh…
15 Gusht 2021

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here