Ne Maqedoninë e Veriut u mbajten zgjedhjet lokale

• Isak Ramadani
________________________________________
Në Maqedoninë e Veriut po mbahen zgjedhjet lokale, të shtatat që nga pavarësia e vendit. Mbi 1 milion e 800 mijë votues do të zgjedhin kryetarët e 80 komunave dhe të qytetit të Shkupit si njësi e veçantë administrative dhe anëtarët e Këshillave Komunalë. Procesin po e vëzhgojnë 165 përfaqësues të misonit ODIHR, dhjetra përfaqësues të përfaqësive diplomatike dhe disa qindra vëzhgues të organizatave joqeveritare.
Të dielën po mbahet raundi i parë i zgjedhjeve vendore dhe në fund të ditës si zakonisht mund të dihet një numër i vogël i fituesve të posteve të kryetarëve të komunave, ndërsa dy kandidatët me më shumë vota do të shkojnë në balotazh pas dy javësh.
Procesi është zhvilluar kryesisht i qetë, ndërkohë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar për probleme të natyrës teknike në disa qendra votimi me aparatet biometrike për gjurmët e gishtave, të cilat për herë të parë po përdoren në këto zgjedhje. Për këtë pati këmbëngulur opozita maqedonase e cila vlerësonte se kështu nuk do të ketë mundësi që dikush të votojë dy herë. Komisioni ka bërë të ditur për një sërë ankesash nga subjekte pjesëmarrëse në proces për parregullsi për të cilat thotë se janë në shqyrtim e sipër.
Maqedonia e Veriut ka të regjistruar rreth 1 milion e 825 mijë votues dhe kjo shifër e lartë ka vite që ka ngritur dilema te një pjesë e subjekteve politike dhe faktorë të tjerë.
Sipas autoriteteve, interesimi i votuesve deri në orët e drekës ka qenë më i ulët në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit të kaluar dhe me ato lokale të 2017-ës.
Për 81 postet e kryetarëve të komunave konkurojnë 297 kandidatë; më së shumti për Shkupin, 12, dhe nga 7 në Tetovë e Strugë. Kandidatët premtojnë kushte më të mira për qytetarët, ndërsa votuesit presin që drejtuesit e rinj të komunave të mos korruptohen dhe të japin llogari për punën e tyre.
Procesin po e ndjekin 165 vëzhgues të misionit ODIHR të OSBE-së.
“126 janë vëzhgues afatshkurtër, të shpërndarë në të gjithë vendin”, tha Tana de Zulueta, shefe e misionit të ODIHR-it.
Zonja De Zulueta tha për terminalet e shenjave të gishtave se janë një teknologji e re teksa “vëzhguesit po shikojnë se si rrjedh procesi dhe se është herët për të bërë vlerësime, por ne”, shtoi aјo, “mbajmë shënime lidhur me të gjitha vështirësitë nëse paraqiten në terren”. ODIHR nuk bën komente derisa zhvillohet votimi, ndërsa nesër pritet të bëjë vlerësime lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkohë, Ambasada amerikane në Shkup përmes një mesazhi në Twitter thekson se pjesëmarrja në një proces demokratik është thelbësore për një demokraci të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse.
Në komunat më të mëdha të banuara me shumicë shqiptare gara zhvillohet kryesisht midis kandidatëve të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të koalicionit midis Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Ndërsa kjo e fundit ka lidhur koalicion me opozitën maqedonase të drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja, BDI-ja dhe Lidhja Social Demokrate nga ana tjetër po ashtu kanë marrëveshje për mbështetje të ndërsjellë atje ku nuk kanë kandidatë të tyre. Këto janë zgjedhjet e para në të cilat zyrtarisht bëhen koalicione ndëretnike.
Shqiptarët do të drejtojnë komunat e Tetovës, Gostivarit, Strugës, Kërçovës, të Çairit dhe Sarajit në Shkup, Dibrës së Madhe, komunat e Likovës e të Haraçinës në veri të vendit dhe disa komuna të tjera më të vogla rurale.
Për komunën e Shkupit, sipas pritjeve në balotazh do të shkojnë kreu aktual i qytetit Petre Shilegov i Lidhjes Social Demokrate dhe Danella Arsovska, e cila e ka mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here